06/10/2024

Albin Kurti, Sorosi dhe erozioni elektoral i Vetëvendosjes!

0

Nga Enver Bytyçi

Albin Kurti priti sot në Prishtinë homologun e tij kroat, Andrej Plenkoviq. Ka kohë që kryeministri i Kosovës, ndryshe nga kryeministri i Shpiqërisë, shfaq një orientim drejt perendimit (Zagrebit) dhe jo lindjes (Beogradit) në aleancat rajonale. Eshtë ky një vendim i duhur për Kosovën dhe shqiptarët, i cili i duhet imponuar edhe Shqipërisë.

Por kam bindjen se një orientim i tillë pro-europian dhe pro-atlantik nuk mbështetet nga George dhe Alex Soros, sepse lidhjet e Soros me Beogradin janë të tilla. Atëherë si është e mundur që kryeministri Kurti mban një lidhje të ngushtë me filantropin mashtrues të Amerikës, lidhje të cilën e proklamoi dy herë brenda një muaji?! Në fakt duhet të jem korrekt: Takimin e dytë në Paris para tri-katër ditësh e publikoi Alex Soros dhe jo Albin Kurti. Dhe pikërisht kjo më ka bërë prej tri ditësh ta vuaj dilemën se pse ndodh kështu!

Të jem i sinqertë, nuk mendoj se Kurti apo dikush tjetër nuk do të duhet të takohen me George apo Alex Soros. Por më shqetëson mungesa e transparencës. Askush, as Kurti, nuk janë transparent sa i përket marrëdhënieve me ta. Ai shfaqet si hije kudo ku ka samite ndërkombëtare dhe rajonale dhe askush nuk e di pse Soros është prezent kudo, në Paris, në Beograd, në Shkup, në Ohër, në Tiranë, në Novi-Sad?! Dikur vinte si hije edhe në takimet Thaçi-Vuçiq, madje me projektin e ndarjes së Kosovës në dorë!

Mungesa e transparencës së zotit Kurti në rastin e takimeve me Soros dhe në raste të tjera është një ndër shkaqet e erozionit elektoral të zgjedhjeve lokale në Kosovë. Ashtu siç ndodhi me Hahsim Thaçin, i cili u bë i padëshiruar nga shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës pikërisht për mungesën e transparencës në bisedimet Kosovë-Serbi. Transparenca është sinqeritet. Sinqeriteti shpërblehet edhe në rastin kur gabon. Mungesa e saj është keqpërdim i besimit të qytetarëve. Edhe nëse qytetarët nuk shohin me sytë e tyre asnjë provë pabesie, në rastin e mungesës së transparencës ata e venë në dyshim besimin e tyre te liderët jo-transparentë!

Albin Kurti e ka për obligim të jetë transparent për marrëdhënien e tij me Alex Sorosin dhe Sorosin si ndërmarrje anti-demokratike në Ballkan. Nëse jo, atëherë dyshimi do të thellohet dhe besimi do të zbresë në kuota më të ulëta se besimi ndaj Hashim Thaçit e Isa Mustafës. Secili politikan shqiptar duhet ta informojë publikun për gjithçka, e sidomos për marrëdhënie sensitive si ato me George Soros dhe piramidën e tij anti-demokratike e perverse!

George Soros, djali i tij Alex dhe fondacioni Soros në Beograd hartuan projektin e shkëmbimit të territoreve, ndryshimit të kufijve dhe ndarjes së Kosovës. Albin Kurti ishte dhe mbetet publikisht kundër këtij projekti. Erdhi në pushtet duke demaskuar ish-Presidentin Thaçi për përpjekjet e tij pro-ndarjes së vendit. Por a ka të drejtë qytetari të dyshojë në qëndrimet e kryeministrit të vet, kur ai sheh se ndërsa ky kryeministër erdhi në pushtet me kundër-projektin e ndarjes së Kosovës, bashkëpunon me autorin e atij projekti?! A ka të drejtë qytetari i Kosovës në këtë rast të revoltohet, kur kryeministri i premtimeve të mëdha dhe i luftës kundër Hashim Thaçit dhe korrupsionit të tij, bashkohet me miqtë e po Hashim Thaçit, madje pa shpjeguar pse ndodh kjo?!

Akesandër Vuçiq dhe Edi Rama janë miqtë më të ngushtë të George dhe Alex Soros në Ballkan. Edhe kjo e vërtetë dihet tashmë. Por shtrohet pyetja se a kanë të drejtë qytetarët e Kosovës të dyshojnë dhe të shqetësohen për marrëdhëniet jo-transprente të zotit Kurti me Sorosin në këtë rast?! A duhet që të marrë përgjigje narrativa, sipas të cilës nëse Sorosi junior transmeton ose jo mesazhe të Beogradit e Tiranës të kryeministri i Kosovës, kur ky i fundit takohet dy herë në muaj me Alex-in?! Sigurisht që është e drejtë e qytetarëve të njohin të vërtetën. Dhe e vërteta kërkon sinqeritet, transparencë dhe komunikim midis kryeministrit e qytetarëve të tij.

E di se shoqëria njerëzore dhe politika si pjesë e saj zhvillohen përmes të kundërtave. Dhe në këtë spektër të luftës së të kundërta bëjnë pjesë edhe marrëdhëniet e panatyrshme si kjo e zotit Kurti me zotin Soros. Por publiku ka nevojë për informacion, për komunikim, ka nevojë të njohë e të shohë nga afër e drejtpërdrejt të vërtetën që ndodh. Ashtu si e sheh të vërtetën e madhe e të bukur të orientimit drejt perendimit, stacion i të cilit është Zagrebi, ka nevojë të informohet edhe për lojërat në prapaskenë për çeshtje të tjera sensitive dhe të mëdha që lidhen me fatin e Kosovës e të qytetarëve të saj.

Ndryshe erozioni vazhdon deri në zhbërje.  Qytetari më i emancipuar i rajonit tonë, pra qytetari i Kosovës, nuk fal. Ai ndëshkon. Por jo me fjalë, jo me arrogancë. Ndëshkon me votë! Mësojeni këtë ju politikanë të cilitdo spektër. Ta mësojë edhe zoti Kurti dhe të nxjerrë mësime të vlefshme për veten e tij si individ, për Lëvizjen Vetëvendosje dhe për Kosovën!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok