21/12/2024

Albin Kurti dhe Edi Rama – Dy kontraste dhe dy karaktere të kundërta

0
Enver-Bytyci1

Nga Enver Bytyçi

Shqiptarët kanë sot dy personazhe në kontrast njëri me tjetrin, Edi Ramën dhe Albin Kurtin në krye të dy qeverive, në Shqipëri e në Kosovë. Të dy të majtë në raport me spektrin politik. Të dy me retorikë të spikatur e origjinalë në llojin e vet. Të dy luftarakë për të arrit qëllimet politike.

Por, Albini dhe Edi janë e kundërta e njëri-tjetrit sa i përket, besimit karakterit dhe raportit që kanë me atdheun. Pse mora këta elementë? Sepse karakteri përcakton edhe raportin me familjen, atdheun, pronën, dinjitetin dhe integritetin. Raportin me atdheun e kombin nuk e përcakton ideologjia, aq sa e përcakton edukata familjare, besimi, sjellja morale dhe karakteri fisnik ose jo i personazhit politik.

Edi Rama ka karakter jashtë kritereve dhe standardeve të familjes. Nuk i di arsyet, por ai e urren organizimin familjar të shoqërisë. Për pasojë nuk mund të ketë asnjë lloj afeksioni shpirtëror për atdheun e për kombin. Sepse kombi e atdheu janë si një familje, por me përmasa gjigande të saj. Ndërsa Albin Kurti duket se ka si kult të vetin familjen, traditën, besimin, integritetin dhe dinjitetin. Kjo nuk do të thotë se zoti Kurti është perfekt. Ata që duan t’i gjejnë cene në karakter dhe sjellje, janë të lirë dhe mund të gjejnë të tilla cene. Por nuk mund të thuhet se Kurti nuk i përmbahet kodit të familjes. Nuk mund të mendosh se ai nuk punon për interesat e atdheut e të kombit.

Rama bashkohet me Vuçiqin në të gjitha pikëpamjet e projektet serbe

Pse po bëj këtë diferencim midis dy kryeministrave, të cilët shumëkush dëshiron të thotë se janë shqiptarë? Për mua kriter i të qenit shqiptar është shërbimi që i bën Shqipërisë dhe shqiptarisë.

Le të shohim qëndrimin që të dy këta kanë ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq! Kreu i shtetit serb është pasqyra në të cilën dallohen vijat ndarëse midis Edi Ramës dhe Albin Kurtit, sa i përket qëndrimit ndaj atdheut. Ndërsa Rama e promovon mikun e tij të Beogradit si “paqësor”, “pro-europian e perëndimor”, Albin Kurti e demanton këtë, duke sjellë prova dhe fakte se Aleksandër Vuçiq jo vetëm është pro-rus, por se punon e angazhohet fuqimisht për të destabilizuar rajonin. Çfarë interesi ka Edi Rama dhe çfarë shërbimi i sjell shqiptarëve ky pozicion i tij ndaj kreut të shtetit serb?

Ndërsa, Edi Rama bashkohet me Aleksandër Vuçiqin në të gjitha pikëpamjet e projektet serbe për Kosovën e Ballkanin, Albin Kurti u ka vënë fre këtyre projekteve në mbrojtje të vendit të tij! Ndërsa, Edi Rama përpiqet që të izolojë Kosovën, një pjesë të zemrës e shpirtit të kombit shqiptar, Albin Kurti kërkon mbrojtjen e shtetësisë dhe territorit të saj! Ndërsa, Edi Rama hesht e madje kërkon, njësoj si presidenti i Serbisë, “harresën” për krimet e gjenocidin serb në Kosovë, Albin Kurti i kërkoi të njëjtit person më 18 gusht në Bruksel që të paguajë dëmshpërblim për vrasjet, përdhunimet dhe shkatërrimet që ka kryer në këtë vend!

S’ka përgjegjësi nacionale një kryeministër i korruptuar

Ky raport me Beogradin pro dhe kundër është gjithashtu tregues i raportit me atdheun dhe kombin po ashtu në formatin pro dhe kundër. Por, kryeministri i Shqipërisë e ka në majë të gjuhës të gjejë justifikimin. Ai thotë se është përgjegjës për Shqipërinë e jo për Kosovën. Në fakt nuk është ky shkaku i qëndrimeve të kundërta në raportin ndaj familjes e atdheut të Edi Ramës dhe Albin Kurtit. Shkaku themelor është edukimi që ata kanë marrë në fëmijëri dhe formimi që kanë në arsyetimin e këtij raporti. Prej këtej lind edhe përgjegjësia që mbajnë para bashkëkombësve të tyre.

Nuk mund të presësh përgjegjësi nacionale e qeverisëse nga një kryeministër i korruptuar, si Edi Rama. Ndërkohë që pastërtia e figurës së Albin Kurtit sa i përket korrupsionit është në kontrast me atë të homologut të tij në Shqipëri. Korrupsioni është dhe mbetet burimi kryesor i devijimit të përgjegjësisë për fatet e kombit e të atdheut. Nuk ka lider politik të korruptuar e njëkohësisht atdhetar dhe patriot. Këto dy cilësi, njëri ves e tjetri atribut, nuk shkojnë bashkë.

Kanë kaluar gati 20 vite në të cilat Edi Rama testohet çdo ditë si një politikan anti-kombëtar. Dhe janë dashur pak më shumë se një dekadë që Albin Kurti të provohet në opozitë e në pushtet, në parlament e jashtë tij si shërbëtor i atdheut dhe kombit. Madje vazhdimisht duke u përmirësuar, ndërkohë që Rama shkon duke u përkeqësuar!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok