14/02/2026

ALBANOLOGËT E HUAJ  DHE NORBERT JOKLI

0
Norbert_Jokl1

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Norbert Jokli ishte albanolog. Me albanologjinë nënkuptohet tërësia e studimeve për historinë, gjuhën dhe kulturën e popullit shqiptar. Shqipëria dhe populli shqiptar, historia, gjuha dhe kultura e tij prej shekujsh kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve. Ata janë bërë objekt kërkimesh nga albanologë të shquar të vendeve të ndryshme. Albanologjia lindi si një drejtim i veçantë studimesh për Shqipërinë dhe për shqiptarët në fund të shekullit XVIII dhe në fillim të shekullit XIX. U konsolidua sidomos në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Në fillim, albanologët u morën kryesisht me historinë e lashtë të shqiptarëve, sidomos me çështjen e prejardhjes së popullit shqiptar dhe të gjuhës shqipe.

Një nga figurat kryesore të fillimeve albanologjike ka qenë historiani suedez Jan Tunma (Hans Erich Thunmann, 1746-1778). Ky është një nga albanologët e partë, profesor në Universitetin e Hales (Halle) në Gjermani. Në veprën “Untersuchungen über die Geschichte der östlichen europäischen Völker” (Hulumtime për historinë e popujve të Evropës Lindore”, Lajpcig, 1774) Tunman bëri përpjekjen e parë shkencore për të shpjeguar prejardhjen e shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre.

Në fillim të shekullit XIX studimet albanologjike u zgjeruan. Studiuesit si: ushtaraku anglez dhe përfaqësuesi politik i qeverisë angleze pranë oborrit të Ali pashë Tepelenës (Tepelenë, Shqipëri, 1740 – Janinë, Greqi, 24.01.1822) në fillim të shekullit XIX Martin Uiljam Lik* (William Martin Leake, 1777-1860); mjeku, natyralisti, diplomati, historiani dhe arkeologu francez Fransua Pukëvil (François Charles Louis Pouqueville, 1770-1838); etnografi, natyralisti dhe udhëtari francez Ami Bue (Ami Boué, 1794-1881); konsulli i Francës në vilajetin e Shkodrës në vitet 1853-1862 Lui Jasin Hekard (Louis Hyacinth Hecquard, 1814-1866) bënë përpjekje për të njohur më nga afër rrugën e formimit dhe të zhvillimit të popullit shqiptar, traditat e tij etnokulturore, duke trajtuar edhe probleme të historisë mesjetare të Shqipërisë.

ShënimUiljam Martin Lik është autor i dy veprave në gjuhën angleze: “Researches in Greece” (Kërkime në Greqi, 1854) dhe “Travels in Northen Greece” (Udhëtime në Greqinë e Veriut, kate vëllime, 1835).

*   *   *

Në mesin e shekullit XIX vepra që shënoi një etapë të rëndësishme në fushën e albanologjisë qe “Albanesische Studien”, Jenë, 1854 (Studime shqiptare, 1853-1854) në tre vëllime, e albanologut gjerman, diplomat në shërbim të Austrisë Johan Georg fon Han (Johannes Georg von Hahn, 1811-1869). Vepra e Hanit konsiderohet si një nga punimet shkencore më me vlerë shkruar nga të huajt për historinë, gjuhën dhe kulturën shqiptare. Në vitet 1847-1850 Hani ishte nënkonsull i Austrisë për “Shqipërinë e Poshtme”, në Janinë, ku punoi për zotërimin dhe studimin e gjuhës shqipe me ndihmën e lëvruesit dhe studiuesit të gjuhës shqipe, veprimtarit të Rilindjes Kombëtare në fushën e arsimit dhe të kulturës, Kostandin Kristoforidhit (1827-1895) dhe të mjekut nga Labova e Madhe (Gjirokastër) Apostol Meksit (1825-1879). Kur Meksi mësonte në gjimnazin “Zosimea” të Janinës, u njoh me albanologun Johan Georg fon Han, i cili e cilëson si “mësuesin e tij toskë” të gjuhës shqipe.

Hani përshkroi në veçanti Tepelenën, Luginën e Gjirokastrës, Kurveleshin dhe Malësinë e Shkodrës. Dha njoftime për bujqësinë, blegtorinë, mjeshtëritë popullore, qendrat qytetare, rrugët dhe shkëmbimet tregtare të krahinave të Shqipërisë së brendshme dhe me shtete të Evropës. Trajtoi historinë dhe dha statistika edhe për arbëreshët në Greqi dhe në Itali.

*   *   *

Pas Johan Georg fon Hanit, studiues të tjerë trajtuan një varg çështjesh të historisë mesjetare dhe të historisë së re të popullit shqiptar. Arkeologjia dhe etnografia në këtë periudhë fillojnë të përvijohen si degë të veçanta në gjirin e shkencave historike. Gjetjet arkeologjike bëhen objekt studimi të mirëfilltë vetëm në fillim të shekullit XX. Në qendër të vëmendjes të këtyre studimeve ishte kultura antike. Me këtë çështje janë marrë sidomos arkeologu dhe historiani austriak, një nga themeluesit e arkeologjisë ilireKarl Paç (1865-1945) dhe arkeologu austriak, pjesëtar i grupit të gjashtë dijetarëve austro-hungarezë që u dërguan në vitin 1916 në Shqipëri për të kryer hulumtime në disa degë të shkencave historike, Kamilo Prashniker (Camillo Praschniker, 1884-1949). Prashnikeri është autor i librit “Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro”, Vjenë, 1919 (Kërkime arkeologjike në Shqipëri dhe në Mal të Zi) si dhe i librit “Muzakhia und Malakastra” Vjenë 1920 (Myzeqeja dhe Mallakastra).

U bënë përpjekje për të zbuluar kulturën materiale dhe shpirtërore të shqiptarëve dhe për t’i vështruar ato në planin ballkanik, në lidhje me kulturën e popujve fqinjë. Në këtë fushë shquhen gjeologu, paleontologu dh e etnografi hungarez, baron Franc Nopça (Franz Nopcsa,  1877-1933) dhe artistja, antropologia dhe shkrimtarja britanike Edit Durham (Mary Edith Durham; Londër, 08.12.1863 – Londër, 15.11.1944). Ajo ishte shkolluar në Bedford College, Londër në vitet 1878-1882. Njihet për rrëfimet e saj antropologjike të jetës në Shqipëri në fillim të shekullit XX.

Nga viti 1903 deri në vitin 1922 Franc Nopça erdhi disa herë në malësitë e veriut të Shqipërisë. U mor me studimin e ndërtimit gjeologjik të Shqipërisë Veriore.

Në lëmin e gjuhësisë trashëgimia albanologjike është më e pasur. Lindja e gjuhësisë historike-krahasuese, që prej mesit të shekullit XIX e vuri studimin e shqipes mbi baza shkencore. Një nga themeluesit e kësaj gjuhësie, gjuhëtari gjerman Franc Bop (Franz Bopp, 1791-1867) provoi në mënyrë të argumentuar karakterin indoevropian të gjuhës shqipe. Bopi është albanolog, themelues kryesor i gjuhësisë krahasuese historike indoevropiane, profesor në Universitetin e Berlinit. Në rrafshin e gjuhësisë krahasuese indoevropiane studio edhe gjuhën shqipe. Që më 1843, në një kumtim në Akademinë e Berlinit analizoi numërorët dhe përemrat e gjuhës shqipe dhe tregoi karakterin indoevropian të tyre. Në vitin 1854 botoi studimin “Über das Albanesische in seinen verwandtschaftlichen Beziehungen” (Mbi gjuhën shqipe në lidhjet e afrisë së saj) ku u bëri një analizë historike pak a shumë tërësore strukturës gramatikore dhe disa elementeve të leksikut të gjuhës shqipe. Bopi zbuloi një varg elementesh të përbashkëta të shqipes me gjuhët e tjera indoevropiane dhe vërtetoi në mënyrë përfundimtare se ajo bën pjesë në familjen gjuhësore indoevropiane, ku zë një vend të veçantë si gjuhë më vete. Vepra e Bopit qe një gur themeli në studimin e historisë së gjuhës shqipe.

Pas tij, një varg dijetarësh të njohur të shkollave të ndryshme gjuhësore, ndër të cilët u shquan Gustav MajeriHolger PedersenNorbert Jokli – dhanë ndihmesë me rëndësi për studimin e aspekteve të veçanta të gjuhës shqipe.

Gustav Majer (Gustav Meyer, 1850-1900) është albanolog austriak, një nga themeluesit e albanologjisë, grecist dhe turkolog, profesor i gjuhësisë krahasuese indoevropiane në Universitetin e Gracit. Në fushën e studimeve për shqipen u mor me etimologji, fonetikë dhe me gramatikën historike. Më 1891 botoi veprën “Etymologisches Wortebuch der albanesischen Sprache” (Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe). Botoi gjithashtu 6 vëllime me studime shqiptare (Albanesische Studien, I-VI; Vjenë 1883-1897). Mbrojti tezën e prejardhjes së shqipes nga ilirishtja dhe përcaktoi shkencërisht pozitën e saj si një gjuhë që zë një vend më vete në rrethin e gjuhëve indoevropiane. Vuri në dukje praninë e një numri jo të vogël fjalësh shqipe në gjuhën greke.

Holger Pedersen (1867-1953) është gjuhëtar danez, indoevropianist, keltolog dhe albanolog. Ka botuar studime për gjuhë të caktuara, përfshi edhe shqipen. Gjatë një qëndrimi në Korfuz në vitin 1893 u interesua të mblidhte përralla dhe këngë popullore shqiptare dhe me atë rast bëri një vizitë të shkurtër në Sarandë dhe Delvinë. Materialin e mbledhur e botoi në vitin 1895 në veprën me titull “Albanesische Texte mit Glossar” (Tekste shqiptare me fjalor)Pederseni ka botuar disa studime me vlerë për gjuhën shqipe: “Kontribut për historinë e gjuhës shqipe” (1894), “Tingujt l dhe ll të gjuhës shqipe” (1897), “Asnjanësi i shqipes” (1899), “Grykoret në gjuhën shqipe” (1900), “Albanesisch 1905” (Shqip 1905) etj. Mbrojti tezën e prejardhjes së shqipes nga ilirishtja. Sipas Pedersenit “Dallimi midis dy dialekteve të gjuhës shqipe është shumë më i vogël sesa dallimet dialektore që vihen re në shumë gjuhë të tjera.”

Studimet dhe artikujt e tij për gjuhën shqipe janë përkthyer dhe janë përmbledhur në një vëllim të veçantë me titull “Studime për gjuhën shqipe”, botuar nga AShAK, Prishtinë 2003.

*   *   *

Norbert Jokli (Norbert Jokl, 25 shkurt 1877 – 6 maj 1942) është gjuhëtar austriak me prejardhje hebraike. Filolog, indoevropianist dhe një ndër themeluesit e albanologjisë. Lindi në Bzenec të Moravisë. Ishte i çmuar si studiues i filologjisë balto-sllave. Studioi për gjuhësi indoevropiane, sllavistikë dhe romanistikë. Diplomoi për drejtësi në Universitetin e Vjenës. Në vitin 1908 diplomoi edhe për gjuhësi. Në vitin 1907 filloi ta studiojë shqipen si autodidakt. Punoi si kryebibliotekist në Universitetin e Vjenës, duke dhënë njëkohësisht mësim si pedagog i jashtëm për shqipen dhe për baltishtën. Me aneksimin e Austrisë nga Gjermania naziste (1938) u përndoq dhe u dërgua në një kamp përqendrimi ku edhe vdiq. Krejt jetën e vet ia kushtoi studimit të gjuhës shqipe. Pyetjes përse nuk martoheni, i ishte përgjigjur: “Jam martuar me gjuhën shqipe”. Punoi sidomos në fushën e etimologjisë dhe të fjalëformimit historik, të marrëdhënieve të shqipes me gjuhët e tjera, për fonetikën dhe morfologjinë historike të saj. Si vëllime më vete botoi:

– “Studien zur albanesischen Etymologie und Wortbildung”, Vjenë 1911 (Studime për etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes) dhe

– “Linguistisch kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen”, Berlin-Lajpcig 1923 (Gjurmime gjuhësore dhe historike-kulturore nga lëmi i shqipes”.

Hartoi studime të shumta që u botuan në përmbledhje dhe në organe shkencore, disa edhe pas vdekjes. Me artikullin “Naim Be Frashëri e pasunimi i gjuhës shqipe” (1925) vlerësoi punën e Naimit dhe të rilindësve për pastrimin dhe pasurimin e gjuhës shqipe dhe ndikoi për vijimin e saj me baza filologjike. Mbajti rubrikën e bibliografisë për gjuhën shqipe në organin vjetor ndërkombëtar “Indigermanisches Jahrbuch (1916-1940), ku paraqiti sistematikisht, me vlerësime dhe analiza, të gjitha botime albanologjike të atyre viteve.

Në punimet e tij Norbert Jokli trajtoi çështje të rëndësishme të historisë së jashtme dhe të brendshme të gjuhës shqipe. Hulumtoi çështjen e burimit të gjuhës shqipe. Shqyrtoi marrëdhëniet e shqipes me gjuhët e lashta jogreke të Ballkanit, me ilirishten dhe trakishten dhe shtjelloi tezën e tij të prejardhjes së gjuhës shqipe, duke u përpjekur të bëjë një sintezë të tezave ilire dhe trakeMbrojti autoktoninë e shqiptarëvepor duke e vendosur djepin e parë të tyre në Dardaninë e lashtë (Kosova e sotme). Vëmendje të madhe i kushtoi elementit vendës, në radhë të parë elementit trashëgimor indoevropian. I çoi përpara gjurmimet etimologjike shqiptare. Rishikoi mjaft etimologji dhe hodhi dritë mbi prejardhjen e shumë fjalëve të shqipes, duke provuar burimin vendës të shumë elementeve të mbajtura si huazime.

Mbante lidhje të rregullta me gjuhëtarë shqiptarë bashkëkohës. Në vitin 1937, me rastin e 25-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, vizitoi Shqipërinë.

*   *   *

Fundi tragjik i albanologut të shquar – Duke qenë hebre, Jokli ishte shënjestër e nazistëve gjermanë. Ish-studenti i tij, poeti lirik Lasgush Poradeci (1899-1987, pseudonim letrar i Llazar Sotir Gushos) i drejtoi një letër qeverisë shqiptare të kohës për ta ftuar që të punonte në Shqipëri. Përpjekja e tij u ndërpre nga pushtimi italian. Pas pushtimit, autoritetet shqiptare dhe filologu italian Karlo Taliavini (Carlo Tagliavini, Bolonjë, Itali, 18.06.1903 – Bolonjë, Itali, 31.05.1982) u angazhuan ta ftonin në Shqipëri duke i ofruar punësim, ku do ta merrte edhe bibliotekën e vet. Jokli u arrestua më 4 mars 1942 në banesën e tij në Vjenë. Disa studiues austriakë pohojnë se vdiq nën tortura në kazermën Roßauer në Vjenë, ndërsa të tjerë thonë se vdiq në kampin e përqendrimit të Maly Trostinec-it, rreth 12 kilometra në juglindje të Minskut. Datë zyrtare e vdekjes së tij konsiderohet 6 maji i vitit 1942.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok