Aktet solemne të shpalljes së pavarësisë së një kombi gjithmonë bartin një ngarkesë të madhe simbolike
![Deklarata-e-Pavaresise](https://merbraha.com/wp-content/uploads/2022/11/Deklarata-e-Pavaresise.jpg)
Nga Blerim Latifi
Aktet solemne të shpalljes së pavarësisë së një kombi gjithmonë bartin një ngarkesë të madhe simbolike.
Delegatët e Kuvendit të Vlorës të nëntorit 1912, e kishin parasysh këtë dimension, prandaj edhe e kishin hartuar një procedurë, e cila duhej të reflektonte gjithë hartën etnike shqiptare, për të cilën do të shpallej Pavarësia e Shqipërisë.
Deklaratën e Pavarësisë e kishte shkruar një shkodran: Luigj Gurakuqi.
Kandidati i propozuar për kryeministër të qeverisë së parë të shtetit shqiptar, ishte një vlonjat: Ismail Qemali.
Propozimin e kandidaturës e kishte bërë një kosovar: Rexhep Mitrovica.
_________
Mbledhja e përbashkët e dy kuvendeve në prag të festës së 28 nëntorit, përtej fjalimeve të mbajtura aty me kujdesin e gjuhës diplomatike, na sjell në vëmendje disa fakte që nuk duhet t’i harrojmë kurrë:
– Pavarësia e Shqipërisë e shpallur me 28 nëntor 1912 u referohej të gjitha trevave etnike shqiptare, e jo Shqipërisë me kufijtë e tanishëm, të cilët u vendosën me 1913. Prandaj festa e 28 nëntorit është festë e të gjithë shqiptarëve.
– 28 nëntori ka frymëzuar të gjitha lëvizjet çlirimtare në Kosovë, përfshi Luftën e UÇK- së. Prandaj historia e tyre nuk mund të kuptohet jashtë narrativës kombëtariste shqiptare.
-Zhvillimet e kohëve të fundit në botë na tregojnë se besnikëria kombëtare vazhdon të mbetet modeli më efektiv i solidaritetit njerëzor dhe kusht themelor i funksionimit të demokracisë. Thënë ndryshe: nuk ka demokraci jashtë kuadrit të kombit-shtet. Prandaj Ideja e Bashkimit të Kosovës me Shqipërinë nuk paraqet një projekt nostalgjik, siç mundohen ta paraqesin snobët postnacionalistë, por një projekt të domosdoshëm gjeopolitik dhe demokratik.