30/12/2024

AKADEMIKU SHQIPTARO-BRITANIK, GËZIM ALPION NDEROHET ME MEDALJEN ‘’NËNË TEREZA”

0
Gezim-Alpion-Vleresimi

Nga Frank Shkreli

Ditën e martë, më 27 korrik, 2021, studiuesit shqiptaro-britanik Gëzim Alpion, sociolog në Universitetin e Birminghamit në Angli dhe biograf i njohur ndërkombtarisht i jetës dhe veprimtarisë së Nenë Terezës, i është akorduar “Medalja Nënë Tereza” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për kontributin e tij të çmuar akademik në studimin thelbësor të jetës dhe aktivitetit si dhe promovimin e Shën Nenë Terezës, duke e lartësuar modelin unik të vlerës së saj kombëtare shqiptare në mbarë btën. I vlerësuar nga kritika botërore si studiuesi më autoritar në gjuhën angleze i Shën Nenë Terezës dhe si një ndër njohsit më inteligjent dhe më të mprehtë të kulturës shqiptare”.

Në njoftimin me ketët rast thuhet se, Sipas dekretit No. 13163 të datës 14 Korrik 2021, dekorimi është pra, në shenjë vlerësimi dhe mirënjohje për kontributin e çmuar akademik të Profesorit Alpion, në studimin thelbësor të jetës dhe aktivitetit, si dhe promovimin e Shën Nënë Terezës duke e lartësuar nivelin unik të vlerës së saj kombëtare shqiptare në mbarë botën.  Z. Alpion, thuhet më tej në dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, “Është vlerësuar nga kritika botërore si studiuesi më autoritar në gjuhën angleze i Shën Nënë Terezës dhe si një ndër njohësit më inteligjentë dhe më të mprehtë të kulturës shqiptare.”

Siç dihet, ‘Medalja Nënë Tereza’ është një nga çmimet më të larta që akordohet nga Presidenti i Shqipërisë.  Sa për të pasur një ide dhe për informacion të lexuesit,  disa nga personalitetet e huaja dhe shqiptare që janë nderuar me këtë çmim të Republikës së Shqipërisë, ndër vite, përfshijnë Kryeministrin e Italisë Massimo D’Alema, Presidentin e Kroacisë Stjepan Mesić, Presidentin e Lituanisë Valdas Adamkus, Presidentin e Kosovës Behgjet Pacolli, Mary Jean Eisenhower, Kryetare e Programit ‘People to People International’ (PTPI), i krijuar në vitin 1956 nga gjyshi i saj Presidenti Dwight D. Eisenhower, dhe ish-Senatori amerikan, Sam Brownback, Ambasadori i SHBA-së për Lirinë Ndërkombëtare Fetare.

Në njoftimin për media për dekorimin e Profesorit Gëzim Alpion me “Medaljen Nenë Tereza”, thuhet se kjo është hera e dytë që Profesori shqiptaro-britanik Gëzim Alpion nderohet në Shqipëri.  Në vitin 2019, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i akordoi Z. Alpion çmimin, “Ambasador i Kombit”.

Libri më i ri i Profesorit Alpion titullohet “Mother Teresa — The Saint and her Nation”, ose “Nënë Tereza – Shenjtëresha dhe Kombi i Saj”, botuar një vit më parë nga shtëpia botuese britanike “Bloomsbury”.  Frank Shkreli: Nënë Tereza- Shenjtëresha dhe kombi i saj e autorit Dr. Gëzim Alpion | Gazeta Telegraf  — Ky libër është i pari i këtij lloji, në anglisht, që e trajton Nënë Terezën në kontekstin e rrënjëve të saja etno-shpirtërore, duke e shikuar misionin dhe thirrjen e saj fetare prej murgeshe, si një pasqyrim i historisë së trazuar të popullit shqiptar gjatë dy mijë vjetëve të kaluara.  Dr. Alpion sugjeron, në librin e tij, “Nënë Tereza – Shenjtëresha dhe Kombi i Saj”, se ekziston nevoja për studime objektive të mëtejshme që të pasqyrohet roli vendimtar i fesë, gjatë shekujve, në përcaktimin e identitetit kombëtar, por edhe roli fetar në justifikimin e aneksimeve territoriale të rajonit të Ballkanit.

Dekorimi i Akademikut shqiptaro-britanik, Profesorit Gëzim Alpion nga Presidenti i Repiublikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta është një nder për të dhe për punën e tij prej akademiku – i cili duke e paraqitur Nenë Terezën në konteksin e rrenjëve të saja etno-shpirtërore i paraqet, njëkohësisht, botës një frymë të njomë, më fisnike dhe më frytdhënse, se ato për të cilat fatkeqsisht na njeh bota si shqiptarë, për arsye të historisë tonë të shekullit të kaluar por edhe më mbrapa.

Prof. Gëzim Alpion — duke u folur të huajve dhe duke shkruar për Nenë Terezën në gjuhën e tyre — ai po ben një shërbim të madh për t’i kujtuar botës anglisht-folëse, traditat dhe zakonet tona shekullore të cilat mund të jenë ndryshkur gjatë shekujve, duke zbuluar kështu — sidomos për të huajt por edhe për shqiptarët — bukurinë që fshihet në thellësitë shpirtërore dhe stërgjyshore të Kombit shqiptar, ashtu siç pasqyrohen edhe nga jeta dhe veprimtaria e Shën Nenë Terezës. Urime Prof. Dr. Gëzim Alpion. Një dekoratë e merituar!

Kush është Prof Dr. Gëzim Alpion: Profesori Alpion është arsimuar në Universitetin e Kajros dhe në Universitetin Durham, ndërsa ka ligjëruar në universitetet britanike, Huddersfield, Sheffield Hallam dhe Neëman, para se të emërohej në vitin 2002 në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin Birmingham.  Prej aty, në vitin 2010, ai kaloi në Departamentin e Shkencave Politike dhe Studimeve Ndërkombëtare dhe në vitin 2016, ai iu bashkua Departamentit të Politikave Sociale, Sociologjisë dhe Kriminologjisë, po në Universitetin e Birminghamit.  Specializimet e Profesorit Gëzim Alpion janë në disa fusha akademike, përfshirë sociologjinë e fesë, nacionalizmin, famën, racën, median, filmin dhe autorësinë.  Mbi të gjitha, Dr. Alpion konsiderohet si autori më i njohur, në gjuhën anglisht, i jetës dhe i veprimtarisë së Shën Nënë Terezës dhe është, njëkohësisht, edhe themeluesi i “Studimeve mbi Nënë Terezën”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok