21/12/2024

Ai s’ka asgja tjetër!

0
Mjerimi

Nga Nikoleta Kovaçi

Ky njeri që shihni në foto prej 8 muajsh e gjysmë jeton në dy pika; poshtë një tuneli të vockël që të nxjerr në fundin e rrugës ‘Mine Peza’, dhe nganjëherë zhvendoset dhe qëndron përballë ‘Harri Fultz’, në trotuar. Dje e kishin përplas. Nuk dihet se me ç`ka po ishte i gjakosun. Një grua dhe një djalë i ri kishin thirr policinë. Aty ishte një makinë policie dhe tre policë të rendit. Gruaja po iu kërkonte llogari policëve, po ata rrudhnin supet. Sigurisht ata nuk kanë gja në dorë as me raportue e as me ndihmue!

Sod e pash që ishte zhvendos prapë poshtë tunelit. Ai me sa duket e di se aty nuk e kap shiu. Aty qëndroi gjithë dimnin. Ajo rrugë frekuentohet nga dhjetëra makina policie që kalojnë çdo minutë, ambulanca, makina të fortish, gangsterësh, pasanikësh por edhe hallexhinj. Ata që ia hedhin sytë e shohin me keqardhje, të tjerët me sa duket kanë vite që e shohin aty e nuk u ban përshtypje. Një banorë i lagjes më tha se kanë raportuar disa herë për të, sidomos në kohë dimni. Të gjithë thonë; do ta shohim si rast. Ai vijon të jetë aty. Kalimtarë të rastit i japin bukë dhe vetëm aq! Ai s`ka asgja tjetër!

Tani lind pyetja; a ka institucion që merret me këtë kategori? Pasi unë besoj se ai nuk asht i vetmi në Tiranën tonë të tiranizueme në gjendje të tillë! Këto strehat sociale a thue nuk kanë dijeni për të ndonëse i kalojnë përditë afër vendit ku rri dhe e di gjysma e Tiranës që rri aty? Po qeveria e koncesioneve, incineratorëve, drogës dhe e bosëve-investitor strategjik a s`e ka një qyqe plani për këtë kategori? Të paktën me ba sikur! Të paktën ata që s`kanë askand në jetën e tyne me i strehue nan nji ndërtesë e me i pague dy tre njerëz të kujdesen për ta? Po kaq e vështirë qenka për një qeveri, opozitë, politikaj, pasanikë dhe bamirësa të këtij vendi me iu sigurue këtyne njerëzve një mundësi që të paktën mos të rrinë në rrugë dhe ta hanë nji ha bukë në ditë?

Unë e di që tashma ndokujt ka me i lind ideja se kta persona bahen edhe personazhe filmash, njerëz të braktisin rrugëve ka edhe në Amerikë, Angli e Antarktidë. Ani se i njoh edhe kto lloj çasjesh që çojnë mesazhe neveritëse nëpër bankomatët e tyre mjeranë, por në këtë vendin tonë janë ngritë qendra për qentë e macet; bahet nami në emën të tyne. Madje dje tanë vendi u shokue nga një pamje (në fakt trishtuese) se si një ‘kafshë’ me makinë tërhiqte zvarrë nji qen në mes të rrugës. Unë u gzova shumë kur mora vesh që policia e kishte gjet, sepse ai lloj mundet me lidh mas makine ndonjë ditë edhe robtë e shpisë. E asht shumë mirë që kujdesna për kafshët, që i mbajmë në shpi, makinë, në punë e në dhoma gjumi; ama a asht e mundun që edhe kta njerëz të kenë një strehë diku, aq ma tepër që pallatet e krimit po bien mrena masi e kanë marue procesin e pastrimit të parave të bosëve të tyre?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok