14/10/2024

Agim Krajka është Dritë që s’do të fiket kurrë

0

Nga Keze Kozeta Zylo

Me hidhërim e morëm ikjen drejt parajsës të kompozitorit, artistit të shquar Agim Krajkës , “Nder i Kombit”.

Brezi im është rritur me këngët e muzikës së lehtë të kompozuara nga mjeshtri Agim Krajka.

E kush nuk i mësonte dhe këndonte këngët e Agim Krajkës, shumica e tyre u bënë hite.   Sa herë mblidheshim në mbremjet tona festive me nxënësit shumë prej këngëve të tij këndoheshin dhe kërceheshin me shpirt duke filluar me këngën e famshme “Lemza”, kënduar nga artisja e madhe e Kombit Vaçe Zela në Festivalin e Parë të Këngës në Radio më 1961. Kënga përshtatej shumë me rininë e tyre të hershme, me capkënllëqet e moshës, me dashuritë e para dhe të fshehura, me ndonjë papërgatije në mësim.  Le të kujtojmë dy strofat e para, në fakt unë duke i shkruar po i këndoj si: “O ra zilja m’nisi frika/ kur mësuesi hyri në mësim/ dhe në vend si s’më ra pika/

Kur ai thirri emrin tim/ Unë asnjë fjalë s’kisha mësuar/ Se mbrëmë në takim isha me ty/

Po nisi lemza e bekuar/ Në d’rrasë të zezë shihja dy sy”…

Ai solli emancipimin në art, në muzikën e lehtë, popullore, të përpunuar e orkestrale. Kontributi i tij në art dhe muzikë përfshin një periudhë prej tri dekadash. Ai është vleresuar me mbi 15 çmime të dyta, 3 çmime të treta dhe vetëm një çmim të parë në Festivalin e vitit 1987, me këngën “Nuk e harroj”, të kënduar nga motrat Libohova.

Agim Krajka ishte dhe një idhull si fizarmonist. Ai luante me gishtat në tastierë sikur bënte balet në ajër dhe pushtonte skenën duke sjellë emocione tek dëgjuesit e shumtë.

Edhe këtu në Amerikë në aktivitete të ndryshme i kam dëgjuar shpesh këngët të kompozuara nga Agim Krajka.

Në New York ku na hodhën fatet do të kishim shansin të takoheshim përsëri me Agim Krajkën.  Ai jo vetëm që ishte një kompozitor i madh, por dhe njeri, patriot i shquar.  Ai është në kujtesën tonë artistike dhe njerëzore.  Një ditë Agim Krajka na telefonoi në kolegj në Brooklyn ku punonim të dy me Qemalin.  Doemos e mirëpritëm me shumë gëzim telefonatën e tij.  Pasi na falënderoi për organizimin me studentët për festën e Flamurit na tha se dëshiroj të vi te marrë pjesë me grupin tim për t’ju përshëndetur ju dhe të huajtë në atë kolegj me këngë shqiptare.

Ardhja e tij në festën e Flamurit Kombëtar ishte shumë emocionante, i dha programit më shumë gjallëri dhe art.  Agim Krajka shoqërohej nga bashkëshortja e tij, e ëmbla Ami dhe grupi i fëmijëve në violinë dhe piano si motrat simpatike Alba dhe  Jona Çano si dhe Albert Stanaj me të motrën e tij të talentuar. Ata sot janë rritur dhe integruar plot kulturë në botën amerikane.  Kur artistët e vegjël filluan t’u binin veglave muzikore nën drejtimin e Artistit të shquar Agim Krajka salla u elektrizua dhe filluan të duartrokisnin papushim.

Agim Krajka ishte dhe një orator i shkëlqyer, fjala e tij u dëgjua me shumë vëmendje, mesazhet e tij ishin dritëza shqipërie. Takoheshim në aktivitete të ndryshme me plot respekt dhe mirënjohje. Pas disa muajsh në emër të studentëve të Kolegjit në Brooklyn Qemal Zylo i dha pllake mirenjohje në shkollën shqipe që ishte e hapur në atë kohë në Bronx ku ata debutonin të dy me Amin.  Çfarë mirësie buronte nga shpirti i tyre!  Agim Krajka jetoi me familjen në New York për 16 vjet pastaj u kthyen përfundimisht në folezën e ngrohtë në Shqipëri që e donte aq shumë derisa dha frymën e fundit.  Shpirti i tij do të behet dritë që s’do të fiket kurrë.

Artistët e mëdhenj jetojnë përjetësisht me veprat që lenë pas.

Lamtumirë Agim Krajka, artist i shquar i Kombit!

1 Mars, 2021

New York

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok