AFERA E DRAIJFUSIT – ZOLA NË MBROJTJE TË SË VËRTETËS
Fajësia është gjendja në të cilën ndodhemi të gjithë ne, pavarësisht nga faji (Kafka)
Nga Xhelal Zejneli
Në vitet e fundit të shekullit XIX ndodhi në Francë një ngjarje e cila e tronditi, jo vetëm vendin, por edhe mbarë Evropën. Ngjarja u quajt Afera e Drajfusit.
Ngjarjet kryesore gjatë kësaj afere të famshme që e tronditi jo vetëm tërë vendin e Volterit, por edhe një pjesë të madhe të opinionit publik botëror, kanë qenë, si vijon:
– Në vitin 1894, oficeri francez, grofi Ferdinand Valsen-Esterhazi (Walsin-Esterhazy), filloi t’i jepte atasheut ushtarak të ambasadës gjermane në Paris – Maks fon Shvarckopenit (Max von Schëarzkoppen) dokumente ushtarake sekrete. Për punën e bërë, oficeri francez shpërblehej me para.
– Gjatë kësaj veprimtarie të vet spiunuese, më 1 shtator 1894 i dorëzoi një dosje me akte apo shkresa, së cilës ia kishte bashkëngjitur edhe regjistrin e dokumenteve të dërguara deri atëherë. Regjistrin e sipërthënë, oficeri francez Valsen-Esterhazi e kishte shkruar me dorë të vet. Ndërkohë, ky dokument kishte rënë në duar të shërbimit francez të kundërzbulimit, i cili menjëherë u vu në kërkim të spiunit.
Kjo shënon fillimin e asaj që së shpejti do të quhet Aferë e Drajfusit.
Shpejt pas kësaj, shërbimi francez i zbulimit zuri një letër të cilën atasheu Shvarckopen ia kishte shkruar kolegut të tij – atasheut ushtarak italian në Paris, me të cilin kishte një bashkëpunim të ngushtë. Në atë letër përmendej edhe njëfarë spiuni francez i shënuar vetëm me germën D.
Duke e kontrolluar listën e oficerëve të Shtatmadhorisë së Ushtrisë Franceze (Shtabit të Përgjithshëm), organet franceze të hetuesisë u ndalën tek emri i kapitenit tridhjetëvjeçar – Alfred Drajfusit, i cili njëherazi ishte edhe i vetmi çifut i Shtabit të Përgjithshëm Francez.
Përse u ndalën tek emri i tij? Kështu sepse germa D në letrën e atasheut gjerman dërguar kolegut të tij italian në Paris, përputhej me inicialin e emrit të Drajfusit, që po ashtu fillonte me shkronjën D.
Duke qenë me prejardhje çifute, për disa oficerë të lartë francezë me orientim dhe disponim antisemitist, Alfred Drajfusi vetvetiu ishte i dyshimtë.
Për ta deshifruar shkrimin e regjistrit të cilin Valsen-Esterhazi ia kishte bashkëngjitur dosjes dhe ia kishte dërguar atasheut gjerman në Paris – Shvarckopenit dhe për të parë nëse shkrimi në regjistër përputhej me atë të Alfred Drajfusit, organet kompetente franceze angazhuan ekspertë të grafologjisë.
Duke qenë se njëri prej ekspertëve deklaroi se dy shkrimet janë të ngjashme, Drajfusi u arrestua.
Gazetat nacionaliste të Francës ndërmorën një fushatë të ashpër kundër Drajfusit. Ata kërkuan njëzëri dënimin e tradhtarit dhe linçimin e tij. Kundër Drajfusit u ngrit procedurë penale. Ajo u zhvillua me shumë parregullsi dhe në një atmosferë tejet të rëndë.
Drajfusi i mohoi akuzat duke shtuar se në asnjë mënyrë nuk është i implikuar në rastin për të cilin fajësohet. Përkundër qëndrimit të prerë për pafajësinë e vet, ai u dënua nga gjykata ushtarake franceze me deportim të përjetshëm dhe më 5 janar 1895 u dërgua në Ishullin e Djallit.
Ky ishull është më i vogli dhe më veriori i brigjeve të Guajanës Franceze në Atlantik, ku deri në vitin 1952 dërgoheshin të dënuarit politikë të Francës dhe të kolonive të saj. (Në vitin 1973, për Guajanën Franceze u xhirua edhe filmi Papillon – Flutura).
Pas dy vitesh, shërbimi francez i zbulimit zuri edhe një letër të cilën grofi Esterhazi ia dërgonte Shvarckopenit. Shpejt pas kësaj, u konstatua se shkrimi i Esterhazit është identik me atë të “regjistrit”, për të cilin Drajfusi ishte dënuar si tradhtar dhe si spiun.
Familja dhe farefisi i Drajfusit kërkuan revizionin e procesit. Duke qenë të bindur se Drajfusi është dënuar i pafajshëm, këtë e kërkuan edhe shumë persona publikë të shquar,.
Ndërkohë, gruaja e Drajfusit i drejtohet për ndihmë romancierit dhe kritikut francez – Emil Zolës (emri i vërtetë Edouard Charles Antoine, 1840-1902). Me këtë rast, përfaqësuesi më i madh i natyralizmit francez – Zola, ngriti zërin e protestës dhe u vu në mbrojtje të së vërtetës.
Më 13 janar 1898, në gazetën “L’Aurore” të Klemansosë (Clemenceau) botoi artikullin e famshëm “J’accuse…!” – Lettre au President de la Republique par Emile Zola (Akuzoj…! – Letër Presidentit të Republikës nga Emil Zola).
Botimi special i kësaj gazete përnjëherë u shit në 300.000 kopje, në Paris ndërkaq, u mbajtën mitingje të mëdha protestuese. Letra e Zolës tronditi Francën dhe mbarë Evropën.
Protestat shpërthyen në të gjitha metropolet e kontinentit të vjetër. Opinioni francez dhe evropian u nda më dysh: një pjesë e madhe – liberale, ishin me Drajfusin, të dënuar padrejtësisht, ndërkaq pjesa tjetër, ultranacionaliste dhe ksenofobike – kundër tij.
Nën ndikimin e qarqeve konservatore dhe antisemitiste, prokuroria e shtetit edhe kundër Zolës, ngriti proces gjyqësor – për shpifje.
Shkrimtari i famshëm u dënua me një vit burg dhe me 3.000 franga gjobë. Autori i “Rugon-Makartëve” dhe i “Zherminalit” u largua në Angli.
Por, me këtë vendim arbitrar dhe absurd të pushtetarëve francezë afera nuk mund të mbyllej. Bindja për pafajësinë e Drajfusit u forcua gjithnjë e më tepër.
Ndërkohë, fajtori kryesor, grofi Esterhazi, iku në Londër, kurse një oficer francez që kujdesej për ta strehuar, kishte përfunduar me vetëvrasje.
Revizioni i procesit të Drajfusit tani ishte i pashmangshëm. Për të marrë pjesë në procesin gjyqësor të përsëritur, ish-kapiteni i ushtrisë franceze u rikthye nga Ishulli i Djallit ku ishte deportuar.
Për ta ruajtur autoritetin e Shtatmadhorisë së Ushtrisë Franceze dhe të Qeverisë Franceze, pavarësisht provave që ishin në favor të pafajësisë së Drajfusit, ai u dënua përsëri.
Aktgjykimi kundër tij përsëri shkaktoi trazira të mëdha në mbarë vendin dhe në krejt Evropën. “Çështja e Drajfusit” nuk u hoq nga rendi i ditës. Pjesa nacionaliste e Francës ishte vërtet e fortë, por, po aq i fortë ishte edhe opinioni demokratik dhe liberal i vendit.
Në fund, krejt afera mori fund dhe u mbyll dhe jo duke e shpallur Drajfusin të pafajshëm, por duke ia falur dënimin, përkatësisht nëpërmjet abolimit që ia dha Presidenti i Republikës – Emil Lube (Emile Loubet, 1838-1929).
Më në fund, më 19 shtator 1899, pasi qëndroi pothuajse pesë vjet i syrgjynosur në Amerikën Latine në Ishullin e Djallit, pranë Guajanës famëkeqe të Francës në Atlantik, Drajfusi u lirua nga faji.
Me këtë rast ai deklaroi: “Qeveria e Republikës ma riktheu lirinë, por kjo s’paraqet kurrgjë për mua, derisa nuk ma rikthejnë edhe nderin”.
Shkrimtari i famshëm gjermano-austriak me prejardhje çifute, Franc Kafka më vonë do të thotë: “Fajësia është gjendja në të cilën ndodhemi të gjithë ne, pavarësisht nga faji”.
Rehabilitimi i Drajfusit u krye shkallë-shkallë, në disa faza, ndërsa arriti kulmin më 22 korrik 1906, kur u dekorua me dekoratën e “Legjionit të nderit”.
Ishte fëmija i nëntë i prindërve të tij çifutë. Vdiq në Paris më 1935, në moshën 75-vjeçare.
Pasi Drajfusi mori pafajësinë, shkrimtari Emil Zola, nga Anglia u kthye në Francë ku u prit si hero dhe u shndërrua në ndërgjegje të kombitfrancez. Për qarqet liberale dhe demokratike të Evropës u shndërrua në simbol të intelektualit i cili del nga kabineti i shkrimeve dhe nga kulla e fildishtë për ta ngritur zërin e protestës kundër padrejtësisë, në mbrojtje të së vërtetës.
Zola vdiq në kabinetin e tij të punës, në orët e hershme të mëngjesit, më 29 shtator 1902, nga helmimi me monoksid karboni që lëshonte koftori. Në varrimin e tij morën pjesë mijëra francezë. Familjes së tij i erdhën letra ngushëllimi nga të katër anët e vendit dhe nga mbarë Evropa. Me javë të tëra, për të shprehur ngushëllime dhe për t’u regjistruar në librin e zisë, në shtëpinë e tij erdhën shumë shkrimtarë eminentë, filozofë, shkencëtarë, piktorë dhe politikanë. Shkrimtari i madh u varros në Cimetiere de Montmatre në Paris.
Pas gjashtë vjetësh, më 4 qershor 1908 u bë rivarrimi i mbetjeve të kufomës së tij, për t’u vendosur në Panteon,pranë Viktor Hygosë dhe Aleksandër Dymas.
Në ceremoninë e vendosjes së natyralistit të madh në Panteon, mori pjesë edhe kolonel-lejtënanti Alfred Drajfus.
* * *
Inteligjencia shqiptare në Ballkan, aktin e Zolës duhet ta ketë shembull. Intelektuali, krahas profesionit që ushtron, duhet të ngre edhe zërin e protestës, duke u vënë në shërbim të interesit të gjerë shoqëror. Ndryshe, shndërrohet në një mediokër që jeton vetëm për interesin meskin të vet, pa lënë gjurmë në hapësirë dhe kohë.
Inteligjencia shqiptare në Ballkan duhet të dalë nga amullia, oportunizmi, konformizmi, indolenca, neglizhenca e mendësia provinciale dhe të vihet në mbrojtje të së vërtetës.