04/12/2024

ADN adresa e vetme e ndryshimit substancial dhe përmbajtësor!

0
Florim-Zeqa1

Shkruan: Florim Zeqa

Subjektet e deritanishme politike aq shumë e kanë politizuar dhe polarizuar shoqërinë kosovare, saqë gjithçka është kthyer në urrejtje vëllazërore dhe hakmarrje primitive mes subjekteve politike. Nuk ka sesi të ndodhë ndryshe, kur në një familje katër anëtarëshe janë futur pesë parti! Kjo ka bërë që anëtarët e së njëjtës familje të përqahen aq keq sa të futen edhe në konflikte verbale dhe fizike me njëri-tjetrin.

Për homogjenizimin e vlerave kombëtare

Subjekt i ri politik-ADN (Alternativa Demokratike për Ndryshim) do ta bëjë homogjenizimin e vlerave të pastra kombëtare, do t’ia kthejë nderin dhe dinjitetin bërthamës së shtetit-Familjes shqiptare, të ndarë dhe përqarë pamëshirshëm nga subjektet aktuale politike, të cilat shoqërinë kosovare e përdorin vetëm në prag të fushatave zgjedhore, duke ju premtuar të gjitha mrekullitë e botës derisa t’ua grabisin voten, për t’i harruar më pas deri në zgjedhjet e radhës.

Kështu ka ndodhur për këto 23 vite rresht nga njëra palë zgjedhje në tjetrën nga të gjitha subjektet politike deri tek pushtetarët e fundit, të cilët e premtuan ndryshimin epokal, e premtuan qeverisjen ndryshe nga të tjerët, premtuan e çka nuk premtuan, por për afro dy vite në qeverisje të vendit nuk ndryshuan për asgjë nga qeverisjet paraprake!

Madje, nëse ua llogarisim kohën e shkurtër në qeverisje të vendit, ua kanë kaluar të gjitha subjekteve paraprake në abuzimin e pushtetit duke u thirrur në emrin e qytetarëve, pa ua ofruar asnjë zgjidhje optimale këtyre të fundit! Përkundrazi në disa rrafshe, në vend të përmirësimit, ua kanë përkeqësuar akoma më shumë jetën e qytetarëve të vendit!

Pa asnjë përspektivë zhvillimore, pa asnjë përmirësim të sistemit të drejtësisë, pa asnjë përmirësim të sistemit arsimor dhe shëndetësor ua kanë shuar të gjitha shpresat qytetarëve për jetë dinjitoze në atdheun e tyre.

Vendi ynë ka nevojë për një rrugëtim ndryshe

Jam i vetëdijshëm se rruga e nisur e ADN-së nuk do të jetë aspak e lehtë, por jo edhe e pamundur. Do të ballafaqohemi me pengesa subjektive dhe byrokratike nga të dyja nivelet e qeverisjes, përkatësisht të nivelit qendror dhe lokal, por karvanin e ndryshimit epokal nuk do të mund ta ndalë askush deri në ç’rrënjënosjen e antivlerave, duke filluar nga pabarazia sociale, përkatësisht eliminimin e pabarazisë së qytetarëve para ligjit, luftimin e nepotizmit dhe aferave korruptive në sistemin shëndetësorë dhe atë arsimor deri tek arritja e plotë e barazisë qytetare në drejtësi, punësim, shkollim dhe edukim të shëndoshë në baza kombëtare.

Sot më shumë se asnjëherë Kosoves i duhet ndryshimi!

Morali, sinqeriteti dhe mbajtja e fjalës janë tre nga shumë elemente tjerë që e bejnë individin të jetë patriot (atdhetar) i mirë. Përfshirja e këtyre elementeve dhe të tjerave si: humanizmi, solidariteti, besa, guximi, durimi, vendosmëria, burrëria, qëndresa, dashuria ndaj atdheut…, e që të gjitha këto më një emër do t’i quaja KOD PATRIOTIK.

Ata që i posedojnë vetitë e sipërcekura me siguri e duan ndryshimin dhe atë do ta arrijnë përmes ADN-së, kurse ata që e duan vazhdimësinë do të mbeten edhe më tutje peng i kusarëve politikë që rropën e ç’rropën çdo gjë në Kosovën e pasluftës.

Me një fjalë, ata që e duan ndryshimin do ta arrijnë atë përmes ADN-së, kurse ata që e duan vazhdimësinë do të bien akoma pre e mashtruesve ordinerë, që premtuan dritën, kurse në vend të saj ua sollën errësirën!

Andaj, qytetar të dashur të vendit tim, në vend të errësirës zgjedhne dritën, në vend të mashtrimit zgjedhne fjalën e dhënë dhe besën shqiptare deri në fitoren e madhe dhe epokale kundër kësaj klase kusarësh politik që ua bën jetën ferr në vendin më të bukur dhe më të pasur të Gadishullit Ballkanik. Mos u besoni edhe më tutje atyre që ua dhatë votën deri më tani, e të cilët, në vend të mirëqenjes së premtuar, ua sollën zhgënjimin e madh duke i punësuar nëpër institucione publike dhe shtetërore vetëm familjarët e tyre, dajët dhe tezet, miqët dhe farefisin e gjërë, militantët partiak dhe dashnoret e tyre në qeveri dhe staf diplomatik.

Pra, Alternativa Demokratike për Ndryshim primare do ta ketë mbrojtjen dhe respektimin e kodit gjenetik dhe patriotik apo ADN-në shqiptare si element të homogjenizimit kombëtar. ADN dhe KODI PATRIOTIK duhet të jenë të respektueshme nga të gjithë, e në veqanti nga ata që e marrin guximin të thirren në emër të popullit dhe në emër të vlerave kombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok