11/12/2024

ADMINISTRATA E TRAMPIT DHE LUFTA NË UKRAINË

0
Xhelal-Zejneli

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Ndalja e një lufte duhet të merret si akt human. Është thënë se presidenti i zgjedhur i ShBA-së Donald Tramp (Donald Trump, 1946- ) luftën e Ukrainës mund ta ndalë për një ditë.

Kemi të bëjmë me një luftë komplekse. Kjo luftë karakterizohet prej dy gjërave:

– e para, pala ukrainase mbështetet prej Fuqive të Perëndimit dhe të NATO-s;

– e dyta, njëra prej palëve ndërluftuese është fuqi e madhe.

Kush e ka shkaktuar këtë luftë? Sipas Fuqive perëndimore dhe NATO-s, luftën e ka shkaktuar agresioni rus, i paprovokuar nga Kievi. Sipas Moskës, kjo luftë është pasojë e tendencës së Fuqive të Perëndimit dhe të NATO-s për ta përfshirë Ukrainën në Aleancën Veri-atlantike.

Rëndom luftërat ndalen kur njëra prej palëve ndërluftuese e humb luftën dhe nënshkruan kapitullimin. Në rastin konkret, asnjëra prej palëve ndërluftuese nuk thotë se e ka humbur luftën. Secila prej tyre thotë se do ta vazhdojë luftën deri në thyerjen përfundimtare të palës armike.

Presidenti i zgjedhur i ShBA-së Donald Tramp sakaq mund ta ndalë luftën duke ia ndërprerë Kievit ndihmat ushtarake dhe financiare. Po të ndodhë një gjë e tillë, atëherë fituese e luftës do të dilte Rusia. Që nga fillimi i kësaj lufte, Fuqitë perëndimore Rusinë e kanë cilësuar si agresore dhe si pushtuese e territorit të huaj. Sipas perëndimorëve, Moska i ka shkelur konventat ndërkombëtare me të cilat garantohet pacenueshmëria e kufijve, e sovranitetit të shteteve apo e tërësisë tokësore e tyre.

Ç’qëndrim do të kishte Trampi lidhur me cilësimin e Rusisë si agresore dhe si shkelëse e parimeve ndërkombëtare mbi pacenueshmërinë e kufijve, mbrojtjen e sovranitetit dhe të integritetit territorial të shteteve?

Kjo luftë ka një çmim tejet të lartë. Palët ndërluftuese kanë humbje të mëdha në njerëz, numër të madh ushtarësh të vrarë, numër të madh ushtarësh të plagosur, tanimë të paaftë për luftë. Pala ukrainase ka edhe një numër të caktuar civilësh të vrarë. Shumë fëmijë ukrainas kanë mbetur pa njërin prind, e një numër i caktuar edhe pa të dy prindërit. Një numër i madh i ukrainasve janë shpërngulur nga vendi për t’u strehuar në vende të ndryshme të Evropës. Ka prej tyre që kanë shkuar edhe në vendet përtej detit. Askush s’e di në do të kthehen ata në vendin e tyre të lindjes, në atdheun e tyre. Në Ukrainë kemi edhe lëvizje të brendshme të popullsisë. Shumë ukrainas u janë shmangur zonave të luftës dhe janë vendosur në rajonet që kanë qenë sa më larg fushëbetejave. Ukraina ka pësuar dëme të mëdha materiale, ndërtesa të rrënuara, rrugë, ura, objekte energjetike, centrale elektrike, fabrika, uzina dhe reparte prodhimi të shkatërruara. Shumë rajone të Ukrainës janë shndërruar në fusha të minuara. Është çrregulluar sistemi social, arsimor, shëndetësor, prodhues, riprodhues.

Dëmet që i ka pësuar Ukraina mund të maten në miliarda euro ose dollarë. Dëme dhe humbje ka pësuar edhe pala tjetër ndërluftuese – Rusia. Askush s’e di numrin e saktë të ushtarëve të vrarë, të asnjërës palë ndërluftuese. Kievi dhe Moska këtë e ruajnë si sekret.

Duke qenë se kemi të bëjmë me një luftë që ka kushtuar tejet shtrenjtë, atëherë rezulton se asnjëra prej palëve ndërluftuese nuk do të ishte e gatshme të dalë duarthatë nga një marrëveshje eventuale që do t’ua ofronte Trampi.

Tani për tani Rusia kontrollon 27 për qind të territorit të Ukrainës. Pak më shumë se çerekun. Po qe se Uashingtoni ia ndërpret Kievit ndihmat ushtarake dhe financiare, në mos edhe politike, atëherë fituese e luftës do të dilte Rusia. A do të ishte kjo në dobi të Perëndimit, në dobi të NATO-s?! Sigurisht që jo. Rusia si fuqi e madhe nuk ka hyrë në luftë për ta humbur atë. Rusia nuk paguan çmim të madh për të dalë nga lufta duarbosh. A mund administrata e re amerikane të gjejë një formulë që do t’i kënaqte të dyja palët ndërluftuese, si ajo: “Edhe mishi të piqet, edhe helli të mos digjet”. Sipas Moskës, Rusia i ka marrë ato pjesë të Ukrainës që janë të banuara kryesisht me popullsi ruse.

Ka që thonë se me prolongimin e luftës, Perëndimi, përkatësisht NATO-ja synojnë ta dobësojnë Rusinë ushtarakisht dhe ekonomikisht.

Fuqitë perëndimore dhe NATO-ja deri tani e kanë mbështetur Ukrainën me armatime, me mjete financiare, me prodhime dhe artikuj ushqimorë, me barna, me ekspertë lëmenjsh të ndryshëm etj. E kanë përkrahur edhe politikisht. Por, në fushëbeteja Ukraina e ka derdhur gjakun e djemve dhe të vashave ukrainase. Me fjalë të tjera, çmimin më të lartë e ka paguar populli ukrainas.

Çmim për luftën në Ukrainë paguajnë edhe vendet e Perëndimit. Çmimi i luftës shkon në kurriz të taksapaguesve të ShBA-së dhe të shteteve evropiane. Qytetarit të rëndomtë në Perëndim, më tepër i intereson standardi i jetesës se çështjet gjeopolitike dhe interesat strategjikë të shteteve. Nuk është e rastit që në kontinentin e vjetër kanë marrë hov e djathta e skajshme apo e majta e skajshme.

*   *   *

Po qe se lufta ndalet dhe Rusia merr 27% të territorit të Ukrainës, atëherë ajo del fituese. Shtrohet pyetja: Cili është interesi strategjik i ShBA-së, i NATO-s apo i BE-së?! A është interes i Fuqive perëndimore dhe i NATO-s që Rusia të dalë fituese e kësaj lufte?! Po qe se Trampi e ndal luftën duke ia njohur Rusisë 27% të territorit të Ukrainës, atëherë dalin humbëse: ShBA-ja, NATO-ja dhe BE-ja. Përse dalin humbëse? Kështu sepse ShBA-ja, NATO-ja dhe BE-ja e kanë mbështetur Ukrainën që nga dita e parë e sulmit rus. Pikërisht për këtë arsye administrata e re amerikane nuk do ta ketë lehtë ta gjejë formulën përkatëse të ndaljes së luftës. Formulë që do t’i kënaqte të gjitha palët – Ukrainën, Rusinë, ShBA-në, NATO-n dhe BE-në.

Po qe se Rusisë i njihet pushtimi i 27 për qind të territorit të Ukrainës, atëherë ajo del fituese. Kësisoj, në vend që ta dobësonin, ajo do të dilte më e fortë!

*   *   *

Është vështirë të arrihet armëpushim dhe zgjidhje për ndaljen e luftës edhe për shumë arsye të tjera:

– Kush është viktimë e luftës dhe cila palë është agresore, kush zhvillon luftë të drejtë çlirimtare dhe cila palë bën luftë pushtuese;

– Duke qenë se lufta zhvillohet në territorin e Ukrainës, a do t’ia paguajë Moska Kievit dëmet e luftës apo reparacion lufte;

Sipas të dhënave të caktuara, Ukraina ka marrë prej vendeve të Perëndimit diku rreth 270 miliardë dollarë. Atëbotë, shtrohet pyetja: A do të mund t’i kthejë dhe si do të mund t’i kthejë Perëndimi këto mjete që ia ka dhënë Kievit në formë armatimesh, mjetesh monetare etj. Një pjesë e armatimeve dhe e mjeteve monetare janë dhënë në formë ndihmash, por një pjesë tjetër mbase i janë dhënë Ukrainës në formë huaje.

Ç’do të ndodhë me asetet apo me mjetet financiare të Rusisë që ndodhen të bllokuara nëpër bankat e Evropës dhe të ShBA-së?! A do të zhbllokohen ato dhe t’i kthehen Moskës apo do të vazhdojnë të mbeten të bllokuara?!

A do të përgjigjet ndokush për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit?

Cili do të jetë fati i Vladimir Putinit, të shpallur përgjegjës për krime lufte apo për krime kundër njerëzimit? A do t’ia dorëzojë Moska Hagës që ai të përballet me drejtësinë ndërkombëtare? A është normale që liderët perëndimorë të komunikojnë me të apo edhe të takohen me të?! Të takohen me njeriun të cilin e kanë fajësuar për krime lufte!

Po qe se askush nuk përgjigjet për krime lufte apo për krime kundër njerëzimit, atëherë del se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vlejtka vetëm për popujt e vegjël apo për popujt e pambrojtur. A do të përgjigjet ndokush për ndarjen e fëmijëve prej prindërve të tyre?! A mban përgjegjësi ndokush për vrasjen e popullsisë civile?! A përgjigjet dikush për ekzekutimin e robërve?! A përgjigjet dikush për torturimin e robërve të luftës? Në këto përmasa, kjo s’ka ndodhur as në mesjetë.

Po sanksionet ndaj Rusisë, do të hiqen apo do të vazhdojnë të jenë në fuqi?! Po tregtia midis vendeve të Perëndimit dhe Rusisë do të rivendoset apo do të vazhdojë të mbetet e ngrirë?! Ç’do të ndodhë me naftën dhe gazin natyror rus?! Naftësjellësit dhe gazsjellësit do të çojnë naftë dhe gaz drejt Evropës apo embargoja do të vazhdojë edhe për një kohë?!

Kush do t’i çminojë fushat e minuara të Ukrainës, kur dhe me çfarë çmimi? Kush do ta rindërtojë Ukrainën e shndërruar në gërmadhë? Sa vjet do t’i duhen Ukrainës për ta rimarrë veten? Kush do ta ndihmojë Ukrainën në periudhën pas luftës?! A kanë llogari Fuqitë perëndimore t’i hyjnë kësaj pune pa pasur një interes strategjik?

Çdo marrëveshje që e nxjerr ngadhënjyese Rusinë, me automatizëm e nxjerr humbëse ShBA-në, NATO-n dhe BE-në. Fitorja ruse do t’i trimëronte edhe aleatët e saj në Azi. Do të ngazëlleheshin edhe vendet e BRIKS-it, bashkë me kryetarin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un.

Mosndëshkimi i Rusisë ia çel rrugën ariut të veriut për inkursione të tjera drejt Evropës. Rusia e pandëshkuar do të vazhdonte politikën e saj destruktive dhe luftënxitëse në Ballkanin Perëndimor. Do ta trimëronte satelitin e saj – Serbinë, për të intensifikuar aktet terroriste në Kosovë dhe në vendet e tjera të rajonit.

Mandati i një presidenti zgjat katër vjet apo tetë vjet, kurse interesi strategjik i  një fuqie globale zgjat me dekada, në mos dhe më tepër. Ndalja e luftës në Ukrainë nuk është çështje e lehtë. In ultima linea, kryetari Zelenski mund të thotë: “Me këto kushte, unë nuk e nënshkruaj marrëveshjen e paqes”. Pa nënshkrimin e palëve ndërluftuese, zotërimet ruse në Ukrainë do të konsideroheshin pushtim.

Çfarë statusi do të ketë Ukraina? Do të jetë shtet asnjanës, apo do të jetë anëtare e NATO-s dhe e BE-së?!

Pikëpamja: “Le të marrë Rusia 27% të territorit të Ukrainës, kurse si kompensim, Ukraina të pranohet në NATO”, nuk është e drejtë. Nuk arsyetohen gjithë ato viktima për një epilog të tillë. Këtë e dinë më së miri prindërit e djemve të vrarë, e dinë fëmijët e mbetur jetimë, e dinë gratë e reja të mbetur pa bashkëshortët e tyre. Shteti dhe kombi ukrainas ekzistojnë pavarësisht nga ç’thotë Putini. Nuk ka nevojë të vriten dhe të plagosen qindra mijë ukrainas që Putini më në fund ta njoh të drejtën e Ukrainës për shtetësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok