17/11/2024

ADEM MEFMET BALLAZHI (1906-1944)

0

DËSHMORË PËR SHQIPËRI ETNIKE

NGA BAJRAM ҪELIKU – BALI

Lindi në fshatin Cërvicë të Kërçovës, në vitin 1906. Rrjedh nga një familje e pasur dhe bujare. Babai i tij Mefmeti thuhet se ka qenë një burrë i respektuar ndër fshatarë, dhe për trashëgimtarë pati vetëm Ademin. Pasi rritet e bëhet burrë, Ademin e martojnë me motrën e gjyshit tim Emin Çelikut, vajzë nga një familje e pasur dhe e respektuar jo vetëm në Cërvicë, por edhe jashta sajë. Ademi për trashëgimtarë të tij pati djalin Asanin dhe dy vajza, Zerien dhe Zimrien, të dyja të martuara në fshatin Zajas mëhalla Xhuma. Asani për trashëgimtarë pati tre vajza. Advijen të martuar në fshatin Zhubrinë, Naxhijen të martuar në Fshatin e Ri (Novosellë), tani për tani jeton me shtëpi në Kërçovë, dhe vajza e tretë Shukrija e martuar në fshatin Berikovë, e tani për tani, me shtëpi të vet në Kërçovë. Asani nuk pati djalë, e pasuria toksore iu nda vajzave të tija.

E tani të këthehemi pak te veprimtaria atdhetare e dëshmorit të rënë për Shqipëri Etnike, Adem Ballazhit nga Cërvica. Sipas rrëfimit të gjyshit tim Emin Çeliku, dhëndrri i tij Ademi, na paska qenë një burrë i urtë, por i matur e trim. Trimëritë e tija, ai i kishte demonstruar nëpër disa luftëra të zhvilluara, jo vetëm në mbrojtje të fshatrave të Kërçovës, por edhe në mbrojtje të vetë qytetit të Kërçovës. Sa herë që jepej kushtrimi për luftë, Adem Ballazhi, rrëfente gjyshi rrëmbente pushkën dhe iu bashkohej shokëve që shkonin në luftë, për të mbrojtur Trojet tona Etnike. I frymëzuar me ndjenja atdhetare, sa herë që ishte nevoja për mbrojtje nga armiqtë, nuk e kursente as jetën e tij.

Vjeshta e vitit 1944, konkretisht muaji nëntor, nuk do të harrohet kurrë nga kërçovarët, më rrëfente gjyshi im. Forca të mëdha sllave në krye me serb, malazezë e maqedonas vendës, kishin sulmuar Kërçovën tonë të dashur. Digjeshin shtëpi e vriteshin burra, gra e fëmijë të pafajshëm. Në çdo anë në çdo fshat dëgjoheshin krismat e armëve, luftohej shtëpi për shtëpi, luftonin edhe gratë e vajzat e tyre, mbrohej vatani…

Posa, dëgjuan krismat e armëve, shumë burra të Cërvicës, rrëmbyen pushkët dhe u nisën për t’u shkuar në ndihmë shokëve të cilët luftonin për të mbrojtur fshatrat atje në anën veriore të Kërçovës. Ndër këto trima, u nis edhe Adem Ballazhi së bashku me Musa Xhambazin, babain e arsimtarit Ramiz Xhambazi. Nga Cërvica trimat u nisën në drejtim të Berikovës, Qafës ku zhvillohej një betej e ashpër, kundër forcave sllave dhe Ballit Kombëtarë, të udhëhequr nga Imer Bllaca nga fshati Jagoll dhe Destan Qafës. Pasi kalojnë “Kodrën e Ballazhe”, “Pupën” e arrijnë te vendi i quajtur ,,Të vramit”, vend ku u bë Masakra e vitit 1913, nga hordhitë serbe në krye me Mikajl Brodin, trimat e Cërvicës bijnë në pritë shkau. Një plumb mbaron në krahërorin e Adem Ballazhit, duke e lënë të vdekur aty për aty, ndërsa Musa Xhambazi me pushkën e tij i përgjigjet zjarrit. Sipas gjyshit tim, përveç Ademit dhe Musait, në këtë grup ka pasur edhe dy vetë tjerë nga Cërvica, por emrat e tyre unë nuk i mbajë në mend, sepse aso kohe nuk kam marrë shënime, e prej atëherë e deri më tani ka kaluar shumë kohë.

Musa Xhambazi, rrëfente gjyshi këthehet në fshat dhe i tregon djalit të tij Asanit se babai i tij Ademi, sot ka rënë dëshmorë në mbrojtje të Trojeve Etnike Shqiptare. Së bashku vënë qetë në karrocë, dhe shkojnë te vendi i ngjarjes, ku ra dëshmorë Ademi, e ngarkojnë trupin e pajetë të trimit e sjellin në fshat ku me ndihmën e disa fshatarëve e varrosin trimin afër Trasfomatorit të sotëm të Cërvicës.  Shkaku, se: ishte gjendje lufte. Nuk kishin mundësi ta dërgojnë as deri te varret, rrëzë Ҫuke, larg fshatit.

Varrosja e trimit në këte vend, ku nuk ka të tjerë të varrosur, rrëfente gjyshi bëhet përshkak të sigurisë, sepse partizanët kanë qenë të fortifikuar për rrethë fshatit, dhe mund të pësonin edhe ato të cilët bënin varrimin e trimit. Vepra e tij atdhetare nuk duhet harruar kurrë, sepse trimi dha jetën për mëmëdhe. Ideali i tij ishte Shqipëria Etnike. Ëndrra e tij, por edhe e shumë patriotëve tjerë, ishte që edhe Kërçova e tij, të jetë nën ombrellën e Nënës Shqipëri. Lavdi veprës së tij atdhetare…

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok