11/01/2026

ABAZ KUPI: I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE

0
Abaz_Kupi1

Nga Frank Shkreli

“Ç’prej momentit të parë që u sulmua toka jonë e shenjtë prej armiqve fashistë, ne kemi qenë ata që kemi bërë çmos për të shpëtue nderin kombëtar dhe jemi përpjekjur për bashkim të përgjithshëm dhe bashkveprim me të gjithë shqiptarët pa dallim rryme dhe ideologjije. Ne jemi përpjekur për bashkim dhe vëllazërimin e shqiptarëve për të larguar luftën civile dhe për të siguruar luftën e përbashkët për shporrjen e okupatorit prej tokës sonë të shënjtë”. (Abaz Kupi). Citim marrë nga libri, “Abaz Kupi” i autorit Makensen Bungo, Gjonlekaj Publishing

Përshëndetjet e mia më të sinqerta familjes së nacionalistit Abaz Kupit në 50-vjetorin e kalimit të tij në amshim, Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra për bashkorganizimin e këtij tubimi dhe për ftesën që më bëtë për të shënuar këtë përvjetor të rëndësishëm.

Zonja dhe Zotëri, pjesëmarrës në në këtë përkujtim,

Abaz Kupi ishte dhe mbetet njëri prej të mëdhejve të historisë shqiptare. Por edhe njeri ndër më të keqtrajtuarit prej historisë zyrtare. Sidomos, nga historiografia zyrtare komuniste, megjithse Abaz Kupi mbetet një ndër figurat e rëndësishme të historisë shqiptare për rolin e tij si ushtarak dhe politikan nacionalist, por jo vetëm.  Nuk dua as nuk është rasti të futem më thellë në histori, sepse unë historian nuk jam, por majfton të përmendet, ndër të tjera, roli i Abaz Kupit në luftën për mbrojten e Durrësit nga pushtuesit fashist italianë me 7 prill, 1939.

Njihet mirë gjithashtu edhe roli i tij gjatë Luftës së II Botërore, fillimisht, në bashkrendim të luftës kundër okupatorit me lëvizjen antifashiste, por më vonë, si atdhetar që ishte, ai detyrohet të largohej nga ajo lëvizje për arsye të ndryshimeve të papujtueshme ideologjike dhe atdhetare me frontin.

Por për arsye të ndryshimeve themelore me frontin se cila duhej të ishte Shqipëria e pas luftës, si njëri prej udhëheqsve të lëvizjes politike, Legaliteti, Abaz Kupi dhe shumë bashkatdhetarë anti-komunistë të tjerë, detyrohet të largohej nga Atdheu, atëherë kur perdja e zezë e komunizmit ndërkombëtar ra edhe mbi Kombin Shqiptar. Ndërkohë që liria për të cilën luftoi Abaz Kupi me shokë, u zevëndësua me sundimin barbar komunist të regjimit të Enver Hoxhës, për pothuaj një gjysëm shekulli. Vendosja e pushtetit komunist në Shqipëri, ishte kohë e zezë në historinë kombëtare. Ishte koha kur pluralizmi politik shqiptar u vra dhe u varros bashkë me kundërshtarët e komunizmit, me përjashtim të atyre që mund të arratiseshin, si Abaz Kupi. Si përfundim, ai dhe shumë bashkatdhetarë, bashmendimtarë të tij—kur po vedoseshin fatet e Shqipërisë së pas luftës, detyrohen të largohen nga Atdheu dhe të vendoseshin, kryesisht në Shtetet e Bashkuara, por jo vetëm. Këtu,  ata vazhduan – secili më vete por edhe në bashkpunim, por fatkeqsisht pa sukses – përpjekjet e tyre për rrëximin e regjimit sllavo-aziatik komunist që ishte instaluar në Tiranë pas Luftës së II Botërore, me ndihmën e agjentëve komunistë serbo-malazezë, Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviç.

Si rrjedhim, qëndresa në mërgim e Abaz Kupit ndaj regjimit komunist të Tiranës si dhe mbështetja e tij për Mbretin Zog, por jo vetëm, ishin ndër arsyet e tjera që historiografia komuniste por, fatkqesisht, as qeveritë e viteve të tranzicionit “post-komunist”, as historiagrafia zyrtare, nuk e kanë trajtuar, nuk e trajtojnë as nuk vlerësojnë rolin e Abaz Kupit në mënyrë të drejtë për ti dhënë vendin që i takon në historinë e shqiptarëve.

Normalisht, edhe këtu në botën e lirë, ekzistojnë mendimet ndryshe në radhët e historianëve jo-ideologjikë mbi rolin e personave dhe mbi ngjarjet historike me rendësi, për qendrimet politike dhe për veprimtarinë e liderve si Abaz Kupi mund të jenë të natyrshme dhe ndonjëherë edhe në kundërshtim me njëri tjetrin. Por në rastin e Abaz Kupit dhe shumë kundërshtarëve të tjerë patriotë shqiptarë të regjimit komunist shqiptar, që u detyruan të largoheshin nga Atdheu pas luftës, trajtimi i tyre nga historiografia zyrtare shqiptare komuniste është e pashembullt në historinë e shumë vendeve të tjera ish-komuniste të Evropës, pothuaj 80-vjet pas luftës në Evropë.

Për fat të keq, edhe sot pas 35-vite tranzicion, Shqipëria ishte gjatë regjimit komunist dhe mbetet edhe sot, një vend ku trajtimi historik i figurave kombëtare si Abaz Kupi — ashtu siç e kishte përcaktuar regjimi komunist i shekullit të kaluar, me etiketime – si reaksionar, fashistë, armik të atdheut, i shitur, agjent, poliagjent e të tjera.  Në këtë frymë armiqësore, ish-kundërshtarët e komunizmit, si Abaz Kupi vazhdojnë që, zyrtarisht, të demonizohen, të abuzohen, të keqtrajtohen me qëllim që, më në fund, të harrohen – për rolin dhe kontributet e tyre ndaj Kombit shqiptar.

Pyetja sot në këtë 50-vjetor të kalimit në amshim të Abaz Kupit është se cila do kishte qenë dhe cila do ishte sot Shqipëria nëse Abaz Kupi me klasën politike jo komuniste të kohës do të kishte fituar betejat ushtarake dhe politike dhe kundër komunizmit ndërkombëtar sllavo-aziatik të asaj kohen ë Shqipëri?  Është shumë e vështirë t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje sepse atyre nuk iu dha kurrë mundësia të provonin veten e t’a bënin Shqipërinë siç mendonin e donin ata, në atë kohë. Por një gjë është e sigurt se sllavo-komunistët shqiptarë që morën pushtetin — me në krye Enver Hoxhën dhe me ndihmën e serbo-malazezve duke qeverisur Shqipërinë, brutalisht, për pothuaj një gjysëm shekulli — e shëndrruar Shqipërinë në një zonë krimi mu në qëndër të Evropës duke vrarë, burgosur e persekutuar kundërshtarët politikë dhe familjet e tyre dhe duke izoluar vendin, për pothuaj një gjysëm shekulli nga bota e qytëruar perëndimore.

Por ndryshe nga historiografia komuniste shqiptare – historia e vërtetë, normalisht, nuk gënjen. Ajo flet edhe në heshtje. Me 7 prill, 1939, Abaz Kupi ishte atje ku e thirri Atdheu. Në Durrës, aty ku u derdh gjaku i parë në Evropë, shembëll rezistence kombëtare, në prag të Luftës së II Botërore — nën komandën e Abaz Kupit. Dhe më vonë në malet e Shqipërisë, ai ndërmori ndeshjet e para luftarake me italianët për çlirimin e Shqipërisë. Duket se këto fakte nuk kanë rëndësi për historiografinë komuniste sa i përket rolit të Abaz Kupit.

Nuk dëshiroj ta politizoj këtë debat, por më duket ironik fakti se sot një kryeministër i Shqipërisë i një partie politike socialiste, ish-komuniste, gjunjëzohet para një kryeministreje italiane, përfaqsuese e një partie që rrënjët e saja i ka në një parti neo-fashiste italiane. Duket se Shqipëria zyrtare komuniste dhe post-komuniste ka bërë paqe me pasardhësit e fashizmit italian, por jo me shqiptarët që gjithnjë etikohen si “fashist”. Jo se unë nuk dua që Shqipëria të ketë marrëdhënie të mira me Italinë. Përkundrazi! Por më duket disi hipokritik fakti se armiqtë e vjetër janë bërë miq, ndërsa shqiptarët patriotë me epitetet komuniste, “fashist” e “reaksionar”, vazhdojnë të jenë, zyrtarisht, të keqtrajtuar dhe të përjashtuar nga historiografia shqiptare, me urdhër politik nga lartë.

Lufta e II Botërore mund të ketë marrë fund për gjithë botën në vitin 1945, por për Shqipërinë zyrtare ajo luftë vazhdon, fatkeqsisht. Jo luftë me përfaqsues ose ish-përfaqsues të fashizmit apo nazizmit me të cilët sot janaë miq strategjikë, por ajo luftë vazhdon në politikën shqiptare: është luftë shqiptari kundër shqiptarit, për të cilët Lufta e II Botërore ende nuk ka marrë fund.  Shqipëria dhe shqiptarët me të drejtë i kërkojnë Greqisë heqjen e ligjit absurd të luftës me shtetin shqiptar. Po Tirana zyrtare kur do të heq ligjin e luftës kundër patriotëve të Kombit si Abaz Kupi, të etikuar nga regjimi komunist si “fashistë” e “tradhëtarë” dhe tu njoh meritat e tyre historike.  Ku është zemërimi, o shqiptarë!

A shihni se ku jemi! Për çdo vit përkujtohet Abaz Kupi dhe patriotë të tjerë, kundërshtarë të komunizmit enverist — të ndaluar e të përjashtuar gjithnjë nga historiografia shqiptare — duke u mohuar atyre meritat dhe rolin e tyre pozitiv në historinë e Kombit. Ky është një debat që duhej bërë në fillim të 1990-ave, që kjo çeshtje të ishte zgjidhur me kohë, sepse tani është tepër vonë.  Ndërkohë që sot ne kërkojmë trajtimin e drejtë të rolit historik të Abas Kupit nga historiografia zyrtare e Shqipërisë, Tirana zyrtare hesht ndaj dukurive të glorifikimit të figurës së Enver Hoxhës dhe komunizmit, vitet e fundit. Për fat të keq, duket se ky hendek përçarës midis shqiptarëve sa vjen e zmadhohet, me heshtjen zyrtare sot, ndërkohë që krimet e rënda të komunizmit të Enver Hoxhës ndaj shqiptarëve që nuk pajtoheshin me të, po harrohen, ndërkohë që regjimit komunist po i falen krimet barbare kundër njerëzimit. Një absurditet historik!

Ndonëse Shqipëria është anëtare e Aleancës Euro-Atlantike, NATO dhe aspiron të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, është i vetmi vend ish-komunist i Evropës Lindore/Qendrore që: Nuk është distancuar, zyrtarisht, nga e kaluara e saj terroriste komuniste. Nuk është përballur, seriozisht, me të kaluarën e mjeruar komuniste. Tirana zyrtare, deri më sot, nuk ka dënuar, zyrtarisht, krimet e regjimit barbar- komunist të Enver Hoxhës.  Dhe Kuvendi shqiptar nuk ka caktuar ende një ditë përkujtimore, kushtuar viktimave të komunizmit në Shqipëri, ashtu siç kanë bërë vendet ish-komuniste të Evropës. Në vend që të thuhet, ashtu ishte koha, të nxirret në dritë e vërteta.  Familja e Abaz Kupit nuk kërkon asgjë më pak se të vërtetën!

Patriotët e harruar, zyrtarisht, si Abaz Kupi me shokë, kundërshtarë politikë të regjimit komunist të Enver Hoxhës, janë përjashtuar e keqtrajtuar deri në tallje nga historiografia shqiptare, deri në ditët e sotëme, me qëllim që të zhduken deri në harresë. Një shprehje popullore thotë se koha, eventualisht, i zhvesh të gjithë. Të mirin e nxjerr në dritë e të keqin e le pa maskë.  Shpresojmë!

Prandaj, dënimi politik dhe historik nga regjimi komunist — e që vazhdon edhe sot nga qeveritë e tranzicionit — i burrave të Kombit si Abaz Kupi, duhet të marrë fund njëherë e mirë. Ky është një detyrim moral e kombëtar i politikës aktuale shqiptare dhe i gjithë shqiptarëve të ndershëm që ia duan të mirën Kombit shqiptar.  Historia e vërtetë shqiptare sot e kësaj dite vazhdon të kërkojë drejtësi për figurat e Kombit si Abaz Kupi – figurë e demonizuar, padrejtësisht, nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.

Urime Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, Vatra të Amerikës, familjes së nderuar dhe të vuajtur të nacionalistit të shquar Major Abas Kupit, që me këtë tubim vazhdoni të kujtoni dhe nxirrni në dritë rolin patriotik të këtij nacionalisti të shquar të kombit. Ju lumt!

Ju falënderoj për vëmendjen!

Frank Shkreli

Comments (0)

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok