22/12/2024

A U NJËSUA GJUHA LETRARE SHQIPE PAS KONGRESIT TË DREJTSHKRIMIT TË VITIT 1972

0
Sami-Islami

Nga Sami Islami

Nga ngjarjet më të mëdha në historinë e kulturës shqiptare, që patën karakter gjithëkombëtar deri sot mund të veçohen tri: Kongresi i Manastirit i vitit 1908, kur u vendos alfabeti shqip për të gjithë shqiptarët, Komisia Letrare Shqipe (në Shkodër) tetë vjet më vonë (filloi më 1 shtator të vitit 1916 dhe përfundoi me 22 maj të vitit 1918), si përpjekje e parë serioze për krijimin e një gjuhe standarde me bazë elbasanishten dhe Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe mbajtur në Tiranë më 1972, kur u vendos Drejtshkimi i gjuhës shqipe.

Ajo që u vendos në Kongresin e Manastirit qe hapi i parë për bashkimin e kombit tonë nga pikëpamja kulturore. Deri atëherë shkrimtarët shqiptarë shkruanin sa me alfabet grek, sa me atë latin por edhe me alfabet turk. Por Kongresi i rrafshoi këto kundërthënie brenda shqiptarëve përsa i takon alfabetit duke e bërë të mundur që shkrimet e shqiptarëve të lexoheshin nga të gjitha trevat ku jetonin ata. Në Kongres morën pjesë intelektualë nga të gjitha trojet e Shqipërisë, përveç intelektualëve nga arbëreshët e Italisë. Kongresi i Manastirit, që sivjet shënon edhe njëqind e dymbëdhjetë vjetorin e tij, hapi edhe rrugë të reja drejt konsolidimit të kombit shqiptar në trojet e veta etnike.

Ngjarje tjetër me shumë rëndësi qe Komisia Letrare Shqipe e vitit 1916 -1918 kur me propozimin e Luigj Gurakuqit dhe me miratimin e të gjithë të pranishëmve, elbasanishtja do të vendosej si dialekt bazë për formimin e gjuhës letrare gjithëkombëtare. Kjo për arsye se si për nga karakteristikat e përgjithshme gjuhësore, si edhe për nga ana gjeografike, elbasanishtja ishte mu në kufi të gegërishtes dhe të toskërishtes. Këtu të dy dialektet e mëdha të gjuhës sonë përbënin një model shumë të pranueshëm për të gjithë shqiptarët. Kjo edhe u dëshmua se ishte e folmja e cila do t’i bashkonte këto dy dialekte. Këtë mendim kishte Xhuvani, Çabeji etj. Kjo gjuhë standarde për të gjithë shqiptarët u zbatua në Shqipërinë etnike deri më vitin 1946, pra 30 vjet ekzistencë, kurse në Kosovë dhe në trojet e tjera jashtë Shqipërisë më shumë se 5 dekada, gjatë së cilës kohë nguli rrënjë të thella në më shumë se gjysmën e Shqipërisë natyrore.

Hapi tjetër që, në parim, do të duhej të ishte kurora e bashkimit të kombit, qe Kongresi i Drejtshkrimit i mbajtur, siç dihet, këtu e pothuaj 48 vite më parë në Tiranë, pra më 1972. Këtu u mblodhën gjuhëtarë nga të gjitha trojet shqiptare: nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia,  Mali i Zi, dhe nga arbëreshët e Italisë. Dhe ky Kongres u quajt KONGRESI I DREJTSHKRIMIT, që në fakt,  do të duhej të ishte  vërtetë ngjarje që do të çonte më tej procesin e integrimit gjuhësor e shpirtëror në drejtim të bashkimit kombëtar, edhe pse territorialisht të ndarë më shumë se çdo popull tjetër në botë, e mos të flasim për Evropë.

Por Kongresi i 72-ës a e përmbushi misionin e pritur?

Po të shikohet detalisht do të thoshim se jo. Dhe arsyeja është se, për shkaqe të cilat mund t’i dinë vetëm organizuesit, u injorua një traditë shumë më e gjatë në favor të një modeli, i cili “u vu” me 1946. Në këtë kohë elbasanishtja u “ndërrua” me toskërishten. Se a u veprua mirë apo jo do të flasin faktet në vazhdim. Sipas mendimit tonë, duke u mbështetur në përkrahjen e madhe edhe të gjuhëtarëve , si Xhuvani, Çabeji etj.,  shumë më dobipruese do të kishte qenë, sikur  elbasanishtja të mbetej bosht i gjuhës letrare edhe më tej, ashtu sikur kishte qenë për më tepër se 30 vjet. Dhe ky Kongres vetëm ta forconte këtë vijë. Fundja, elbasanishtja kishte bërë një përvojë bukur të gjatë, siç thamë,  në përdorimin e saj në të gjitha sferat e kulturës së shqiptarëve, si brenda Shqipërisë, (lexo: prej vitit 1916 -18 e deri me 1946 )dhe shqiptarëve në Kosovë dhe në trevat e tjera jashtë Shqipërisë etnike deri me vitin 1972.

Po, në fakt,  momenti që ia ndërroi kahjen e lumit, nuk ishte viti 1972. Ishte viti 1946 kur në Shqipëri filloi arbitrarisht të zbatohej dialekti toskë. Pse ndodhi kjo më mirë e dinë “gjuhëtarët” komunistë të regjimit të Enver Hoxhës, të cilët posa e morën pushtetin e ndërruan edhe gjuhën, pra në vend të elbasanishtes e vunë toskërishten. Pse ky ndërrim rrënjësor? A u pyet ndokush nga 60 ose 70 përqindëshi i shqiptarëve të tjerë që jetonin në pjesën veriore të Shqipërisë, a u pyet ndokush nga shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi apo të Italisë? Kujt i pengoi elbasanishtja, e cila kishte elemente të të dy dialekteve, më shumë se çfarëdoqoftë kombinimi tjetër që do të ishte më i përshtatshëm për një zhvillim më të shpejtë të një gjuhe të përbashkët letrare gjithëkombëtare?

Përgjegje s’ka.

Në Kongresin e 72-ës morën pjesë punëtorë shkencorë, gjuhëtarë akademikë nga të gjitha trojet shqiptare. Dhe kjo ishte shumë mirë e menduar nga organizatoret komunistë  të Kongresit, se çfarëdo qoftë vendimi që do të merrej, ata do të thoshin se ky vendim ishte marrë nga të gjithë, edhe pse ata që shkuan nga Kosova dhe trojet e tjera shqiptare jashtë Shqipërisë etnike bënë fare pak apo më mirë të themi nuk mundën të bënin gjë. Ky Kongres ishte dizajnuar në atë mënyrë që toskërishtja do të ishte bosht, pa çka se po rrënohej një traditë e përbashkët shkrimi shumë më e gjatë. Kjo ndodhi sigurisht,  pasi që, ndoshta, atje diku në tribunat e Kongresit po merrte pjesë edhe diktatori  Enver Hoxha.

Pse shkuan atëherë delegatët nga Kosova,  Mali i Zi , Italia apo nga Maqedonia?

Unë them se këta përfaqësues të gjysmës së kombit, sidomos ata nga Kosova nuk bënë asgjë, ose bënë aq pak sa nuk e pagoi “barra qiranë”. Shkuan atje, e panë Tiranën, bënë fotografi, qëndruan dhe u kthyen si kofini pas të vjelit. Delegatët kosovarë nuk e mbrojtën (apo nuk patën fuqi për ta mbrojtur) madje as faktin kur Kongresi, përveç tjerash, e hodhi poshtë paskajoren gege “me punue” si “të pa vlerë”. Dhe kur u kthyen zotërinjë në Universitetin e Prishtinës dhe kudo në Kosovë, tani duke treguar “të arriturat” e Kongresit dhe ndoshta inferioritetin e tyre ndaj organizatorëve të Kongresit, fundja, duke dashur ta arsyetonin moskontributin e tyre, filluan të na “bindin” neve studentëve se paskajorja gege nuk “kishte qenë” e nevojshme të qëndronte në gjuhën e njësuar letrare. E si mund të shpjegohet kjo “perlë” që dilte, madje, nga goja e gjuhëtarëve tanë, profesorëve tanë të nderuar? Kjo tingëllon, pikërisht, sikur t’i thuash një njeriu unë po ta prej këtë krah, por mos u mërzit se do ta ngjes një tjeter që do të funksionojë shumë mirë, se ky krahu yt ishte i panevojshëm! Në anën tjetër paskajorja gege leje që nuk u “zhduk” në veri, por u ngul thellë pothuaj kudo edhe  në jug. Mjafton të shkosh sot në Tiranë dhe  dhe të vëresh se kjo paskajore (“me  punu”) jeton sikur te jesh në mes të Prishtinës (në gjuhën e folur sidomos).

Po vendimet e Kongresit qenë ato që qenë. I dimë të gjithë. Në Kongres u vendos “unanimisht”, siç merreshin gjithnjë vendimet në sistemet totalitare, që dialekti toskë të ishte bazë e gjuhës letrare me disa “plotësime” nga sfera e leksikut marrë nga dialekti gegë. Diçka sa për ta kriposur! Në rregull edhe unë pajtohem dhe nuk kam asgjë kundër dialektit toskë, bile e dua dhe çmoj shumë. Po pyetja është se a u organizua Kongresi ta bashkonte vërtetë popullin shqiptar, qoftë bile në aspektin shpirtëror dhe kulturor apo ta ndante atë?

Vendimet e Kongresit u panë qartë se nuk qenë në favor të bashkimit. Se po të ishte në favor të bashkimit  do të mbetej mu elbasanishtja, ithtar i së cilës ishin, siç thamë më lart Prof. Xhuvani , Çabej etj. Kongresi la një vrragë në kulturën shqiptare për gati pesë dekada. Dhe gjatë kësaj perudhe, çështja e gjuhës mbet, si të thuash, temë tabu. Në Shqipëri nuk guxonte më askush të kundërshtonte, në Kosovë, sado që u përqafua më tepër si përgjegje ndaj pushtetit serb, se shqiptarët, edhe pse të ndarë me kufij ishin një. Kurse realiteti i ri gjuhësor në gjysmën e Shqipërisë etnike, në Ksovë e diasporë, në realitet, ishte kafshatë që nuk po kapërdihej lehtë. Kjo klimë vazhdoi deri në vitet ’90. Fill pas “demokratizimt” të Shqipërisë kjo temë, madje u bë një prej çështjeve më të debatuara për kohën. Mund të thuhet lirisht se, gjuha filloi me të madhe të bëhej subjekt fërkimesh dhe trajtimesh që nga shtresat më të ulta e deri në instancat më të larta shkencore. Këto probleme dolën në pah sidomos nga disa intelektualë të përndjekur nga regjimi komunist si Martin Camaj, Sami Repishti e ndonjë tjetër.

Nejse.

Në atë kohë në Kosovë, të ballafaquar me situatën tepër të rëndë poliktike, siç thamë më lart, por edhe kudo tjetër ku kishte shqiptarë në ish –Jugosllavi, shqiptarët e Kosovës e pranuam gjuhën letrare të re (gjuhën e njësuar) ashtu siç edhe iu servua. Më kujtohet bile që, jo vetëm studentët dhe nxënësit, por edhe i madh e i vogël ia nisën tash ta “mësonin” gjuhën letrare, a standarde a…quaje si të duash se fundja as Kongresi nuk e kishte të qartë se çfarë ishte; a ishte Kongres i Drejtshkrimit, Kongres i Gjuhës së Njësuar, apo Kongres i Standardit? Në këtë pyetje mund të përgjigjen sot zotërinjë si nga Tirana ashtu edhe nga Prishtina. Kurrë nuk është vonë!

Megjithatë, kudo në veri pra edhe në Kosovë me të madhe gjuha letrare (ta quajmë kështu) filloi të MËSOHEJ (tani ky versioni i ri), në jug, pra edhe në Tiranë, vazhdonte të FLITEJ. Hajde tash barazohu, nëse mundesh, me vëllazërit toskë, të cilët den baba den e kanë folur atë gjuhë (lexo: dialekt).

Shpesh më ka rënë të bisedoj me intelektualë nga Kosova, poashtu edhe nga Shqipëria lidhur me këtë temë. Pse ndodhi kështu dhe a ka mundësi që gjuhëtarët të ulen edhe një herë bile të debatojnë për këtë çështje në nivel kombëtar (të ftohet njëfarë lloj kongresi). Fatkeqësisht, me sa po vërej, një gatishmëri e tillë është shumë e vogël.

Është interesante të theksohet se  gjuhën e njësuar letrare nuk arritëm ta mësojmë ashtu siç duhet ( lexo: ta flasim ) , as studentët e Univeritetit të Prishtinës (lexo: studentët e gjuhës shqipe), po as profesorët tanë të nderuar. Na shkoi jeta duke e “mësuar” këtë gjuhë standarde! Edhe ata që e kanë marrë më “seriozisht “ se të tjerët,  profesorët e gjuhës (prapë fjala është për disa) kur i dëgjon  se si përpiqen ta flasin gjuhën e njësuar edhe të bëjnë për të qeshur.

Unë isha njëri nga studentët e shumtë të asaj kohe që e përjetuam këtë ndryshim në sferën e gjuhës. Që nga ajo kohë unë jam marrë vazhdimisht me gjuhën, kam qenë mësimdhënës i gjuhës shqipe dhe jam edhe sot. Thuaja gjithë karrierën time ia kam kushtuar gjuhës, por ajo që më ka preokupuar mua dhe besoj se edhe të tjerët është, se një gegë kur e flet gjuhën letrare, ai në të njëjtën kohë edhe duhet të mendojë se çfarë po thotë dhe si po e thotë, kurse vëllau ynë jugor jo. Ai e ka mendjen vetëm te tema se ai nuk di të flasë ndryshe, pra nuk ka mundësi të gabojë në theks a në ndonjë çështje tjetër gramatikore, të cilën nuk e ka përdorur deri dje, sepse ka lindur, është edukuar në atë ambient gjuhësor. Këtu duket edhe “kualiteti” i gjuhës së një intelektuali gegë në krahasim me një intelektual toskë. Imagjinojeni për një çast, jo një njeri të thjeshtë, por një akademik nga Gjirokastra p.sh. të dalë në TV e të flasë nja disa minuta në elbasanishte apo në dialektin e veriut. Çka mendoni se do të ndodhte? Cirk i vërtetë!

Tani gjendja e gjuhës letrare a e standardit është kjo që është. Këtu edhe qëndron problemi pse disa zëra, si nga Kosova, poashtu edhe nga  Shqipëria veriore, janë për një rishikim të atyre vendimeve që u morën këtu e pothuaj 48 vjet më parë. Këta zëra, mendoj, se  nuk bën as të injorohen e as të politizohen.

Pas gjithë kësaj që u tha mund të bëhet pytja se a jemi të gatshëm, pra,  ta shtrojmë prapë çështjen e gjuhës në nivel kombëtar apo jo? Ose më mirë të themi a jemi të gatshëm t’i afrojmë këto dallime, tani  në kohën kur pas pavarësisë së Kosovës gjasat për një bashkim kombëtar janë edhe më të mëdha se kurdoherë më parë? A është duke u shkuar në mendje gjuhëtarëve se, krahas zhvillimit ekonomik dhe afrimit të ndërsjellë, tani të të dy shteteve shqiptare në Ballkan,  gjuha do të luante rolin e saj pozitiv? Nëse mungon ky vullnet i ndërsjellë frigohem  se nuk do të shkojë shumë kohë dhe do të krijohet edhe një gjuhë “shtetërore” brenda trungut shqiptar: do të krijohet gjuha “shtetërore” gege, ashtu siç po ka tendenca të krijohet prej disa qarqeve intelektuale në Kosovë dhe në pjesën veriore të Shqipërisë. Këta “intelektualë” sidomos  nga Kosova do të përpiqen ta krijojnë  edhe një  “identitet” tjetër,  “identitetin shtetëror kosovar”!. E përgjegjësia për këtë atëherë ku do të bie? E ku tjetër pos në Akademinë e Shkencave të Tiranës dhe të Prishtinës, të cilët si duket janë duke pritur të ndodh një “cunam kulturor” për t’u zgjuar nga gjumi!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok