23/12/2024

A JANË KRIJUESIT FORCË E MENDIMIT INTELEKTUAL DHE E LUMTURISË SË NJERËZIMIT

0
u1_Sejdi-Berisha

Sejdi BERISHA:

Me shkas

Reportazhi, ose, Rikthim tek Manifestimi Tradicional Ndërkombëtar Poetik “Trirema e Poezisë Joniane” që për çdo vit mbahet në Sarandë

A JANË KRIJUESIT FORCË E MENDIMIT INTELEKTUAL DHE E LUMTURISË SË NJERËZIMIT

(Nga Manifestimi Tradicional Ndërkombëtar Poetik “Trirema e Poezisë Joniane” në Sarandë, që u mbajt me 25, 26 dhe 27 shtator 2015)

Tanimë, qyteti i Sarandës për çdo shtator jeton e frymon me letërsinë, me poezinë dhe vargun poetik, i cili prej viti në vit po i forcon hallkat kulturore dhe letrare jo vetëm në mes krijuesve të trojeve shqiptare, pra të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Luginës së Preshevës, të Malit të Zi dhe diasporës, por edhe me krijuesit dhe vlerat letrare të vendeve të tjera, si Italia, Spanja, Greqia, Maqedonia, Mali i Zi, Bullgaria etj. Dhe pikërisht kjo formë e tubimit dhe e bashkimit të krijuesve dhe poetëve, ka bërë që të afirmohet edhe më shumë poezia kombëtare dhe ndërkombëtare në vendin tonë, në Sarandën e vlerave shpirtërore, kulturore, historike dhe turistike. Kjo është edhe forca intelektuale, e cila gradualisht po kontribuon dhe po e shton peshën e vlerës krijuese poetike, si fuqi e veçantë krijuese dhe e inteligjencës, që njeriun e shpie përpara, e fisnikëron dhe bën faktor të unitetit, të shkrirjes së dallimeve dhe kontradiktave, të cilat kanë penguar dhe pengojnë zhvillimin e mirëfilltë të njerëzimit. Me këtë forcë specifike sikur përputhet edhe mendimi i Mahatma Gandhit: “…Botës duhet kujtuar se nuk ka gjë më të butë se uji, por forca e tij thyen dhe shkëmbinjtë më të fortë”! Kështu është edhe fuqia e mendimit dhe këndimit poetik dhe shtrirja e peshës së mesazhit letrar.

Manifestim letrar me vlera shumëdimensionale

Të kthehemi në Sarandë, me 25, 26 dhe 27 shtator 2015, kur u mbajt Edicioni i IX-të i Manifestimit Tradicional Ndërkombëtar Poetik “Trirema e Poezisë Joniane”, në të cilin morën pjesë afro pesëdhjetë krijues e poetë nga Shqipëria, Kosova, Lugina e Preshevës, Maqedonia, Spanja, Italia, Mali i Zi dhe Greqia. Gjatë këtyre ditëve përveç që u prezantuan poezitë e poetëve të këtyre vendeve, u mbajt edhe “Akademia letrare” e “Triremës Joniane” në të cilën u prezantuan tema kushtuar zhvillimit të vlerave të poezisë nga kënde të ndryshme, që për herë të parë u iniciua në Sarandë nga krijuesit e këtushëm. Dhe, nuk është e tepërt te kthehemi tek rrjedha dhe pesha e këtij manifestimi, ashtu siç ishte këtu e pesë vite më parë.

Së pari, manifestimin letrar dhe akademinë e përshëndeti Kryetarja e Bashkisë së Sarandës, znj. Floriana Koka, e cila vlerësoi këtë manifestim kulturor dhe poetik dhe uroi mbarëvajtjen e kësaj ngjarjeje.

Akademia nisi punën me prezantimin e krijuesit të mirënjohur, prof. Fatmir Terziu, I cili jeton dhe vepron në Londër, që bënte fjalë për poezinë në hapësirën Joniane, dukuritë dhe karakteristikat. Pastaj u lexua referati i poetit Sadik Bejko me temë: “Sfidat e poezisë së sotme”, ku analizohet poezia e cila kultivohet brenda territorit të Shqipërisë në njëzetë e pesë vitet e fundit. Mandej, prof. Anton Nikë Berisha nga Universiteti i Kalabrisë u prezantua me kumtesën “Zërat e sotëm poetikë tek Arbëreshët e Italisë”. Ndërsa, Zejnepe Alili Rexhepi, nga Universiteti Publik i Tetovës u prezantua me kumtesën: “Gjurmë të letërsisë shqipe në Maqedoni”, e në vazhdim të punës së akademisë poetike, prof. Dhori Q. Qirjazi, nga Universiteti i Selanikut, u prezantua me temën “Letërsia kufitare, poezia e minoritetit grek në Shqipëri”, kurse në fund, poeti Petrit Ruka, u prezantua me temën: “Çfarë mund të mësojë letërsia shqipe nga folklori brilant i Labërisë”.

Kur u nisëm nga Kosova unë, Prend Buzhala, një krijues i mirëfilltë dhe i palodhur jo vetëm i letërsisë dhe Hasan Hulaj, nipi im, i cili është një intelektual i përkryer, por që ka dëshirë të flaktë edhe të përcjell krijimtarinë time dhe ta shijojë krijimtarinë poetike dhe letrare, e dija se në Sarandë do të takohem me shumë krijues e poetë nga shumë vende e vise, më të cilët përveç që do të forcojmë miqësinë reciproke, do të kontribuojmë që të këmbejmë përvoja nga krijimtaria letrare, por edhe nga zëri dhe mesazhi që ka poezia. Dhe, ashtu edhe ndodhi. Së pari, u akomoduam në “Bougainville Bay”, kurse më vonë ishte momenti i rëndësishëm, ai i takimit me krijuesit poetikë, që dëshmonte për peshën dhe rëndësinë e kësaj ngjarje poetike dhe kulturore me peshë kombëtare mbase edhe ndërkombëtare.

Pastaj, në ambientet e restorantit “Nertili” filloi pjesa e parë e orës letrare, ku me poezitë e tyre u prezantuan poetët dhe poetet: Guzeppe Napolitano(Itali), Angela Giandi(Itali), Gema Bocardo(Spanjë), Natalia Kapodistria(Greqi), Yanis Yfantis(Greqi), Olivera Docevska(Maqedoni), Fatmir Terziu(Londër), Beatriçë Balliqi (Tiranë), pastaj, Petrit Ruka, Sazan Goliku(Pandeli Koçi), Ilirian Zhupa, Zejnepe Alili Rexhepi(Tetovë), Sami Velçani, Riza Braholli, Natasha Xhelili, Vangjel Zafireti, Andrea Zarballa, Flora Brovina, Bardhyl Maliqi, Dashamir Malo dhe Agim Mato.

Ishte një mbrëmje e mrekullueshme letrare, e cila u përcoll edhe me disa pika muzikore nga nxënësit e shkollave të Sarandës. Pastaj, në mbrëmje na del kohë për të zhvilluar biseda edhe për gjëra të ndryshme, duke filluar nga letërsia e deri tek problemet krijuese dhe ato që e preokupojnë vendin dhe kombin.

Takohem me kryetarin e  Klubit të Krijuesve Jonianë, z. Agim Mato,  i cili me qëndrimin e tij prej njeriut stabil dhe të mendjes së thellë, më dëshiron mirëseardhje. Dhe nuk e vonova shumë sepse duhej të takohej edhe me mysafirë të tjerë. Pastaj, takoj krijuesin çam, z. Hekuran Halili, me të cilin tani ka sa vite që njihemi, kur kisha shkruar për librin e tij me poezi, “Unë-njeriu” të botuar në vitin 2007. Biseda me këtë krijues përfshinë, çfarë tjetër përveç se letërsinë, fatin e njeriut, të kombit dhe atdheut… Dhe, takimet e shtrëngimi i duarve nuk kishte të ndalë, që padyshim ishte pjesë e madhështisë së kësaj ngjarje me peshë e me rëndësi pse jo edhe historike për poezinë dhe letërsinë. Takohem edhe me mikun dhe krijuesin e palodhshëm dhe shumë alegro, z. Timo Merkuri, i cili edhe në takimet e vitit kaluar më kishte lënë një mbresë të ngrohtësisë dhe temperamentit të njeriut me zemër të madhe dhe të çiltër. Pastaj, takohem edhe me krijuesin dhe punëtorin e palodhshëm të letërsisë, të vlerave shpirtërore dhe kombëtare, z. Fatmir Terziun, i cili jeton dhe vepron në Angli. Bisedojmë për gjithçka, për “Fjala e lirë” , portal që e drejton ky njeri vital, edhe për gazetën Albanian News, të cilën po ashtu e drejton vetë në Londër. Nuk na mbesin së paku pa i përmendur edhe shumë çështje dhe probleme me të cilat ballafaqohet letërsia, kombi dhe atdheu por edhe ne krijuesit… Ishte kënaqësi të takoheshe me njerëz të tillë, sa që kur shikuam orën, kishte ikur bukur shumë kohë e asaj nate të 25 shtatorit 2015.

Butrinti, Muzeu i qytetit, galeria e artit dhe Kalaja e Lëkurësit ishin cak i “lëvizjes” së poetëve

Të nesërmen, ishte një program i ngjeshur, i cili dëshmonte për rëndësinë e manifestimit “Trirema e Poezisë Joniane”. Mirëpo, koha me nga pak shi Sarande, pak nga ndërroi itinerarin. Nuk e realizuam pjesën e dytë të orës letrare, që ishte planifikuar të bëhet në Amfiteatrin e Butrintit. Por këtë e bëmë në ambientet e Bashkisë së Sarandës, që edhe këtu u realizua me sukses dhe në një ambient të ngrohtë. Kësaj radhe, poezitë e tyre i lexuan poetët: Albina Idrizi, Vladimir Muça, Prend Buzhala, Zimo Krutaj, Afred Moholli, Rudina Çupi, Nehas Sopaj, Kolec Traboini, Agim Gjakova, Agim Vinca, Sejdi Berisha, Sabit Rrustemi, Ibrahim Kadriu, Nexhat Rexha, Agim Bajrami, Hekuran Halili, Alush Avduli etj.

Pastaj, pasoi edhe vizita Galerisë së artit “Galeria Art Saranda” dhe Muzeut të Qytetit. Me kureshtje dhe plot respekt vizitojmë ekspozitën e Ibdurrahim Buzës, Piktor i Popullit, i cili ka vdekur në vitin 1986, por pas vetes ka lënë një mori veprash-pikturash, që janë pasuri e artit dhe kulturës kombëtare. Ky piktor është një nga personalitet më të shquar të pikturës Shqiptare. Ai shquhet për stilin e tij origjinal që buron nga forca e talentit dhe karakterit sugjestiv, emocional në pasqyrimin e motiveve kombëtare, thuhet në mes tjerash në një prej katalogëve të kësaj galerie.

Dhe, në kuadër të kësaj vizite, me krijuesen dhe humanisten, znj. Flora Brovina, shmangemi në një tavolinë në kafeterinë afër galerisë, dhe, edhe pse na kishte lagur pak shiu, pimë nga një kafe dhe biseduam për shumë gjëra… Të ju them të drejtën, unë isha i interesuar që të di më shumë nga goja e saj për kohën që kishte kaluar në burgjet serbe, pastaj edhe për krijimtarinë e saj, e cila, rrjedhshëm si uji që përshkon lumin, m’i tregoi disa sekuenca nga koha në burg, pastaj, më shumë më rrëfeu për angazhimin e saj në vërtetimin me dëshmi të helmimit të nxënësve shqiptarë në shkollat ë Kosovës, ngjarje që atëbotë kishte tronditur botën. Më tregoi edhe për romanin e saj më të ri, i cili së shpejti do të dalë në opinion.

Shpejt iku edhe kjo copë kohe, por më begatoi me shumëçka!

Tash, i “katrrisemi” autobusit dhe shkojmë te Kalaja e Lëkurësit, një fortifikatë dëshmi e kohës së vuajtjeve por edhe e qëndresës së njeriut tonë nëpër kohëra e periudha historie. Ishte një madhështi dhe begati jo vetëm me peshë historike por edhe gjeografike e turistike. Prej aty mund ta shihje si në shuplakë dore Sarandën dhe bukuritë e saj dhe të detit. Bëmë shumë foto për kujtim e për rrëfim, edhe pse edhe aty na përcillte një rigë shiu, e cila, të ju them të drejtën, më dukej e ngrohtë, e ëmbël dhe e dashur. Për shkurt hymë edhe në restorantin atraktiv që ishte aty. Edhe pse kërkuam nga një kafe apo pije tjetër, nuk na shërbyen fare. Ani, se ndoshta ai restorant i mirë bile edhe madhështor dhe atraktiv, është i dedikuar vetëm për turistët e huaj. Ani…, asgjë të keqe nuk ka. Bile, unë ashtu e mora.

Dhe, pastaj, me mbresat e mira nga Kalaja e Lëkurësit, zbritem rrugës së ngushtë e gjarpërore për në Sarandë. Arritëm tek restoranti ku duhej të drekonim. Edhe aty pasuan bisedat e debatet, të cilat forconin përvojat krijuese, forconin miqësinë, por forconin dhe afirmonin edhe vlerat krijuese, gjë e cila ende na nevojitet shumë e shumë… E pra, kështu e ka rëndësia e manifestimit “Trirema e Poezisë Joniane”!

Pas drekës, një pushim në dhomë ishte i mirëseardhur. Por nipi im, Hasani i cili kishte ardhur me mua, sikur ishte betuar se dajën e tij do ta shpie edhe në shumë vende historike të tokës shqiptare, pasi ishte larë pak në det, hyri në dhomë dhe mua e Prend Buzhalës na dha “ultimatum” që për pesë minuta të vishemi dhe të shkojmë në Butrintin e Lashtë. Ashtu edhe vepruam. Ikëm sa ora përgjatë rrugës me asfalt të ri duke kaluar nëpër Ksamilin atraktiv dhe arritëm tek Butrinti. Morëm biletat hyrëse dhe ia mësyem Parkut Kombëtar të Butrintit.

Ishte kënaqësi dhe madhështi në të njëjtën kohë, që nga pak ma ngacmonte mendjen të përzier me dhembje. Në hyrje, si me padurim bëmë nga disa foto, kurse që të tre kishim dëshirë të qëndrojmë më shumë tek Amfiteatri i Butrintit, ku kishim planifikuar të mbanim pjesën e dytë të orës letrare të “Triremës Poetike Joniane”. Bëmë shumë foto, kurse mua më kujtohej vizita këtij vendi historik e antik në vitin 1980. Dhe, çfarë nuk më sillej në mendje. Kanë kaluar tridhjetë e pesë vite që nga ajo kohë e muajit gusht…! Por,… nejse. Nuk kemi vakt të ndalemi në këtë rrugëtim kohor, sepse na duhet shumë e shumë kohë…!

Prapë te Akademia Letrare në Hotel “Butrint” në Sarandë

Pasi vizituam Butrintin, tash nxituam që të marrim pjesë në Akademinë Letrare, që mbahej në Hotel “Butrinti”. Edhe pse nuk e dinim saktësisht se ku është ky hotel, pasi na treguan disa qytetarë të Sarandës, u drejtuam këmbë për atje.

Me ne tash ishte edhe krijuesi, Ibrahim Kadriu. Hoteli kishte qenë bukur larg, kurse mua më “provokonte” këmba e majtë dhe ma vështirësonte ecjen. Por, nuk është me rëndësi. Arritëm te Hotel “Butrinti” dhe u kyçem në punimet e Akademisë Letrare, e cila posa kishte filluar. Zura vend në një karrige, por i tërë trupi më ishte mbuluar me djersë, ndoshta pak nga rruga e ndoshta pak nga “pleqëria”!

Tash i dëgjuam dhe i përcollëm me kujdes të gjitha kumtesat që i theksuam më lartë.

Ndërsa, kryetari i Klubit të Krijuesve Jonianë, Agim Mato, me rastin e hapjes së Akademisë Letrare, në mes tjerash tha: “Mirë se keni ardhur në këtë veprimtari të iniciuar për herë të parë nga Klubi i Krijuesve Jonianë. Shpesh, kur mblidhemi, diskutojmë për problemet e letërsisë që ende nuk kanë gjetur një përgjigje të saktë nga kritika jonë. Po bëhen njëzetë e pesë vjet kur jemi çliruar nga socrealizmi i ngurtë që i detyronte poetët t’i nënshtroheshin disa parimeve absurde, që e kanalizonin letërsinë në hullitë e propagandës. Por, tash poezia u çlirua nga kthetrat e propagandës, ajo u bë zëri i natyrshëm…” i kohës.

Ishte ky një mendim i qëlluar, që edhe sot, kujtoj se letërsisë kombëtare i nevojitet bashkimi dhe afirmimi më i madh i vlerave kudo që realizohen dhe krijohen ato. Nevojitet qasja e mirëfilltë pa dallim rajoni, qyteti apo vendi, sepse, kjo kështu si është, e pengon forcimin dhe afirmimin e vlerave të përgjithshme letrare dhe kulturore…!

Në fund të kësaj akademie letrare, prezantuesit e kumtesave u nderuan me penën e artë, të argjendtë dhe të bronztë.

Me Penën e Artë  u nderua Fatmir Terziu, me Penën e Argjendtë  Albina Idrizi dhe Sadik Bejko, me Penën e Bronztë Sabit Rrustemi, Anton Nikë Berisha dhe Zejnepe Alili Rexhepi. Këto mirënjohje i ndau krijuesi nga Saranda, Timo Merkuri.

Me këtë përfundoi edhe Manifestimi Poetik “Trirema e Poezisë Joniane” në Sarandë, me shpresë dhe ambiciet se vitin e ardhshëm, Edicioni i Dhjetë Jubilar i këtij manifestimi do të sjellë risi dhe rezultate edhe më të mëdha, të cilat prej viti në vit edhe më fuqishëm do ta përcjellin mesazhin për afirmimin dhe zhvillimin edhe më të suksesshëm të poezisë dhe letërsisë, me theks të veçantë në trajtimin sa më të drejtë të kësaj fushe të rëndësishme nga të gjitha trevat dhe kudo tjetër që ajo kultivohet e krijohet.

Monumentet historike dhe kulturore janë ambasadorë të vlerave historike dhe kombëtare e kulturore

Në të kthyer për në Kosovë, sikur këmbët por edhe makina na drejtonin vetë për në Vlorë, në Qytetin e Pavarësisë. Qëndruam këtu për nja dy orë unë, Prend Buzhala dhe nipi im Hasan Hulaj. Dhe Vlora shqiptare dukej madhështore, ndërsa Shtëpia e Pavarësisë dhe shumë shtatore dhe përmendore jo vetëm të figurave historike por edhe kulturore, dëshmojnë për begatinë dhe thesarin që ka kombi e atdheu, që brezave të rinj u japin njohuri dhe mesazh për ta forcuar mendjen dhe arsyen për peshën e kombit dhe të atdheut të tyre. Edhe këtu bëmë shumë fotografi… Eh, le të na qëllojnë si kujtim, të cilat do t’i komentojnë nipat e ndoshta edhe stërnipat! Dhe pastaj ikëm për në Fier, pe më vonë për në Durrës, Tiranë dhe i afrohemi Rrugës së Kombit, që na mundëson arritjen më të shpejtë dhe komod në Kosovë, e cila është e dashur aq sa edhe Shqipëria dhe trojet tjera shqiptare…

Por, nuk mund të mos e përmend edhe kthimin tek Syri i Kaltër, kjo bukuri e madhështi e tokës shqiptare. Edhe pse binte shi, këtu kishin kthyer mori njerëzish për ta parë e shijuar këtë bukuri përrallore.

Nuk e di a ia kam qëlluar, por këtë reportazh do ta përmbylli me këto vargje nga libri im “Në lumë bie shi”: “Është koha tash/Pa ne/Të mos marrin këmbë vitet/Sepse/Sërish do ngelemi/Duke ndritur legjendat…”…!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok