A ËSHTË KAPËRCYER KOHA E MËNISË FISHTIANE NDAJ SERBËVE?
(Analecta), 3
Nga Prend BUZHALA
A janë kapërcye historikisht vargjet e Át Gjergj Fishtës në raport me serbët:
Pse s’ t’ a njof asnji per bé:
Un Shqyptár, ata janë Shkijé:
Né na dán nji gjak e ‘i fé:
N’ mní t’ sho’ shoqit kemi lé:
Kem’ ndrmjet nji qiell e ‘i dhé!….
Përse Fishta i krishterë thoshte kështu për serbët “e krishterë”!? Fishta ishte protagonist i shumë ngjarjeve historike. Ndarjet janë të thella: në mes qëndrojnë lumenjtë e gjakut dhe ata të besimit.
1.
Aq e thellë është kjo ndarje, sa edhe lindja e fëmijës ndodh sipas formulës “N’ mní t’ sho’ shoqit kemi lé”. Një kufi qëndron në mes, por aty ndërmjet është një hapësirë e pafund sa një qiell e një dhé! Një prift që është sinonim i urtësisë e i njeriut të matur, a ka mundur të jetë ndryshe se ç’është Fishta? Ndër të tjera, ai ka mbajtur një Fjalim në Paris në Konferencën e Paqes më 1919 (shkrimi njihet me titullin “Shqiptarët e të drejtat e tyne”, botuar te vepra e Fishtës “Proza”(vëllimi i parë”, Botime françeskane, Shkodër 2006). Ja si e argumenton këtë “krishterim” greko-serb:
“Deri sa Shqiptarët luftojshin kundra turkut per liri të Shqipnisë e t’ Europës mbarë, shka bajshin grekët e serbët, ata që sot Konferenca e Paqes asht tue i mbajtë nen stjetull si djelm dishirit? Grekët, si Zotnija juej e din mirfilli, edhe atëherë kur turqit kishin mërrijtë te dera e Stambollit, rrijshin tue u marrë me çeshtje fetare kundra Kishës së Romës. Po kështu edhe Dhespoti i Serbisë, sadoqë kryetar i nji populli trim e luftar, – deri sa gjaku Shqiptar shkonte rrëkajë per liri dhe pamvarsi t’ Atdheut, ai niste krushqi me turq, tue ia dhanë të bijen per grue Sulltanit dhe, pështetë mandej në këte fakt, serbi pengoi bashkimin e ushtrive të Skënderbegut me ato të Huniadit, e per rrjedhojë, u thye ushtria e krishtenë në Varna, tue marrë në qafë ma se gjysen e Europës. “
Përse Fishta i krishterë thoshte kështu për serbët “e krishterë”!?
2.
Ndër të tjera, në Fjalimin e tij në Paris në Konferencën e Paqes argumenton me zemërim:
“Veç shka se mbasi u kapën me këte të madhnueshmin kryeqytetin tuej – ku sot asht ngrehë Areopagu i rrokull Botës – puna na doli krejt ndryshe se kishte kenë fjala e atyne ushtarëve tuej. Pamë e u vertetuem se anmiqtë tanë, jo veç që nuk ishin tue dashtë me na i kthye viset, që me dhunë na i kishin grabitë, por ma tepër, llastue prej krahut të fuqishëm që po ua mbajnë do nder Pushtete të mëdha të Europës, lypin me shty ma thellë kufinin nder vendet tona e me shkepë krahina të tjera prej Shqipnisë. Pame e u vertetue, se, për me i dalë ma lehtas këtij qellimi, ata rrijshin tue shpifë në një mënyrë krejt të pandershme Kombit Shqiptar. Shka nuk kanë thanë e botue kunder Kombit Shqiptar të mjeruem! Çnjerzimi i tyne në të shpifuna kundër Shqiptarve asht shtye aq larg, sa ndokush nder ta ka mërrijtë me shkrue e me botue në një farë shtypi poshtërsisht të shitun interesave të tyne, se na Shqiptarët edhe fiziologjisht e biologjisht ishim ma poshtë se rodi tjetër i njerzimit. E, madje, me këto të shpifuna të veta kanë mërrijtë me ua marrë mendt botës së qytetnueme, sa që agjencitë telegrafike të këtueshme po na i kthejnë pajtimet tona e fletoret e vendit ose nuk i pranojnë kurrfare artikujt tanë, ose na lypin çmime të çuditshme e per t’u njehë nder përralla – deri në 50.000 Frank për artikull! – veç si me na i mbyllë shtigjet që me u dalë zot të drejtave tona.”
Pikëpamjet e tilla nuk iu pëlqyen rusëve me pretendime për të dalë në Adriatik. Por Fishta ua çjerr maskën edhe kësaj sorte sllavomadhe shfarosëse. Me këtë iso, përpos caristëve rusë, vazhduan edhe komunistët sovjetikë (dëshmi është botimi i parë i Enciklopedisë së Madhe Sovjetike në Moskë, ku thuhet: “Veprimtaria letrare e priftit katolik Gjergj Fishta pasqyron rolin që ka luajtur kleri katolik në përgatitjen e agresionit italian kundër Shqipërisë. Si ish agjent i imperializmit austro-hungarez, Fishta, në vitet e para të veprimtarisë së tij letrare, mori një qëndrim kundër popujve sllavë, të cilët ishin kundër planeve grabitqare të imperializmit austrohungarez në Shqipëri. Në poemën e tij shoviniste antisllave “Lahuta e Malcis”, ky spiun ngrinte lart ndjenjat armiqësore të shqiptarëve kundër popujve sllavë, duke bërë thirrje për luftë të hapur kundër sllavëve”. Dhe u turrën kundër tij komunistët shqiptarë të “internacionalizmit proletar”!
3.
Te Fjalimi i sipërpërmendur Fishta i bën apologji kultit të lashtësisë së kombit shqiptar kundruall sllavëve përbuzës e gjakatarë:
“Prej brigjeve gjimuese të Euksinit e në borën e amshueshme të Alpeve Julie; prej bigave bumbulluese të Akrokeraunve e deri ndër karma të thepisuna të Karpateve, ende të rime me gjak njeriut, në ato kavaljetet e kalueme, banonte, si zotnia juej mirë e di, ajo familja e madhe Trako-Ilirike, në nam’ e në za në histori të fiseve dhe të kombeve. Sot, kjo familje asht shue. Marrë përbri prej tallazeve të luftave të gjata e të pandame, ajo u përpi dhe u zhduk përmrenda gërmazave të pangishëm të gjireve të motit, e s’ mujti ma, ç’ me atë ditë që Gentius, mbreti i mbramë i Ilirëve, në 168 para Krishtit, kandriti triumfin e Lucë Pal Emilit, me pa diellin e majes së lumnisë së vet të hershme.”
Dhe kjo mëni ndaj përbuzjes e krimeve sllave e shtyn atë të ligjëtrojë me zemërim tutje:
“Ende sllavi nuk kishte dalë prej bjeshtës së thellë t’ Uralit e ende s’ ishte ngjizun e sotmja frotë laramane neohelenike, kur Shqiptari korrte me zagna, fushat e pafund të Ballkanit. Qe kështu, Shqiptari e kishte mbyllë nji periudhë të gjatë të historisë së vet në moshen e rruzullimit. Na thoni, kush para Shqiptarit, i ngau qetë sinorëve të Ballkanit? Historinë e kemi aty, Zotnij të mij, e ajo na flet shumë kjartë. E asht kot që hipokrizia diplomatike të mundohet me ia shue zanin me shtupa notash zyrtare ose gjysëzyrtare: zani i saj i pingrueshem përshkon kavaljetët!”
POLEMOSI FISHTIAN përbën një kapitull më vete kundruall përbuzjes e shpifjes së qarqeve evropiane të kohës (sikundër është shkrimi “A janë të zot shqiptarët me u mbajtë shtet më vedi” për të dëshmuar aftësinë e vetëqeverisjes e të shtetbërjes). Fishta spikatet dhe në shkrime të tjera, kaq të njohura për kohën, sikundër është Fjalimi me titull “Shqiptarët dhe të drejtat e tyre”.Ai, për më shumë se një gjysmëshekulli, u mor me publicistikë aktive për një Shqipëri të re, të njohur politikisht e të pranuar kulturalisht, për një Shqipëri evropiane e të bazuar natyrshëm mbi themelet e qytetërimit perëndimor. Në shkrimet e tij ai fokusoi apologjinë shqiptare përballë botës, në dhjetëra e qindra analiza, komente, kronika e artikuj, me stuhi polemizuese…
4.
Një Evropë e Bashkuar, ndër të tjera, ka edhe këtë pikësynim: që kufijtë të jenë të hapur; që kontestet mes fqinjëve të jenë të zgjidhura…
A ka ndryshuar kjo Serbi nga ajo e Kohës së shekullit XIX, kur shfarosi më 1876 rreth 714 fshatra shqiptare, në bashkëpunim me rusët?
A ka ndryshuar kjo Serbi e Kohës së Fishtës?
Sjelljet e Serbisë së sotme thonë: jo, nuk ka ndryshuar në përcaktimet e ndjesitë e saj antishqiptare, rrjedhimisht dhe anti-evropiane?…
A duhet të kapërcehet kjo mëni historike siç e përcakton Fishta?
Ka, po qe se Tjetri të respekton në të drejtat tua.
5.
Të urtët thonë:
“Një njeri i dashur jeton në një botë të dashur. Një person armiqësor jeton në një botë armiqësore “. (Ken Keyes Jr., Doracak për Ndërgjegjen më të Lartë(,
“Kur nuk e perceptoni botën si armiqësore, nuk ka më frikë, dhe kur nuk ka më frikë, mendoni, flisni dhe veproni ndryshe” (Eckhart Tolle),
“Unë apeloj për ndërprerjen e armiqësive, jo sepse jeni shumë të lodhur për të luftuar, por sepse lufta është e keqe në thelb. Ju doni të vrisni nazizmin. Ju kurrë nuk do ta vrisni me miratimin e saj indiferent” (Mahatma Gandhi, Gandhi: Një autobiografi),
“Një shoqëri e pacivilizuar tregon qëndrim negativ si armiqësia dhe jotoleranca” (Sunday Adelaja)
“Kjo luftë ndryshon nga luftërat e tjera, në këtë aspekt. Ne nuk po bëjmë luftë kundër një ushtrie, por kundër njerëzve armiqësisht të disponuar, dhe duhet të bëjmë që, të vjetrit dhe të rinjtë, të pasurit dhe të varfrit, ta ndjejnë dorën e rëndë të luftës” (William Tecumseh Sherman).
(Prend Buzhala, 3 korrik 2019)