24/11/2024

A është e rastësishme kimia e bashkëpunimit politik anti-Kosovë e treshes Rama-Vuçiç-Thaçi?!

0

Nga Enver Bytyçi

Vitin që shkoi ”rastisi” që në Nju Jork të ishin bashkë Edi Rama, Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçi. Ishte kohë kur të tre këta kishin shumë shpresa se do ta bënin realitet planin e tyre të “korrigjimit” të kufijve, kupto – ndarjes së territoreve të Kosovës. Kjo “rastësi” e shkuar u përsërit këtë javë, kur të tre protagonistët e ndarjes së Kosovës përsëri u bënë bashkë në Nju Jork. Thaçi dhe Vuçiç u shfaqën me batuta midis tyre. Presidenti serb, “rastësisht” ia përsëriti Hashimit edhe këtë vit, njësoj si vitin e kaluar, se “Unë flas në OKB, ndërsa ti rri koridoreve”! Kjo batutë nuk e ka shqetësuar presidentin e Kosovës. Ishte kryeministri i Shqipërisë ai që e qetësoi.

Në fakt para se të shkohej në Nju Jork “ashtu si rastësisht” e “për koincidencë” ishte arritur akordi që kompania, e cila loboi për ta zgjedhur Vuçiçin president të Serbisë e Edi Ramën kryeministër të Shqipërisë po lobon sot në Kosovë me qëllim që partia e Hashim Thaçit ta fitojë postin e kryeministrit të Kosovës. Kjo kompani e sponsorizuar nga Beogradi po bën “krejt rastësisht” të gjitha përpjekjet që pushteti ekzekutiv të shkojë në duart lobuesve të shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë.

Por loja politike e “rastësive” nuk mbaron me këto. Rama, Vuçiç dhe Zaev vendosën që me datën 9 e 10 tetor të takohen në Beograd. Ata duan të themelojnë atë që ata e quajnë “Shengeni Ballkanik”. Pra duan që ndërmjet Serbisë, Maqedonisë dhe Serbisë të hapen kufijtë, të hiqen doganat, të lëvizin lirshëm e pa kontroll kufitar e doganor. Kjo “rastësi” nuk ndodhi me Podgoricën, Prishtinën dhe Sarajevën. Përkundrazi, Edi Rama Kosovës ia ka vënë një kufi të dytë “te thana” e Kalimashit! Sarajeva dhe Podgorica nuk shqetësohen për këtë, sepse ata janë të mbrojtur nga një rrethim i tillë në kulisa politikanësh të korruptuar. Vetëm Prishtina shqetësohet e duhet të shqetësohet nga ky lloj asosacioni.

Prishtina, pra Kosova, gjendet kësisoj e rrethuar. Një union i përbashkët në trekëndëshin Beograd-Shkup-Tiranë e izolon tërësisht Kosovën. Ia mbyll asaj të gjitha rrugët e mundshme të mbijetesës dhe shton presionin që ajo t’i nënshtrohet vullnetit politik të Serbisë në procesin e dialogut Prishtinë-Beograd. Rregullat e veçanta dhe të përbashkëta midis Shqipërisë, Maqedonisë dhe Serbisë, duke e lënë jashtë saj Kosovën, janë kurthi më i ri i provokimit serb mbi institucionet e Prishtinës dhe kësaj radhe këtë provokim e mbështet fuqishëm dhe aktivisht, pa asnjë droje, qeveria e Rilindjes në Tiranë.

Qëllimi është i lexueshëm. Rama dhe Vuçiç, me miratimin e Thaçit, duan t’i bëjnë presion opinionit publik në Kosovë, duke u dhënë mesazhin se “Ju jeni të detyruar ta pranoni vullnetin politik të Beogradit në verdiktin e 6 tetorit, sepse ndryshe bashkohemi të gjithë ne që t’ju izolojmë”! Ky është efekti i parë i nismës për “Shengenin Ballkanik” të projektuar nga dy udhëheqësit autoritarë të Ballkanit në Nju Jork.

Se kjo nismë drejtohet kundër Kosovës dëshmon dhe performanca e protagonistëve të saj. Nga tre prej tyre, njëri është president dhe dy të tjerët drejtojnë ekzekutivin në vendet e tyre. Ndërsa të tria këto vende janë Republika Parëlamentare, Serbinë e përfaqëson presidenti Vuçiç, ndërsa Shqipërinë kryeministri Rama dhe Maqedoninë kryeministri Zaev.

Nga pikëpamja e protokollit diplomatik e politik është absurd një kombinim i tillë. Ndaj dhe evidentohet fakti që nisma e “Shëngenit Ballkanik” është thjesht një kurth i ri i miqve të ngushtë midis tyre, Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiç. Zoran Zaev është gjendur aty për arsye pragmatike dhe në kushtet kur vendi i tij nuk humbet asgjë nga kjo, nuk kishte pse ta kundërshtonte propozimin e Beogradit dhe të Tiranës zyrtare.

“Rastësitë” që përmendëm më lart nuk janë të vetmet. Shumë “rastësi” të tjera mund të dëshmojnë faktin se midis Edi Ramës dhe presidentit të Serbisë është krijuar tashmë një kimi energjie e përbashkët me emërues të përbashkët shkatërrimin e shtetësisë së Kosovës. Si “rastësisht”, kësaj dysheje i është bashkëngjit edhe Hashim Thaçi, i cili përfiton nga dyshja ndihmë pa limit në fushatën elektorale të tij për fitoren e 6 tetorit. Eksperienca e kompanisë që udhëheq fushatën elektorale të PDK-së është ndërtuar gjatë fushatave elektorale të presidentit serb dhe kryeministrit shqiptar.

Sipas kësaj eksperience ka filluar të funksionojë edhe në Kosovë formula e shit-blerjes së votave. Futja e kësaj praktike nga Thaçi, përmes Ramës, në Kosovë do të jetë shkatërruese për shtetësinë dhe vetë ekzistencën e institucioneve të vendit. Pikërisht këtij qëllimi i shërben edhe nisma për krijimin e “Shengenit Ballkanik” Serbi-Maqedoni-Shqipëri”. Në vend që qeveria shqiptare të kujdesej për krijimin fillimisht të një minishengeni në katërkëndëshin Tiranë-Shkup-Prishtinë-Podgoricë, është kurthuar në projektet serbe për zhbërjen e Kosovës si shtet e si territor.

Tiranë, më 28.09.2019

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok