14/05/2026

70 VJET EUROVISION SONG CONTEST

0
Abba

ABBA

Nga Driton Gashi

“Nëse këndojmë së bashku, nuk vritemi mes vete”, pohon këngëtarja dhe aktorja gjermane Katja Ebstein në një debat televiziv, e cila mori pjesë tre herë në festivalin më të madh të muzikës së lehtë në botë. Edicioni i parë i kësaj ngjarjeje të rëndësishme kulturore u mbajt para 70 vitesh në Lugano të Zvicrës dhe nga atëherë nuk e ka humbur atraktivitetin dhe interesin e publikut evropian dhe botëror. Asokohe quhej “Grand Prix Eurovision de la Chanson”.

Ky festival u themelua për t’i bashkuar popujt evropianë, të cilët jo vetëm në Luftën e dytë botërore ishin vrarë mes vete dhe kishin shkatërruar çdo gjë. Qëllimi primar ishte afrimi i njerëzve, pajtimi, ndarja e skenës së përbashkët si dhe përçimi i mesazheve të paqes e dashurisë ndërnjerëzore gjithandej. Në vitin 1956, Evropa kishte akoma shumë plagë të hapura nga lufta, kishte uri dhe pasiguri. Andaj ky festival u sillte njerëzve së paku njëherë në vit pak shpresë, ngrohtësi e argëtim. Asokohe shumë pak familje posedonin aparat televiziv, andaj festivali transmetohej edhe në valët e radios.

Si adhurues i madh i muzikës, Eurovizionin e kam ndjekur që nga fëmijëria me shumë kërshëri e emocion. Ndoshta ai ka ndikuar edhe në zhvillimin e afinitetit tim për muzikë, meqenëse mezi pritja majin për t’u ulur para televizorit tonë bardh e zi në Prishtinën e viteve tetëdhjetë. I kam përjetuar drejtpërdrejt fitoret e këngëtarit legjendar irlandez Johnny Logan në vitin 1980 (What’s another year) dhe “Hold me now” (1987). Poashtu himnin gjerman të paqes nga këngëtarja gjermane Nicole “Ein bißchen Frieden” (1982). Belgen e re Sandra Kim me “J’aime la vie” në 1986. Yllin e muzikës botërore Celine Dion me këngën “Ne partez pas sans moi” në 1988. E shumë e shumë të tjerë. Kisha fatin të jem edhe shikues në finale të festivalit në Düsseldorf të Gjermanisë në vitin 2011, pasi Lena kishte fituar vendin e parë për Gjermaninë në Oslo (2010).

Si është e mundur që Eurovizioni i ka mbijetuar kohës?

70 vite kanë kaluar tashmë. Shumë trende muzikore kanë ndryshuar, shumë shtete të reja marrin pjesë, jo të gjitha këngët më bindin nga ana artistike. Por i gjithë eventi është avancuar në një festë të madhe kulturore, ku shansoni francez ndeshet me sirtakun grek, ku kënga e lehtë shqiptare pëlqehet nga shumë vende tjera e ku muzika e popullarizuar nuk njeh kufi. Një mozaik i vërtetë kompozimesh e performancash, një shumëllojshmëri e këndshme, nganjëherë e tepruar, por gjithmonë me qëllim të mirë.

Uroj të kemi më shumë muzikë, më shumë dashuri e më pak smirë, urrejtje e dhunë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok