21/12/2024

567 vite më parë, më 2 shtator 1457, në Albulenë të Kurbinit, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu korri fitoren e tij më të lavdishme

0
Admir-Vula-Albulena

Beteja e Albulenës nga Admir Vula

567 vite më parë, më 2 shtator 1457, në Albulenë të Kurbinit, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu korri fitoren e tij më të lavdishme në një betejë fushore dhe duke qenë shumë inferior në aspektin numerik në raport me ushtrinë armike

Nga Paulin Z. Zefi

Beteja e Albulenës, kjo kryevepër strategjike dhe taktike, zë një vend shumë të rëndësishëm edhe në historinë e artit ushtarak botëror. Në këtë betejë të përgjakshme u angazhuan drejtpërsëdrejti 16.000 ushtarë arbër, kundër 50.000 ose respektivisht 80.000 trupave armike. Luftimet zgjatën rreth 6 orë, prej mesit të ditës dhe deri sa filloi të binte nata, falë së cilës mbijetuan një pjesë e vogël e ushtarëve osmanë, të cilët u strehuan nëpër pyje, të frikësuar, ashtu si kafshët e egra kur ndiqen nga gjahtarët. Kryekomandanti osman, Isak Bej Evrenozi, mori arratinë dhe doli i gjallë nga kjo kasaphanë me shumë vështirësi, duke lënë pas vetes të gjithë anëtarët e shtabit të ushtrisë. Ndërsa, tradhtari Hamza Kastrioti u kap rob me urdhër të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Zaharia Gropa ishte i pari që fitoi lavdinë, duke e kapur Hamzain të gjallë, por ata që e ndihmuan për ta lidhur me duar pas kurrizit, ishin Shtjefën Ubini dhe Vinçens Ralleni. Më pas, Zaharia e tërhoqi zvarrë, duke përjetuar njëkohësisht dhimbje dhe kënaqësi gjatë zhvillimit të kësaj ngjarje kaq dramatike, deri sa e solli Hamzain para këmbëve të Kryeheroit. Një skenë kjo, më shumë sesa homerike!… Me mijëra ushtarë armiq mbuluan fushën e betejës, e cila shtrihej nga Mamurrasi e deri në Fushë-Milot. Asnjë njoftim (raportim) i kohës nuk flet për më pak se 20. 000 të vrarë dhe sipas letrave zyrtare që lajmëronin fitoren dërguar Oborreve mike në vendet e krishtera, qenë vrarë 30.000 turq dhe ishin zënë robër 1. 500 vetë. Po ashtu, u kapën 20 flamuj ushtarakë osmanë. Plaçka e luftës që fituan arbërit, sasia e madhe e tendave, ku përfshihej edhe shatorri i madh luksoz i Isak Bej Evrenozit, rezervat e konsiderueshme me materiale luftarake dhe numri i madh i kuajve të kapur, ishin të pallogaritshme. Por pasuria më e çmuar u gjend në shatorrin e kryekomandantit turk, plot 100. 000 dukatë argjendi. Komandanti e luftëtari më i dalluar gjatë zhvillimit të kësaj beteje dhe që në nderet e luftës u rendit menjëherë pas Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, ishte Moisi Golemi, i cili me duart e veta kishte vrarë mbi 200 ushtarë turq. Në këtë mënyrë, Moisiu u justifikua plotësisht përpara Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe bashkëluftëtarëve të vet, për tradhtinë e vitit 1455 dhe për fushatën ushtarake osmane që kishte udhëhequr kundër atdheut në vitin 1456. Pas përfundimit të betejës, Moisiu, me urdhër dite, u shpërblye me 25. 000 dukatë, të cilët ua shpërndau ushtarëve të vet. Nëse i besojmë Dh. Frangut, bilanci i humbjeve për ushtrinë arbëre ishte i papërfillshëm në raport me atë fitore aq madhështore, sepse mbetën vetëm 60 të vrarë dhe 2. 000 të plagosur. Po ashtu, edhe M. Barleti thotë se: “për tanët tregojnë se mbetën (të vrarë) gjashtëdhjetë ose më pak. ”Ndërsa sipas shifrave që jep G. Biemmi, në këtë betejë, Gjergj Kastriotit-Skënderbeu “humbi vetëm 240 ushtarë”, të cilët thuhet se u varrosën në Kishën-Katedrale të Shën Marisë, në fshatin Shëmri të Kurbinit. Kufomat e panumërta të ushtarëve të vrarë osmanë, të cilat kishin filluar të dekompozohen, duke ndotur ajrin në ato ditë vape të tmerrshme, e detyruan Gjergj Kastriotin-Skënderbeu që t’i varrosë, duke hapur varre masive në pika të ndryshme, ku u groposën njerëz dhe kuaj së bashku. Aq e madhe ishte kërdia dhe kasaphana që luftëtarët arbër u shkaktuan forcave armike, sa një pjesë e madhe e kufomave u gjetën pranë brigjeve të lumejve dhe përrenjve, sidomos në Ujët e Bardhë (në Zhejë) ku i kishte hedhur frika dhe tmerri që kishin përjetuar në çastet e fundit të jetës. Prandaj M. Barleti rrëfen se: “Bardhëza (Albulena) mund ta kish ndërruar fare mirë emrin atë ditë për shkak të gjithë atij gjaku që u derdh e mbyti dhenë.”

Siç e përmenda më lart, Dh. Frangu dhe M. Barleti shkruajnë se nga ushtria arbëre pati gjithsej 60 të vrarë dhe kjo i bie që për një luftëtar arbër të jenë vrarë 500 turq-osmanë, por nëse i besojmë G. Biemmi-t, i cili e ngre këtë shifër në 240 veta, i bie që të jenë vrarë 125 ushtarë armiq për një luftëtar arbër. Por, edhe sikur të supozojmë se bilanci i humbjeve për ushtrinë arbëre të ishte 500 veta, përsëri i bie që për një luftëtar arbër të jenë vrarë plot 60 turq-osmanë. . . Prandaj, fitorja e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Albulenë përfaqëson kulmin e madhështisë së artit të tij luftarak. Në historinë botërore, kjo betejë është e krahasueshme vetëm me atë që u zhvillua në Guagamela ose Arbela (sot, Tel Gomel, afër Arbil, kryeqyteti i Kurdistanit të Irakut) midis Aleksandrit të Madh të Maqedonisë (356-323 p. k. ) dhe perandorit persian, Dari III (380-330 p. k. ) më 1 tetor të vitit 331 p. k. Nëse i kombinojmë të dhënat që japin për Betejën e Guagamelës/Arbelasë, autorë të ndryshëm, por duke i besuar kryesisht biografit romak të Aleksandrit të Madh, Kurt Rufit ose Quintus Curtius Rufus, në veprën e tij me titull “Historiae Alexandri Magni (Historia e Aleksandrit të Madh)”, mundet të llogarisim se Aleksandri i Madh ta ketë mundur Darin III, duke komanduar 47. 000 ushtarë (40. 000 këmbësorë dhe 7. 000 kalorës) kundër 245. 000 vetave (200. 000 këmbësorë dhe 45. 000 kalorës). Bilanci i humbjeve për Aleksandrin e Madh, sipas historianit, komandantit ushtarak dhe filozofit grek, Arriani i Nikomedias, në veprën e tij me titull (Fushatat e Aleksandrit)”, rezulton të ketë qenë 1. 100 veta (1. 000 kalorës dhe 100 këmbësorë) dhe ndërsa në rradhët e ushtrisë së shpartalluar persiane, të komanduar nga Dari III, sipas Kurt Rufit: mbetën 40. 000 të vrarë. Kështu i bie që për një ushtar të Aleksandrit të Madh të jenë vrarë 36 ushtarë persianë pra, shumë më pak sesa humbjet kataklizmike që pësoi Perandoria Osmane përballë Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Albulenë, 1. 788 vite pas Betejës së Guagamelës/Arbelasë. . . ! Në këtë aspekt, fitorja e lavdishme e Aleksandrit të Ri kundër Perandorisë Osmane në Albulenë të Kurbinit, më 2 shtator 1457, e lë në hije fitoren e Aleksandrit të Madh të Maqedonisë në Guagamela/Arbela kundër Perandorisë Persiane, më 1 tetor të vitit 331 p. k. Historiani gjerman dhe biografi më i besueshëm i sulltan Mehmetit II Fatih, Franz Babinger, thotë se: “Më 2 shtator të vitit 1457, Skënderbeu arrin fitoren e tij më të përgjakshme, por edhe më të shkëlqyer. ” Ndërsa, historiani i njohur turk, Sulejman Külçe, shkruan se: “Fatihu (Mehmeti II – P. Z. ) u trishtua dhe u turpërua nga kjo fatkeqësi.” Disfata që pësoi në Albulenë, përpos humbjeve katastrofike në njerëz, ishte një goditje shumë e rëndë për prestigjin e Pushtuesit të Kostandinopojës. Ndërsa për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun kjo ngjarje shënon fitoren më të shkëlqyer në të gjithë karrierën e tij ushtarake.

Menjëherë pas kësaj fitoreje, kalorësi anglez dhe kamerlengu i Alfonsit V të Aragonës, John of Newport, i cili më 16 qershor 1456 ishte caktuar nga Papa Kaliksti III si komisar papnor për Arbërinë, Bosnjën dhe Skiavoninë, dhe që mori pjesë në betejën e Albulenës përkrah Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, duke komanduar 200 harkëtarë dhe balestrierë, shkruan se: “The invasion of Europe will be a fact, for there is no other power capable of resisting the Turks if the Albanian Stronghold falls (Invazioni i Europës do të jetë një fakt i kryer, sepse nuk ka fuqi tjetër të aftë që mund t’i rezistojë turqve, po të bjerë Fortesa Arbëre). “

Paulin Zefi

Zürich, Zvicër, 02. 09. 2024.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok