51-VJET NGA REVOLTA E SPAÇIT – Pajtim e Paqe midis shqiptarëve!
Presidenti Bajram Begaj me udhëheqsit fetarë të Shqipërisë, Spaç, 21 maj, 2023
“A ka mbetë ndonji shqiptar gjallë, që të mbrojë nderin e shqiptarit!”, ishte kjo thirrja për solidaritet, që ndezi revoltën e Spaçit – 51 -vjet më parë!
Nga Frank Shkreli
“A ka mbetë ndonji shqiptar gjallë, që të mbrojë nderin e shqiptarit!”, ishte kjo thirrja për solidaritet, e cila ndezi revoltën e Spaçit. Të martën u shënua në Shqipëri 51-vjetori i revoltës anti-komuniste prej tre ditësh, me 21 maj, 1973, në njërin prej burgjeve më të çnjerzore të regjimit komunist gjysëm shekullor të Enver Hoxhës. T’a kujtojmë këtë ditë me fjalët e At Zef Pllumit, njërit prej të burgosurve në Spaç.
Në librin e tij, “Rrno vetëm për me tregue”, françeskani shqiptar At Zef Pllumi e kujton kështu revoltën e Spaçit: “Në kamp gjeta shumë të burgosun që i kishin pru aty mbas revoltës së Spaçit. Prej tyne mora vesht se ishin pushkatue Pal Zefi, Skënder Daja, Dervish Bejko e Hajri Pashaj. Revolta e Spaçit duhet të renditet në historinë tonë kombëtare si të gjitha revoltat e skllavëve që kërkuen lirinë, edhe pse nuk ia duelën me fitue. Këta katër dëshmorë kjenë të parët heroj që, mbas gadi dhetë vjet robnie, zgjuen e ndezën idealin e lirisë në këtë popull të shtypun që kishte humbë çdo shpresë nga kultivimi i servilizmit ndaj tiranit.”
At Zef Pllumi vazhdon tregimin se si kishte filluar revolta në Spaç, sipas të dhënave të shokëve të tij që kishte takuar në burg: “Me 21 maj Pal Zefi, nji i dënuem në birucë, përfitoi nga pakujdesi i policëve që e kishin lanë derën pa çelës e duel jashtë; mandej hini në kamp, u ngjit mbi tarracën e mensës, që shërbente si oborr. Dy policë u kujtuen për shkeljen e rregullores nga Pali, hinë në kamp, u ngjitën në tarracë, e kapën Palin për krahi, por ai rezistoi. Nuk donte kurrsesi me u kthye në birucë. Atëhere të dy policët filluen me e rrahë tmerrsisht, në sy të të gjithve. Pali lëshoi kushtrimin: “A ka mbetë ndonji shqiptar gjallë që të mbrojë nderin e shqiptarit!”
Mbas asaj thirrje dëshprimi, tregon At Zef Pllumi: “U çue në kambë Paulin Vata dhe Paulo Popa, që të dy nga rrethinat e Shkodrës. Këta i paralizuen policët dhe morën në mbrojtje Pal Zefin. Me atë rast, të burgosurit anti-komunistë shpalosën, në terracën e burgut, një flamur të Gjergj Kastriotit -Skënderbeut — pa yllin komunist — duke kënduar dhe duke hedhur parrulla kundër diktaturës enveriste. Siç mund të merret me mendë, revolta u shtyp me dhunë e gjak, shkruan At Pllumi. Përfundimi i shtypjes së revoltës ishte: katër nga të burgosurit u dënuan me pushkatim, 8 të burgosur u ri-dënuan me 25 vjet shtesë, 70 të tjerë u arrestuan dhe u rigjykuan. Katër prej tyre që e paguan revoltën me jetë kanë qenë Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko dhe Hajro Pashai.
Të mbijetuarit e revoltës së Spaçit, familjet e tyre dhe mbarë shoqëria shqiptare, vazhdon të presë me durim të Jobit biblik në këtë 51-vjetor që shteti, qeveria dhe politika shqiptare në përgjithësi, më në fund, t’i përgjigjet me vullnet të mirë dhe me vepra, pyetjes-kushtrim të Pal Zefit nga burgu i Spaçit 51-vite më parë: “A ka mbetë ndonji shqiptar gjallë, që të mbrojë nderin e shqiptarit!?” Kjo për hir të burgosurve që humbën jetën në Spaç, por mbi të gjitha, për hir të një Shqipërie që pretendon të jetë e lirë e demokratike. Për hir të vërtetës historike! Për hir të drejtësisë dhe të drejtave bazë të njeriut, për të gjithë shqiptarët pa dallim.
Krimet e regjimit komunist kanë lenë pas një trashëgimi dhe gjurmë të tmershme dhe të pashërueshme që dallohen qartë edhe sot në shoqërinë e sotme shqiptare, në drejtësi dhe në politikën kunfliktuale të ditës.
Qeveritë e njëpasnjëshme të dy partive kryesore në Shqipëri, për më shumë se 30-vjet tashti, nuk kanë pasur guximin moral as vullnetin politik për t’u përballur me të kaluarën komuniste të Shqipërisë, për të dënuar krimet e komunizmit, madje as për të caktuar një ditë në vit – ashtu siç ka bërë e gjithë Evropa ish-komuniste – për të kujtuar viktimat e pafajshme të barbarizmit komunist në Shqipëri, siç janë të pushkatuarit e regjimit në Spaç. 51-vjet nga revolat e Spaçit, Shqipëria e sotme, megjithëse anëtare e Aleancës Euro-Atlantike, NATO, e që aspiron të bëhet edhe anëtare e Bashkimit Evropian është i vetmi vend ish-komunist i Evropës Lindore/Qendrore që nuk është distancuar, zyrtarisht, nga e kaluara e saj terroriste komuniste. Nuk është përballur, seriozisht, me të kaluarën e mjeruar komuniste. Tirana zyrtare, deri më sot, nuk ka dënuar zyrtarisht, krimet e regjimit barbar- komunist të Enver Hoxhës. Dhe Kuvendi i Shqipërisp nuk ka caktuar ende një ditë përkujtimore, kushtuar viktimave të komunizmit në Shqipëri, ashtu siç kanë bërë vendet ish-komuniste të Evropës, me përjashtim të Rusisë. Prandaj, ka ardhur koha, që ashtu siç hoqën yllin komunist nga Flamuri i Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, revoltuesit anti-komunist të Spaçit 51-vjet më parë, të shembet njëherë e përgjithmonë edhe “muri i fundit ideologjik i Berlinit” në Evropë. Ai “Muri i Berlinit” midis shqiptarëve. Ashtu që ajo histori barbare të mos përsëritet. Dyertë e ferrit komunist si ato të burgut të Spaçit nuk guxojnë të hapen më kurrë për shqiptarët!
Prandaj është me vend që në kujtim të atyre që u pushkatuan dhe vuajtën tmeret në revoltën e Spaçit 51-vjet më parë për liri e demokraci, por edhe të gjithë të burgosurve të regjimit barbar sllavo-komunist të Enver Hoxhës, anë e mbanë Shqipërisë, të vazhdojmë të shpresojmë – ashtu siç shpresonin ata — për ditë më të mira për të gjithë shqiptarët pa dallim: për një Shqipëri të së vërtetës historike dhe të drejtësisë. Dhe për Pajtim e Paqë midis shqiptarëve!
Sidomos sot, në kujtim të përgjithmonshëm të heronjve të pushkatuar të revoltës anti-komuniste të Spaçit, 51-vjet më parë: Pal Zefi, Skënder Daja, Dervish Bejko e Hajri Pasha.
I përjetëshëm qoftë kujtimi i tyre ndër breza!
Foto-Kujtime nga ceremonia e 50-vjetorit të revoltës së Spaçit, 21 maj, 2023
Autori me Znj. Gentiana Sula, Kryetarja e Autoriteteit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetetit