13/12/2024

50-VJETORI I EKZEKUTIMIT TË DOM SHTJEFËN KURTIT NGA REGJIMI BARBAR KOMUNIST I ENVER HOXHËS

0
Dom Shtjefen Kurti3

– “FAJTORI” I PAFAJSHËM –

Nga Frank Shkreli

29 shtatori, 2021 shënoi 50-vjetorin e pushkatimit të Dom Shtjefën Kurtit në moshën 74-vjeçare për “krimin” e madh se pagëzoi një fëmij, me kërkesë të prindit.  Dom Shtjefën Kurti ka lindur në Ferizaj të Kosovës, më 25 dhjetor të vitit 1898.  Ai studjoi në Shkodër, Austri e Romë. Është shuguruar meshtar në Romë më 13 maj 1921, nga ku dërgohet për të shërbyer në Gjakovë. Gjatë asaj kohe të qëndrimit të tij në Gjakovë dhe në Kosovë, ai bëhet dëshmitar i shtypjeve barbare të popullësisë shqiptare në ato troje nga ish-Jugosllavia e vjetër. Ndërkohë, me dy priftërinjë të tjerë shqiptarë, dokumentojnë të gjith faktet dhe materialet denoncuese për gjenocidin kundër shqiptarëve nga autoritetet jugosllave dhe përgatisin një dokument të veçant për t’ia paraqitur Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, paraardhëse e Organizatës së Kombeve të Bashkuara sot. Ky është dokumenti përgatitur prej tre priftërinjëve katolikë shqiptarë nga Kosova, shkruar origjinalisht prej tyre në frengjisht, por përkthyer në anglisht nga Albanologu i njohur, i ndjeri Robert Elsie.  1930 | Gjon Bisaku, Shtjefën Kurti & Luigj Gashi: Albanian Minority in Yugoslavia (albanianhistory.net). Sipas disa të dhënave, Lidhja e Kombeve në Gjenevë, me të marrë dokumentin e mësipërm të nënshkruar nga këta priftërinj shqiptarë të Kosovës, organizon një komision prej diplomatësh për të shkuar në Kosovë dhe për të parë nga afër situatën e shqiptarëve autoktonë atje. Mund të thuhet se ky memorandum shënoi fillimin e veprimtarisë në mbrojtje të të drejtave të shqiotarëve në Kosovë por edhe fillimin e përndjekjeve kundër tij, fillimisht nga ish-Jugosllavia e më pastaj nga regjimi komunist I Enmver Hoxhës, i cili më në fund edhe I mori jetën duke e masakruar në vitin 1971.

Ishte, pra, Janari i vitit 1930 dhe pas dërgimit të Memorandumit Lidhjes së Kombeve, Dom Shtjefën Kurti kërcënohej nga autoritetet e Jugosllavisë së vjetër dhe rrjedhimisht detyrohet të shkojë në Shqipëri — siç duket për të mos u këthyer më në Kosovë — bashkë me Dom Luigj Gashin e Dom Gjon Bisakun, bashkautorët e Memorandumit për gjendjen e shqiptarëve në Kosovë. 1930 | Gjon Bisaku, Shtjefën Kurti & Luigj Gashi: Albanian Minority in Yugoslavia (albanianhistory.net). Ndërkaq, në vitin 1938 emërohet famullitar në Tiranë, titullar i Kishës Katolike të kryeqytetit shqiptar.

Me mbarimin e Luftës së dytë Botërore në Shqipëri fillon kalvari i vërtetë për klerikët dhe fetarët në përgjithësi, por për klerikët katolikë në veçanti, përfshir Dom Shtjefën Kurtin, i cili arrestohet për herë të parë në Tiranë më 1946 dhe dënohet me 20-vjet burg, për “agjitacion e propagandë”, i akuzuar si “bashkpuntorë i amerikanëve, britanikëve dhe francezëve”.  Pas mbylljes së kishave nga regjimi komunist (1967), Dom Shtjefni u dërgua në Gurëz (Milot). Atje ai është arrestuar përsëri më 11 qershor 1970 dhe kësaj radhe është dënuar me vdekje “in odium fidei”, që pak a shumë mund të përkëthehet “për urrejtje fetare”.

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 19441991, (AIDSHSH) i vetmi ent ose institucion qeveritar ose jo qeveritar që –për sa vura re unë — e kujtoi këtë 50-vjetor të vrasjes barbare të Dom Shtjefën Kurtit nga regjimi komunist i Enver Hoxhës– sjell në portalin e vet këtë përkujtim me informacion, bazuar në dokumentacionin arkivor që posedon ajo zyrë:

“I Lumi ̈ është vetëm një prej klerikëve të krishterë që janë ekzekutuar në komunizëm dhe ende pa varr. I ardhur nga Kosova më 1930, në shtator 1943, ai lajmëronte Arqipeshkvinë se po pagëzonte hebrenj, me gjasë për t’i shpëtuar nga nazistët, sepse me pagëzimin merrnin emra të rinj e pasaporta shqiptare. U arrestua për herë të parë më 28 tetor 1946 për agjitacion e propagandë dhe u dënua me 20 vjet burg. Ai kishte refuzuar të shkëputej nga Vatikani dhe e çuan në Burrel, por nuk u dorëzua as mes torturave. E çuan të hapte varrin e tij, por nuk e pranoi akuzën. E kthyen në qeli, ku natën e Krishtlindjeve dëgjohej të thoshte meshën, i përlotur. Dikur e liruan nga burgu. Kishat ishin mbyllur dhe e dërguan në Gurrëz (Milot), ku e lanë të punonte magazinier në kooperativë. U arrestua përsëri më 11 qershor 1970.

Gjyqi për të zhvillohej në Kishën e Zojës së Këshillit të Mirë në Gurrëz, godinë e kthyer në vatër kulture pas prishjes së vendimit të diktatorit për të ndalur besimin fetar. ̈ “ ”, ̈ ̈ ̈…ai u mor nga qelia dhe u vu para togës së pushkatimit. Kur e pyetën nëse i vinte keq për jetën, tha: “Më vjen keq që po ma merrni ju”. Akuza zyrtare kishte qenë sabotim. Por koha do të hidhte dritë.   Në vitin 2011, nipi i tij, Nikolin Kurti, ka mundur të takojë prokurorin që kërkoi dënimin, Hajredin Fuga, dhe gjykatësin që mori vendimin, Jani Vasili. Të dy i kanë lënë një ndjesë të shkruar me dorë, për çfarë ka ndodhur me meshtarin. Nikolin Kurti i ka botuar letrat në janar 2019, duke respektuar dëshirën e Fugës e Vasilit që letrat të publikoheshin pas vdekjes së tyre. Hajredin Fuga dhe Jani Vasili kanë ndërruar jetë pak vite më parë. Pas rënies së sistemit komunist, ata vazhduan karrierën e tyre në sistemin e drejtësisë, duke arritur deri në Gjykatën Kushtetuese.  Në letrën e tij të ndjesës, prokurori Fuga ka thënë se çështja për Dom Shtjefnin pati nisur me pak drithë të vjedhur në kooperativë, derisa në të përfshinë edhe emrin e priftit. Në letër ai vëren se atë kohë, çështja iu hoq Krujës dhe e mori Ministria e Brendshme, por shtonte se sipas vartësit të tij që kishte qenë i pranishëm, ekzekutimi ishte bërë natën. Vetë Fuga nuk kishte dijeni për të dhëna që mund të ndihmonin në gjetjen e eshtrave”, thuhet në portalin e AIDSHSH.

Ky 50-vjetor i masakrimit të Dom Shtjefen Kurtit më kujton gjithashtu edhe reagimin e komunitetit shqiptaro-amerikan në atë kohë, kur menjëherë pasi morëm vesh nga shtypi amerikan se ishte vra Dom Shtjefen Kurti, organizohet një demonstratë para Kombeve te Bashkuara dhe përball selisë së misjonit të regjimit komunist shqiptar në Kombet e Bashkuara. E mbajë mend mirë atë demonstratë, ndoshta e para e këtij lloji, ku mori pjesë mbarë komuniteti shqiptaro-amerikan, pa dallim, i prirë nga Monsinjor Zef Oroshi dhe Imam Isa Hoxha.

Vrasja barbare e Dom Shtjefën Kurtit dhe shumë të tjerëve si ai, është ndër ato raste kur fisnikëria triumfon mbi hakmarrjen, mbi vuajtjet dhe mundimet e një jete, nëse mund të quhet e tillë.  Një jetë jashtzakonisht e vështir, në njërën prej diktaturave më të egra komuniste – por është edhe një rast që tregon se e mira triumfon mbi të keqen, se e vërteta gjithmonë fiton, më në fund.

Por, ky 50-vjetor i vrasjes barbare të Dom Shtjefën Kurtit na ofron gjithashtu edhe një rast për reflektim – madje për reflektim të thellë, pikë së pari reflektim nga institucionet shtetërore dhe nga përfaqsuesit e lartë të qeverisë e të shtetit shqiptar, por edhe nga mbarë shoqëria shqiptare. Duhet një reflektim serioz për nevojën e një këthese të domosdoshme që Shqipëria – si vend anëtar i NATO-s, që aspiron të antarësohet në Bashkimin Evropian – të përballet seriozisht me të kaluarën komuniste  dhe me krimet barbare të regjimit të Enver Hoxhës —  krime kundër këto kundër njerëzimit, siç ishte vrasja e Dom Shtjefën Kurtit dhe mijëra të bashkatdhetareve të tij – kundërshtarë të regjimit komunist – viktima të komunizmit ndërkombëtar sllavo-aziatik, shumë prej të cilëve as varret nuk u dihën, as eshtrat nuk u janë gjetur, megjithse kanë kaluar 30-vjet nga gjoja shemebja zyrtare e komunizmit në Shqipëri.  Nuk u gjënden varret as eshtrat e viktimave të komunizmit sepse sundimtarët aktualë të Shqipërisë dhe klasa politike në përgjithësi e këtyre 30-viteve “post-komunizëm”, refuzon të distancohet seriozisht dhe njëherë e mirë nga e kaluara kriminale komuniste dhe si rrjedhim refuzon të dënojë krimet çnjerzore të komunizmit.

Fatkeqësisht, në rastin e Shqipërisë, ndryshe nga çdo vend tjetër ish-komunist në Evropë, jo vetëm që refuzon të përballet me të kaluarën kriminale komuniste të vendit, por zyrtarët aktualë socialistë të niveleve më të larta, përfshir Kryeministrin Rama, disa herë gjatë këtij dhe më heret, janë shpallur në një drejtim të kundërt, ndryshe nga e gjithë Evropa, duke thenë se “komunizmi ishte në anën e duhur të historisë”, ndërsa personalitete të tjera të larta të Partisë Socialiste janë shprehur pozitivisht për ish-regjimin kriminal komunist të Enver Hoxhës.  Ishin deklarata aq të papërgjegjshme sa që tërhoqën edhe vemëndjen dhe kritikat nga enti evropian, “Platforma e Kujtesës dhe Ndërgjegjës Europiane”, e cila nepërmjet një deklarate, marsin që kaloi — Platform deeply concerned regarding statement of Albanian MP candidate on dictator Hoxha | Platform of European Memory and Conscience — i kujtoi Tiranës zyrtare se Shqipëria ishte një nga vendet më të prekura nga komunizmi dhe se “Një mohim i tillë historik njollos kujtesën e mijëra viktimave dhe bie ndesh me vlerat themelore demokratike, siç janë e vërteta dhe drejtësia”, ndërsa ka paralajmëruar politikanët socialistë të Shqipërisë, se “Glorifikimi i çdo regjimi totalitar nuk duhet të pranohet në jetën publike.”  Madje me atë rast, Platforma e Kujtesës dhe Ndërgjegjës Evropiane bëri thirrje për dorëheqjen e deputetes socialiste Luljeta Bozo e cila ishte shprehur se komunizmi ishte një “diktaturë kushtetuese” dhe se diktatori Enver Hoxha kishte “më shumë anë pozitive sesa negative”.

Në deklaratën e Platformës Europiane drejtuar sundimtarëve nostalgjikë të komunizmit në Tiranë me 31 mars, 2021 thuhet se  Platforma e Kujtesës dhe Ndërgjegjës Europiane mbështet me forcë rezolutën e 19 shtatorit 2019– Texts adopted – Importance of European remembrance for the future of Europe – Thursday, 19 September 2019 (europa.eu) — mbi rëndësinë e kujtesës europiane për të ardhmen e Europës, në të cilën parlamenti evropian, “Dënon të gjitha manifestimet dhe përhapjen e ideologjive totalitare” dhe “shpreh “respekt të thellë për secilën viktimë të këtyre regjimeve totalitare dhe u nën thirrje  të gjitha institucioneve e aktorëve  të BE-së që të bejnë gjithçka për të siguruar që krimet e tmershme totalitare kundër njerëzimit dhe shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut, të kujtohen dhe të dalin para drejtësisë.”  Ja, kjo është Evropa me të cilën Kryeministri shqiptar deklaroi, ditë e fundit, se është në “dashuri” me të.

Hipokrizia e kësaj klase politike shqiptare nuk ka të shterrur as sot në atë vend – 50-vjetë pas masakrimit të Dom Shtjefën Kurtit dhe dhjetëra mijëra kundërshtarëve të komunizmit enverist, bashkvëllezër e motëra shqiptare – për pothuaj një gjysëm shekulli.  Dy ngjarje të javëve të fundit e ilustrojnë këtë hipokrizi dhe mungesë sinqeriteti dhe bidnjeje morale nga Tirana zyrtare. ATSH-ja njoftoi se dy ditë më parë, me 29 shtator — në 50-vjetorin e masakrimit të Dom Shtjefën Kurtit – njërit prej 100-viktimave më të njohura të komunizmit në botë — Frank Shkreli: At Shtjefën Kurti, njëri prej 100 viktimave më të njohura të komunizmit ndërkombëtar | Gazeta Telegraf  — me ftesë të Kryeministrit Rama në Tiranë bën një vizitë udhëheqsja e Lëvizjes së Demokracisë në Bjellorusi, Sviatlana Tsikhanouskaya, kundërshtarja e guximshme e diktatorit komunist të Bjellorusisë, Lukashenko, siç duket për të marrë ndonjë këshill nga Z. Rama se si të “luftohet” regjimi komunist në atë vend. Por, për sadopak besueshmëri, do bënit mirë që të pastroni shpirtin tuaj më parë – duke u distancuar nga e kaluara komuniste e Shqipërisë dhe të dënoni krimet e regjimit të Enver Hoxhës – para se të mund t’i ofroni këshilla dhe ndihmë aktivistes bjelloruse të drejtave të njeriut, Z. Sviatlana Tsikhanouskaya.  Sepse, sot për sot, në fushën e të drejtave të njeriut dhe të demokracisë – besueshmëria juaj – para qytetarëve tuaj dhe para botës – nuk është aq e admirueshme dhe asgjë për të qenë krenar.  E them këtë se po të ishit të sinqertë, do të ishit takuar, dy javë më parë, edhe me Presidentin e Platformës së Kujtesës dhe Ndërgjegjës Europiane, Dr. Lukasz Kaminski, i cili, sipas Zërit të Amerikës, me delegacionin e tij mori pjesë me 18 shtator në hapjen e ekspozitës “Shekulli i Martirëve”, në Shkodër. Dr. Kaminski është cituar nga VOA shqip se ishte i pranishëm në eskpozitën e Shkodrës për t’u “dhenë zë martirëve dhe viktimave të shoqërive totalitare”, natyrisht, përfshir Shqipërinë.

“Ndër miliona viktimat e sistemeve diktatoriale të shekullit të 20-të, shumë prej tyre mbeten anonimë”, tha zoti Kaminski, sipas korrespondetit të VOA-s në Shkodër, Z. Pëllumb Sulo. Megjithatë, kemi arritur të identifikojmë emrat dhe të dhënat e 27 martirëve të riteve të ndryshme, (përfshir edhe martirin e fesë dhe Kombit shqiptar, Imzot Vinçenc Prenushin), të cilët dhanë jetën për parimet që kishin dhe mënyrën si i janë qasur diktaturave.  Ata na mësojnë mbi parimet universale si e vërteta, drejtësia, dinjiteti njerëzor dhe si t’i qëndrojmë besnik besimeve tona. Jam shumë i lumtur, tha ai, që kjo ekspozitë u hap për herë të parë në Shkodër, qytetin e martirëve. Dhe besoj shumë që zëri i martirëve do të dëgjohet në Shkodër, në Shqipëri dhe kudo në Europë”, tha zoti Kaminski.

Dr. Kamisnki, Ju të falënderojmë ju dhe Platformën e Kujtesës dhe të Ndërgjegjës Evropiane për vizitën tuaj në Shkodër, për të pasqyruar sadopak historinë e tmershme të regjimit komunist në Shqipëri dhe për t’ua sjellur në kujtesë autoriteteve shqiptare krimet e së kaluarës komuniste në atë vend.  Por, në këtë 50-vjetor të masakrimit të Dom Shtjefën Kurtit nga regjimi enverist –njëherazi, njëri prej viktimave më të njohura botërore të diktaturës komuniste – shpresa jonë se kjo klasë aktuale politike e Shqipërisë do të bëjë që “zëri i martirëve të komunizmit do të dëgjohet në Shkodër e në Shqipëri…”, me kalimin e kohës (30-vjetë) duket gjithnjë e më e parealizueshme, shpresë e humbur se ai shtet do të bëhet, për derisa Tirana zyrtare nuk përballet seriozisht me të kaluarën e saj komuniste dhe për derisa në atë vend nuk dënohen publikisht dhe zrytarisht, krimet e komunizmit – ashtu siç kanë bërë vite dhe dekada më parë, vendet e tjera ish-komuniste të Evropës Lindore e Qendrore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok