50-VJETË MË PARË: ZBRITJA E ANIJES SË HAPËSIRËS SË LARTË APOLLO 11 NË HËNË
50-VJETË MË PARË: ZBRITJA E ANIJES SË HAPËSIRËS SË LARTË APOLLO 11 NË HËNË — “NJË HAP I VOGËL PËR NJERIUN, NJË HAP GJIGANT PËR NJERËZIMIN”
Nga Frank Shkreli
Këtë javë, Enti Amerikan i Hapësirës së Lartë, NASA shënon 50-vjetorin e zbritjes historike në Henë të anijes së hapësirës së Lartë, Apollo 11, me një seri ekspozitash dhe programesh të ndryshme anë e mbanë Shteteve të Bashkuara, duke filluar nga 16 -20 Korrik.
Ishte pikërisht 16 Korriku i vitit 1969, kur astronautët amerikanë, Neil Armstrong, Buzz Aldrin dhe Michael Collins filluan udhtimin e tyre historik për në Henë nga Qendra e Hapësirës së Lartë të NASA-s, Kennedy, në shtetin Florida. Katër ditë më vonë, me 20 Korrik, ndërkohë që astronauti Collins drejtonte në orbitin e Hënës anijen Apollo 11, dy kolegët e tij, astronautët Armstrong dhe Aldrin zbritën në sipërfaqen e Henës me një pjesë të vogël modulare të anijes së hapësirës së lartë të mbiemëruar, Shqiponja (“Eagle”), duke i deklaruar Amerikës dhe botës së, “Shqiponja kishte zbritur” në sipërfaqën e Henës. Ishte kjo hera e parë në historinë e njerëzimit që këmba e njeriut kishte shkelur mbi sipërfaqen e Henës.
Astronauti, Neil Armstrong, i pari përfaqsues i njerëzimit që hodhi hapin e parë mbi Hënë, kishte deklaruar se misjoni i tyre eskplorues në hapësirë, ndonëse mund të ishte, “Një hap i vogël për njeriun”, për nga rëndësia historike, shkencore dhe teknologjike, ai ishte i vetdijshëm se suksesi i tyre përbënte edhe një“Hap gjigant për mbarë Njerëzimin”. Astronauti Armstrong konsideronte pra se se zbritja në Henë e astronautëve amerikanë, 50-vjetë më parë, ndonëse ishte një nismë, ekskluzivisht, e paparë deri atëherë në historinë njerëzore, nuk ishte vetëm një hap i madh drejt eksplorimit të hapësirës së lartë nga Shtetet e Bashkuara, por si i tillë, duhej të konsiderohej edhe si një përfitim i madh për mbarë botën dhe për zhvillimet e ndryshme në shumë fusha të shkencës, teknologjisë dhe komunikimit.
Astronauti Neil Armstrong ka ndërruar jetë në vitin 2012, në moshën 82-vjeçare, por dy kolegët e tij në këtë udhtim historik në Henë, Buzz Aldrin dhe Michael Collins jetojnë ende dhe do të ribashkohen të hënën me 16 korrik për të kujtuar këtë përvjetor, në Qendrën e hapësirës së Lartë Kennedy në Florida – aty ku gjysëm shekulli më parë filloi misioni i tyre për të zbritur në Henë. Enti amerikan i hapësirës së lartë, NASA njofton se—ndër të tjera aktivitete anë e mbanë vendit –përfshirë edhe ato që do mbahen në Washington — dy astronautët e Anijes Apollo 11 do të kenë një konferencë me gazetarët e mbledhur aty për të kujtuar këtë përvjetor historik dhe pastaj do të vizitojnë Qendrën Kennedy, ku do të takohen me ish-drejtuesit e misionit të Apollo 11, si edhe me drejtuesit e misjoneve aktuale ARTEMIS, pjesë këto të programit aktual amerikan të hapësirës “Nga Hëna në Mars”, për eksplorimin e mëtejshëm të hapësirës nga njerëzimi.
Zbritjes aktuale në Henë, Korrikun e vitit 1969, i kishte paraprirë një angazhim kombëtar i ndërmarrë nga ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, John Kennedy – i cili në një atmosferë të asaj kohe të rivalitetit gjeopolitik midis Bashkimit Sovjetik komunist dhe Shteteve të Bashkuara –në një fjalim para Kongresit të Shteteve të Bashkuara mbi nevojat urgjente kombëtare kishte deklaruar mbi planin për zbritjen në Henë se, “Unë besoj se kombi ynë duhet të angazhojë forcën dhe burimet financiare për të arritur, para mbarimit të kësaj dekade, zbritjen e astronautëve në Henë dhe kthimin e tyre në tokë. Asnjë projekt tjetër i vetëm në këtë periudhë, nuk do të jetë më mbresëlenës për njerëzimin dhe as më i rëndësishëm për eskplorimet afatgjata të hapësirës së lartë, por edhe asnjë projekt tjetër nuk do të jetë më i shtrenjtë dhe më i vështirë për tu realizuar”, kishte paralajmëruar ish-Presidenti John Kennedy., duke shtuar se “Nëqoftse e miratojmë dhe nëqoftse realizohet ky projekt, nuk është se vetëm një njeri do të shkojë në Henë,por do të jetë i mbarë kombi që shkelë në Henë, pasi nevojitet bashkpunimi i të gjithë neve për të bër të mundur një gjë të tillë”, kishte deklaruar John F. Kennedy, duke njoftuar zbritjen eventuale në Henë nga ana e Shteteve të Bashkuara.
Është e vërtetë se ishte Presidenti Kennedy, ai i cili ndërmori vendosmërisht angazhimin kombëtar – të cilën ai e kishte konsideruar si një urgjencë kombëtare — zbritjen e astronautëve në Henë, por projekti për eksplorimin e hapësirës së lartë ka pasur mbështetjen e të pakën katër administratatave, republikane dhe demokrate, duke filluar nga Presidenti Eisenhower, si dhe nga Kongresi dhe populli amerikan në përgjithësi, gjatë më shumë se një dekade, vazhdimisht deri në arrijtjen e këtij objektivi, në Korrik të vitit 1969. Këtë mbështetje, si dhe krenarinë e amerikanëve për zbritjen në Henë të astronautëve, e kishte shprehur edhe ish-presidenti Richard Nixon në një bisedë telefonike me anë të radio-transmetimeve nga Shtëpia e Bardhë me astronautët nga sipërfaqja e Hënës – një komunikim ky që ai e ka quajtur si telefonata më me rëndësi në historinë e njerëzimit –me astronautët Armstrong, Aldrin dhe Collins. Nixoni është shprehur: “Më mungojnë fjalët që të shprehi krenarinë që të gjithë ne ndiejmë për punën tuaj. Për çdo amerikan, ky moment duhet të jetë momenti më krenar në jetën tonë. Por edhe popujt anë e mbanë botës, jam i bindur, se bashkohen me amerikanët për të celebruar këtë arritje të mrekullueshme. Si përfundim i veprës suaj, qielli dhe hapësira e lartë tani janë pjesë e botës së njeriut në tokë. Kështuqë, ndërkohë që flisni me ne nga anija e hapësirës së lartë në Henë, na frymëzoni që të dyfishojmë përpjekjet tona këtu në tokë për sjellur paqë dhe mirëqenje në planetin tonë. Në këtë moment të papërshkrueshëm, të gjithë popujt e botës janë të bashkuar dhe ndajnë me ju krenarinë e tyre për suksesin tuaj…”, është shprehur ish-Presidenti Nixon. Ndërsa Astronauti Armstrong duke e falënderuar Presidentin Nixon, ka shprehur ndjenjat e tij dhe të kolegëve duke thënë:“Është nder dhe privilegj i madh që gjëndemi këtu (në Henë), si përfaqsues jo vetëm të Shteteve të Bashkuara por edhe të njerëzve paqëdashës anë e mbanë botës, të cilët janë të interesuar dhe kuriozë dhe që ndajnë me ne një vizion për të ardhmen”, ka thënë 50-vjetë më parë astronauti Armstrong.
Ndoshta pak kush prej nesh është i vetdijshëm se ishte pikërisht zbritja në Henë 50-vjetë më parë dhe vizioni i këtyre astronautëve amerikanë dhe të tjerëve si ata që ka bërë të mundur sot të gjitha mënyrat e reja të komunikimit që përdoren sot anë e mbanë botës, përfshirë përdorimin e satelitëve që bëjnë të mundur transmetimin brenda sekondash të fotografive, të zërit dhe të sinjaleve, nga një anë e globit në tjetrën. Kështuqë kur të telefononi të afërmit tuaj dhe të komunikoni me ta kudo në botë me anë të telefonit, facebook-ut, facetime ose mënyrave të tjera të komunikimit modern, kujtoni sot tre astronautët amerikanë – Armstrong Collins dhe Aldrin—në 50-vjetorin e zbritjes së tyre në Henë, pasi ishte ai sukes fillestar që bën sot të mundur, për secilin prej nesh, komunikimin e lehtë me të gjithë botën. Ky është vetëm një përfitim nga shumë dobi të tjera që vinë nga eskplorimet e hapësirës së lartë, atëherë dhe sot.