11/03/2026

50-VJET SHQIPËRIA PRITI!  

0
Shkreli-Ryerson

Në 35-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane

Roli i Ambasadorit të parë amerikan në Tiranë, Z. William Ryerson

Nga Frank Shkreli*

“Në SHBA zyrtarë të mençur në DASH dhe ente të tjera të administratës sonë, vendosën të lënë menjëanë dekada të tëra fyerjesh të drejtuara ndaj nesh dhe gjithashtu të shfrytëzonin hapësirën e krijuar.  Shërbimi shqip i Zërit të Amerikës luajti një rol kritik qoftë në përcjelljen e informacionit të saktë në Shqipëri, ashtu edhe në monitorimin e zhvillimeve atje dhe me ndarjen e atij informacioni me Uashingtonin zyrtar. Ekipi i parë i përfaqësuesve të SHBA mbërriti në Tiranë përpara zgjedhjeve të para pluraliste, në mars 1991.”  Nga mesazhi i Ambasadorit William (Bill) Ryerson në 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve SHBA-Shqipëri, 5-vjetë më parë.

                          ————————————————

Pas pothuaj 50-vite komunizëm, Shqiqpëria priti 15 marsin 1991, rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një date që shënoi një kthesë historike për vendin. Pas pothuaj 50-vjet izolimi ideologjik dhe politik, Shqipëria po rikthehej, më në fud, në botën demokratike perëndimore. Me urdhër të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), një javë pas nënshkrimit të Memorandumit të 15 marsit 1991 në Uashington për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara — pa vonesë, Washingtoni ka dërguar delegacionin e parë diplomatik amerikan në Tiranë, “për përgatitjet dhe hapjen e misjonit diplomatik” amerikan në 50-vjet pas dëbimit të diplomatëve amerikanë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, menjëherë pas Luftës së II Botërore.

Për një shoqëri që kishte jetuar nën një nga regjimet më të mbyllura barbare komuniste të Evropës për pothuaj një gjysëm shekulli, ky moment u perceptua në atë kohë, si fillimi i një epoke të re për Shqipërinë. I një epoke të lirisë, e demokracisë dhe shpresohej, përfundimisht, edhe i një orientimi perëndimor të Kombit shqiptar.  “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” ishte parulla e kohës.  Kur marrëdhëniet diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë u rivendosën më 15 mars 1991, pas më shumë se pesë dekadash ndërprerjeje nga regjimi komunist të Enver Hoxha, një kapitull i ri historik u hap, më në fund, për vendin më të izoluar të Europës, që sundohej nga një prej regjimeve më të egra të diktaturës komuniste botërore dhe më anti-amerikane në botë.

Me vendim të Administratës së Xhorxh Bush të vjetër dhe me urdhër të Departmentit Amerikan të Shtetit, antarët e delegacionit të parë diplomatik të Shteteve të Bashkuara, arrijtën në Tiranë pa vonesë, një javë pas nënshkrimit në Washington të Memorandumit për rivendosjen e lidhjeve diplomatike midis dy vendeve tona me qëllim të hedhjes së hapave të parë për hapjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në kryeqytetin e Shqipërisë, por jo vetëm.  Frank Shkreli: Një ngjarje në historinë e mardhënieve Amerikano-Shqiptare që shpesh anashkalohet | Gazeta Telegraf.

Më vonë, në atë vit vendimtar për marrëdhëniet dy-palëshe Washington-Tiranë, figura kryesore që përfaqësoi, zyrtarisht dhe me dinjitet Amerikën në Tiranë, ka qenë diplomati amerikan i karrierës, Ambasadori William (Edwin) Ryerson, i cili u bë ambasadori i parë amerikan në Shqipërinë e “tranzicionit demokratik”, post-komunist.  Ambasadori Ryerson paraqiti letrat kredenciale në dhjetor të vitit 1991, në një kohë kur Shqipëria po përjetonte një transformim të thellë — ndonëse tepër i vonuar — politik, ekonomik dhe shoqëror. Pas rënies së diktaturës dhe zgjedhjeve “pluraliste” të vitit 1991, vendi ishte në kërkim të një orientimi të ri strategjik drejt Perëndimit demokratik. Prania e ambasadorit amerikan në Tiranë nuk ishte thjesht një akt diplomatik. Në një mënyrë, ajo simbolizonte, më në fund, rikthimin e Shqipërisë në komunitetin euro-atlantik.  Me praninë e tij në Tiranë, Ambasadori Ryerson nuk përfaqësonte vetëm qeverinë e Shteteve të Basshkuara. Ai përfaqësonte, njëkohësisht, edhe kthimin e një aleati historik të Amerikës, në një vend që për gati gjysmë shekulli kishte jetuar nën izolimin e një prej diktaturave komuniste më të ashpra të Evropës. Në vitet e para të tranzicionit, ambasada amerikane në Tiranë u kthye në një simbol shprese e lirisë e demokracisë për shumë shqiptarë. Për një popull që për dekada kishte dëgjuar vetëm propagandën anti-amerikane të regjimit komunist të Enver Hoxhës. Fakti që flamuri amerikan valëvitej sërish në kryeqytetin e shqiptarëve, kishte një domethënie të thellë politike dhe morale, për shumë shqiptarë.

Në fillim të misionit diplomatik të Z. Ryerson, ambasada amerikane në Tiranë ishte ende në fazën e organizimit të diplomacisë së re amerikane në Shqipëri, pas një shekulli mungesë. Përpara mbërritjes së Ambasadorit Ryerson, përfaqësia amerikane drejtohej nga diplomati Christopher R. Hill, si i ngarkuar me punë. Por ishte ardhja e ambasadorit të parë amerikan, Z. Ryerson, ajo që shënoi institucionalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve tona.  Gjatë mandatit të tij (1991–1994), Z. Ryerson u përball me një periudhë të trazuar për Shqipërinë dhe për shqiptarët: krizë ekonomike, emigrim masiv, tensione politike dhe sfida të mëdha në ndërtimin e atyre që preceptohshin si institucionet e ardhëshme demokratike në atë vend. Mirëpo, megjithë vështirsitë, ishte diplomacia amerikane në këtë periudhë që u bë një nga mbështetjet kryesore për stabilitetin dhe reformën demokratike, sado të brishtë, në Shqipëri.  Për shumë shqiptarë, prania e Shteteve të Bashkuara në Tiranë në fillim të viteve ’90 kishte edhe një domethënie simbolike më të thellë. Sepse, prania zrytare amerikane në Tiranë, përfaqësonte jo vetëm një aleancë politike, por edhe shpresën për një të ardhme të lirë, demokratike dhe të integruar të Shqipërisë në botën perëndimore. Një ëndërrë shekullore, kjo e të gjithë shqiptarëve pa dallim, me përjashtim të diktatorit komunist Enver Hoxhës dhe apologjetëve të tij ndër vite e dekada e deri në ditët e sotëme, fatkeqsisht.

Në këtë kuptim, ambasadori William Ryerson mbetet një figurë historike në kapitullin e ri të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane të fund shekullit të kaluar.  Një kapitull që filloi pas shembjes së Murit të Berlinit dhe rënies së komunizmit zyrtar në Evropën Qendrore e Lindore, përfshirë Shqipërinë, por një vend që pas një tranzicioni të pafund e që duket se vazhdon të formësojë politikën dhe orientimin strategjik të Shqipërisë edhe sot. Emërimi i ambasadorit të parë amerikan në Tiranë pas rivendosjes së marrëdhënieve midis dy vendeve, William Edwin Ryerson, mishëroi këtë shpresë.  Por historia e tranzicionit të stërgjatur shqiptar po tregon se mbështetja ndërkombëtare, përfshirë mbështetjen e pa kursyer amerikane për liri e demokraci të shqiptarëve, nuk mjafton nëse vendi nuk ndërton vetë institucione të forta të lira, demokratike e të pavarura me një kulturë të përgjegjshme politike.

Sot, në përvjetorin e 35-vjet të rivendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, Shqipëria ende përballet me sfida të mëdha serioze, politike dhe ekonomike. Me një korrupsion gjithëpërfshirës që kërcënon në themel demokracinë shqiptare, sado të brishtë, si dhe antarësimin e Shqipërisë në të gjitha organizmat euro-atlantike, por mbi të gjitha kërcënon antarësimin e plotë të saj në Bashkimin Evropian.

Përvjetorët, si ky, normalisht, janë data që duhen kujtuar, por duhet të shërbejnë gjithashtu edhe si raste reflektimi se ku ishte në vitin 1991 dhe ku është Shqipëria sot. Situata e sotëme në Shqipëri, 35-vite më vonë, për shumë shqiptarë mbetet një zhgënjim historik i shpresave të tyre për një agim sado të brishtë demokratik – megjithë premtimet dhe shpresat e atij monenti historik të vitit 1991. Megjithkëtë, ardhja e ambasadorit Ryerson 35-vjet më parë në Shqipëri nuk duhet të shikohet vetëm si një akt diplomatik i zakonshëm, por edhe si një shenjë se, më në fund, historia ose fati po i jepte Shqipërisë një mundësi të re, për një fillim të ri.

Në dekadat që pasuan, partneriteti midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara u shëndrrua nga një marrëdhënie diplomatike në një aleancë strategjike. Uashingtoni, ndërkohë, mbështeti transformimin demokratik të Shqipërisë, reformat ekonomike dhe ndërtimin e institucioneve. Gjatë viteve, ndihma amerikane kontriboi në zhvillimin e shoqërisë civile, forcimin e institucioneve demokratike dhe orientimin e vendit drejt integrimit euro-atlantik.  Një nga momentet më të rëndësishme të këtij partneriteti strategjik ishte anëtarësimi i Shqipërisë në NATO në vitin 2009, një hap historik që konfirmoi vendin e saj në komunitetin euro-atlantik.  Në këtë 35-vjetor të rivendosjes së marrëdhënieve — megjithë uljet e ngritjet gjatë viteve — Shqipëria mbetet një nga vendet më pro-amerikane në botë. Populli shqiptar ka treguar vazhdimisht një respekt dhe mirënjohje të thellë për Shtetet e Bashkuara dhe për vlerat që ato përfaqësojnë.

Por le të jemi të sinqertë me veten dhe me miqët historikë të Kombit shqiptar, se e njëjta gjë nuk mund të thuhet në këtë përvjetor për klasën politike shqiptare që ka sunduar shqiptarët këto tre dekada.  Falë kësaj klase politike shqiptare, pavarësisht dekadave të partneritetit me Shtetet e Bashkuara, Shqipëria vazhdon të përballet me korrupsion të rrënjosur, institucione të brishta dhe polarizim të thellë politik. Premtimi i demokracisë dhe shpresat që frymëzuan momentin historik të marsit 1991 janë zbehur keqas nga një kulturë politike që vendos pushtetin mbi përgjegjësinë dhe interesat partiake mbi interesin kombëtar.

Forca e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA nuk duhet të matet vetëm me vizita diplomatike, shkrepje fotografishë, e madje as me bashkëpunim ushtarak, apo me deklarata zyrtare. Ajo duhet të reflektohet edhe në cilësinë e qeverisjes, në sundimin e ligjit dhe në besueshmërinë e institucioneve demokratike në Shqipëri.  Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur vazhdimisht reformat që synojnë forcimin e drejtësisë, jo gjithmonë të suksesshme dhe luftën kundër korrupsionit. Por në fund të fundit, përgjegjësia për ndërtimin e një demokracie funksionale i takon vetë shqiptarëve.  Asnjë partneritet ndërkombëtar, sado i fortë të jetë, nuk mund të zëvendësojë integritetin politik dhe përgjegjësinë institucionale brenda vendit.

Nëse Shqipëria shënon këtë 35-vjetor të rivendosjes së marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, një pikë reflektimi duhet të jetë mesazhi i qartë se aleanca me Amerikën nuk është vetëm një aset diplomatik por është edhe një angazhim moral dhe politik ndaj vlerave demokratike, në përgjithsi.  Sepse fryma e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA‑Shqipëri (1991) ishte, mbi të gjitha, një frymë shprese — shpresa se Shqipëria do të ndahej, njëherë e mirë, nga e kaluara e diktaturës komuniste dhe prirjeve autoritare të qeverisjes me shpresën të vitit 1991, se do të ndërtonte një shtet të lirë, të drejtë dhe demokratik. 35-vjet më vonë, kjo shpresë mbetet ende gjallë. Por ajo kërkon më shumë përgjegjsi politike, morale dhe kombëtare nga klasa aktuale politike shqiptare, sidomos sa i përket lirisë së shtypit dhe pavarësinë e institucioneve shtetërore, sidomos enteve të drejtësisë.

Pyetja që mbetet aktuale edhe sot e kësaj dite është e thjeshtë, por thelbësore për të ardhmen e lirisë dhe demokracisë në Shqipëri e që është:  A e ka shfrytëzuar, plotësisht, Shqipëria dhe klasa politike e saj e tre dekadave të kaluara atë mundësi historike që iu dha shqiptarëve në fillim të viteve ’90?  Për mendimin tim, pas 35 vitesh partneriteti strategjik dhe politik me Shtetet e Bashkuara, Shqipëria mbetet pa përgjigjen thelbësore për të ardhmen demokratike të saj e që është: nëse është e aftë të dëshmojë se mund të ndërtojë një demokraci të qëndrueshme, të denjë për besimin e shqiptarëve dhe për mbështetjen që Shqipëria dhe shqiptarët kanë marrë nga aleati i tyre më i rëndësishëm strategjik gjatë 35-viteve – përfshirë mbështetjen e Kosovës — por dhe më heret në historinë e Kombit shqiptar — Shtetet e Bashkuara të Amerikës!  Fatkeqsisht, kjo pyetje sot nuk ka një përgjigje të prerë, por ama mbetet thelbësore për vazhdimin e miqësisë dhe të bashkpunimit strategjik midis Kombit amerikan me Kombit shqiptar sot dhe për 35 vite të tjera e më gjatë.

*Frank Shkreli, ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë dhe anëtar i delegacionit të parë diplomatik të SHBA në Tiranë, mars/prill, 1991   

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok