17/11/2024

30 SHKALLËT E UNIVERSITETIT TË VLORËS DHE BIBLIOTEKËS SË TIJ

0

30 -VJETORI I UNIVERSITETIT “ISMAIL QEMALI”, VLORË

BIBLIOTEKA SHKENCORE “NERMIN VLORA FALASCHI” E UNIVERSITETIT “ISMAIL QEMALI”, VLORË

MSc. Albert HABAZAJ, bibliograf.

Përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë

Libri është diell. Biblioteka e Universitetit të Vlorës i do rrezet e librit për studentët, pedagogët, stafin dhe studiuesit.

Shkurtore

Në këtë shkrim jubilar nderimi për 30-vjetorin e Universitetit tim të dashur, që mban emrin zyrtar Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, i cili përkon po ashtu edhe me datëlindjen e Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” të këtij institucioni të lartë arsimor në Shqipëri, nuk kam dëshirë të merrem me historinë mbi 2600 vjeçare të Vlorës për liri, pavarësi e dituri përgjatë rrjedhave të kohës. Dëlirësisht nuk kam synim shkrimor të merrem as me parashikimin dhe dëshirën e madhe atdhetaro-romantike të Sami Frashërit që “Shkolla e Anijerisë duhet të jetë mbanë detit, tek të jenë  edhe anijet e luftës, në Durrës, anë Ujit të Ftohtë anë Vlorës; po aq, as me njërën nga dallëndyshet e para të arsimit shqiptar, siç qe Shkolla Tregtare në Ujë të Ftohtë, Vlorë, çelur më 8 Nëntor 1924, që përfshinte nxënës nga Vlora, Fieri, Ballshi, Berati, Gjirokastra, Elbasani, Durrësi e Kosova dhe që në vitin 1933 është quajtur edhe Institut i Tregtisë, e cila krahas Normales së Elbasanit e ca pak simotrave shqiptare, sfiduan furtunat perandrorake (të vjetra dhe të reja) dhe mbijetuan denjësisht. Thjesht do ta përmend që Shkolla e Lartë e Oficerëve të Florës Ushtarake Detare apo Shkolla e Lartë e Marinës (e cila më pas u emërua Akademia Detare), u hap për herë të parë në historinë e vendit tonë, ashtu siç ëndërronte Rilindasi i madh buzë detit të Vlorës, në Ujë të Ftoftë, më 4 shtator 1961. Po ashtu, thjesht sa do të përmend që Shkolla e Lartë Ushtarake e Aviacionit Shqiptar (SHLA) u hap më 11 maj 1962 po në Vlorë [edhe pse kam qenë vetë student për aviator (1979-1981) dhe kam mall, ndjej krenari e po aq trishtim].

Po ashtu, thjesht po e përmend Shkollën Mjekësore “Jani Minga”, të vetmen shkollë kombëtare me histori më tepër se gjysmë shekullore; Shkollën Pedagogjike, shkollat e mirënjohura të arsimit të përgjithshëm “Ali Demi”, “H. Xhelo”, apo Shkollën Industriale. Është i pamohueshëm për kulturën arsimore vendi dhe roli i Filialit të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës, i ngritur në Vlorë në periudhën 1970-1980 për degët Plan dhe Kontabilitet apo i Filialit i Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës për degët e Mësuesisë: Gjuhë – Letërsi, Matematikë – Fizikë, Biologji – Kimi dhe Histori – Gjeografi për periudhën 1969-1982. Këto instricione arsimore ishin fanarë ndriçues për udhëtimin dituror e dritëror të Vlorës dhe të devotshmëve të merituar për dije, por, sadopak, për hir të njohjes, mundësive dhe pozicionit organik të punës, do t’i bie pikës mbi ì për fillimet e Universitetit të Vlorës.

Fillimet e Universitetit

Për hapjen e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, vendosi Këshilli i Ministrave të Shqipërisë me vendimin nr. 105, datë 28.02.1994, me kryeministër prof. dr. Aleksandër Meksi. Më 1 Mars 1994 u ngrit grupi i punës për të kristalizuar, për t’i dhënë formë e drejtim të qartë idesë për një shkollë të lartë në Vlorë, e cila kishte kohë që diskutohej në mjediset intelektuale të qytetit, vlonjatëve të Tiranës dhe miqve të Vlorës. Pra, ideja ishte e thjeshtë: Vlorës i takon se e meriton një universitet me 3 fakultete. Dhe kështu nisi punën grupi i punës apo bordi drejtues i ngritur posaçërisht për drejtimin e nëngrupeve, me përfshirjen serioze të të cilëve nisi veprimtaria për ngritjen e Universitetit në qytetin e madh bregdetar të Shqipërisë Jugperëndimore (i dyti qytet portual në Shqipëri mbas Durrësit).

Në bordin drejtues u emëruan 7 intelektualë, personalitette të dijes dhe arsimit:

  1. Dr. Sezai Bazaj – kryetar (diplomuar për ekonomi)
  2. Dr. Spiro Caushi – nënkryetar (më vonë Prof. Dr. – diplomuar mësues fizike)
  3. Kristaq Pavli – anëtar (diplomuarpër mjekësi, (kardiolog)
  4. Janaq Vaso – anëtar (diplomuarmësues fizike)
  5. Pajtim Islami – anëtar (diplomuarpër inxhineri mekanike)
  6. Dr. Nestor Tereska – anëtar (Prof. Dr., më vonë Akad., në atë kohë – Rektor i Universitetit të Tiranës, diplomuarpër mjekësi – nefrolog)
  7. Dr. Gëzim Karapici – anëtar (më vonë Prof. Dr., në atë kohë – kohë – Rektor i Universitetit Politeknik të Tiranës, diplomuarpër inxhineri elektrike)

Për formimin e 3 fakulteteve të kësaj shkolle të lartë u krijuan 3 grupe që u ngritën dhe u drejtuan nga specialistë dhe akademikë me përvojë të përzgjedhur nga Universteti i Tiranës, Politekniku, si dhe ekspertë lokalë. Këto grupe drejtoheshin nga:

Dr. Halit Xhafa – kryetar i grupit të punës për ngritjen e Fakultetit të Tregtisë [sot: i Ekonomisë], (në atë kohë Zv/dekan i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetit të Tiranës);

Prof.dr. Rexhep Bregu – kryetar i grupit të punës për ngritjen e Fakultetit të Infermierisë [sot: të Shëndetit], (në atë kohë Zv/dekan i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetit të Tiranës);

Dr. Nikolin Pema – kryetar i grupit të punës për ngritjen e Fakultetit të Marinës [Sot: i Shkencave Teknike dhe të Natyrës], (në atë kohë Zv/dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në Universitetit Politeknik të Tiranës).

Më 3 Tetor 1994 nisi dita e parë e mësimeve në Universitetin e Vlorës, me 162 studentët e parë të shpërndarë në 3 fakultete: Fakultetin e Tregtisë me degët Biznes dhe Turizëm, Fakultetin e Marinës me degën Inxhinieri Navale dhe Fakultetin e Infermierisë për përgatitjen e infermerëve, të cilët i përshëndeti zëvendës rektori prof. Spiro Caushi. Më 10 Tetor 1994 u zhvillua ceremonia e përurimit të Universitetit të Vlorës. Në këtë festë të madhe arsimore për Vlorën dhe Shqipërinë mori pjesë edhe Presidenti i Shqipërisë në atë kohë prof. dr. Sali Berisha, ish – Ministri i Arsimit prof.dr. Xhezair Teliti, si dhe shumë personalitete të tjerë të ftuar.

Formimi i auditorëve dhe krijimi i një stafi akademik të denjë, kërkues e ambicioz, me të dhëna kurrikulare nga më të kompletuarat për kohën, të prirur për të zhvilluar aspektet e tyre akademike dhe fakultetet përkatëse gjithashtu, ishin kriteret përmes të cilëve u përzgjodhën, mes 130 kandidatëve, 10 pedagogët e parë efektivë dhe 31 pedagogë të jashtëm.

Nderojmë dhe vlerësojmë ata që hodhën themelet e Universitetit tonë: dr. Sezai Bazaj, i cili me hapjen e Universitetit u emërua Rektor i këtij institucioni të ri të arsimit të lartë shqiptar; prof.dr. Spiro Caushi, i cili u emërua Zv/Rektor dhe dekan i Fakultetit të Marinës (i cili është cilësuar si dekan i Zëvendës Rektorëve të Universitetit të Vlorës, por ndoshta në rang Republike, sepse këtë detyrë e ushtroi deri ditën që doli në pension). Po me kaq nderim kujtojmë dhe vlerësojmë bërthamën e parë pedagogjike, që, përveç Rektorit dhe Zv/Rektorit, përbëhej nga pedagogët Selman Lamaj (dekan i Fakultetit të Tregtisë), Natasha Ahmetaj (pedagoge e Fakultetit të Tregtisë), Brunilda Lilaj (dekane e Fakultetit të Infermierisë), Kristofor Lapa (dekan i Fakultetit të Marinës, Flutura Kondili (pedagoge e Fakultetit të Infermierisë), Diana Kozdine (pedagoge e Fakultetit të Infermierisë), Vasil Mino (pedagog i Matematikës) dhe Mimoza Shtëmbari (pedagoge e gjuhës angleze).

Rektorët në vite:

Mbas dr. Sezai Bazaj, i cili është rektori i parë i emëruar i Universitetit të Vlorës (1994-1998), në vitin 1998, Rektor u emërua Dr. Bilal Shkurtaj (sot Prof. Dr.), i cili u zgjodh nga Senati për dy mandate. Në zgjedhjet e vitit 2008, Prof. Dr. Tanush Shaska u zgjodh Rektor i Universitetit të Vlorës, i cili kontribuoi deri në vitin 2010. Në vitin 2010, Prof. Dr. Albert Qarri u zgjodh Rektor i Universitetit të Vlorës. Në vitin 2016 u zgjodh Rektor i Universitetit të Vlorës, Prof. Dr. Roland Zisi, i cili vijoi në krye të Universtietit për dy mandate deri në vitin 2024. Në zgjedhjet e 21 Qershorit 2024 fiton postin e Rektorit Prof. dr. Aurela Dai Saliaj (e para grua fitimtare në garat për postin e lartë të Rektorit ndër vite), fakt, që, veç të tjerash, tregon se në Vlorë emancipimi i femrës po ravijëzohet dukshëm dhe qartë si drita e diellit.

Dy piketa

Gjatë udhëtimit 30-vjeçar të Universitetit tonë, vlen të theksojmë se në vitin akademik 2007-2008, Universteti i Vlorës arriti shifrën rekord të studentëve në 10 000 të regjistruar, nga të cilët 7400 studentë në sistemin me kohë të plotë dhe 2880 në sistemin me kohë të pjesshme, duke u renditur kështu i dyti në shkallë vendi mbas Universitetit të Tiranës dhe i pari midis universiteteve të rretheve (përfshi dhe universitetet e tjera të Tiranës).

Në ditët e sotme studentët vijojnë studimet në 15 departamente, të cilët janë në strukturën e organigramës së 4 fakulteteve: Fakultetit të Shëndetit, atij të Ekonomisë, të  Shkencave Humane dhe Drejtësisë, si dhe Fakultetit të Shkencave Teknike dhe Natyrore.

Studentët tanë në UV studiojnë në fusha e programe të ndryshme si: Ekonomik, Inxhinieri, Juridik, Infermieri, Pedagogji të Specializuar, Shkenca Kompjuterike, Informatikë, Gjuhë të Huaja, Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, Mësuesi, Matematikë – Fizikë etj. Në total UV ofron 2 diploma tekniko-profesionale, 30 programe studimi Bachelor, 37 Programe studimi Master (Shkencor dhe profesional) si dhe një program doktorature. Në UV ofrohen edhe programe studimi: “Master Profesional” në “Udhërrëfim dhe Komunikim Turistik”, program studimi: Formim i vazhduar në fushën Psiko-Pedagogjike, programin e riorganizuar të Ciklit të Dytë në “Mësuesi për Arsimin fillor” dhe programi double degree në fushën e Turizmit në bashkëpunim me Universitetin “Aldo Moro”, Bari Itali. Gjithashtu aplikohen edhe dy programe të reja double degree: Bachelor në “Gjuhësi të Aplikuar në Fushën e Turizmit”, në partneritet me Universitetin e Salentos, Lecce, Itali dhe programi “Inxhinieri mekanike”, në bashkëpunim me Universitetin Politeknik, Bari, Itali. Gjithashtu në Fakultetin e Shkencave Hmane funksionon Doktorata “Studime Gjuhësore, Letrare dhe Kulturore”/ Doktoratë “Language, Literaty and Cultural Studies”.

BIBLIOTEKA E UNIVERSITETIT

Biblioteka Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” është çelur me themelimin e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, në 10 Tetor 1994, i cili fillimisht kishte emërtimin Universiteti Teknologjik “Ismail Qemali”, Vlorë.

Më 28 nëntor 2005, Biblioteka e Universitetit mori emrin “Nermin Vlora Falachi” për të nderuar kulturologen Nermin Vlora, mbesë e Ismail Qemal Vlorës.

Universiteti ka në dispozicion të studentëve, pedagogëve, studiuesve dhe stafit të këtij Institucioni të arsimit të lartë 3 (tre) biblioteka me 3 (tre) salla leximi, me personel 4 (katër) vetë, me vendndodhje, përkatësisht: Biblioteka shkencore qendrore nr.1, në Godinën A (Rektorati), kati II, që mbulon dhe Fakultetin e Ekonomisë me personel 2 (dy) specialistë; Biblioteka B, nr.2 në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Drejtësisë, kati III, me 1 (një) specialist (që mbulon edhe Fakultetin e Shëndetit) dhe Biblioteka e Re, nr.3 në godinën C, kati I në Fakultetin e Shkencave Teknike dhe Natyrore, e cila është hapur më 28.03.2018 me 1 (një) specialist/e.

Sektori i Bibliotekës Shkencore është njësi ndihmëse e Universitetit, strukturë ndihmës akademike me karakter administrativ në nivel institucioni dhe është në vartësi të Rektorit, sipas organigramës, nëpërmjet zv/rektorit Akademik që ndihmon në realizimin dhe mbështetjen e veprimtarive të mësimnxënies/ mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor ose të zhvillimit të institucionit të arsimit të lartë (Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë.

Biblioteka Shkencore e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë është shtëpia e librit, sidomos për studentët, patjetër për pedagogët, stafin dhe studiuesit (jo vetëm personel i UNIVLORËS) që i mirëpret me dashamirësi nga ora 08.00-20:00. Biblioteka jonë është strehëza juaj e ngrohtë, e qetë, me hapësirë dhe me dritë, ku ju mund të studioni më mirë se kudo. Mirë se vini, miq e dashamirës të librit dhe shërbimit tonë si misionarë drite për mendim dhe veprim të mirë, të bukur dhe shoqërisht të dobishëm! Jeni të mirëpritur çdo ditë, jo vetëm gjatë sezonit të provimeve, studentë të dashur, po ashtu të mirëseardhur në konferencat, simpoziumet, tryezat shkencore, veprimtaritë kërkimore – shkencore apo letraro – kulturore, që kryen biblioteka universitare si pjesë e së tërës së UNIVLORËS!

Përnjohje e duhur profesionale

Sektori i Bibliotekës Shkencore pranë UV-s, ndjek një politikë të ruajtjes së trashëgimisë së tij akademike, kulturore dhe shkencore, duke shërbyer si një strukturë e depozitimit të infomacionit të shkruar dhe elektronik dhe të organizimit të aktiviteteve ku promovohen libra, autorë dhe tendenca bashkëkohore kulturore, shkencore e letrare.

Orari i Bibliotekës: Biblioteka Qendrore në Godinë është e hapur: e hënë – e premte, ora 08:00-20:00, është në shërbim të studentëve, pedagogëve dhe stafit të Fakultetit të Ekonomisë dhe Rektoratit, mbasdite për të gjithë studentët dhe pegagogët e të katër fakulteteve të universitetit.

Dy bibliotekat e tjera kanë orarin zyrtar 08:00-16:00, fundjavë dhe ditë festash – pushim.

Në Bibliotekën kryesore (Nr.1) është edhe Arkiva e e Bibliotekës, e cila kryen detyrat sipas standardeve të shkencës së Bibliotekonomisë për arkivat e bibliotekave universitare. Funksionon Biblioteka Online dhe Biblioteka Digjitale. Qysh nga viti 2013 Biblioteka është përfshirë në Sistemin Ndërkombëtar të Përshkrimit Bibliografik COBISS. Net, duke realizuar regjistrimin e njësive bibliografike libra dhe jolibra (botime monografike, (së pari ato tekste që janë në funksion të studentëve dhe pedagogëve), buletine e artikuj shkencorë, domosdoshmërisht artikujt e botuar në buletinet shkencorë, që nga ai nr. 1 (v. 2001) korrekt me standardet Ndërkombëtare të Bibliotekomonisë në këtë fushë.

Numri i vendeve për sallë përkatësisht: Total – 120, Bibloteka A – 60, Bibloteka B – 37,

Bibloteka C – 23. Numri i përdoruesve/ frekuentuesve: Total – 80, Bibloteka A – 45, Bibloteka B

– 20, Bibloteka C – 15.

Gjatë vitit akademik 2019-2020, në mjediset e Bibliotekës Qendrore (Godina A) u krijua Arkiva e Bibliotekës, e cila kryen detyrat sipas standardeve bibliotekonomisë për arkivat e bibliotekave universitare.

Koeficienti i shfrytëzueshmërisë, [llogaritur me numrin e përdoruesve të bibliotekës mbi numrin

e vendeve në çdo sallë (total bibliotekat)] është afërsisht 0.67 ose 67 % shfryëzohet. Sipërfaqja e

bibliotekës A është 252 m². Aty u krijua sipas standardeve dhe në mjedisin e duhur për Arkivin e

Bibliotekës. Sipërfaqja e bibliotekës B është 90 m², ndërsa Sipërfaqja e bibliotekës C është 80 m².

Pasurimi i fondeve të bibliotekës sigurohet përgjithësisht me pasurim korent dhe më pak me

pasurim retrospektiv. Burimet e pasurimit për librin në gjuhën shqipe janë: blerjet me procedurë

sipas buxhetit të përcaktuar me preventivat dhe specifikimeve teknike, miratur nga S.A dhe B.A.

[me tenderim], dhe dhuratat nga institucione shtetërore, organizata jofitimprurëse apo persona

privatë, për tekste që paraqesin interes për studentët, pedagogët e stafin. Për librin e huaj

nëpërmjet burimeve të ndryshme të pasurimit që gjenden në internet. Një adresë e tillë që kemi

shfrytëzuar është: http://www.amazon.com apo Barnes & Noble company http://.barnesandnoble.com

Ndihmesë të dukshme në dispozicion të studentëve kanë dhënë Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia e Studimeve Albanologjike, KLSH, institucione të tjera apo personalitete të fushave të ndryshme të dijes e shkencës me literarurë fizike si: tekste mësimore bazë dhe literaturë ndihmëse në gjuhë shqipe apo të huaja, libra apo revista shkencore të nevojshme, të mjaftueshme dhe të përshtatshme për mbulimin e të gjitha moduleve e veprimtarive mësimore sipas natyrës e specifikës së programit të studimit.

Biblioteka funksion me fonde të hapura (salla leximi – të tri bibliotekat) dhe me fonde të mbyllura (biblioteka qendrore).

Në total, fondi i trashëguar (1994-2024 (me blerje dhe dhurata, shqip dhe në gjuhë të huaj) është: 55. 000 tekste në përreth 15.000 tituj. Blerjet dhe dhuratat kanë pasuruar burimet manuale të bibliotekës dhe e kanë freskuar ndjeshëm atë nëpërmjet përditësimit të literaturës ndërkombëtare, në shërbim të katalogimit dhe administrimit elektronik të fondit dhe periodikut. Biblioteka mundëson shfrytëzimin e të gjitha botimeve, që disponon nga përdoruesit e ndryshëm, nga çdo bibliotekë dhe laborator i fakulteteve përkatësisht. Ndërkohë, duke qenë në formatin digjital, i njëjti material/ botim mund të aksesohet nga më shumë se një përdorues njëkohësisht, dhe mund të lexohet në kohën që përdoruesi përcakton, pa pasur varësi nga disponibiliteti i ambjenteve të UV. Biblioteka Shkencore është shërbestare e studentëve dhe pedagogëve të Universitetit.

Biblioteka Shkencore për akreditimin e Universitetit

Institucioni siguron ruajtjen, mirëmbajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë së tij akademike, kulturore dhe shkencore. (Kreu III Standardi VII.4) UV ka vënë në dispozicion të studentëve, pedagogëve, studiuesve dhe stafit të këtij Institucioni 3 (tre) biblioteka me 3 (tre) salla leximi, me personel 4 (katër) vetë, me vendndodhje, përkatësisht: Biblioteka qendrore, në Godinën A (Rektorati), që mbulon dhe Fakultetin e Ekonomisë me personel 2 (dy) specialistë, Biblioteka B, në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Drejtësisë me 1 (një) specialist (që mbulon edhe Fakultetin e Shëndetit) dhe Biblioteka e Re në godinën C, në Fakultetin e Shkencave Teknike dhe Natyrore me 1 (një) specialist/e. Sektori i Biblotekës Shkencore pranë UV-s, ndjek një politikë të ruajtjes së trashëgimisë së tij akademike, kulturore dhe shkencore, duke shërbyer si një strukturë e depozitimit të infomacionit të shkruar dhe elektronik dhe të organizimit të aktiviteteve ku promovohen libra, autorë dhe tendenca bashkëkohore kulturore, shkencore e letrare. Çdo pedagog (me kohë të pjesshme ose të plotë) dorëzon tekstet mësimore dhe/ose tekstet e ushtrimeve që ka përdorur dhe përdor në kurset e tij pranë Sektorit të Shërbimeve të Librit në Bibliotekën Shkencore për t’u ardhur në ndihmë studentëve, të cilët nuk kanë mundësi financiare për ti blerë ato [E2.65]. Theksojmë se çdo publikim i stafit akademik ka plotësuar kriteret e publikimit të tyre në përputhje me Vendimin e miratuar nga SA [E2.66]. Gjithashtu, çdo pedagog dorëzon listën e punimeve të diplomës së ciklit të dytë dhe të tretë në hard copy tek të dyja Biblotekat e UV-së (Sektori i Shërbimeve të Librit) [E2.65]. Çdo veprimtari kërkimore-shkencore e stafit akademik është në përputhje me “Rregulloren e Etikës mbi veprimtarinë kërkimore-shkencore dhe botuese” e miratuar me Vendim të SA-së [E2.67]. SA ka miratuar listën e disa botimeve që do të përbëjnë “minibibliotekë zyre” në formë pakete për zyrat e autoriteteve drejtuese, kryesekretareve, sekretarive mësimore dhe administratës (sektorë, drejtori) me qëllim që secili autoritet e punonjës i Universitetit të ketë njohuri të përgjithsme për gjuhën shqipe, shkrimin e saj, popullin shqiptar, identitetin, vlerat kombëtare, historinë, kulturën dhe letërsinë shqipe, Kosovën, arbëreshet etj. [E2.68]. UV ka marrë në pronësi Opusin e trashëgimisë kulturore të Lefter Çipës, të cilat përbëjnë një pasuri kombëtare jo vetëm për studentët e fushës, që vijojnë studimet e nivelit të dytë, por edhe për pedagogët dhe studiuesit shqiptarë apo të huaj. Gjithashtu, UV ka botuar Bibliografinë e “Botime të pedagogëve të Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, pjesa 1 (1994-2006). Po ashtu është botuar Bibliografia “Botime të pedagogëve të Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, Libra. Pjesa 2 (2006-2020). UV ndjek një politikë të vlerësimit dhe zhvillimit të pasurive të tij akademike, kulturore dhe shkencore, duke mbështetur stafin akademik në botimet e artikujve shkencore në Buletinin e UVsë, promovimin e librave dhe krijimin e arkivës dixhitale [E2.69]. UV promovon shembuj të praktikave të mira, nxit e inkurajon personelin akademik për përmirësimin e mëtejshëm të cilësisë së mësimdhënies e kërkimit shkencor nëpërmjet mbështetjes financiare [E2.70]. UV boton periodikisht dhe vë në dispozicion të stafit dhe studentëve Buletinin e saj Shkencor (nga viti 2013- me ISSN 2310-6719), i cili përmban artikujt shkencorë të pedagogëve të UV-së, të autorëve të tjerë shqiptarë apo të huaj. Ky Buletin është hapur në vitin 2001 dhe shërben si një pasuri jo vetëm për UV-në por edhe më gjerë. 13 buletinet e para (nga viti 2001- 2008) janë regjistruar në programin COBISS.Net dhe po vijohet me përditësimin e artikujve të buletinëve me ISSN. Për dixhitalizimin e standardizuar dhe të unifikuar të librit/ tekstit mësimor apo artikujve shkencorë të nevojshëm, UV është në proçes unifikimi me rrjetin e Bibliotekave Universitare me lider Bibliotekën e Akademisë së Shkencave, për përmbushjen e planit kombëtar për dixhitalizimin e Bibliotekave Universitare dhe atyre të rrjetit.

Përditshmëria

Sektori i Bibliotekës shkencore, me të tre bibliotekat e fakulteteve është një mbështetje efektive e mësimit dhe hulumtimit të studentëve në literaturën e duhur bashkëkohore, revistat/ buletinet, etj.

Informacioni për bibliotekat dhe aktivitetet e tyre publikohet në faqen e internetit të Universitetit.

Orari i Bibliotekës: Biblioteka Qendrore në Godinë është e hapur: e hënë – e premte, ora 08:00-

20:00, është në shërbim të studentëve, pedagogëve dhe stafit të Fakultetit të Ekonomisë dhe

Rektoratit, mbasdite për të gjithë studentët dhe pegagogët e të katër fakulteteve të universitetit.

Dy bibliotekat e tjera kanë orarin zyrtar 08:00-16:00, fundjavë dhe ditë festash – pushim. Për të

llogaritur numrin e përdoruesve të Bibliotekës dhe koeficientin e shfrytëzueshmërisë përdorim

Statistitat vjetore, mujore dhe ditore, të cilat plotësohen sipas udhëzimeve që ka biblioteka dhe

ruhen në arkiv, sipas kritereve. Librat për përdorim jashtë bibliotekës huazohen duke plotësuar

kartelën e lexuesit/ përdoruesit sipas rregullores së bibliotekës.

Biblioteka ka Rregulloren e brendshme të saj të miratuar nga Senati Akademik i Universitetit.

Për bibliotekën online dhe atë digjitale:

  1. Në softinCOBISS3 uvlpër digjitalizimin e katalogut bibliografik të koleksionit të Bibliotekës

përditësojmë tekste dhe artikuj shkencorë si pjesë e rrjetit në sistemin ndërkombëtar Cobiss. Net.

Studentët kanë kërkuar për materiale/ tekste, artikuj digjitalë sipas manualit të librarisë digjitale,

i cili ka shërbyer për të aksesuar shërbimin e librarisë digjitale, duke aksesuar këtë shërbim në

linkun: https://ulibrary.rash.al/

  1. Biblioteka Digjitale

Për Bibliotekën elektronike online është punuar me burimet elektronike për Shqipërinë, ndërsa për digjitalizimin e standardizuar dhe të unifikuar të librit/ tekstit mësimor apo artikujve shkencorë të nevojshëm në fillim të viti 2021 ka filluar funksionimin Biblioteka Digjitale e Universitetit. Marrja në pronësi nga Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë e Opusit të trashëgimisë kulturore të Lefter Çipës, nisi me skanimin dhe digjitalizimit e dorëshkrimeve me vlerë dhe materialeve të rralla në version origjinal dhe kopje autentike të këtij autori polifon, etnofolkloristit dhe poetit atipik Çipa, që përbëjnë një pasuri kombëtare jo vetëm për studentët e fushës, që vijojnë studimet e nivelit të dytë, por edhe për pedagogët dhe studiuesit shqiptarë apo të huaj. Biblioteka shkencore Qendrore, ka gjithashtu në funksion të studentëve dhe pedagogëve edhe Bibliotekën digjitale të prof. Pietro di Marco. Për digjitalizimin libror, vijon puna përditshërisht dhe pa ndërprerje për skanimin, ruajtjen dhe vënien e tyre në dispozicion të përdoruesve, duke pasur përparësi botimet unikale, ato që nuk lejohen të dalin nga salla, enciklopeditë, fjalorët, dorëshkrimet, botimet  e vjetra, si dhe  ato tekste universitare, që janë më të rëndësishëm e të domosdoshëm për studentët së pari. Me këtë proces merret kryesisht specialisti Elton Brakaj.

  1. Bibliografitë

Janë botuar 2 punime profesionale në fushën e Bibliotekonomisë: Bibliografia “Botime të pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, Pjesa 1 (1994-2006), ku përfshihen 65 autorë dhe 3 përkthyes – pedagogë të UNIVLORËS me 167 njësi bibliografike (tituj librash, regjistruar dhe në Sistemin Ndërkombëtar të përshkimit Bbliografik të njësive libra dhe jolibra) si dhe: “Bibliografia e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë: Tekste mësimore universitare dhe monografi shkencore të pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, Pjesa 2 (2006-2023), ku përfshihen 179 tituj librash, nga të cilat 117 tekste mësimore dhe 62 monografi, prodhim intelektual i 108 pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, si dhe 17 përkthyes të këtij institucioni të lartë arsimor, përgatitur nga bibliografi Albert Habazaj, të cilat janë punime kërkimore – shkencore unikale me vlera serioze për universitetin dhe ndër të rrallat ndër universitetet shqiptare.

Ndryshe nga e para, kjo bibliografi është e integruar në Sistemin dhe Shërbimet e Përbashkëta Bibliografike Online (COBISS), sipas standardeve ndërkombëtare të përshkrimit bibliografik, si edhe në Sistemin Informues për Veprimtarinë Kërkimore në Shqipëri (E-cris.AL). Në këtë Bibliografi, përveç njësive bibliografike – libra të pedagogëve të UV, janë përfshirë dhe punimet shkencore të figurave të njohura të shkencës shqiptare, si prof. Daritan Spahiu, Llukan Puka, Shaban Sinani, Sulo Hadëri, Sherif Bundo, Beshir Ciceri, Ilir Mandro Agron Xhagolli etj. që, në të Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë  gëzojnë statusin “Personel Akademik i ftuar”. Në fund të çdo njësie bibliografike, ndodhet ID përkatëse që e identifikon secilën njësi në këtë sistem.

Në Panairin e Tretë Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor, zhvilluar në Tiranë në datat 23-25 prill 2024, organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës me bashkëpunimin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, me pjesëmarrjen e mbi 35 institucioneve, universiteteve dhe subjekteve me veprimtari botuese shkencore, Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, për herë të parë në historinë e tij 30 vjeçare promovoi në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë,  dy botimet e tij:

Studime Ndërdisiplinore në Albanologji – autor Prof. Dr. Roland Zisi

Bibliografia e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, pjesa II (2006 – 2023), përgatitur nga Albert Habazaj.

Drejtoi seancën: Albert Habazaj, paraqitën botimet: Prof. Teuta Toska, Akad. Vaso Tole, Albert Habazaj dhe Dr. Ermir Xhindi.

  1. Janë regjistruar në Programin Cobiss/ Sistemi dhe shërbimet e përbashkëta bibliografike

online të gjithë artikujt shkencorë të pedagogëve të Universitetit "Ismail Qemali" Vlorë, të autorëve të tjerë shqiptarë apo të huaj, të cilët janë botuar në:

  1. a) Buletinet shkencorë të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë (nga viti 2013- ) me ISSN 2310-

6719;

  1. b)  Buletinet Shkencorë të Universitetit Teknologjik “Ismail Qemali”, Vlorë  (nga viti 2001-

2008, gjithsej 13 buletine pa ISSN), të cilëve u kemi vendosur numrin e brendshëm, Y990-8080,

përcaktuar nga Cobiss dhe njohur ndërkombëtarisht, regjistrime të krijuara dhe të shkarkuara në COBISS.AL, të cilat gjenden në online në: https://www.cobiss.net [LIBRARY INFORMATION SYSTEMS AND CURRENT RESEARCH INFORMATION SYSTEMS NETËORK], Library (Acronym) UVL, Cataloguer Albert Habazaj].

Me projektin e ri të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, të Bibliotekës digjitale, e cila konsiston në konvertimin e të gjithë fondit të koleksioneve të Bibliotekës shkencore “Nermin Vlora Falaschi” të UV nga libra fizikë – që janë akutalisht – në digjitalë, realizojmë automatizimin e Bibliotekës universitare, katalogimin dhe administrimin elektronik të fondit dhe periodikut sipas standardeve ndërkombëtare të shkencës së bibliotekonomisë. Përpunimi teknik sipas standardeve ndërkombëtare në shërbim të katalogimit dhe administrimit elektronik të fondit dhe periodikut, po e jep efektin tek rrit cilësinë, shpejtësinë dhe efektivitetin e shërbimeve të ofruar ndaj përdoruesve, tek mundëson qasjen me informacion në distancë të përdoruesve dhe shpërfaqjen e informacionit nëpërmjet burimeve alternative, duke përfshirë internetin, nëpërmjet motorëve kryesorë të kërkimit e shërbime të tjera, që i përkasin Bibliotekës digjitale. Kjo platformë mundëson aksesimin e të gjitha botimeve që biblioteka e UV disponon nga përdoruesit e ndryshëm, nga çdo bibliotekë dhe laborator të fakulteteve përkatësisht. Ndërkohë, duke qenë në formatin digjital, i njëjti material/ botim mund të aksesohet nga më shumë se një përdorues njëkohësisht, dhe mund të lexohet në kohën që përdoruesi përcakton, pa pasur varësi nga disponibiliteti i ambjenteve të UV.

Stafi i bibliotekës është angazhuar edhe në veprimtaritë kërkimore – shkencore të Universitetit dhe të institucioneve të tjera të arsimit të lartë në Shqipëri  e jashtë vendit, ku kanë dhënë ndihmesën e tyre me botime të ndryshme të fushave, ku janë përfshirë.

Festa kulturore-artistike

Kemi realizuar takime me shkrimtarë të shquar si Kadareja, Dritëroi, Ali Podrimja, Fatos Arapi, Nasho Jorgaqi, Fatos Kongoli, Xhevahir Spahiu, Flutura Açka, Maku Pone, etj., me fizikanin e shquar, prof. Niko Thomo, me studiuesit e njohur Anton Berisha, me akademik Gjovalin Shkurtaj, profesorët Rami Memushaj, Ymer Çiraku, Farudin Krutaj, Mësuesin e Popullit, të ndjerin Kristaq Shtëmbari, me albanologët arbëreshë, akad. Francesco Altimari e Matteo Mandalá, etj. Domethënëse dhe me mesazhe të larta njerëzore e kulturore janë bërë veprimtaritë për princin e lirikës shqiptare Ali Asllani, për poetin e studiuesin e spikatur Nexhat Hakiu dhe për kalorësin e lirisë së fjalës, personalitetin shquar të letërsisë bashkëkohore shqiptare Petro Marko, etj. Në këto veprimtari e konferenca shkencore roli i bibliotekës së Universtetit ka qenë i dukshëm, me kumtesat e përgatitura e të mbajtura nga specialistët e saj, të cilat dhe janë botuar, si dhe me faktin se veprimtaritë janë bërë në mjediset e bibliotekës universitare. Për mbarëvajtjen e tyre kemi patur bashkëpunim të frytshëm me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Vlorës, që më vonë u riogranizua si Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” Vlorë. Ndihmesë të palodhur organizative ka dhënë dhe prof.dr. Bardhosh Gaçe.

Gjithashtu, Biblioteka “Nermin Vlora Falaschi” ka zhvilluar e zhvillon veprimtari letrare-artistike dhe kulturore, në të cilat përuron autorë e studiues vlonjatë, autorë të njohur shqiptarë dhe të diasporës shqiptare nëpër botë, ndër të cilët mund të përmendim autoritete të letrave shqipe si Rudolf Marku, Primo Shllaku, Vllasova Musta, Daut Gumeni etj. Në Bibliotekën “Nermin Vlora Falaschi”, – siç shprehet mësuesi veteran dhe drejtues i arsimit,  poeti lirik Hiqmet Mehmetaj – jemi mbledhur shpesh dhe kemi shkëmbyer mendime, kemi përfituar nga njëri- tjetri, ndaj këtë sallë e quaj faltore, kishë, xhami apo teqè, si bekim i Zotit. E përmend këtë fakt se janë disa njerëz, humanë në universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, që na i kanë krijuar këto mundësi”. Dhe kështu, pa u dukur, bëjmë gjëra të thjeshta, të mira e të dobishme, vërtet të vogla, por me dashuri të madhe, siç dëshironte dhe shenjt Tereza. Për çdo veprimtari, që zbukuron botën e qytetit, Biblioteka e Universitetit të Vlorës është një vatër e ngrohtë e shkrimtarëve dhe artistëve, e njerëzve të dijes dhe veprimit përparimtar.

Nuk mund të harroj stafin

Në stafin e bibliotekës, duke filluar që nga themelimi i Universitetit dhe deri në vitin 2024, që përkon me 30-vjetorin e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë kanë punuar apo punojnë: Ermira Sharra, Elisabeta Shehu, Lida Mezini, Albert Habazaj, Esmeralda Çelaj, Hatixhe Likaj, Gentjan Zejno, Elton Brakaj dhe Marieta Mërkuri.

Drejtues të Bibliotekës së Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë ndër vite kanë qenë: Ermira Sharra: 1994-2007 dhe Msc. Albert Habazaj: 2007 e në vijim. Mirënjohje, kolegë të dashur, ju që keni dalur në pension, apo që keni emigruar jashtë shtetit, si dhe ju që jeni në krahun tim në sektorin e Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemali”Vlorë, si njësi ndihmëse e tij për edukimin akademik, qytetar dhe kulturor të studentëve tanë të dashur, pa të cilët ne nuk mund të funksionojmë në këtë institucion të lartë arsimor!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok