21/12/2024

28 Nëntori 2023 – Fjalët e arta të Luigj Gurakuqit tepër aktuale, sidomos në këtë përvjetor të Pavarësisë së Shqipërisë

0
Luigj-Gurakuqi

“Për të mirën e Atdheut, për lulëzimin e Kombit, për nderin e Flamurit tonë.” Luigj Guraku

Nga Frank Shkreli, Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

Ndërsa po bëhen përgatitje dhe ndërkohë që po mbushet kalendari i veprimtarive për të nderuar figura të shquara historike të Kombit shqiptar me rastin e 111-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, të kujtojmë Luigj Gurakuqin, bashkautorin më të ngushtë të Ismail Qemalit, njëri prej figurave më të mëdha të gjitha kohërave të Kombit shqiptar, për të cilin Stefanaq Pollo ka shkruar: ”Nuk ka ngjarje të madhe politike, shoqërore e kulturore, në këtë çerek-shekulli, ku të mos ketë qenë prania e tij, ku të mos jetë ndier fjala, urtësia e vullneti i tij, ku të mos ketë spikatur patriotizmi e demokratizmi i tij”. -ka shkruar ai për Gurakuqin.   Figura e Luigj Gurakuqit, sipas Stefanaq Pollos, bëhet edhe më e madhe dhe më madhështore, “po të kemi parasysh armiqtë e shumtë që duheshin përballuar, vështirësitë e mëdha, që duheshin kapërcyer, komplotet dhe intrigat e kobshme, që thureshin kundër Atdheut, rreziqet e panumërta, që i kanoseshin jetës së tij, në çdo hap.”

Megjithëse gjatë viteve e dekadave është shkruar shumë për kontributet e mëdha të Luigj Gurakuqit, jo vetëm si një prej figurave udhëheqëse politike më të shquara të Kombit, por edhe si poet, shkrimtar, linguist e mësues. Ernest Koliqi, i cili në vitin 1924 në Tiranë ka shërbyer si sekretar privat i Luigj Gurakuqit, në një artikull shkruar në vitin 1965 në revistën e tij ”Shëjzat”, në kujtim të tij – pasi e kishte njohur nga afër – nënvijon për lexuesin fuqinë frymëzuese dhe tërheqëse të Gurakuqit nga të gjitha shtresat e shqiptarëve, pa dallim: ”S’kam pa ndër Shqiptarë…nji tjetër që të kishte lidhje miqësore e politike aqë të shumta e të ndryshme sa Gurakuqi.  Gegë e Toskë, qytetarë, katundarë, malësorë, priftën, popa e hoxhallarë, analfabetë dhe eksponentë të intelektualizmit, arbëresh, të huaj, që interesoheshin për Shqipëni. Qindra e qindra vetësh, i drejtoheshin atij me një frymë të çuditshme besimi. Besojshin në përpjekjet e tij të çdo lloji…” Në artikullin e tij përkujtimor me rastin e dyzet vjetorit të vrasjes së Luigj Gurakuqit, Ernest Koliqi, si bashkpuntor i ngushtë dhe sekretar privat i kësaj figure të madhe të Kombit shqiptar, shkruante, ndër të tjera: “ Luigj Gurakuqit i Madhi Zot i kishte falur aftësi e zotësi si rrallë ndonjë njeriu tjetër”, por sipas Koliqit,  vetia që e dalllonte Gurakuqin nga të tjerët e kohës së tij : ”Ishte ajo që me bashkue e me miqasue ndër vedi gjindën me mendësi, prirje, rritje në kundërshtim.  Përhapej nga zemra e Tij nji fuqi vëllaznuese e tillë sa me tubue rreth vetes burra me idena mesjetare, doktora të rij plot hov modernizues, anëtarë klerikë të ndryshme, bashkatdhetarë visesh të ndryshme, të rij rrymash të ndryshme.   Mbretnonte harmonia aty ku Ai qindronte”, -ka kujtuar Koliqi. Luigj Gurakuqi e konsideronte detyrën e deputetit si të rëndë e me përgjegjësi të madhe, të një rëndësie kombëtare dhe si detyrë e shënjtë që ia kishte besuar populli.  Mbi rolin e Luigj Gurakuqit në Kuvendin shqiptar, Koliqi sjell kujtimet e tij duke nënvijuar se ndërsa, “Në parlamentin shqiptar kumbojshin zane si ato të Fan Nolit, Ali Klisurës, Stavro Vinjaut e Bahri Omarit, të dënja me jehue në Dhomën e Komuneve (të Anglisë), Gurakuqi, kryetar i njoftun i opozitës, kundërshtonte me maturi:  bashkë me kolegët që përmenda, përpiqej të jepte shembullin e nji kritike të fortë, por jo fyese, ndërtuese, jo rrënuese…’’,- pohonte Ernest Koliqi, bashkpuntor i ngushtë i Luigj Gurakuqit.

Roli patriotik, ndërtues dhe bashkpunues i Gurakuqit për të mirën e Shqipërisë, njihej dhe respektohej nga shumë patriotë shqiptarë të asaj kohe. Një prej tyre, Mihal Grameno i shkruante atij me 24 korrik 1919 se: “Shqiptarët kanë simpati dhe besim tek juve.’’ Ndërsa më 15 tetor, 1919, Pandeli Cale i shkruan Gurakuqit, duke pasqyruar në këtë mënyrë, besimin e tij të plotë në veprimtarinë patriotike të tij në interes të Shqipërisë dhe Kombit, ndërsa i shkruante Gurakuqit me një vendosmëri bindëse: “Kini në dorë fatin e Shqipërisë…bëni detyrën patriotike si ju thotë ndërgjegja’’.

Megjithëse fjalët e të tjerëve për Gurakuqin dhe veprimtarinë e tij në interes të Kombit, hedhin dritë mbi këtë figurë të madhe të shqiptarisë; janë fjalët e tija ato që, në të vërtetë, pasqyrojnë vlerat dhe idealet e larta njerëzore të këtij patrioti dhe njeriu të madh të Kombit shqiptar e të cilat sikur dëgjohen edhe sot – e sidomos sot – si tepër aktuale, nëse marrim parasysh zhvillimet e fundit në Kuvendin e Shqipërisë, por edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar me 21 janar 1924, i frymëzuar nga nevoja e madhe për ndryshime politike, shoqërore dhe ekonomike në vend, Gurakuqi iu drejtua anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë, në atë kohë, duke thënë se si përfaqësues të popullit: “Populli na ka tregue edhe udhën që duhet të ndjekim.  Populli na thotë:  Ky jam, këto nevoja kam, pra mbas dëshirës sime, mbas nevojave të mia, mbas zakoneve që kam, bani ligjet themelore që të mund të rroj i lirë dhe i lumtur, si shqiptar.’’

Në këtë përvjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, fjalët e tij tingëllojnë largpamëse e bujare dhe si të tilla duhet të shërbejnë sot dhe në të ardhmen, për të mbajtur gjallë kujtimin e veprës së tij të madhe, në dobi të interesave kombëtare të shqiptarëve.  Po të ishte gjallë në këtë 111-vjetor të Pavarësisë, Luigj Gurakuqi do të këshillonte kështu klasën aktuale politike të shqiptarëve, aq zhgënjyese për shumicën e shqiptarëve, të cilët si rrjedhim i politikave aktuale dhe konflikteve politike të vazhdueshme midis tyre kanë vendosur të largohen masivisht nga Atdheu. Në këtë 111-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, nuk është vonë që të dëgjoni mirë fjalët e Luigj Gurakuqit (më 1913) në këtë “ditë të bardhë” të Pavarësisë të 28 Nëntorit, 2023.

”Nuk ashtë sot dita të përmendim për nesa të liga ka shkuar Shqipënia në këtë mot të gjatë e sa ka vuar e po vuan akoma; dua vetëm të shtoj se ne këtë ditë fatbardhë, që do të mbetet e paharrueshme në kujtimet e shënjta të Kombit tonë, lipset që zemrat e të gjithë shqiptarëvet të lidhen, të bashkohen, të bahen një. Duke kujtuar e duke kremtuar ditën e sotshme duhet të përsëritim prapë besën që i dhamë shoqishoqit vitin që shkoi; e duke sjellun përpara sysh rreziqet e tmerëshme, që i vareshin Atdheut përmbi krye, e shpëtimin tonë të çuditshëm, ta forcojmë dashuninë e vëllezëninë e t’i japim dorën njëni tjatrit për të mbajtun, për të rritun, për të shtuar mvehtësinë e Shqipënisë sonë të dashun”. “Ta dijmë mirë se çarjet, zihjet, anmiqësitë tona na turpërojnë përpara Evropës, e cila vitin që shkoi nxitoi duke njohun me njëherë mvehtësinë tonë; u shtojnë rreziqet vëllëzënvet tanë të mjerë, që ditë më tjatrë po presin të lirohen nga zgjedha greke e të bashkohen me ne; e ma tepër u thyejnë zemrën atyne fatzesve që patën rrezikun e math të mbeten jashtë Shqipënisë së lirë.”(Marrë nga Luigj Gurakuqi: ”Mvehtësia e Shqipënisë”, 1913).

Luigj Gurakuqi (1879-1925)

“T’i tregojmë pa turp e t’i njohim fajet tona, të harrojmë hidhnimet e anmiqësitë që na ndajnë, t’i japim vëllaznisht dorën njani-tjetrit e të betohemi mbi besën e gjyshave tanë se sot e mbrapa do të përpiqemi, me të vërtetë, për të mirën e Atdheut, për lulëzimin e Kombit, për nderin e flamurit tonë.”

Ndërkaq, në një artikull që Gurakuqi kishte shkruar në Paris në prag të 28 Nëntorit 1919 e në të cilin duket se ai i bën thirrje pikëspari vetvetes por, njëkohësisht, edhe bashkombasve të tij, që të reflektojnë. Kjo është edhe një thirrje e sinqertë vëllazërore, nga ana e tij, që interesat dhe fatet e Atdheut të jenë mbi të gjitha, një thirrje që, çuditërisht, është gjithnjë aktuale, një shekull më vonë, gjë që tregon se kjo klasë politike sot nuk ka mësuar asgjë nga historia. Porosia sot e Luigj Gurakuqit për klasën aktuale shqiptare në Tiranë e Prishtinë dhe kudo, është: “Mblidhni mendjen!”.  Ai shkruante:

”E kremtja e 28 Nandorit duhet të jetë për ne të gjithë, jo vetëm një ditë gëzimi e dëfrimi, por edhe një ditë pendimi në të cilën të mbledhim mendjen e të bajmë shqyrtimin e vetdijes sonë.  Në këtë ditë, duhet të vemë të gjithë dorën në zemër e të pyesim veten tonë nëse e kemi bamun gjithkund e gjithmonë detyrën që kishim përpara Atdheut. T’i tregojmë pa turp e t’i njohim fajet tona, të harrojmë hidhnimet e anmiqësitë që na ndajnë, t’i japim vëllaznisht dorën njani-tjetrit e të betohemi mbi besën e gjyshave tanë se sot e mbrapa do të përpiqemi, me të vërtetë, për të mirën e Atdheut, për lulëzimin e Kombit, për nderin e flamurit tonë.”

Vetë Luigj Gurakuqi, kishte shkruar se: “Një popull që nderon burrat e vet, një popull që pavdekëson kujtimin e tyne, jo vetëm ndër faqet e historisë, por edhe mbi rrasa e në monumente, ai popull tregon se ka ndërgjegje, se ka ndiesi të holla, se njeh miradijen e ka dëshirë me u sjellun e me u drejtuem mbas shembullit të të Mëdhejvet të vet.’’

Luigj Gurakuqi ishte dhe mbetet një ndër më të Mëdhejtë e Kombit shqiptar. Fjalët e Luigj Gurakuqit flasin vet, jo vetëm për periudhën që ai jetoi, por mund dhe duhet të shërbejnë si një fuqi frymëzuese për të gjithë shqiptarët kudo e sidomos për ata që janë sot në krye të Kombit shqiptar në këtë 111-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë; festës mbarë kombëtare për të gjithë shqiptarët kudo dhe pa dallim, që të punojnë, për “të mirën e Atdheut, për lulëzimin e Kombit, për nderin e flamurit tonë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok