02/04/2025

26 vjet nga konferenca e Rambujesë

0
Rugova-Thaci

NJË CASUS BELLI PËR ULTIMA RATION

Nga Jusuf Buxhovi

Konferenca e Rambujesë (6 shkurt – 18 mars 1999) u inicua nga Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Christopher Hill nga SHBA-të, Boris Majorski, Rusi dhe Wolfgang Petrick nga BE. Konferenca ndërkombëtare kishte për qëllim ndërprerjen e luftës si dhe një zgjidhje të përkohshme politike për Kosovën.

Delegacioni i shqiptarëve përbëhej prej gjashtëmbëdhjetë vetash nga tri grupime: i Lidhjës Demokratike të Kosovës me në krye Ibrahim Rugovën, i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) , me pesë përfaqësues me në krye Hashim Thaçi, katër pjesëtarë të Lëvizjes së Bashkuar Demokratike të drejtuar nga Rexhep Qosja dhe dy “të pavarur”: (V. Surroin dhe B. Shalën).

Ndonëse bisedimet përfunduan pa sukses, delegacioni kosovar kishte nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, ndërkohë që delegacioni serb kishte pranuar në parim projekt marrëveshjen politike për vetëqeverisjen në Kosovë.

Nga aspekti diplomatik, edhe pse u quajtën marrëveshje, ato nuk ishin të tilla, meqë u mungonte nënshkrimi i përbashkët i palëve, i domosdoshëm për ratifikime të ndërsjella parlamentare, që u jep validitet shtetëror dhe ndërkombëtar. Si të tilla, ato paraqesin letra zotuese (diktate të panegocueshne) me nënshkrime të njëanshme, pa kredibilitet diplomatik, por me fuqi politike.

Nga këndvështrimi historik, nënshkrimet e palës shqiptare në marrëveshjen ( Ibrahim Rugovës, Hashim Thaçit, Rexhep Qosjes dhe Veton Surroit) e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtar (pa atë rus), si dhe refuzimi nga ana e Millosheviqit, krijuan atë që quhet Casus Belli, ngaqë NATO-s ia plotësuan kushtin kryesor për fushatën ajrore ultima ratio ndaj forcave policore dhe ushtarake jugosllave në Kosovë dhe caqeve të tjera ushtarake në Serbi nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999.

Fushata përfundoi me marrëveshjen ushtarake të Kumanovës, më 10 qershor midis NATO-s dhe Armatës Jugosllave, që ia hapi rrugën rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për vënien e Kosovës nën administrim ndërkombëtar. Kështu, rezoluta 1244 i ktheu në maklaturë gjithë ato letra që prodhoi konferenca e Rambujesë. Ndërsa në Kosovë krijoi realitete politike që më 17 shkurt 2008 përfunduan me shpalljen e Kosovës shtet të pavarur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok