24 vite nga ikja e Teodor Kekos, poetit dhe publicistit që e ktheu fjalën në zjarr dhe dhimbjen në këngë

0
Teodor-Keko

Nga Albert Vataj

Më 22 gusht 2002, Teodor Keko ju dorëzua vdekjes frymshëm, e etershmja e shpirtit të tij mbeti tekkëtu, te altari i zëshmërisë së tij krijuese dhe reaguese. Ai, Dori u dha, ndaloi në mes të udhës. Iku, ai që nuk dinte të jepej, sepse ishte i papur; me mendim, me zë, me fjalë, me penë dhe me zemër.

Ishte ende i ri, por kishte jetuar me atë dendësi të rrallë që nuk matet me numrin e viteve, por me gjurmët që lë një njeri në kohën e vet.

Ai iku herët, por jo përpara se të digjte në fjalë një pjesë të madhe të vetes, në poezi, në prozë, në gazetari, në publicistikë dhe në atë që ishte ndoshta më e vështira nga të gjitha, në qëndrimin qytetar dhe mikun e të gjithëve.

Keko ishte një nga ata njerëz që nuk kalojnë qetë nëpër kohën e tyre. Ai e trazoi atë.

Në vargjet e tij kishte zjarr, në prozë kishte nerv, në shkrimet publicistike kishte revoltë, ndërsa në praninë e tij kishte diçka të papërkulshme, nevojën për të mos heshtur.

Ai e kishte kuptuar se fjala, kur buron nga një ndërgjegje e zgjuar, nuk është thjesht mjet shprehjeje. Ajo mund të bëhet dëshmi, kundërshtim, plagë, shpresë, madje edhe një formë rezistence.

Në faqet e “Koha Jonë”, Keko ishte gazetari që nuk e përdorte fjalën për të zbukuruar realitetin, por për ta shqyer mbulesën e tij. Shkruante me një nerv intelektuali që nuk pajtohej lehtë me padrejtësinë, hipokrizinë dhe plagët që shoqëria shqiptare mbartte mbi vete. Në gazetari ishte zëri i reagimit, në poezi, zëri i shpirtit.

Dhe shpirti i tij ishte i trazuar.

Ishte një shpirt që e njihte dashurinë, revoltën, dëshpërimin, ironinë, butësinë dhe etjen për jetë.

Një shpirt që e dinte se bukuria nuk është gjithmonë e qetë dhe se e vërteta jo rrallë vjen me një çmim.

Prandaj, edhe kur trupi nisi t’i dorëzohej sëmundjes, fjala nuk iu dorëzua, as shpirti.

Pak kohë para fundit, kur horizonti i jetës po ngushtohej dhe mjekësia nuk mund t’i premtonte më atë që zemra dëshironte, Teodor Keko vazhdoi të shkruante. Sepse një poet mund të përballet me vdekjen, por nuk di të heshtë përballë saj.

Në Selanik, më 26 maj 2002, pas një operacioni dhe një konsultimi mjekësor që i zbehu shpresat, ai shkroi poezinë “Kur e di se do të vdesësh”.

Dhe çuditërisht, në vend që vdekja ta errësonte botën e tij, ajo duket se ia pastroi shikimin.

“Kur e di se do të vdesësh,

pemët kanë më shumë lule

dhe më shumë yje qielli ka.”

Janë vargje që nuk tingëllojnë si një dorëzim. Përkundrazi. Ato janë një zgjim.

Kur njeriu e kupton se koha e tij është e kufizuar, bota papritur fiton një shkëlqim tjetër. Pemët çelin më shumë. Qielli bëhet më i thellë. Njerëzit shfaqen më të mirë dhe njëkohësisht më të çuditshëm. Gjërat që dikur dukeshin të zakonshme marrin një peshë të re, sepse mbi to bie drita e fundit e vetëdijes, dizet dielli i përjetësisë.

Keko nuk e sheh vdekjen vetëm si fund. E sheh si një lente përmes së cilës jeta bëhet më e dukshme.

“Më të mirë dhe më të çuditshëm janë njerëzit,

që nuk e kuptojnë se hija e trupit të tyre është vetë vdekja.”

Në këto vargje ka një filozofi të tërë ekzistence. Njeriu jeton i shoqëruar nga hija e fundit, por pikërisht sepse e harron atë, vazhdon të sillet sikur koha është e pafundme. Keko, në pragun e tij, e kishte kuptuar atë që të gjallët e harrojnë shpesh, se vetëdija e vdekjes nuk duhet të na bëjë më të frikësuar nga jeta, por më të dashuruar me të.

Dhe pastaj bota e tij poetike bëhet edhe më e çuditshme, më e ndritshme:

“Kur e di se do të vdesësh,

toka është pjellore si grua

dhe qielli ta shuan përjetësisht etjen…”

Toka, gruaja, qielli, shiu, gjithçka merr një kuptim të ri. Jeta shfaqet në trajtën e një mrekullie të madhe, të cilën zakonisht nuk e shohim sepse jemi tepër të zënë duke jetuar.

Ai shkruan edhe për avionët që nuk fluturojnë për t’u rrëzuar, për njerëzit që nuk lindin për t’u bërë të liq. Është sikur, përballë fundit të vet, Keko kërkon të shpëtojë botën nga fatalizmi. T’i japë edhe një mundësi besimit.

Sepse ndoshta ky është paradoksi më i bukur i kësaj poezie, sa më pranë vdekjes qëndron poeti, aq më shumë i afrohet jetës.

Dhe pastaj vjen vargu që duket si një thirrje, si një porosi, si një përshëndetje e fundit:

“Më mirë ta dish se do të vdesësh!

Jo për t’u trembur.

Për të jetuar.

Për të kuptuar se lulet janë lule dhe nuk duhet t’u shtojmë trishtim.

Për të kuptuar se njerëzit mund të kthehen sërish te ai “distributor i harruar” për t’u furnizuar me besim.

Është një metaforë e jashtëzakonshme, një figurë sa ironike aq edhe e dhimbshme: sikur njerëzimi të ketë harruar vendin ku merret besimi dhe të ketë mbetur në këmbë, i zbrazët, në një botë që ka gjithçka përveç një arsyeje për të besuar.

Keko, në prag të vdekjes, nuk kërkon të marrë më shumë nga jeta.

Ai kërkon t’u kujtojë të tjerëve të mos e shpërdorojnë atë.

Kjo është arsyeja pse “Kur e di se do të vdesësh” nuk është thjesht poezia e fundit e Teodor Kekos. Është një testament shpirtëror. Një letër pa zarf, e shkruar në kufirin ku fjala prek heshtjen dhe jeta prek përjetësinë.

Në të nuk ka vetëm trishtimin e një njeriu që e di se po largohet. Ka edhe një lloj qartësie të frikshme. Sikur, në çastin kur gjithçka po i merret, ai të ketë zbuluar se sa shumë i është dhënë.

Dhe kjo është madhështia e poetit.

Ai nuk e mposht vdekjen. Askush nuk mundet.

Por ai e mund heshtjen.

E kthen frikën në varg. Dhimbjen në metaforë. Fundin në një fillim të ri të kujtesës.

Më 22 gusht 2002, Teodor Keko e mbylli sytë. Por fjala e tij nuk i mbylli.

Njëzet e katër vite më pas, ai vazhdon të jetojë në ato vargje që na bëjnë të shohim më gjatë një pemë në lulëzim, të ngremë sytë pak më shumë drejt qiellit, të kuptojmë se edhe njerëzit që na duken të zakonshëm janë duke mbajtur mbi vete hijen e së njëjtës përkohshmëri.

Ndoshta kjo është trashëgimia e tij më e bukur: të na mësojë se vdekja nuk është vetëm ajo që na merr, por edhe ajo që na mëson të shohim.

Të shohim më thellë.

Të duam më fort.

Të falim më shpejt.

Të mos e shtyjmë për nesër atë që zemra duhet ta thotë sot.

Dhe mbi të gjitha, të mos harrojmë të furnizohemi me besim.

Sepse, siç duket na kujton Keko nga larg, njeriu nuk vdes vetëm kur i pushon zemra. Ndonjëherë fillon të vdesë shumë më herët, atëherë kur harron të besojë, të ndiejë, të dashurojë dhe të habitet përpara mrekullisë së të qenit gjallë.

Teodor Keko iku duke e ditur se do të vdiste.

Por shkroi sikur sapo kishte zbuluar se si duhet jetuar.

Dhe kështu, një poet që u këput duke kënduar, mbeti të jetojë në këngën e fjalës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok