2 PRILLI, 1991 NË SHKODËR – PLUMBAT QË VRANË SHPRESËN DHE DREJTËSIA QË ENDE HESHT!
Nga Frank Shkreli
Masakra e 2 Prillit 1991 në Shkodër një turp kombëtar, atëherë dhe sot! Më 2 prill 1991, qyteti i Shkodër u bë skena e një prej akteve më të rënda dhe më të shëmtuara të dhunës shtetërore në fundin e regjimit komunist në Shqipëria. Një protestë paqësore qytetare, e lindur nga etja për liri dhe pluralizëm, u përball me dhunën brutale të një sistemi që po jepte shpirt, por që ende kërkonte të mbijetonte përmes terrorit kundër qytetarëve të vet. Vetëm pak ditë pas zgjedhjeve të para pluraliste, shpresa për ndryshim u përplas brutalisht me realitetin e një pushteti terrorist sllavo-aziatik që ende nuk kishte hequr dorë nga instinkti i dhunës kundër shqiptarëve. Frank Shkreli: Në kujtim të 4 Dëshmorëve të Lirisë, të 2 prillit 1991 në Shkodër | Gazeta Telegraf
Protestat qytetare në Shkodër, të nxitura nga pakënaqësia ndaj manipulimeve zgjedhore dhe vazhdimësisë së elitës së vjetër, u përballën me plumba. Frank SHKRELI*/ Zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri Mars/Prill, 1991 | Gazeta Telegraf — Katër të rinj – Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka – ranë të vrarë nga një regjim i cili po vdiste dal-nga-dal, në agoni. Dhjetëra të tjerë u plagosën. Gjaku i tyre u bë simbol i një lirie që po lindte me dhimbje. Ngjarja e 2 prillit nuk ishte thjesht një incident i izoluar, por kulmi i një tensioni të gjatë midis një populli të shtypur me dekada dhe një pushteti barbar komunist që refuzonte të dorëzohej në mënyrë paqësore. Dihet se në atë kohë, Shqipëria drejtohej ende nga struktura të trashëguara nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës, të cilat, edhe pas vdekjes së tij, vazhdonin të vepronin me të njëjtën logjikë repressive anti-demokratike. Frika nga humbja e kontrollit i shtyu autoritetet ende komuniste në Tiranë, të përdornin armët kundër qytetarëve të vet. Atë ditë, lajmi i gjakderdhjes në Shkodër mbërrijti rrufeshëm në Tiranë dhe tronditi keq qarqet diplomatike ndërkombëtare, përfshir amerikanët dhe të tjerë nga Evropa perendimore që kishin vajtur në Shqipëri për herë të parë në pothuaj 50-vjet.
Ato ditë të para të prillit, 1991, unë ndodhesha në Shqipëri me delegacionin e parë të Departmentit të Shtetit pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, SHBA-Shqipëri. Një aspekt më pak i njohur, por shumë domethënës, është fakti se delegacioni i parë amerikan që vizitonte Shqipërinë në atë periudhë kritike, ndonëse kërkuam të shkonim në Shkodër pasi morëm vesh për masakrën, nuk u lejuam të shkonim në Shkodër menjëherë pas ngjarjes tragjike atje. Ky delegacion, i organizuar nga përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i mbështetur nga komuniteti shqiptaro-amerikan, kishte për qëllim hapjen e ambasadës amerikane në Tiranë, të vëzhgonte nga afër zhvillimet demokratike, situatën e të drejtave të njeriut dhe zgjedhjet e para “pluraliste”. Refuzimi i autoriteteve për të lejuar vizitën tonë në Shkodër nuk ishte rastësi. Ishte, siç dukej atëherë, një përpjekje e qartë e dëshirës së regjimit komunist për izolim të vazdueshëm politik, por jam i sigurt se edhe dont për të fshehur përmasat e atij krimi, me qëllim për të kontrolluar narrativën dhe për të shmangur vëmendjen ndërkombëtare, njëkohsisht. Regjimi i Ramiz Alisë e dinte se e vërteta e Shkodrës – trupat e pajetë, qyteti në zi, dhe dëshmitë e dhunës – do të trondisnin ndërgjegjen e botës. Ky akt izolimi dëshmoi edhe një herë natyrën e mbyllur dhe manipuluese të sistemit komunist që ato ditë përpiqej të bindte të gjithë të huajt në Tiranë se Shqipëria komuniste po ndryshonte, por masakra e 2 prillit në Shkodër i tregoi shqiptarëve dhe botës se nuk ishte serioze për reformat që premtonte, ndërkohë që deri në momentet e fundit përpiqej të ruante një fasadë të rreme stabiliteti.
Por edhe sot, në vend që ajo masakër të shërbente si një moment reflektimi dhe ndarjeje e qartë nga e kaluara, kjo ngjarje mbetet gjithnjë e mjegulluar nga propaganda zyrtare, mohimi dhe mungesa e drejtësisë së plotë deri në ditët e sotëme. Përpjekjet për të relativizuar përgjegjësinë, për të zhvendosur fajin apo për të heshtur të vërtetën, domosdoshmërisht, e kanë zgjatur plagën morale dhe kombëtare të shoqërisë shqiptare.
Masakra e 2 Prillit nuk është thjesht një episod tragjik, por vazhdon të jetë është një provë e dështimit të shtetit për të mbrojtur qytetarët e vet në një moment kyç historik. Është një kujtesë se tranzicioni shqiptar nuk nisi me një shkëputje të pastër dhe serioze nga komunizmi zyrtar, por filloi me dhunë, me gjurmë gjaku dhe me një drejtësi të cunguar. Sot, më se tri dekada më pas, në vend që të kërkohet një minutë heshtjeje në kujtim të vrarëve, pyetja mbetet ende e hapur dhe aktuale edhe sot, pas 35-viteve: A është bërë drejtësi në këtë rast të dhimbshëm për familjet e të vrarëve, për Shkodrën dhe për mbarë Shqipërinë? Për shumicën dërmuese të shqiptarërve vullnetmirë, përgjigjja është JO! Dhe pikërisht këtu qëndron turpi i vazhdueshëm kombëtar — jo vetëm për atë që ndodhi më 2 prill 1991, sado tragjike që ishte, por për mënyrën se si u trajtua më pas nga qeveritë shqiptare të këtyre tre dekadave.
Unë vazhdoj të them me bindje të thellë se për derisa Shqipëria nuk përballet, seriozisht dhe zyrtarisht, me të shkuarën e saj komuniste dhe të distancohet, njëherë e mirë, nga diktatura komuniste dhe nga krimet e regjimit të Enver Hoxhës, jo vetëm që ai vend nuk do të shkojë përpara, por edhe rrezikon ta përsërisë atë histori të mjerë, si rezultat i mospajtimit kombëtar. Prandaj, kujtimi i 2 Prillit, 1991, për autoritetet shqiptare duhet të jetë më shumë se një përvjetor që të shënohet me një minutë heshtje siç ndodhi sot në Kuvendin e Shqipërisë. Por duhet të jetë një thirrje – nga pozita dhe opozita politike shqiptare — për drejtësi, transparencë dhe përgjegjësi. Vetëm atëherë, viktimat nuk do të kenë rënë më kot, dhe turpi i kësaj klase politike “demokratike” 35-vjeçare mund të fillojë të zbehet. Për këtë mundësi, politika e sotëme shqiptare nuk ka dhënë asnjë shenjë se është e interesuar të veprojë në interes të Kombit.
Sot, kur Shqipëria po mundohet të ecën me këmbë breshke në rrugën e saj demokratike, kujtimi i atyre që ranë në Shkodër — por edhe i shumë shqiptarëve të tjerë që nga periudha komuniste, një periudhë kjo e përlyer me gjak të shqiptarëve –duhet të shërbejë jo vetëm si nderim i viktimave, por si detyrim kombëtar për të siguruar dhe përtë mos lejuar kurrë më që pushteti — cilido dhe i cilës do parti qoftë — të ngrihet dhe të vejë dorë mbi jetën dhe dinjitetin e qytetarëve të vet. Sepse historia e 2 prillit nuk është vetëm e shkuara por është edhe ndërgjegjja kolektive kombëtare për sot dhe për të ardhmen.
