21/12/2024

“2 MARSI 1444” — Festë Zyrtare e Republikës së Shqipërisë!

0
Paulin-Zefi

Nga Paulin Z. Zefi

Përpos faktit se këtij lajmi duhet t’i gëzohemi shumë, në veçanti ne lezhjanët, dhe t’i japim mikut tim të hershëm dhe deputetit, Z.Eduard Ndreca, të gjithë mbështetjen tonë, unë nuk e kuptoj dot dhe as nuk mundem ta honeps këtë ngarendjen e pakuptimtë të këtyre ditëve për të marrë meritat se kush ka qenë i pari/e para, që e ka ndërmarrë këtë iniciativë!… Luftë me mullinjtë e erës! Prandaj e gjykoj të udhës, që për të informuar opinionin publik mbi dinamikën e përpjekjeve të ndërmarra në këtë drejtim, të paraqes një restrospektivë të shkurtër historike të këtyre përpjekjeve.

1 — Në vitin 1981 ka qenë i ndjeri, Loro Gjeçi (Ish-drejtor i Muzeut Historik të Lezhës), i cili ka hedhur idenë për ta shpallur “2 Marsin 1444” si Festë Zyrtare. Mirëpo, nuk ka bërë kërkesë zyrtare. Mjerisht, kjo çështje kaloi pothuajse në heshtje për më shumë se 3 dekada, sepse përpos disa “përmendjeve shkarazi” nëpër aktivitete kulturore, nuk është bërë asnjë përpjekje serioze në këtë drejtim.

2 — Në muajin mars të vitit 2014, sapo kam marrë detyrën e Përgjegjësit të S.K.K.Lezhë në D.R.K.K.-Shkodër, kam bërë kërkesën e parë zyrtare drejtuar Ministrisë së Kulturës dhe Zyrës së Kryeministrit. Që nga ajo ditë dhe deri më sot nuk kam reshtur në të gjitha format dhe mënyrat…

3 — Në vitin 2015, ka bërë kërkesë zyrtare, Z.Viktor Tushaj (Ish-Kryetar i Bashkisë Lezhë).

4 — Në vitin 2017, ka bërë kërkesë zyrtare, Z.Fran Frrokaj (Ish-Kryetar i Bashkisë Lezhë). Konceptues i shkresës në fjalë kam qenë unë personalisht (e verifikueshme në protokoll).

5 — Po në të njëjtin vit, disa shoqata patriotike nga Shqipëria, Kosova dhe Diaspora, kanë bërë kërkesa drejtuar Qeverisë Shqiptare dhe po ashtu, është hedhur ideja për një peticion mbarëkombëtar. Në dy prej këtyre Shoqatave, krahas hartimit të peticionit, kam firmosur personalisht. Dy shoqata të tjera, kanë bërë kërkesa të ngjashme në vitin pasardhës (2018).

6 — Në janar të vitit 2018, gjatë vizitës së Kryeministrit, Z.Edi Rama, në Memorialin e Vendvarrimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, krahas falenderimit për miratimin e kërkesës dhe financimit të projektit të plotë rehabilitues të dorëzuar nga ana jonë në dhjetor 2017, i kam kërkuar publikisht dhe në praninë e Medias, që “2 Marsi 1444” të shpallet Festë Zyrtare.

7 — Në vitin 2019, menjëherë sapo ka marrë detyrën, ka bërë kërkesë zyrtare Kryetari aktual i Bashkisë Lezhë, Z.Pjerin Ndreu. Kjo kërkesë, më e zgjeruar dhe më e detajuar se ato të mëparshmet, i është dërguar Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Qeverisë Shqiptare dhe Parlamentit të Shqipërisë. Konceptues i shkresës në fjalë kam qenë unë personalisht (edhe kjo e verifikueshme lehtësisht në protokoll).

8 — Në vitin 2020, me qëllim për ta përforcuar këtë kërkesë, unë së bashku me Znj.Oliana Moriseni (Ish Zv/Kryetare e Bashkisë Lezhë), i kemi drejtuar Kryeministrit, Z.Edi Rama, një kërkesë zyrtare për interpelancë publike, ku unë duhet të argumentoja arsyet mbi domosdoshmërinë e shpalljes së “2 Marsit 1444” si Festë Zyrtare. Kjo kërkesë e jona, ka qenë e shoqëruar edhe me një peticion të mbajtur në një stendë të posaçme të vendosur para “Obeliskut të Besëlidhjes së Lezhës”, (me firma dhe nr. të ID), dhe po ashtu, në rrugë elektronike.

9 — Ndërsa, në fund të vitit 2022, së bashku me deputetin, Z.Eduard Ndreca, kemi hartuar “Relacionin Shpjegues për Projektligjin: Për Shpalljen e 2 MARSIT (1444), Kuvendi i Besëlidhjes së Lezhës si Festë Zyrtare e Republikës së Shqipërisë.” Lajmi nuk është mbajtur i fshehtë, por është bërë publik nga vetë deputeti dhe më vonë nga unë. Ndërsa, kërkesa zyrtare e konceptuar nga Z.Eduard Ndreca në mënyrë shumë profesionale, është depozituar prej tij më datë: 06.02.2023, me Nr. Protokolli: 418. Lënda: Depozitim i projektligit “Për disa ndryshime në ligjin nr. 7651, datë 21.12.1992, “Për festat zyrtare e ditët përkujtimore”, të ndryshuar”. Drejtuar: Znj.Lindita Nikolla, Kryetare e Kuvendit, nga Z.Eduard Ndreca, Deputet i Kuvendit të Shqipërisë.” Gjej rastin ta falenderoj shumë për këmbënguljen e tij të vazhdueshme!

Falë njerëzve vullnetmirë dhe Medias, që e kanë trumbetuar këtë çështje vazhdimisht. “2 MARSIN e vitit 2025” do ta kremtojnë si Festë Zyrtare. Dashtë Zoti, duke vendosur edhe Statujën monumentale të “GJERGJ KASTRIOTIT-SKËNDERBEUT🇦🇱”, sepse për mua personalisht dhe shumë të tjerë, pa vendosjen e saj në vendin që i takon, “2 MARSI është i paplotë.”

Paulin Zefi.

Lezhë: 12.09.2024.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok