17 Shkurti në Hamburg
18 vite shtet – midis kujtesës dhe provës së pjekurisë
Nga Sadbere Emshiu, Hamburg
Në mbrëmjen e 17 Shkurtit, në Spiegelsaal des MK&G në Hamburg, drita e shumëfishuar në pasqyra krijonte një metaforë të qartë politike: identiteti i Kosova sot nuk është më thirrje për njohje, por reflektim i një shteti që duhet të dëshmojë pjekurinë e vet. Tetëmbëdhjetë vite pas shpalljes së pavarësisë, emocioni mbetet — por ai nuk mjafton më. Koha kërkon bilanc.
Pritja zyrtare, e organizuar nga Konsulata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Hamburg, u zhvillua me dinjitet institucional dhe simbolikë të qartë. Programi nisi me interpretimin e valles “Baresha”, vijoi me interpretim në piano dhe kulmoi me himnin shtetëror — moment që rikujtoi se themelet e shtetit janë sakrifica dhe përgjegjësi. Në fjalën hapëse, Konsulli i Përgjithshëm z. Mizbah Mustafa theksoi sovranitetin e Kosovës, partneritetin me Gjermaninë dhe rolin thelbësor të diasporës në konsolidimin e shtetit.
Në qendër të mbrëmjes ishte fjala e Ministres së Drejtësisë së Kosovës, Donika Gërvalla, e cila më herët ka shërbyer si Zëvendëskryeministre dhe Ministre e Punëve të Jashtme. Ajo riktheu në kujtesë rrugëtimin nga lufta drejt shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008, duke e zhvendosur theksin nga historia e fituar tek përgjegjësia aktuale: forcimi i shtetit ligjor, institucionalizimi i drejtësisë dhe ndërtimi i funksionalitetit demokratik.
Një nga momentet më domethënëse të fjalës së saj ishte rikujtimi i periudhës para shpërthimit të luftës — kohë kur komuniteti kosovar në diasporë mblidhej në klube ndërshqiptare, shpesh në bodrume qytetesh evropiane, për të organizuar aktivitete, për të diskutuar zhvillimet në atdhe dhe për të mbështetur përpjekjen për liri. Ishin hapësira modeste, por me vizion të madh. Takime pa protokoll, por me përgjegjësi historike. Ai kujtim krijoi një urë të fortë mes angazhimit qytetar të djeshëm dhe detyrimit institucional të sotëm.
Prania e saj në Hamburg kishte edhe dimension personal. Gërvalla është njohëse e këtij qyteti — ka jetuar dhe studiuar këtu — çka e bëri komunikimin më të drejtpërdrejtë dhe më autentik. Pas pjesës zyrtare, ajo qëndroi gjatë në bashkëbisedime të hapura me pjesëmarrësit, në shqip dhe në gjermanisht, pa distancë formale. Ky komunikim dygjuhësh dhe i drejtpërdrejtë nuk ishte thjesht gjest mirësjelljeje, por një mesazh politik: shteti ndërtohet mbi dialogun, jo mbi monologun institucional.
Në këtë mjedis u reflektua një realitet që shpesh nënvlerësohet: dy- dhe shumëgjuhësia e diasporës shqiptare nuk është përjashtim, por normë. Hapja ndërkulturore dhe bashkëjetesa ndërfetare nuk janë slogane, por përvojë e përditshme. Ky kapital shoqëror përbën një avantazh strategjik për Kosovën në procesin e integrimit evropian.
Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të institucioneve gjermane, përfshirë drejtues nga Akademia e Bundeswehrit dhe përfaqësues të Senatit të Hamburgut. Mesazhet e tyre konfirmuan rëndësinë e stabilitetit në Evropën Juglindore dhe partneritetin gjermano-kosovar — një partneritet që mbetet i rëndësishëm në arkitekturën aktuale të sigurisë evropiane.
Megjithatë, 18 vite pas pavarësisë, pyetja nuk është më nëse Kosova ekziston si shtet. Kjo është e pakthyeshme. Pyetja reale është më kërkuese:
A po thellohet shteti i së drejtës në mënyrë të pakthyeshme?
A po ndërtohen institucione që i rezistojnë cikleve politike?
A po krijohet perspektivë reale për rininë?
A po shndërrohet sovraniteti formal në funksionalitet demokratik?
Nga entuziazmi i vitit 2008 kemi hyrë në fazën e provës së pjekurisë. Liria e fituar me sakrificë duhet të përkthehet në drejtësi efektive, administratë profesionale dhe ekonomi të qëndrueshme. Integrimi evropian nuk është retorikë; ai është standard i matshëm dhe kërkon konsistencë politike.
Në diasporë, 17 Shkurti ka dimension të veçantë. Ne jetojmë mes dy realiteteve: një Kosove që kërkon konsolidim të brendshëm dhe një Evrope që kërkon stabilitet e besueshmëri. Në sallën e pasqyrave në Hamburg, ky dualitet ishte i dukshëm — identitet i shumëfishtë, por përgjegjësi e përbashkët.
Mbrëmja nuk ishte thjesht ceremoni. Ishte një moment reflektimi politik.
Sepse 18 vite shtet nuk janë më fazë fillestare — janë test serioz i pjekurisë demokratike.
Në fund mbetet një e vërtetë e qartë:
17 Shkurti nuk është vetëm kujtesë e fitores mbi të kaluarën, por provë e përditshme për të ardhmen.
Kosova sot nuk ka nevojë për vetëkënaqësi simbolike, por për thellim institucional, kulturë dialogu dhe drejtësi funksionale. Sepse shteti nuk matet me aktin e shpalljes së tij, por me cilësinë e jetës dhe sigurinë juridike që u garanton qytetarëve të vet — brenda dhe jashtë kufijve.
