18/11/2024

“16 ditët kundër dhunës gjinore”, Deputetja e Qarkut të Durrësit Andia Ulliri takim ndërgjegjësues me gra dhe vajza të Fushë-Krujës

0

Nga Entela Binjaku

Prej vitesh Shqipëria i është bashkuar fushatës ndërkombëtare 16 ditore  kundër dhunës me bazë gjinore. Kjo fushatë nis më 25 nëntor dhe mbyllet në datën simbol për të drejtat e njeriut, 10 dhjetor. Gjatë këtyre ditëve  organizohen veprimtari, përdoren simbole, përcillen mesazhe që kanë në qendër zvogëlimin e gjithë spektrit të shfaqjes së dhunës. Në këto ditë vëmendja përqëndrohet tek roli i gjinive, statusi i gruas, kultura e denoncimit, rastet e ndëshkimit ligjor, mjediset që prodhojnë dhunë etj. Në një këndvshtrim më të gjerë këto ditë lidhen kryesisht me edukimin e shoqërisë për të drejtat e njeriut. Dhuna me bazë gjinore nuk mund të trajtohet e veçuar nga shoqëria jonë e varfër, ku modelet e trashëguara përplasen me modelet e sjelljes që kërkon e tashmja. Të tilla përplasje degradojnë shpesh në dhunë ose krijojnë një atmosferë mungese komunikimi, aq e vazhdueshme saqë shpesh shkon në dhunë.

Më 2 dhjetor ora 16.00 deputetja e Kuvendit të Shqipërisë e  Partisë Demokratike znj. Andia Ulliri, organizoi një takim ndërgjegjësues kundër dhunës ndaj gruas. Në takimin e mbajtur në zyrën e saj elektorale në qytetin e Fushë-Krujës ishin të ftuara gra dhe vajza të kësaj zone. Në fjalën e hapjes drejtuar të pranishmeve deputetja Ulliri  u përqëndrua tek lidhja mes ndërgjegjësimit shoqëror dhe aktivizmit politik, nevoja për edukim dhe punë të vazhdueshme. “Kjo datë shënon një çast të rëndësishëm në kalendarin ndërkombëtar dhe thekson domosdoshmërinë për të ndaluar dhe eliminuar çdo formë të dhunës ndaj grave. Këto ditë kanë një synim të qartë: të ndërgjegjësojnë opinionin publik dhe të mobilizojnë përpjekjet globale në luftën kundër dhunës gjinore. Të gjithë së bashku duhet të punojmë për të krijuar një mjedis të sigurt për gratë dhe vajzat shqiptare kudo ndodhen”, u shpreh ajo. Deputetja Andia Ulliri u bë pjesë e Kuvendit në zgjedhjet e vitit 2021 ku doli deputete në listën e Partisë Demokratike në Durrës pasi mori 5580 vota ndërsa renditej në vendin e gjashtë në listë. E lindur në Krujë aktualisht 24 vjeç Andia është edhe anëtare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik dhe kryetare e Klubit Parlamentar për të Rinjtë. Të pranishme në takim ishin edhe përfaqësuese nga WDN Albania (Rrjeti pwr Demokraci i Grave të Shqipërisë)  të cilat folën mbi mbështetjen që ky rrjet u jep grave të përfshira në politikë si në nivel qëndror ashtu edhe në atë lokal, përpjekjet për fuqizimin e gruas në vendimarrje si një mjet për të trajtuar çështje që i takojnë secilës grua. Në takimin e së shtunës në kuadër të 16 ditëve të ndërgjegjësimit kundër dhunës ndaj gruas, të pranishmet diskutuan mbi nevojën për ndryshim në mendësi, për më shumë punësim, strehim e mbështetje psiko-sociale për gratë e dhunuara, për më shumë programe edukuese në shkolla etj. Këto takime  si dhe të tjera të ngjashme, synojnë ndë të tjera të përforcojnë tek brezat e rinj edhe dëshirën për aktivizëm  shoqëror, si mbeshtetës të çështjeve që synojnë një shoqëri më të mirë, larg dhunës dhe pranë të drejtave të njeriut. Në këto 16 ditë të ndërgjegjësimit kundër dhunës është mundësia edhe për ne si shoqëri të thellohemi e të vetëdijësohemi se dashuria për familjen, respekti për gjininë dhe sjellja qytetare janë ndër të vetmet vlera ku duhet të besojmë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok