21/12/2024

110 vjet më parë, Prishtina do të përjetonte një nga ditët më tragjike në historinë e saj

0
Serbi-Prishtine-1912

Nga Blerim Latifi

23 tetori i vitit 2022 është një ditë e bukur në Prishtinë, falë rrezeve të diellit, të cilat në këtë kohë vjeshte të krijojnë ndjesinë se janë dhuratë e natyrës para prishjes së motit. Në një datë të tillë, fiks 110 vjet më parë, Prishtina do të përjetonte një nga ditët më tragjike në historinë e saj. Vetëm një javë pasi kishte nisur marshimin e saj, armata e tretë serbe hyri në Prishtinë në mëngjesin e 23 tetorit 1912. 800 luftëtarët e Isa Boletinit nuk ia kishin dalë dot të ndalin katastrofën, ndërsa trupat osmane kishin ikur në drejtim të Shkupit. Trupat serbe nuk humbën kohë dhe nisën plojën e përgjakshme rrugëve dhe lagjeve të Prishtinës. Mijëra njerëz u vranë. Kush mundi të arratisej u bashkua me grupet e armatosura të Idriz Seferit, që kishin vendosur të mbronin Ferizajn. Beteja nisi e ashpër, por fati i saj u vendos shpejt nga artileria serbe. Të gjithë filluan të iknin në drejtim të Shkupit, ku besonin se ushtria osmane do të ndalte marshimin serb. Në Kumanovë u kuptua se kjo ishte vetëm një shpresë e kotë. Vetëm pas pak ditësh Prizreni ra pa luftë në duart e serbëve, ndërsa Pejën e pushtuan malazezët. Për të shmangur masakrën, Sadik Rama ndërmjetësoi midis krenëve të Drenicës dhe konsullit serb në Prishtinë që ushtria serbe të merrte pa rezistencë kontrollin mbi Drenicën dhe rajonin e Klinës. Vetëm një njeri nuk pranoi të bëhej pjesë e kësaj marrëveshje. Ai ishte Ahmet Delia. Pushkët e fundit të rezistencës ndaj pushtimit serb u shkrepën në Gjakovë nga njësitë e armatosura të Bajram Currit e Riza Beg Kryeziut. Ky i fundit, para se të braktiste Gjakovën, i vuri zjarrin kullës së tij që ajo të mos mund të shfrytëzohej nga ushtarët serbë. Kështu Kosovën e mbuloi terri i gjatë i robnisë serbe. Do duhej të kalonte i gjithë shekulli i XX, që ky terr të hiqej përfundimisht. Vuajtjet dhe kostot e mbijetesës sonë nën sundimin serb janë të pallogaritshme. Pasojat e tyre ende sot vazhdojnë të ndikojnë jetën tonë, ndërsa në Serbi ende vazhdojnë të ëndërrojnë për një marshim të ri në Kosovë.

_________

Nëse doni të mësoni se si duhet kujtuar dhe respektuar e kaluara ; nëse doni të mësoni se si ndërtohet shteti modern; nëse doni të mësoni se si zhvillohet ekonomia, arsimi e shëndetësia. Shkurt e shqip: nëse doni të mësoni si të bëheni një komb i suksesshëm,  shkoni në Izrael dhe mësojeni shembullin e tij.

_________

Kultura e vendeve të Amerikës Latine nuk na ka dhënë ndonjë teori të rëndësishme filozofike ose politike mbi diktaturat, por na ka dhënë disa vepra letrare, përmes të cilave mund ta kuptojmë të gjithë botën e errët e mizore të diktaturave, mbase edhe më mirë se duke lexuar teorizimet rreth tyre. Njëra prej këtyre veprave është edhe “Vjeshta e Patriarkut” e Gabriel Garcia Marquez-it. Në këtë roman i madhi Gabo ia del që përmes instrumenteve të fiksonit letrar të depërtojë deri në thellësitë e fundme të monstruozitetit të pushtetit diktatorial. E quajtur “poema mbi vetminë e pushtetit”, “Vjeshta e Patriarkut” na dëshmon se çfarë mund të bëj letërsia e madhe për të vërtetën dhe lirinë, mbi mohimin e të cilave ngrihen dhe jetojnë diktaturat.

_________

E lexova në media se si minjtë e kanë “pushtuar” një lagje të Prishtinës. Tash, siç duket, nuk do t’i kemi problem vetëm lukunitë e qenve, por edhe ato të minjëve. Të dy këto dukuri i gjejmë në kronikat e qyteteve mesjetare. Ato sigurisht që lidhen me shkallën e madhe të ndotjes urbane. As drejtuesit dhe as qytetarët e këtij qyteti nuk po ia dalin dot t’i japin zgjidhje problemit të bërllogut. Të parët për shkak të paaftësisë së tyre qeverisëse. Të dytët për shkak të deficitit të madh në kulturën e ambientit të pastër.

Me 1908, rrafsh 114 vjet më parë, kur mikja e madhe e shqiptarëve, Edith Durham, po hynte në Prishtinë, gjërat e para që i ranë në sy i shënoi më pas në librin e saj: Prishtina ishte një qytet shumë i ndotur, gjysmë i rrënuar dhe rrugëve të zinte frymën era e keqe.

Sikur të mundeshim të flisnim sot me të, Durham do të kuptonte se gjendja e Prishtinës, sa i përket ambientit, nuk ka ndryshuar shumë nga koha e udhëtimit të saj.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok