22/12/2024

1 Qershori, fëmijët e të gjitha moshave kërkojnë që këtë ditë të jenë të lumtur

0
Albert-Zholi

Rreth 94% e fëmijëve në Shqipëri mendojnë se qeveria duhet të bëjë më shumë për të ndihmuar fëmijët, që ndihen të përjashtuar për shkak të varfërisë.

– Afro 89% e fëmijëve të anketuar mendojnë se politikbërësit duhet të dëgjojnë mendimet e fëmijëve për çështje, që u përkasin atyre.

– Mbi 10 milionë fëmijë u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre vitin e kaluar (2023), për shkak të krizave të mëdha.

Nga Albert Z. ZHOLI

Sot është dita më e rëndësishme për fëmijët, 1 Qershori – Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve. Fëmijët janë e tashmja dhe e ardhmja e çdo shoqërie. Për ne si prindër, ata janë frymëzimi ynë dhe pasuria më e madhe që e kemi. Fëmijët janë e ardhmja jonë, dashuria me e madhe dhe shpresa e kësaj bote. Shpirti shërohet duke qëndruar me fëmijët. Janë ata urimi i çdo gjëje dhe lumturia më e madhe…Në 1 Qershor vëmendja e prindërve, shtetit dhe shoqërisë drejtohet tek fëmijët në drejtim të respektimit të të drejtave të tyre dhe rritjes të mirëqenies. Në këtë ditë fëmijët bëhen qendra e botës dhe aktiviteteve të shumta u kushtohen vetëm atyre. Vetë ata ngrenë zërin për të drejtat e tyre, por në ndryshim nga të rriturit, protesta e tyre bëhet me lojëra festive. Përveçse një ditë festive, 1 Qershori është edhe një ditë sensibilizimi për të ndaluar dhunën dhe abuzimin me fëmijët, sidomos angazhimin e tyre në punë kur janë ende të mitur. UNICEF që prej 1950, punon në 190 vende të botës me familjet, bashkësitë dhe qeveritë për të garantuar të drejtat e fëmijëve. Që prej 1989, shumë qeveri kanë adoptuar Konventën e OKB mbi të drejtat e fëmijëve, e cila garanton zbatimin dhe respektimin e të drejtave të barabarta për çdo fëmijë, me qëllim plotësimin e nevojave të tyre për mbijetesë, rritje, pjesëmarrje dhe përmbushjen e potencialit të tyre. Megjithatë, ende miliona fëmijë në botë janë prehë e dhunës, abuzimit dhe diskriminimit, dhe shumë të tjerëve nuk u garantohet  shëndeti, ushqimi, streha, shkollimi apo shfrytëzohen duke lypur apo punuar për të tjerë. Dita e fëmijëve u vendos në datën 1 Qershor, sepse në këtë datë është mbajtur Konferenca  Botërore e Mirëqenies së Fëmijëve në Gjenevë, në 1925. Dy vjet më pas Festa e 1 Qershorit filloi të festohet në të gjithë botën.

Një ditë sensibilizimi

Fëmijët e të gjitha moshave kërkojnë që këtë ditë të jenë të lumtur dhe ta festojnë së bashku me prindër. Kjo ditë është kthyer jo vetëm në një ditë festive, por edhe në një ditë sensibilizimi, për t’i thënë “jo!” dhunës dhe abuzimit ndaj fëmijëve. Është dita kur vetë fëmijët hapin mushkëritë për të thënë  të drejtat e tyre, por në ndryshim  nga të rriturit, protesta e tyre  bëhet me lojëra dhe festa. Në fakt 1 qershori e ka origjinën nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina. Dita e fëmijëve u vendos në datën 1 qershor, sepse në këtë datë është mbajtur Konferenca Botërore e Mirëqenies së Fëmijëve në Gjenevë,  në vitin 1925. Në të njëjtën ditë, koincidoi që konsulli i përgjithshëm kinez në San Francisko,  mblodhi së bashku një numër të konsiderueshëm fëmijësh  jetimë kinezë të celebronin në festivalin e “Anijes së Dragoit”.  Dy vjet më pas, Festa e 1 qershorit filloi të festohet në të gjithë botën. Në Shqipëri, Kosovë dhe mbarë botën, kjo ditë u kushtohet fëmijëve, me aktivitete të larmishme.  Shumë vende të botës e kanë pranuar atë si festën ndërkombëtare të fëmijëve dhe realizojnë festime,  të cilat kanë si qëllim të rrisin vëmendjen  në drejtim të mirëqenies  së tyre. Kjo ditë lumturon fëmijët dhe prindërit e tyre, kur shohin fëmijët me buzëqeshjen e tyre të ëmbël.

Studimi i organizatës “Save the Children” për problemet e fëmijëve shqiptarë

Organizata “Save the Children”, ka publikuar në vitin 2020, studimin “Zëri i të Rinjve në Shqipëri”, mbi shqetësimet që ata kanë për sot dhe të ardhmen e tyre. Nga studimi doli se, afro 58% e fëmijëve kanë parë fëmijë të dhunohen fizikisht, kurse 34% e fëmijëve kanë qenë viktima të bullizmit. Shumë vajza  në zonat urbane dhe ato rurale, rreth 40% e tyre, kanë rënë pre e bullizmit dhe janë ngacmuar dy herë më shumë se djemtë. Mbi 56% e fëmijëve mendojnë se strukturat përkatëse duhet të bëjnë më shumë për të eliminuar fenomenin e bullizimit. Rreth 87% e fëmijëve mendojnë se strukturat përkatëse duhet të bëjnë më shumë për të ndihmuar fëmijët, që dëmtojnë veten. Afro 90% e fëmijëve e konsiderojnë shumë të domosdoshëm praninë e psikologut/ punonjësit social në shkollë. Rreth 94% e fëmijëve mendojnë se qeveria duhet të bëjë më shumë për të ndihmuar fëmijët, që ndihen të përjashtuar për shkak të varfërisë, diskriminimit etnik apo aftësisë së kufizuar. Afro 89% e fëmijëve të anketuar mendojnë  se politikëbërësit  duhet të dëgjojnë mendimet  e fëmijëve për çështje që u përkasin atyre. Mbi 60% e fëmijëve deklarojnë, se ata nuk kanë patur aspak, ose pak mundësi,  për t’u dëgjuar nga politikbërësit dhe 81% e tyre, do të donin të kishin më shumë akses në vendimmarrje. Pothuaj 30% e tyre deklarojnë, se nuk kanë mundur të japin në shkollë mendimet e tyre për çështje që iu përkasin. Rreth 97% e fëmijëve, kanë informacion për të drejtat e fëmijëve;  89% e tyre kanë marrë këtë informacion nga shkolla. Por 39% e fëmijëve nuk dinë, ose janë të pasigurt, se ku mund të drejtohen kur ndihen të dhunuar, ose të trajtuar në mënyrë të padrejtë, ndërkohë që 10% e fëmijëve nuk ndihen të sigurt në shkollë. Mbi 25% e djemve në zonat rurale përballen me vështirësi financiare, të cilat i kanë penguar për të marrë pjesë në veprimtari shkollore dhe/ose jashtëshkollore gjatë vitit të fundit. Pothuajse gjysma e fëmijëve, 49,9% e tyre, ndihen pesimistë për një kohë të gjatë, ndërkohë që vetëm 45% e tyre janë optimistë për gjetjen e një pune pas përfundimit të shkollës. Afro 73% e fëmijëve raportojnë se ndihen të stresuar nga detyrat në shkollë dhe 75% e fëmijëve ndihen të stresuar nga rezultatet në shkollë.

Fëmijët në botë në vitin 2023

Mbi 10 milionë fëmijë u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre vitin e kaluar (2023), për shkak të krizave të mëdha. Kështu thotë organizata “Save the Children”, sipas të cilës në rang global fëmijët e zhvendosur janë mbi 50 milionë, kuota më e lartë dhe më se e dyfishuar që prej 2010-s. Krahas vlerësimit në fjalë, mbi 29 mijë fëmijë në ditë rezulton të jenë zhvendosur në territorin e vendit të tyre, ose janë larguar në një vend tjetër, me të miturit në Sudan dhe Somali që kryesojnë listën. Një zëdhënës i organizatës tha se, fëmijët e zhvendosur kanë gjasa të kenë parë me sytë e tyre dhunën ose shkatërrimin që asnjë i mitur nuk duhet të shohë. “Kur fëmijët humbasin shtëpitë e tyre, ata humbasin gjithçka; aksesin tek shëndetësia, arsimi, ushqimi dhe siguria”, ka deklaruar zëdhënësi. Në fund të 2023-shit, përpjesëtimi i popullsisë së zhvendosur brenda Gazës në vetëm 10 javë ishte një nga rekordet më të larta të regjistruara globalisht. Përmes shifrave të fundit, “Save the Children” nënvizon nevojën se fëmijët në mbarë botën kanë nevojë për mbështetje. Ata kanë nevojë për siguri, arsim, strehim, shëndetësi, një vend për të luajtur dhe një tjetër për të studiuar – thuhet në raportin e organizatës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok