22/12/2024

Ipeshkvinjtë Arbëreshë të Ungrës (Lungros)

0
u1_Giovanni-Mele

Nga Don Lush GJERGJI

Papa Benedikti XV më 13 shkurt 1919 me bullën e veçantë “Catholici fideles” e ka themeluar ipeshkvinë – eparkinë lindore të ritit grek – bizantin ,  duke i ndarë klerin dhe besimtarët nga ipeshkvijtë perëndimore italiane.

Arsyeja e këtij vendimi dhe themelimi është kjo: “Besimtarët katolikë të ritit grek, banorë të Epirit dhe të Shqipërisë, duke u larguar në një numër të madh nga sundimi turk, kanë emigruar në Italinë e afërt, ku janë pranuar me dashuri dhe janë vendosur në krahinën e Kalabrisë dhe të Sicilisë, duke ruajtur, siç është e drejtë, traditat dhe institucionet, ritin e Kishës së tyre, si dhe të gjitha ligjet tjera zakonore  që i kanë pranuar nga paraardhësit e tyre, dhe që gjatë shumë shekujve i kanë ruajtur me kujdes dhe dashuri…”

Bulla vazhdon kështu: “Shi për këtë Ne, me fuqi të plotë apostolike, vendosim që menjëherë të themelohet kanonikisht një ipeshkvi e ritit grek në Kalabri, me emërtim e selisë në Unga – Lungro, me katedralen e Shën Kollit nga Mira, ipeshkvin ordinar…”.

Ipeshkvinjtë Arbëreshë deri me sot

Imzot Giovanni MELE (1919 – 1979)

Giovanni Mele lindi në fshatin arbëresh Acquaformoza (Firmoza) më 19 tetor 1885. Ka studiuar në Cassano, më vonë në Kolegjin Grek në Romë. Gjatë viteve të rinisë dhe formimit meshtarak ishte mjaft i zellshëm, shumë i vëmendshëm dhe i vendosur për jetën e kushtuar Zotit, Kishës, njeriut.

Shugurohet meshtar më 7 qershor 1908. Gjatë viteve 1908 – 1913 ishte famullitar në Civita (Çifti), pastaj në Ungra (Lungro) në vitet 1913 – 1919.

Emrohet ipeshkëv – epark më 10 mars 1919. Gjatë shërbimit të tij të gjatë dhe besnik baritor, dallohej në zell, përkushtim dhe kujdes atëror.

Në qarkoren e tij të parë baritore ai kishte kërkuar prej klerit ndihmë dhe bashkëpunim për udhëheqjen sa më të mirë të eparkisë.

Në vitin 1922, pasi kishte vizituar të gjitha famullitë, shkroi “Letrën baritore”, ku kishte theksuar sidomos dy gjëra: ruajtjen dhe kultivimin e traditës dhe të ritit grek-bizantin (lindor) dhe gjuhën arbërishte – shqipe.

Në vitin 1925 ka filluar botimin e Fletushkës ipeshkvore të Ungrit. Më vonë, në vitin 1940, organizohet në Grottaferrata Sinodi ndërdioqezan, ipeshkvia e Ungrës,  Horës së Arbëreshëve (Piana degli Albanesi) në Sicili dhe  Abacia e Grottaferratës.

Imzon Giovanni Mele ishte pjesëmarrës aktiv në Koncilin e Dytë të Vatikanit. Atë Vinçenc Matrangola e kishte definuar si “Njeri të qëlluar të Provanisë së Zotit, i fesë së gjallë dhe të dashurisë së krishterë”.

Ai ishte edhe shkrimtar, poet, njeri i kulturës dhe krijimtarisë. Poezitë e tija janë të shkruara në gjuhën shqipe dhe italishte, si uratë, kërkim i Zotit, shërbim ndaj Kishës dhe njeriut, me plot fe dhe përkushtim.

Mbi të gjitha Imzot Giovanni Mele ishte njeri i thjesht dhe shumë i përvujtë. Në 80 vjetorin e lindjes së tij, ai ndër të tjera kishte thënë kështu: “Bëra atë që ma ka mundësuar dobësia ime dhe hiri i Zotit”.

Kaloi në amshim më 25 qershor 1979. Pasardhësi i tij, imzot Giovanni Stamati, në varrimin e Mons. Giovanni Mele tha:“Imzot Giovanni Mele ishte Njeri i Zotit, Kishës, popullit Arbëresh…, duke ndihmuar që me një zë dhe zemër të lavdërohet Hyji”.

Imzot Giovanni STAMATI (1979 – 1981)

Mons. Giovanni Stamati lindi në Plataci ( Pllatëni) më 9 qershor 1912. Përgatitjenpër meshtari dhe studimet i kreu në Grottaferrata dhe në Romë. Shugurohet meshtar më 2 maj 1935.

Së pari ishte famullitar i Firmos, duke dëshmuar aftësitë e tija njerëzore dhe të krishtera. Pastaj qe udhëheqës i rinisë katolike në eparkinë e Ungrës gjatë viteve 1936 – 1965. Në vitin 1949 emërohet edhe udhëheqësi apo kryeprift për katedralen e Ungrës, kurse në vitin 1965 edhe Vikar Gjeneral.

Më 25 mars 1967 Papa Pali VI e emëroi arqipeshkëv titullar dhe administrator apostolik “sede piena” të Ungrës. Shugurohet ipeshkëv më 29 qershor 1967.

Pas vdekjes së Imzot Giovanni Mele, emërohet ipeshkëv i Ungrës (Lungros).

Gjatë    tërë jetës dhe shërbimit të tij kishtar kishte disa synime bazë: vlerësimin dhe ruajtjen e trashëgimisë liturgjike bizantine (lindore), si dhe të vlerave gjuhësore dhe kulturore arbëreshe.

Në vitin 1968 e ka vendosur gjuhën shqipe, arbërishte, në liturgji, kuptohet, pas përgatitjeve dhe përkthimeve ndërdioqezane mes Horës Arbëreshe, Ungrit dhe Abacisë së Grottaferratës, me aprovim të Selisë Shenjte.

Sa i përket natyrës, ishte i butë dhe gjithmonë në mesin e popullit dhe me popullin, me klerin vëlla dhe babë, prijës dhe shërbyes besnik i Krishtit dhe Ungjillit,  Kishës vendore.

Vdiq pas shërbimit 52 vjeçar të meshtarisë, 19 vjeçar ipeshkvor, duke lënë gjurma të pashlyeshme në jetën e Kishës ndër Arbëreshë.

Imzot Ercole Lupinacci (1987 – 2010)

Mons. Ercole Lupinacci lindi në San Giorgio Albanese (Mbuzati) m 23 nëntor 1933.

Ai kishte studiuar në seminarin Benedikti XV në Grottaferrata dhe në Romë. Shugurohet meshtar më 22 nëntor 1959.

Gjatë viteve 1960 – 1963 ishte ndihmës në San Dimetrio Magalomartire (Shën Mitri). Në vitin 1963 emërohet famullitar në San Cosmo Albanese (Strihari), deri te emërimi ipeshkvor.

Papa Gjon Pali II e ka emëruar ipeshkëv të Horës së Arbëresheve (Piana degli Albanesi) në Sicili,  më 25 mars 1981; shugurohet ipeshkëv më 6 gusht 1981. E ka udhëhequr  këtë ipeshkvi (eparki) gjatë viteve 1981 – 1987.

Papa Gjon Pali II e transferoi në selinë ipeshkvore të Ungrës (Lungro) në Kalabri më 30 nëntor 1987. Më 17 janar 1988 e mori zyrtarisht udhëheqjen e kësaj selie ipeshkvore. Për arsye të moshës ka dhënë dorëheqje më 10 gusht 2010. Vdiq në San Cosmo Albanese (Strihari) më 6 gusht 2016, në 35 vjetorin e shugurimit ipeshkvor.

Imzot Ercole Lupinacci ishte shumë aktiv në dialogun ekumenik mes Kishës Katolike dhe Kishës Ortodokse. Duhet theksuar që Arbëreshët janë të vetmit në botë gjithnjë katolikë, pra me Papën dhe Kishën e Romës, por gjithnjë edhe lindorë apo bizantinë.

Mons. Ercole Lupinacci fliste rrjedhshëm gjuhën shqipe, italisht, greqishten e vjetër dhe të re, si dhe gjuhën frëngjishte.

Në kumtesën e Eparkisë së Ungrës për vdekjen e tij ndër të tjera shkruante: “Ka promovuar në mënyrë të thellë kulturën arbëreshe, liturgjinë dhe përshpirtërinë bizantine, dialogun ekumenik, dashurinë e ndritshme…”.

Synimi dhe qëllimi bazë i tij ishte ky: të jetë e pranishme dhe e gjallë pasuria kishtare lindore edhe në perëndim, por edhe të ruhet lashtësia dhe tradita kulturore dhe gjuhësore arbëreshe.

Ishte ipeshkëv i Horës Arbëreshe në Sicili gjatë viteve 1981 -1988, ndërsa i Ungrës (Lungros) gjatë viteve 1988 -2016.

Ai disa herë e ka vizituar Kosovën, së pari gjatë gushtit 1973, ku mori pjesë edhe në shugurimin dhe Meshën e Parë të Don Ndue Gjergjit, Don Aleksandër Kolës dhe Don Lush Gjergjit (11 dhe 12 gusht 1973).

Gjatë vizitave dhe  takimeve me Imzot Nikë Prelën, me klerin tonë, me shumë famulli dhe besimtarë, ishte gjithnjë i hareshëm dhe frymëzues, sidomos përkrahës i flakët i revistës fetare kulturore “DRITA” dhe botimeve tona.

Ai   ishte dhe mbetet urëlidhës e Kishës  Arbëreshe me Kishat në trojet tona. Ishte i deleguari i parë i Selisë së Shenjtë në Shqipëri, pas rrënimit të diktaturës komuniste ateiste shumëvjeçare, detyrë kjo që e kishte krye me shumë përkushtim dhe dashuri.

Para se të emërohej Donato Oliverio ipeshkëv i Ungrës (Lungros), gjatë viteve 2010 – 2012 administrator apostolik ishte Imzot Salvatore Nunnari.

Imzot Donato OLIVERIO (2012 – )

Imzot Donato Oliverio lindi në Cosenza më 5 mars 1956. Përgatitjen për jetën dhe shërbimin meshtarak e pati në Cosenza, më vonë në Grottaferrata dhe në Romë. Shugurohet meshtar në Ungrës (Lungro) më 17 tetor 1982.

Shërbeu në San Benedetto Ulano (Shën Benedhiti). Më vonë ishte përgjegjës për Zyrën katekistike deri në vitin 2003. Gjatë viteve 2003 – 2012 ishte koordinatori i Kurisë ipeshkvore.

Papa Benedikti XVI e ka emëruar ipeshkëv të Ungrës (Lungros),  më 12 maj 2012.

Mons. Donato Oliverio ka vazhduar bashkëpunimin me Kishën Katolike në Shqipëri dhe në Kosovë. Ka organizuar festime për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe ka vizituar Shqipërinë dhe Kishën katolike në këto hapësira. Ai  ka marrë pjesë  po ashtu edhe në 100 vjetorin e lindjes së Shën Nënës Tereze në Prishtinë.

Është njeri i hapur dhe dinamik, me plotë gjallëri dhe vullnet për punë, shërbim dhe dëshmi për jetën e krishterë, promovues për bashkëpunim vëllazëror ndërmjet Kishave dhe Shteteve tona.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok