24/12/2024

Fjalë Gruaje për 8 Marsin

0
u1_Rovena-Xhori5

Rovena Xhori shumë-planshmëria e femrës sot

Intervistë nga Armela Hysi

Shumë zhurmë … shekspirjane, a jo, kush jam unë që ta “emërtoj”… u dëgjua këto ditë për Samitin e Dytë të Diasporës, (ndonëse e vërteta është që kryesisht mjaft nga ata që e preferuan mbetën shumë fare të kënaqur, në qe ky dhe qëllimi i Samitit, padyshim). Po në fakt diaspora, e hershme, a e viteve të fundit, vërtetë ka një zë të respektueshëm dhe një dinamizëm ambiciozë, që shumicën e rasteve jo vetëm punon me hapa cilësor e të frytshëm për gjithë shqiptarët dhe vetë Shqipërinë, por dhe duke mos marrë asnjë shpërblim, madje jo rrallë as atë moral, me gjithë sakrificat e mëdha e të shumëplanëshe. Por ky shkrim nuk është një shkrim ankese, as kjo parathënie nuk ka të bëjë me apel kritik, është një rast për njohjen me një femër dinamike, aktiviste, nënë e dashur, grua dhe familjare energjike, e afërt me artin dhe letërsinë, veçanërisht në rolin e integrimit të tyre në jetën e komunitetit shqiptar në Greqi e vetë komunitetit në jetën e përditshme me vendasit e marrëdhënies së dy vendeve e më gjerë. Quhet Rovena Xhori, nënë e re dhe grua simpatike, aktiviste e zellshme e e papërtuar, që në datën e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, e gjej një simbolikë të bukur, t’ua prezantoj. Kur u ndesha për herë të parë me prezencën e saj, pa u njohur ende personalisht me të, një e afërta e mikja ime e njohur në emigracion Brikena, që zuri të ma paraqes, tek e pyeta, më tha tekstualisht: “Rovena?! Rovena është një nga ata njerëz kaq të çiltër që si fillim kur takohesh me të, të ngre nervat me optimizmin e saj, e pastaj të bënë dhe ty pak nga pak t’i ngjash.”

Në këtë 8 mars ku civilizimi ende nuk mund të shoh aspak në sy vitin e pak-nisur e shumë zezuar 2019, pa u skuqur nga turpi për kuptimin e vërtetë të lirisë e të drejtave të gruas; krimit, kryesisht drejtuar femrës në familje e shoqëri, kemi të gjithë nevojë për ca më shumë fryte e optimizëm.

Urime të gjitha grave – 8 marsi qoftë një ditë për më shumë reflektim të gjithë planshëm, nga të gjithë!

Përshëndetje Rovena! Faleminderit shumë për ftesën time për t’u njohur pak me personalitetin dhe aktivitetin tënd!

Rovena : Me nderon ftesa jote Armela dhe ndihem e vlerësuar që më jepet rasti të shkëmbej dy fjalë e mendime me një intelektuale dhe mjeshtre të fjalës së shkruar. Të falenderoj që mundem pikërisht sot për këtë dite, te shpreh edhe unë pikëpamjet e mia për festën ikonë të 8 Marsit dhe gruan sot në 2019! Për veten do përmendja ato që zënë dhe më shumë vend në jetën time të përditshme: Familjen dhe tim bir padyshim që tashmë është nxënës në klasën e parë dhe kërkon vëmendje absolute, punën time të përditshme këtu e 14 vite në zyrat e një kompanie ndërtimore dhe angazhimin tim vullnetar si Sekretare Organizative në Federatën e Shoqatave Shqiptare në Greqi me çdo gjë që kjo përfshin në lidhje me komunitetin shqiptar këtu. Qesha vërtet me përshkrimin që më paska bërë Brikena Qama dhe ndihem pikërisht kështu, optimiste dhe gati për të përcjell pozitivitet. Të gjithë e kemi nevojë në periudha të caktuara mendoj.

Rovena, njeriu i metropolit sot, apo ndoshta përgjithësisht i shoqërisë, është një personifikim i shumë roleve dhe cilësive; por mendoj se e përfaqësuar në shoqëri, gruaja është ajo që ka sot një kompetencë më të madhe përgjegjësish që kërkon dhe konkretizim të gjithanshëm të tyre. Në këtë kuadër, cili mendon ti është prezantimi yt më i përshtatshëm?

Rovena: Çdo njeri sot “gatuhet” nga shoqëria për të qenë një puzzle i ndërlikuar, shumë herë i tredhur nga mundësia për të ecur kundra rrymës dhe i duhet me mund të plotësojë të gjitha copëzat për tu konsideruar i realizuar dhe për tu ndier i tillë. Kështu na trajnon media dhe sistemi. Kjo për mua është një temë e gjerë dhe e gjatë sa deti të cilën mund ta prekim me kënaqësi një herë tjetër. Si grua unë nuk bëj asgjë me tepër se shumica e grave sot, madje në lidhje me shtëpinë mbase bëj edhe më pak. Atë kohën e televizorit, apo të shtëpisë, mundohem t’ia dedikoj të tjerëve. Ndihem më mirë kështu. Armela, nëse ne si gra nuk e “shfrytëzojmë” dot për mirë të drejtën, lirinë e fjalës që kemi sot, profesionet tona, mundësinë për të ndikuar pozitivisht në jetën e dikujt tjetër, atëherë për mua frymojmë kot. Jeta nuk fillon dhe mbaron tek egoizmi për sukses personal që na ka kapluar dhe shtëpia nuk mbaron tek caku i derës. Humanizmi, komuniteti dhe shoqëria, janë fjalë me kuptime shumë më të gjera se kaq.

Do përmend tani një rol që për ne shqiptarët është i shenjtë. Si është për ty të jesh mëmë?

Rovena: Impenjim dhe merak i përhershëm, si për çdo nënë besoj. Ardhja e tim biri në jetë më ka bërë më pak egoiste e më shumë të përkushtuar tek fëmijët përgjithësisht. E besoj me gjithë shpirt që fëmijët janë e ardhmja dhe çdo investim mbi ta është plotësisht i vlefshëm. Jam nga ato nëna që “mësimet” që i jap fëmijës tim, preferoj të jenë më shumë me shembuj e më pak me fjalë. Në zbatim të kësaj, e marr me vete në aktivitete ku ndodhem, bëjmë eksplorime të natyrës dhe jetës bashkë sidomos gjatë fundjavës dhe përpiqem që veç arsimimit, të zhvilloj tek ai kuptimin e njeriut të drejtë dhe të kohës.

Një emigrante, nënë dhe familjare, siç je ti, ka më tepër rëndesë e preokupacion për të përditshmen, për evolimin si personalitet, si profesionist etj. se një vendas, (s’ka rëndësi gjinia) apo një shqiptar në vendlindjen e vet?

Rovena: Padyshim! Është e vërtetë që gjërat shkojnë më mirë se para 29 viteve kur nisi emigracioni modern për ne dhe situata ka përmirësim të ndjeshëm, por ende është e gjatë rruga për integrimin e plotë të emigrantit në Greqi. Flasim dhe insistojmë për integrim dhe jo asimilim. Kur më jepet mundësia të shprehem për këtë temë kaq të rëndësishme, dua të përfitoj nga rasti për tu bërë zëri i të tjerëve. Në fakt mund të them që gjinia loz rolin e vet këtu, pasi vitet e fundit të krizës gruaja emigrante ka marrë mbi supe në shkallë të madhe edhe peshën ekonomike të familjes, pasi shumë burra mbetën pa punë. Të mos harrojmë se pas punës sfilitse për shumicën prej tyre, një tjetër “punë” fillon në shtëpi me mësimet e fëmijëve, angazhimet e tyre jashtëshkollore dhe çdo detyrim tjetër familjar. Shqiptari në vendlindje e vuan evolimin kryesisht në mungesë të dhënies se shansit profesional, të asaj që themi “pa mik”. Evolimi i personalitetit vjen si rrjedhojë e disa proceseve bazë dhe për emigrantin këto procese janë më të ngadalta, më të dhimbshme e në shumë raste deri dhe të pamundura. Profesionisti emigrant është ende i paragjykuar dhe i duhet të luftojë shumë më tepër se vendasi së pari për të mësuar dhe kultivuar gjuhën dhe zakonet e vendasve dhe së dyti në shumë raste për të dhënë prova që nuk është “elefant”, siç thonë dhe në gjuhën greke miqtë tanë. Ka mbizotëruar ajo ideja që shqiptar në Greqi= punëtor krahu/ ndërtim/ bojaxhi dhe shqiptare në Greqi = pastruese/ dado fëmijësh dhe përkujdesje për të moshuarit. Jo zotëri! Po, shqiptarët janë të gjitha këto dhe ne ju falënderojmë shumë që na besoni shtëpitë, fëmijët dhe shëndetin e të moshuarve tuaj, por mund të jemi edhe gjumë gjëra të tjera. Jemi të arsimuar, të ligjshëm, kemi mësuar gjuhën, respektojmë traditat dhe vendin ku jetojmë dhe jemi në gjendje të bëjmë çdo lloj pune sado profesionalizëm që ajo kërkon. Ne nuk duam të na jepet një mundësi me tepër ngaqë jemi një pjese e vuajtur e shoqërisë greke, por kërkojmë të mos privohemi nga ato për shkak te statutit “emigrant” dhe në këtë drejtim do punojmë të palodhur.

Si aktiviste në emigracion jeni munduar ta vini re, por dhe të reagoni ndaj kësaj peshe dhe si?

Rovena: Reagimi duhet të fillojë në radhë të parë nga vetja, individi. Arma më e mirë për të luftuar çdo lloj diskriminimi është arsimimi dhe veprat. Pranë Federatës së Shoqatave Shqiptare, përveç mësimeve të gjuhës shqipe nga mësues të Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi, zhvillohen falas me mësues të kualifikuar edhe mësime të gjuhës greke dhe angleze për të gjithë të interesuarit. Gjithashtu janë kryer edhe seminare cilësore për kualifikim profesional në fushën e biznesit dhe se shpejti do realizohen edhe te tjera.

Mendon se duhet bërë diçka më shumë dhe nga kush?

Rovena: Gjithmonë ka vend për më shumë. Nga të gjithë! Përtej ankesave dhe vërejtjeve, do i lutesha të gjithë atyre që kanë ide dhe vizion për evolimin e komunitetit tonë këtu, të na kontaktojnë dhe i sigurojmë se dera dhe veshët do të jenë përherë të hapura.

Rovena, të pëlqen arti dhe libri, ke pasur dhe përzgjedhje të tuat në lidhje me të dhe përherë të shoh prezent në promovimet e librave të shumtë, a aktiviteteve të tjera artistike të komunitetit tonë. Mendon se i shërben arti njeriut dhe komunitetit shqiptar, dhe si kjo ndërthurje, do ishte më rezultative?

Rovena: Arti është ilaçi i shpirtit dhe emigranti shqiptar nuk duhet të bëjë përjashtim nga kjo. Kujt nuk i pëlqen një libër i bukur, një pikturë e realizuar apo një këngë që të udhëton në kohë? Sot që flasim, ekzistojnë disa organizma letrar dhe artistik shqiptar në Greqi, dy prej të cilave aderojnë edhe në F.Sh.Sh.G. Kam shumë miq e mikesha që shprehen nëpërmjet fjalës së shkruar dhe pikturës apo skulpturës dhe e vërteta është që duke u njohur me ta, jam bërë edhe unë më e dhënë pas artit. Aktivitete artistike zhvillohen shumë dhe duhet të zhvillohen edhe më shumë. Çdo përpjekje për të mbajtur lart estetikën artistike në emigracion duhet mbështetur dhe duartrokitur.

Si letrare më intereson veçanërisht një nga aktivitetet e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi që përveç se shpresojmë të bëhet një traditë, keni dhe ju diçka më shumë për të thënë, përderisa edicioni i dytë i Panairit të Librit në Athinë, mbante vulën tuaj të menaxhimit.

Rovena: Aktiviteti i “Panairit të librave të autorëve shqiptarë në Greqi” ishte hera e dytë që zhvillohej nga Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi dhe vjet pata fatin të jem një nga organizatorët bazë të tij. Pjesëmarrja sa e autorëve, aq edhe e lexuesve dhe publikut të ardhur, më emocionoi shumë. E gjithë puna mujore para, por edhe pas aktivitetit, ia vlejti! Gjatë panairit 3 ditor, u zhvilluan edhe promovime librash, vizita të fëmijëve të klasave të gjuhës shqipe në Athinë, ekspozitë me piktura e vizatime të fëmijëve të komunitetit me temë Gjuhën Shqipe dhe gjithçka rrodhi mbushur me ndjesi pozitive dhe premisa të mira për vazhdimësinë e këtij aktiviteti, në mënyrë që të kthehet në një  traditë për komunitetin tonë këtu. Të them të drejtën, mendoj se do ishte mirë që ky aktivitet të zhvillohej nga shoqatat apo organizmat letrare të komunitetit, sigurisht duke u përkrahur dhe mbështetur nga F.Sh.Sh.G. dhe shpresojmë që kjo të arrihet së shpejti me mirëkuptimin dhe pjesëmarrjen e të gjithë autorëve te interesuar, pavarësisht a aderojnë apo jo në këto grupime.

Ç’ është për ty, përvojat e tua dhe familjes tënde, 8 Marsi? Po pikërisht 8 Marsi i sivjetshëm? Po përgjithësisht për Gruan në sytë e tu, është një ditë feste, apo një pikë kujtese; ballafaqim arritjesh, apo vëzhgim për sa s’është kryer ende e duhet bërë për gruan?

Rovena: Nëse flasim për gruan shqiptare 2018-a ishte një vit i zymtë, mbushur me vrasje dhe keqtrajtime të saj. 2019-a na gjen me kokën dhe zërin lart në kujtim të atyre grave qe u flijuan nga keqbërësit e tyre në emër të xhelozisë së sëmurë, dhe ndjesisë së “superioriteti” duke lënë sa e sa fëmijë jetimë e familjarë të tjerë me dhimbje të pangushëllueshme në shpirt. 8 Marsi ka qenë gjithmonë për mua homazh ndaj atyre grave që u përpoqën, që luftuan me diskriminimin gjinor, që janë shtylla e shoqërisë dhe e familjes sot. Nuk jam feministe në kuptimin e gruas që vë femrën kundra dhe mbi të gjithëve. Feministe mund të bëjë vetëm një misogjin. Një vlerësim i madh i takon këtu të gjithë atyre burrave që ndihmojnë në emacipimin e gruas sot, duke mos pasur komplekse inferioriteti dhe ndjerë cënim të burrërisë së tyre. E përmenda disi edhe më sipër, nëse me këto që kemi fituar sot, nuk bëjmë dot diçka në ndihmë të një gruaje tjetër që jeton më e persekutuar, më e privuar nga jeta se ne, ne nuk jemi të denja të themi që jemi gra të emancipuara dhe nuk e meritojmë këtë titull. Emancipimi është një luftë e përditshme dhe nuk vjen vetëm duke trokitur një gotë apo duke u takuar për kafe me shoqërinë e vjetër. Gruan sot e dëshiroj kryelartë, të aftë, të respektuar dhe të gjithë-përfshirë, modelin më të mirë për fëmijët që lindi dhe rrit.

Për kë do ruaje një urim në këtë 8 Mars?

Rovena: Uroj çdo grua që sot ecën kryelartë dhe krenare pavarësisht lodhjes dhe problemeve të shumta që has duke përfshirë këtu edhe mamanë time të vyer. Një urim special shkon për shoqet, mikeshat e mia me të cilat ndaj vizion të përbashkët. Janë për mua gëzim dhe burim i pashtershëm frymëzimi. Dëshiroj dhe uroj për to çdo arritje!

Të falenderoj nga zemra Rovena, për kohën dhe vëmendjen e të uroj ëndrra e qëllime të realizuara e suksese, sepse ndihmon kështu edhe në mbarëvajtjen e ëndrrave e qëllimeve të një perspektive më të gjerë, por dhe personalisht, shumë fat shëndet e të mira!

Rovena: Të falënderoj përzemërsisht edhe unë ty Armela. Gëzuar 8 Marsin!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok