22/12/2024

FJALA E HAPJES SË SEMINARIT ME RASTIN E 110-VJETORIT TË THEMELIMIT TË GAZETËS DIELLI, ORGAN I FEDERATËS MBARË SHQPITARE VATRA NË NJU JORK

0
Shkreli-Dielli

Nga Frank Shkreli

Honored guests and participants, good morning and welcome.  Mirë mengjesi.  Unë jam Frank Shkreli.  Kam nderin dhe privilegjin që me kolegen time, Rafaela Prifti të drejtojmë ketë seminar.  Mirë se keni ardhë në këtë konferencë historike për të shënuar 110-vjetorin e themelimit të gazetës Dielli, organ i Federatës Mbarë-Shqiptare, Vatra.

Ky përvjetor shënon një ngjarje me rëndësi, jo vetëm për Federatën Vatra dhe për komunitetin shqiptaro-amerikan, por edhe për historinë e Shqipërisë dhe të Kombit shqiptar në përgjithësi, e sidomos për historinë e shtypit shqiptar dhe të fjalës së lirë, ashtu siç është ushtruar nga gazeta Dielli, për 110 vjetë të ekzistencës së saj.

Në përputhje me veprimtarinë e Vatrës gjatë dekadave, ashtu edhe organi i saj Dielli, historikisht, është i lidhur ngusht me fatet e Kombit Shqiptar, në vijimësi ç’prej fillimit e deri në ditët tona.  Është kjo një histori dhe trashëgimi që na bën të gjithëve krenarë!

Sot do të njihemi më mirë me kontributin dhe veprimtarinë gazetareske dhe patriotike 110-vjeçare të gazetës Dielli, në veçanti, dhe të Federatës Pan-Shqiptare Vatra dhe vatranëve të breznive të ndryshme, në përgjithësi.

Kemi nderin që në mesin tonë të kemi sot dijetarë, historianë, studiues e gjurmues me kompetencë dhe përvojë shkencore, të cilët do të flasin për Diellin e Shqiptarëve dhe për kontributin historik që ka dhënë dhe vazhdon të japë ky organ mediatik në fushën e publicistikës mbarëshqiptare.  Jam i bindur se nuk do të zhgënjeheni!

Duhet të jetë gjithashtu, për të gjithë ne, edhe një ditë reflektimi ndaj historisë tonë këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të gjithë ata pjesëtarë të komunitetit tonë këtu në Amerikë, që ndoshta nuk e njohin mirë historinë e Diellit të Amerikës dhe të Vatrës — të Fan Nolit e të Faik Konicës.

Dëshirojmë të jetë gjithashtu një ditë reflektimi edhe për udhëheqsit e dy shteteve të shqiptare dhe të medias –në Shqipëri dhe në Kosovë – të cilët duket se e kanë harruar rolin që ka luajtur, historikisht, gazeta Dielli si organ i Federatës Pan-Shqiptare VATRA në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo dhe gjithëherë, si dhe në mbështetje të ushtrimit të fjalës së lirë për të gjithë shqiptarët, anë e mbanë trojeve të tyre.

Është gjithashtu edhe një detyrë morale dhe përgjegjësi civile për ne, që sot tu shprehim gjithashtu nderimet dhe mirënjohjet tona më të thella para-ardhësve tanë, të cilët – shpesh nën rrethana të vështira ekonomike dhe politike — patën vizionin dhe guximin që në momentet më kritike të historisë së shqiptarëve, të bashkoheshin rreth Vatrës dhe Diellit dhe të vepronin – pikërisht nepërmjet Vatrës dhe Diellit — në mbrojtje të interesave të Shqipërisë dhe të drejtave të Kombit shqiptar, bazuar në të vërtetat historike.

Emërat e tyre më të njohur – përfshirë Peshkop Fan Nolin dhe Faik Konicën — do t’i dëgjoni në vazhdim të kumtesave të folësve të nderuar – por pa përjashtuar qindra e qindra vullnetarë të tjerë gjatë dekadave, krye-redaktorë të Diellit, antarë dhe udhëheqës të Vatrës – përfshirë edhe udhëheqjen aktuale të Federatës Pan-Shqiptare dhe të gazetës Dielli, veprimtaria e të cilëve do të jehojë lartë në qiellët e patriotizmit shqiptar.  Dëshiroj që me këtë rast të falënderoj folësit dhe pjesëmarrësit e ardhur nga komunitetet dhe degët e Vatrës, anë e mbanë Shteteve të Bashkuara dhe madje edhe pjesëmarrës nga Evropa. Shumë prej tyre kanë qenë dhe janë bashkpunues të Gazetës Dielli. Të gjithëve u jemi mirënjohës që iu përgjigjët pozitivisht thirrjes së Vatrës për të marrë pjesë në këtë 110-vjetor historik të gazetës Dielli.

Historikisht, Federata VATRA dhe orgnai i saj Dielli, për 110-vjet tani vazhdojnë të luajnë rolin e udhëheqsit të veprimtarisë patriotike dhe kulturore në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan në përgjithësi dhe kultivimit dhe mbështetjes së marrëdhënieve dhe të miqësisë shqiptaro-amerikane, në veçanti.

Vatra dhe Dielli zënë një vend vërtetë të rëndësishëm dhe të pazevendsueshëm në historinë e Kombit shqiptar — sepse roli i Vatrës dhe i komunitetit shqiptaro-amerikan ishte dhe mbetet një faktor vendimtar për fatet e Shqipërisë, të Kosovës dhe të Kombit shqiptar në terësi.  Nuk besoj të ketë një rast tjetër në botë, ku një organizatë mërgimtarësh  të cilitdo qoftë grup etnik në Amerikë ose kudo tjetër në botë, të ketë luajtur rolin kyç dhe të ketë qenë një faktor aq i rëndësishëm, sa ç’ishin Vatra dhe Dielli në themelimin e shtetit shqiptar dhe në mbrojtjen e interesave të Kombit shqiptar dhe trojeve të tija, ç’prej fillimit të shekullit të kaluar.  Jemi krenarë që në frymën e Federatës Mbarë-shqiptare Vatra, këtu sot kemi përfaqsues nga të gjitha trevat shqiptare në Ballkan dhe nga diaspora.

Urimet më të sinqerta edhe për 100-vjet të tjera Gazetës Dielli dhe Federatës Pan-Shqiptare Vatra!  Ashtuqë veprimtaria e tyre dhe e brezit të ri të shqiptaro-amerikanëve që do t’i drejtojë ato sot dhe nesër, të vazhdojë të jetë në lartësinë e vlerave, të interesave të Kombit dhe të misjonit të tyre historik, në këtë vend demokratik që na ka pranuar me krah hapur dhe nga i cili –ashtu si 110-vjet më parë — edhe sot varet fati Shqiptarëve.

Mirë se keni ardhur dhe punë të mbarë në këtë seminar kushtuar 110-vjetorit të Gazetës Dielli, organit të Federatës Mbarë Shqiptare Vatra!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok