22/12/2024

“DIMRI I GJATË I VITIT 1945” – NË KUJTIM TË MASAKRËS SË TIVARIT

0
u1_Anna-Di-Lellio-Dardan-Luta

Nga Frank Shkreli

Ditët e fundit në Prishtinë u promovua libri “Dimri i Gjatë i Vitit 1945” i autorëve Anna Di Lellio dhe Dardan Luta, njofton Zëri i Amerikës nga kryeqyteti i Kosovës, në përvjetorin e Masakrës së Tivarit, me 24 Mars. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Edlira Bllaca citon autorët e librit, të cilët janë shprehur për Zërin e Amerikës, se libri paraqet një përpjekje për të ndriçuar një prej ngjarjeve më tragjike në fund të Luftës së Dytë Botërore, atë që njihet si Masakra e Tivarit, ku forcat sllave, serbo-malazeze, kanë vrarë një numër të madh shqiptarësh nga Kosova.

E vërteta mbi Masakrën e Tivarit vazhdon të mos njihet zyrtarisht, megjithë  dokumentat e mjaftueshme që ekzistojnë, përfshirë pjesëmarrjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, në atë masakër.  Sipas historianit Uran Butka, masakrën e ka projektuar dhe realizuar shteti komunist jugosllav. Por sipas dokumentave autentikë që ka zbuluar historiani Butka, serbo-malazezët sllavë, në këtë krim masiv, kishin edhe ndihmën e regjimit komunist të Shqipërisë.  Por deri sot, as Shqipëria, as Kosova, zyrtarisht, nuk përmendin këtë tragjedi dhe masakër përmasash ballkanike, lere më që të marrin ndonjë përgjegjësi, sipas autorit të librit, “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar”, të historianit Uran Butka.

Libri “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar” i historianit Uran Butka, është një kontribut tjetër i rëndësishëm i tij në fushën e botimeve historike. Historiani Butka, thotë se është ana njerëzore si një homazh, për ata të rënë, për ata njerëz që kanë luftuar për Kosovën dhe për Shqipërinë dhe në asnjë rrjesht të historisë së Kosovës nuk përmenden.

Libri “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar” i historianit Uran Butka, është një kontribut tjetër i rëndësishëm i tij në fushën e botimeve historike. Historiani Butka, thotë se është ana njerëzore si një homazh, për ata të rënë, për ata njerëz që kanë luftuar për Kosovën dhe për Shqipërinë që të kujtohen, që të zbardhet e vërteta etragjedisë së tyre, ndërkohë që edhe në asnjë rrjesht të historisë së Kosovës nuk përmenden.

Në mungesë të hulumtimeve nga institucionet akademike shqiptare dhe të mos vullnetit zyrtar politik të Shqipërisë dhe Kosovës këto 30-vjet post-komunizëm, për të zbuluar të vërtetën mbi këtë ngjarje të rëndë në historinë e Kombit Shqiptar, është e vështirë të përcaktohet se sa shqiptarë u vranë me atë rast, por shifrat sipas disa burimeve mund të shkojnë nga 1800 deri në 4000 të rinjë shqiptarë nga Kosova.

Ndërkaq, libri i autores Anna Di Lellio, sociologës italiane që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bashkautorit Dardan Luta libri, është një histori e ilustruar e asaj masakre, histori e cila është varrosur thellë në arkiva, e shtypur, e neglizhuar apo e manipuluar nga historianët komunistë, gjithmonë e heshtur, ndonëse kurrë e harruar.  Autorët thonë se e tregojmë këtë rrëfim përmes zërit të Shaban Pajazitit dhe rekrutëve të tjerë nga Çubreli (Skënderaj), të cilët mbijetuan për t’i treguar historitë e tyre. Burimet arkivore dhe të shkruara japin dëshmi dokumentuese shtesë të rëndësishme, por kontestuese dhe janë një përkujtues i qartë se historia zyrtare nuk është kurrë e plotë pa dëshmitë e pjesëmarrësve.

Falënderojmë Zotin që shqiptarë si Shaban Pajaziti dhe të tjerë që i mbijetuan asaj tragjedie — që mbijetuan “për të tregue”, ashtu si edhe At Zef Pllumi që mbijetoi tragjedinë komuniste e që e përshkruan nëlibrin, “Rrno vetëm për me tregue”.  Në të vërtetë, në librin e Zef Pllumit, i referohet edhe tragjedisë së mijëra shqiptarëve nga Kosova të masakruar në Tivar.  Ai kujton kolonën e shqiptarëve nga Kosova, që ai me disa shokë të tij kishin parë afër Shkodrës, në udhëtim e sipër për në Tivar në mars/prill 1945.  Kështu e përshkruan At Zefi këtë episod tragjik në librin, “Rrno vetëm për me tregue”.

“Mbas lutjeve në Shejtnore, për me kthye në qytet vazhduem rrugën mbas kalaje, kah kodrat e Tepes e Ajazma.  Në atë kthesë rruge pamë që po vinte nji varg i gjatë i pafund ushtarakësh. Rruga gjarpënonte brijave të atyne kodrave: të gjitha dredhat e leget e sajë ishin plot me atë uniformë të urrejtun.   Na hini frigë e madhe dhe u shmangëm mbi rrugë e u ulem si për pushim, tue mendue se ç’e zezë e madhe po i kërcnohej Shkodrës nga nji tjetër valë brigadash partizane. Kur u avitën, pothuej si në parakalim para nesh: Shka me pa!  Vetem Komandanti që printe i ndjekun nga katërshja e parë, ishin të armatosun: të gjithë tjerët, djelm të gjatë e të thatë, pa bark, si të remtë e me zigoma të theksueme mbi faqe, të lodhun, të raskapitun, me uniformat zhele të shkopsituna, pa armë, që mezi i lëvizshin kambët prej lodhjes, kalojshin të rreshtuem katër e katër, para nesh.  Mbetëm shtang: ç’ishte kjo ushtri!..Këta mezi mbaheshin në kambë! Largas, anash rreshtit, kishin roje të armatosuna që bërtitshin me kërcnim: “Lëviz, luaj këmbët!”.

Ndërkaq, njani prej tyne pat guxim para vdekjes dhe na foli: “Per iza të Zotit a keni nji copë bukë!”. A keni nji copë bukë?!  O sa tmerr!  As na nuk kishim nji copë bukë: racioni për secilin ishte 300 gram. Edhe na ishim të unshëm. Gjithë popullsia ishte unshëm.  Shka të bajshim tashti? “Për iza të Zotit ma jepni nji copë bukë! Për iza të Zotit na jepni nji copë bukë!” Prej të gjithëve filloi të ndigjohej vetëm kjo fjalë që kalonte, kalonte… Kalonte në humnerë… Ato ushtojshin ndër veshë tonë njisoj si ato krismat e nji çekani që rreh gozhdat e arkivolit në bregun e vorrit.

-Prej kah vini ju? — Prej Kosove!  Tash nji javë ditë që ecim pa pushue, pa bukë!… Kemi kalue gjithë ato male, male.  A ishi të Xhaferr Devës? – i pvetem.  Jo, jo. Na jena e zeza e vedit.

Unë kam pa ushtrinë e thyeme të Jugosllavisë së Kralit tue hi në Shkoder ne prill te 1941, e lodhun, e untë, e raskapitun, e shkopsitun.  Nuk ka pamje ma të keqe se atë të nji ushtrise se thyeme.  Por jo! Tash nuk mund bahej kurrfarë krahasimi me parakalimin e nji ushtrie të tillë:  Këtu ishte vetem nji vargan i gjatë, i gjatë pa mbarim i atyne skeletesh të djelmoçave të rij kosovarë që të rrethuem nga dhuna, ecshin drejt kujt?

Mbasi kaluen ata, na zbritëm përsëri në rrugë.  Por tue kenë se parakalimi i të mjeruemve na kishte marrë shumë kohë, ateherë u kthyem. Hypem te Ura e Qafës dhe nepër rrugen ma te shkurte menduem me shkue ne Kuvend.  Zbritëm poshtë Pazarit të vjetër e duelem në rrugën në breg të liqenit. Prej aty na u çfaq gjithnji ai vargan i gjatë i të mjeruemve që po kalonte mbi Urën e Buenës. Gjermanët, ures i kishin hjekë nji pjesë, pa i prishë ndonji kambë.  Partizanët e kishin meremetue përkohsisht me disa trene e drrasa ku mund kalojshin krahas deri në tre-katër kambësorë. Nuk mund u kthyem në qytet pa sjellë kryet e me kundrue edhe nji herë at kob të zi.  Në horizont të përendimit, qielli ishte i përgjakun: gjithshka shifej kjartë.  Vargani mbi lire ecte i mendueshem dhe rryetas. Ndoshta u dukej se po kalonin mbi urë të Siratit — ura e fundit që lidh botën e gjallë me atë të përtejme.

Ishim në mitologji apo në realitet? …

Mbas disa ditësh në Shkodër u hap fjala vesh në vesh se dikund afër Ulqinit, partizanët kishin vra te gjithe rininë kosovare. O Zot po të lutem më trego: çfarë mekati ka ba ky popull qe meritoi nji dënim kaq të randë?   (Marrë nga libri i At Zef Pllumit, “Rrno vetëm për me tregue”)

Libri “Dimri i Gjatë i Vitit 1945”, i autorëve Anna Di Lellio dhe Dardan Luta, si dhe libri i historianit Uran Butka, “Masakra e Tivarit dhe Përgjegjësia e Shtetit Shqiptar” dhe kujtimet e At Zef Pllumit, “Rrno vetëm për me tregue”, janë kontribute të mëdha dhe të rëndësishme në fushën e botimeve historike, dëshmi që sado pak zbardhin të vëtetën mbi krimet komuniste në trojet shqiptare.  Të gjithë ne kemi nevojë për këto dëshmi e rrëfime dhe jo vetëm t’i kujtojmë në përvjetorët e masakrave të tilla, si ajo e Tivarit.  Siç thotë edhe Ismail Kadare në parathënien e veprës së At Zef Pllumit“Rrno vetëm për me tregue” — “Gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë  për këtë vepër.  Kanë nevojë për të ata që kanë jetuar atë kohë, e po aq, në mos më shumë, ata që nuk e kanë jetuar.   Kanë nevojë të shtypurit, e të nepërkëmburit, e po aq, në mos më tepër, ata që shtypën të tjerët.  Kanë nevojë antikomunistët, e po aq, ndoshta më tepër, komunistët.  Shkurt, për të ka nevojë ndërgjegjja jonë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok