22/12/2024

Vepër e rëndësishme shkencore që pasuron  njohjen e leksikut e të frazeologjisë shqipe

0
Gjovalin-Shkurtaj-Fjalor

Nga Gjekë Gjonaj

Gjuhëtari i njohur,   akademiku, profesor doktor  Gjovalin Shkurtaj  u dhuroi shqiptarëve  edhe një vepër shkencore me titull “Fjalori leksiko-frazeologjik i Malësisë së Madhe”, njëra nga krahinat e  njohura për të folmen  e saj të vecantë dhe për pasurinë shumë të madhe leksikore, frazeologjike dhe etno-folklorike e sociolinguistike, që kanë tërhequr prej kohësh interesimin e studiuesve të ndryshëm e sidomos të dialektologëve, të historianëve të gjuhës shqipe dhe të etimologjisë së shqipes.  Autori këtë fjalor, siç pohon ai,  ia kushtoi me shumë përvujtëni  e nderim Malësisë  dhe malësorëve të tij.  Ai këtë  Fjalor  e mbaroi dhe e vendosi  ta shtyp  më datën 25 nëntor të vitit 2020 e që, për një rastësi të këndshme, është pikërisht tetëvjetori i dekorimit të Malësisë së Madhe me titullin “Nderi i Kombit” dhe i përurimit të shtatores së Dedë Gjo Lulit në Tiranë, në sheshin pranë Muzeut Historik Kombëtar. Kjo vepër u botua  pas 50 vitesh punë të autorit  nga Akademia e Shkencave  e Shqipërisë.

Në këtë fjalor, siç pohon autori në fjalën paraprijëse,  ka shumë mundim e lodhje, ka shumë fjalë e mënyra të thëni që besoj se do ta pasurojnë njohjen e leksikut e të frazeologjisë shqipe dhe, mbi të gjitha, ka shumë dashuri e adhurim për Malësinë e Madhe “Nderi i Kombit”. “Si bir modest e i përvujtë i saj, ashtu si emnaku i nderuar i anëve tona, Dom Gjoni i Bdek Buzukut, që pat thënë se e shkroi librin e tij “ën së dashunit botës sanë”, edhe unë, në krejt sa kam mbledhur, shkruar e botuar, para këtij Fjalori dhe në faqet e tij, kam shkuar sipas hullisë Buzukiane “deshta me u fëdigun, për sa mujta me ditun…” që e folmja, fjalët dhe urtësia e Malësisë sonë të Madhe të marrin shkëlzimin e njohjen që meritojnë, i bindur se shqipja jonë kaq e pasur, vazhdon të freskohet e pasurohet me burimet e pashtershme të dialekteve të saj. Le të jetë ky Fjalor simbol i pengut nderues dhe i dashurisë sime për Malësinë tonë të Madhe “Nderi i Kombit” e për bijtë e saj të lavdishëm që ka nxjerrë ai vis në rrjedhë të shekujve.”,  shkruan akademiku Shkurtaj, duke e mbyllur me një varg të këngës malësorçe, që thotë: “Kaq e dita, kaq e thaç, merrnje ju tijert, se jua laç”.

Për Fjalorin,ndonëse vepra sapo ka dalë nga shtypi, kanë shkruar recensione vlerësuese   disa albanologë dhe studiues  të  njohur nga Zvicra dhe mjaft studiues të kësaj fushë nga Shqipëria , Kosova, Zvicër…

Prof.Dr.Valter Memisha, leksikolog i njohur, shkruan: “Fjalori krijon mundësi të shumta për sipërmarrje studimore më të gjerë e më të plota (madje dhe në nivel doktoraturash) në fushën e fonetikes e të gramatikës dialektore, për studime sinkronike dhe ato diakronike, për studime etnolinguistike e etno-kulturore. Ai shërben si një burim i rëndësishëm për Fjalorin e madh normativ të shqipes, por edhe për fjalorin saj të ardhshëm “tesaurus”.

Vepra Fjalor leksiko-frazeologjik i Malësisë së Madhe, është një mesazh tjetër i fuqishëm, se në ligjërimet popullore, në gojën e popullit gjallon një pasuri e madhe gjuhësore veçanërisht leksikore e frazeologjike që duhet gjurmuar e regjistruar me kujdes dhe në mënyrë të studiuar e të planifikuar institucionalisht. Roli i kësaj pasurie, si burim i pashtershëm për leksikun e shqipes standarde është i pazëvendësueshëm dhe përcaktues për të ruajtur identitetin e kësaj gjuhe dhe karakterin e saj popullor.

Vepra synon të jetë pasqyruese e pasurisë së madhe leksikore e frazeologjike dhe etnolinguistike të një krahine kaq tipike të Shqipërisë veriperëndimore, po edhe të jetë si mbështetje për studime të ndryshme që mund të bëhen në të ardhshmen për krejt të folmet e shqipes ose edhe veçmas për sa nden kjo krahinë me hapësirat e fjalëve, kuptimeve dhe shprehjeve të qëndrueshme frazeologjike, si dhe me një sasi të madhe fjalësh e togfjalëshash kushtuar veglave muzikore, dokeve dhe praktikave të ndryshme etnofolklorike e etnolinguistike, të cilat, në fakt, e bëjnë këtë vepër edhe mjaft të veçantë në grupin e fjalorëve të shqipes. Kjo veçanti, duket si në vëllimin e fjalësit, ashtu në trajtimin leksikografik të fjalëve që përmban, në gjerësinë e strukturave kuptimore e të shpjegimeve të kuptimeve etj”.

Prof.dr.Tefë Topalli,gjuhtar i njohur nga Shkodra   këtë vepër e ka cilësuar  një pasuri të  madhe leksikore e frazeologjike dhe etnolinguistike të një krahine kaq tipike të Shqipërisë veriperëndimore.

Vepra “Fjalori leksiko-frazeologjik i Malësisë së Madhe” e autorit prof. dr. Gjovalin Shkurtaj, vjen si fryt i një pune shumëvjeçare. Fjalori ka në bazë pjesën e leksikut të botuar në monografitë e vetë autorit, po edhe krahasime e kundrime përqasëse me ato të botimeve të mëparshme, qysh nga Fjalori i Bashkimit, N. Gazullit, Fjalori i B. Demës etj., si dhe në një lëndë të gjerë etnofolklorike të Malësisë sonë të Madhe, një numër i madh fjalësh, kuptimesh dhe togfjalëshash të qëndrueshëm e frazeologjikë, shoqëruar edhe me fjalë të urta e mënyra të thëni të kësaj treve gjuhësore, duke synuar të bëjë një paraqitje sa më tërësore të asaj pasurie të madhe leksikore e frazeologjike të krahinës së Malësisë së Madhe. Në shpjegimin e fjalëve dhe në shembullzimet e tij, shpesh, autori u është referuar edhe fjalëve që i kishte përdorur Gjergj Fishta në poemën madhore “Lahuta e Malcis”, gjë që përbën, si të themi, ”një vlerë të shtuar” të këtij Fjalori. Përveç kësaj, duhet theksuar se në idiomën e të folmes së Malësisë së Madhe, është regjistruar edhe Eposi i Kreshnikëve, qysh para Luftës së Dytë Botërore, ku studiues të fushave të ndryshme filologjike, mund të ndërmarrin hulumtime ndërdisiplinore, nga fonetika, leksikologjia, morfologjia deri tek sintaksa e pasur në struktura fjalish, frazash a tekstesh gjuhësore.

Mendoj se “Fjalori leksiko-frazeologjik i Malësisë së Madhe”, si për nga vlerat mirëfilli studimore, ashtu edhe nga prurjet konkrete nga hulumtime të bëra në vendbanime të ndryshme të Malësisë, dhe në vendet e tjera ku janë shpërngulur malësorë, si Bregun e Matës, në Ishull të Lezhës e të Shëngjinit, në vetë qytetin e Lezhës dhe në pjesën e Malësisë që ka mbetur jashtë kufijve shtetërorë në Mal të Zi, meriton të botohet në kolanën e botimeve të Akademisë së Shkencave dhe përbën një ndihmesë me vlerë për kërkimet në lëmin e dialektologjisë dhe të sociolinguistikës shqiptare edhe në planin bashkëkohor, aq më tepër, duke marrë parasysh se autori i kësaj vepre gjuhësore, është folës i lindur i kësaj treve të pasur edhe në planin e gjuhës sonë, “ thekson Topalli.

Dr.Tonin Çobani   vë në dukjes se  “Sot kemi në tryezat tona të punës një Fjalorin leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik të Malësisë së Madhe të akademikut Gjovalin Shkurtaj që i ka kushtuar një jetë të tërë gjuhës shqipe, dialekteve të saj dhe veçanërisht të folmes së Malësisë së Madhe. Gjuha e kësaj krahine ka mbërritur deri në ditët tona si një e folme origjinale. Ajo është përdorur gjerësisht prej Gjergj Fishtës në të gjithë veprën e tij dhe veçanërisht te Lahuta e Malcis. Aq e vërtetë është kjo, sa  ka pasur fishtologë që kanë kërkuar kontaktet e Fishtës me leksikun e Mbishkodrës dhe të rrethinave të Lezhës”.

Për hartimin e këtij fjalësi dhe studimin e lëndës së vjelë, autori i këtij fjalori ka shfrytëzuar një numër të madh burimesh, mbi 240 vepra shkencore, letrare, publicistike etj., dhe mbi 90 autorë nga Malësia dhe shkrime kryesore për të, të dhëna këto të cilat janë pasqyruar në bibliografinë përkatëse të fjalorit.

Përurimi i këtij  fjalori me mbi  10 mijë fjalë, të cilat do të përfshihen në fjalorin e madh  të gjuhës shqipe  i cili pritet të përfundojë   vitin e ardhshëm , do të  jetë   më datën  22 prill  në Panairin e Librit, në sallën “Aleks Buda”  në Tiranë .

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok