18/11/2024

SHQIPËRIA PRODHUESE, DEMAGOGJI APO REALITET?…

0

NGA NDUE DEDAJ

A prodhon vendi ynë dhe çfarë? A ka Shqipëria një industri bashkëkohore? A jep prodhim bujqësia e blegtoria? A kemi vreshta mjaftueshëm? Çfarë përpunojmë nga prodhimet tona? Qumështin, frutat, perimet? A përfitojmë nga renta minerare, apo ajo përvetësohet hajdutçe? A thua edhe tash pas tridhjetë vitesh ekonomi tregu “industria” e vetme e jona është tregtia e thjeshtë, blej diku më lirë e shit diku tjetër më shtrenjt? Kjo është ekonomia? Futu në dyqan pasi aty është pasqyra e ekonomisë (mos)prodhuese. Vezë të ardhura nga jashtë. Mish pule, derri, gjedhi i ardhur nga jashtë. Djath i ardhur nga jashtë. Fruta të ardhura nga jashtë, nuk është fjala vetëm për frutat ekzotike, por dhe për mollët, që dikur na i mbushte plot tregtoret tona Korça dhe Dibra. Megjithatë, pse t’ia hamë hakun! Shqipëria jonë prodhon një mall pa vlerë, politikë pafund, për të mëdhenj e për të vegjël, nga të njëjtët “zejtarë” të saj, që ia kanë marrë aq mirë dorën shkatërrimit të çdo prodhimtarie tjetër. “Mallrat” që ka prodhuar politika janë të vjetër e të rinj, që nga piramidat 97 tek inceneratorët, në të dy rastet është në lojë paraja “politike”, diku si fajde e diku si vjedhje shtetërore. Nga ana tjetër, asgjë e re nuk do të ndodhë në zonën rurale, nëse ajo nuk çlirohet njëherë e mirë nga epidemia e saj, që është droga që lulëzon gjithandej, kudo ku ka një shteg të verbër në grykat e thella të maleve, duke shkatuar viktima në Dukagjin etj. Ka diçka parodike këtu, ndalohen çdo vit nga policia kryepleq të fshatrave, njerëzit më të papushtetshëm të këtij vendi, ndërkohë që, siç kanë vërejtur vetë titullarët e Ministrisë së Brendshme, pas çdo parcele canabis sativa fshihet një polic. Si mund të ketë prodhim në një vend ku kryeqyteti politik e mediatik, që është dhe “timonieri” i tij, nuk flet kurrë për prodhimin vendas. Shqiptarëve iu zihet fryma me politikë çdo mbrëmje, për gjera krejtësisht të panevojshme, si e stigmatizoi shefi i mazhorancës opozitën me batudat e radhës dhe si tre B-të e kësaj të fundit grindën çdo ditë mes tyre. Në cilën studio televizive qendrore u fol ndonjëherë për mbjelljet e pranverës e korrjet e vjeshtës, hapjen e kanaleve kulluese e plugimin e tokave, mbarështimin e pyjeve dhe agropërpunimin etj., apo këto për audiencën e sotme televizive të dhënë aq fort mbas shoëbizit janë gjëra “kooperativiste”?…

Nuk kemi një strategji kombëtare të prodhimit vendas

Të gjithë i duam prodhimet bio, por ato nuk bien nga qielli, bëhen përmes punës dhe prodhimit. Ne si qytetarë na intereson strategjia kombëtare në këtë fushë, ndërsa specifikat iu përkasin specialistëve, ekspertëve të ekonomisë etj. Po politika si orienton dhe mbështet sa i përket prodhimit vendas? Na duket se është gjëja më e munguar e fjalimeve elektorale. Prodhim vendas është gruri e vaji i ullirit, bulmeti e mishi, frutat e perimet, pijet dhe mjalti, uji i firmave të ndryshme, bimët mjekësore e kërpurdhat, produktet e dala nga agropërpunimi dhe gatimet vendase, veshjet e punimet artizanale, fasonëria, mobileria, energjia e mineralet. Spektri është shumë i gjërë, nëse do të rrokej i tëri. Ndër prodhimet shqiptare spikasin: rakia e rrushit e Skraparit dhe Përmetit, birra “Korça” e “Tirana”, vera “Arbëri” Mirditë, vera “Kallmeti” Lezhë, mishi i dhisë së Hasit e Dukatit, korani i Pogradecit dhe lloje të tjera të peshkut, djathi i Kelmendit, Sharrit e Labërisë, produktet blegtorale të “Zepa Natyral” Tiranë, jufka dibrane, uji i disa markave etj., vaj i ullirit i Borshit dhe Beratit, mjalti i gështenjës së Reçit dhe i Bedunicës, arra,  rrushi, boronica, mobiliet e “Ardenos” etj. Duket se në të ardhmen e afërt prodhimi më i bollshëm vendas do të jetë nafta e Shpiragut. Kryeministri po u thotë shqiptarëve se tash e mbrapa diçka e mirë do të ndodhë dhe me xhepat e tyre. Nuk është se pas kësaj do të hanë me lugë të florinjtë, por rrogat dhe pensionet do të kenë rritje, nafta në treg do të jetë me çmim më të lirë, ekonomia do të bëjë një hap përpara. Urojmë të ndodhë. Do të ishte rasti të shkruanim sagën e lumtur të Pilo Shpiragut. Ama, bash në fushat ku pritet të dalë nafta e re, e bollshme, kalbën çdo verë prodhimet e fermerëve. Si ka mundësi që të jemi kaq të afërt me nëntokën dhe kaq të largët me mbitokën, bimët, të korrat, bujkun, blegtorin. Apo se tregun e naftës e kemi të garantuar, kurse atë të prodhimeve bujqësore jo.

Ditët e para të tetorit, Kuvendi i Shqipërisë diskutoi në seancë plenare për bujqësinë, fermerët, prodhimin bujqësor e blegtoral, mungesën e tregut për atë pak prodhim që realizohet, pa folur për dëmtimet herë pas here të bereqetit nga breshëri, përmbytjet etj. Ndërkohë që jashtë Kuvendit protestohej për minimumin jetik. Ishte gjetur vjeshta për këtë diskutim, ku në mungesë të të korrave të stinës, të mos mungojnë të paktën “të korrat” parlamentare. Sfondi bëhet dhe më kritik po të mbajmë parasysh faktin që BE e kritikoi vendin tonë për mungesë transparence lidhur me grantet për këtë sektor, çka me sa duket u bë shkak dhe për ndërrimin e ministres së Bujqësisë. Problemi nuk është vetëm bujqësia. Mungon një strategji e prodhimit vendas. Specialistët e ekonomisë kanë theksuar se ekonomia shqiptare ka një problem të madh strukturor, ajo nuk prodhon, por dominohet nga bizneset tregtare, ato të ndërtimit si dhe kompanitë e shërbimeve. Bizneset prodhuese dhe eksporti nuk i japin ekonomisë. Ato ende nuk janë një përparësi. Po bëhen përpjekje që të rritet eksporti i vajit të ullirit në Itali, gjë që kërkon standarde të tjera nga ai i punishteve tona artizanale. Çfarë mund të thonë ekspertët e ekonomisë së tregut për mungesën e eksportit sot, kur në vitet ’70 dhe specat e prodhuar në kooperativat e Rubikut shkonin për eksport? Duhet të prodhojë Shqipëria urbane dhe ajo rurale. Por nuk dëgjojmë të debatohet rreth problematikave të biznesit prodhues, rinovimit të teknologjisë, shkuarjes drejt ciklit të mbyllur të prodhimit, përshtatjes me tregun rajonal e më gjërë, trajnimit, çertifikimit etj. Shkurt, mungon “Made in Albania” në tregun e huaj. Kurse tregu i huaj ka depërtuar ketu më së shumti me call center…

Turizmi është e vetmja veprimtari ekonomike që po shkon drejt një industrie. 7 milionë turistë që e kanë vizituar këtë verë Shqipërinë janë tregues i një përspektive në këtë lëmë. Deti është bujar, nëse operatorët turistikë, plazhet, hotelëria, shërbimet, prodhuesit, organet vendore, qeveria etj. i prijnë këtij zhvillimi, që ai të mos jetë kaotik dhe spontan.

Malësitë shqiptare do t’i “ripopullojë” agroturizmi

Po turizmi malor? A po ecën dhe ai me ritmet e nevojshme? Prej vitesh kemi shkruar për të mos i lëshuar malet dhe me këtë nuk kemi pasur parasysh që njerëzit do të rronin prap atje në “shkrep” si dikur. Ata doemos do të lëviznin drejt zonës urbane, por në gjykimin tonë, pa e braktisur vendin i madh e i vogël, në shtatë e shtatëdhjetë, për të mos ia parë më bojën bjeshkës e vërrinit. Përkundrazi kemi qenë e jemi të mendimit për t’i bërë të jetueshme malësitë, në një kontekst e realitet të ri, që sot ka filluar të përvijohet përmes turizmit malor e agroturizmit, resorteve, bujtinave e gjer fshatrave turistikë, si Voskopoja, Dardha, Fishta, Thethi, Valbona, Vermoshi, Hasi, Katundi i Vjetër (Mirditë), Nivica (Vlorë), Sotira (Ersekë), Fushë-Arrësi, Nikaj – Mërturi, Lura, si dhe Rugova, Brezovica, Prevalla matanë Morinit, po ku ende ka pak ara me perime, vreshta, pemëtore, blegtori, bletari etj., që do të siguronin të ardhura të mira. Është infrastruktura e zonave rurale e dobët, pa ka një prirje për kthim sezonal të të papunëve të qytetit, pensionistëve etj.

I kemi dëgjuar “argumentet” të gjithnurshmë ex katedra, kryesisht qeveritare,  se mali do të shpopullohet për një jetë më të mirë, popullsia në shumicë do të vendoset ne qytete, se ky nuk është vetëm një problem shqiptar etj. Sigurisht që kjo nuk është diçka e re, njerëzimi gjithnjë ka shkuar drejt detit, i cili ka dhe forcën e gravitetit. Udhëtarë europianë kanë vërejtur që në shekullin XIX se malësorët do të zbrisnin në bregdetit, që të ndërtonin më parë atë dhe pastaj malet. Ka qenë kjo prirje e natyrshme që Bregu i Matës (për të marrë një shembull) dy-tre shekujt e fundit u mbush me familje të shumta malësore, ardhur nga Kelmendi, Mirdita etj. Kjo lëvizje u ndalua vetëm në kohën e komunizmit dhe në mënyrë drastike. Pas 90-ës vazhdoi ajo që kishte qenë ndërprerë, lëvizja e lirë masive e banorëve të malësive drejt fushës, edhe pse qeveritë nuk shpejtuan me rrugët malore, për ta frenuar dhe “dispilinuar” këtë lëvizje. Si vëzhgues nga afër i realiteteve rurale të tranzicionit e kemi parë dita – ditës ikjen, por dhe dëshirën për investim në agroturizëm të emigrantëve, shpesh me mbështetjen e donatorëve të huaj. Kthimi me investime në vendlindje është një dukuri bashkëkohore. Së fundi nga mediat rajonale na sillet një panoramë e re nga Nikaj Mërturi i Tropojës, ku janë gati për të pritur turistët 25 bujtina, kryesisht kulla të përshtatura për turizëm familjar, resorte dhe ndonjë hotel. Tashmë nuk flitet për dallëndyshe të para të agroturizmit, si para njëzet vjetëve, por për shkuarjen hap pas hapi drejt fshatrave turistikë. Në njëzet vjet, në rrethin e Pukës, bujtinat turistike janë shtrirë nga kodrat e qytetit, në Fushë-Arrës, Dardhë, Kryezi, Iballe, Shkozë dhe Gojan; apo Hasi me disa resorte agroturistike, në vazhdë me ato të Gjakovës, Prizrenit etj. Agroturizmi shtrihet në mbarë vendin, nga Bulqiza e Peshkopia; Shkallnuri, Rada e Shijaku (të Durrësit); Preza, Lundra, Tomadhja (të Tiranës); Roshniku e Poshnja (të Beratit), gjer te Sofra Kolonjare në Ersekë.

Që të ketë turizëm, më parë do të ketë njerëz atje që punojnë tokën e prodhojnë. Kjo sjell një popullim ndryshe të malësive tona. A nuk e kishim bregdetin deri para dy dekadash një “shkretëtirë” të fortifikuar ushtarake? Epo, tjetër deti e tjetër mali, mund të thotë ndokush, këtu tek ne duhen vite që malet të nxjerrin të ardhura. Kjo nuk është e vërtetë. Pa e tepruar malet tona janë një hambar të ardhurash, nëse do të menaxhoheshin si duhet pasuritë e tyre natyrore: pyjet, kullotat, bimët mjekësore, kafshët e egra, ujërat, mineralet etj. Kemi takuar jo pak emigrantë që kursimet e tyre i kanë investuar në turizmin malor në Theth etj., thënë ndryshe që dimrin e kalojnë në Itali, Greqi, Angli, Amerikë etj., kurse muajt e verës në bujtinat e tyre turistike në Shqipëri. E mira është se agroturizmi shqiptar ka si strategji ngritjen e kuzhinës familjare në standardin e ri të kulinarisë bashkohore, që shërbehet më së miri në resortet turistike, nga Jugu në Veri. Por kjo veprimtari kërkon mbështetje dhe fjalë pa bereqet. Orizi që nuk u prodhua dot këtë vit nga Mrizi i Zanave nuk kaloi pa vëmendjen e gazetarëve, por nuk dimë dhe atë të qeveritarëve, pasi është  qeveria shkaku që në orizoret e Altinit nuk ka ujë, edhe pse Drini është një hap larg, por uji i tij shkon për një hidrocentral fushor.

Vetëm sa ka nxjerrë kryet një problem, që nesër do të jetë shqetësim kombëtar, bimët që do të mbjellë nesër agroturizmi në malet shqiptare nuk do të kenë ujë, njëlloj si orizoret e Zadrimës, pasi janë treguar më të “shkathët” biznesmenët e hidrocentraleve. Mbajeni mend këtë, jo për të na dhënë të drejtë neve në këtë konstatim, por për të kuptuar sa dëm i bëjnë vendit me firmat e papërgjegjshme që hedhin qeveritarët e korruptuar! Përndryshe, me orizin më parë se një biznesmen i suksesshëm, që dëshiron ta ketë gjithçka bio në agroturizmin e tij, ka dështuar bujqësia shqiptare, ndërkohë që postimet e përditshme shtetërore në rrjetet sociale nuk sosin gjatë njëzet e katër orëve, për arritje dhe vetëm arritje në të gjitha fushat…

Nuk kemi një prodhim bujqësor të qendrueshëm, edhe pse s’kanë munguar asnjëherë parullat, që nga “Toka i përket atij që e punon” e Reformës Agrare të 1946-ës te “Shqipëria punon tokën” e para pak viteve, që nuk i mbushën kurrë hambarët, po vetëm panairet sa për sy e faqe, duke nisur nga ai në Sheshin “Skënderbej” e bashkitë e tjera…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok