21/12/2024

Selam Musa Salaria në rrjedhat e lëvizjeve patriotike*

0
Selam-Musa-Salaria

Nga Dorian Koçi

100 vjet më parë sovraniteti dhe liria kombëtare e shtetit të pavarur shqiptar u siguruan me anë të triumfit të Luftës së Vlorës, epopesë moderne të bashkimit të forcave shqiptare të diplomacisë, artit ushtarak dhe heroizmit të tribunëve popullorë. Lufta e Vlorës ishte një luftë me një karakter kombëtar ku u përfshinë strukturat e shtetit shqiptar nëpërmjet Prefekturës së Beratit që mbulonte administrativisht edhe hiterlandin e Vlorës që mbahej ende e pushtuar nga italianët , organizimit të forcave vullnetare dhe mbështetjes diplomatike. Si një luftë e tillë u perceptua dhe në opinionin publik shqiptar të kohës dhe jehonën që pati në shtyp. At Shtjefën Gjeçovi do të shprehej në gazetën “Mbrojtja Kombëtare” për këtë ngjarje se : “Në luftë të Vlonës luftoj besa e trimnija kundra fuqijet e dijet… Filluen luftën të pështetun në shpresë të ndihmës së Perëndisë e të bashkimit vëllazëror, e patën sosë a me mbetë të gjithë në lam të luftës ose me shpërthye dyert e hekurta e ledhet e çelikta të armiqve.. Hytë ngathnjyes në Vlonë në atë Vlonë kreshnike e cila kurdoherë e ka pas dëftye veten se ndër deje i vlon gjaku fjesht shqiptar” . Por mes nganjëdhyesve që hyjnë në Vlorë mungonin heronjtë e martirët e lirisë, e mbi të gjithë Selam Musai , bir i shquar i Labërisë. Selam Musai është shembulli i virtytit dhe heroizmit në epokën e re të shqiptarizmit, i sakrificës dhe i lirisë që nëpërmjet jetës së vet u dha forcë e mbështetje themelimit të shtetit tonë kombëtar. Patriotizmi dhe atdhedashuria, rënia e tij heroike 100 vjet më parë u kthyen në këngë e simbol duke u bërë njësh me ndërgjegjen e kombit.

Një jetë në shërbim të kombit

Selam Musa Salaria lindi në lagjen Mesas të fshatit Salari, Tepelenë më 1860. Familja e tij u merrej me mbarështimin e bagëtive dhe ne periudhën e vjeshtës e shpërngulnin stanin dhe kalonin në zonat e ngrohta, në kullotat dimërore në anën e Delvinës dhe Vlorës. Jeta tradicionale e fshatit shqiptar të krahinës së Labërisë në mesin e shekullit të XIX rrotullohej mes mbarështimit të ekonomisë blegtorale dhe miqësive tradicionale të formuara në shtegtimet e bagëtive. Ky aspekt i rëndësishëm i jetës së përditshme së fshatarëve të mesëm në jug të Shqipërisë krijonte premisat e lindjes së një patriotizmi lokal që shumë shpejt nën zhvillimet e vrullshme të Hyrietit, fillimit të aktivitetit të çetave patriotike dhe kryengritjeve antiosmane të viteve 1911-1912 u kthye në një nacionalizëm të mirrëfilltë. Tradita e zonës kish nxjerrë në pah karaktere e figura të rëndësishme si Zenel Gjoleka, Hodo Nivica, Rrapo Hekali, Tafil Buzi etj që 80 vite më parë kishin ruajtur traditën qeverisëse të vendit dhe mospagimin e taksave të njohura si kryengritjet e Tanzimatit, por këto kryengritje si është pranuar gjerësisht nuk përfshinin brenda tyre një program të qartë nacionalist për themelimin e shtetit kombëtar shqiptar. Edhe pse ekzistonte një farë patriotizmi lokal që shpesh herë gjente shprehje ashtu siç na dëshmon Hobhouse-i në veprën e vet A Journey through Albania and other provinces of Turkey in Europe and Asia, to Costantinople during the years 1809 and 1810 në deklarimet e banorëve, që kur i pyesnin s’e ç’ishin, banori shqiptar nuk thoshte përkatësinë fetare, por përgjigjej “Jam shqiptar” , prapëseprapë ky patriotizëm lokal nuk shtrihej në përmasa përgjithësuese që mund të përbënte një nga bërthamat e themelimit të identitetit shqiptar dhe pastaj më vonë atë kombëtar. Ndryshe paraqitej situata në fillimet e shekullit të XX përsa i përket zhvillimit të idesë kombëtare mes shqiptarëve. Selam Musai ra në kontakt me idetë kombëtare kur ishte ushtar në Jemen nga patriotët shqiptarë të Misirit. Kur filloi zgjimi kombëtar i shqiptarëve 1840-1912, kolonia shqiptare e Egjiptit u shndërrua në një nga kolonitë më aktive për sa i përket Rilindjes Kombëtare. Por ai hyri në gjirin e lëvizjes patriotike në fillim të shekullit të XX. Që nga viti 1905 në Tepelenë vepronte një komitet i fshehtë, i cili punonte aktivisht për çeljen e shkollave shqipe. Selam Musai mbajti lidhje të ngushta me çetat patriotike e sidomos me atë të Çerçiz Topullit. Ai kishte kontakt edhe me krerët e çetave të para të Kurveleshit dhe Tepelenës si Demo Eminin, Ismail Kason, Shaqo Buzon, Abas Nivicën, Kanan Malon, Hito Lekdushin, Tahir Liçajn, Asllan Velikon, Sulo Beqirin, Zeman Mashkullorën etj.

Gjatë viteve 1907-1908 ai mbante lidhje edhe me një komandant tjetër çete Nazif Hadërin nga Palavlia. Pas shpalljes së Hyrjetit nga xhonturqit qarqet patriotike besonin se do përfitonin shumë, por në realitet nuk pati ndonjë ndryshim, pasi ata nuk i mbajtën premtimet. Në vitin 1911 filloi Kryengritja e Jugut dhe malet u mbushën prapë me çeta. Selam Musai në këto vite u vu në krye të çetës të fshatit Salari. Në vitin 1911 në Alipostivan të Përmetit u vra edhe miku i tij Nazif Hadëri, gjatë luftimeve kundër forcave osmane. Kryengritja e vitit 1911 pati rëndësi të madhe sepse sepse ndezi ndjenjën kombëtare të kombit, ku i shtoi besimin popullit edhe tregoi dobësitë e Perandorisë Osmane , e cila hyri në bisedime me ta duke u bërë atyre lëshime. Në të njëjtën kohë ajo rrëzoi propagandën e fqinjëve jugorë të Shqipërisë që pretendonin se kryengritje antiosmane për një shtet të pavarur shqiptar kishte vetëm në Kosovë e veri të Shqipërisë. Përmes kuvendit në Manastirin e e Cepos ajo njësoi lëvizjen kombëtare shqiptare dhe kërkesat e saj politike si në veri ashtu dhe në jug të Shqipërisë. Mbledhja e Cepos ishte mbledhje e çetave patriotike të Shqipërisë së Jugut e mbajtur në Manastirin e Cepos (rrethi i Gjirokastrës) më 21 korrik 1911 në mbështetje të kërkesës për autonominë e Shqipërisë të parashtruar nga kryengritësit e Malësisë së Mbishkodrës në Memorandumin e Greçës. Pjesëmarrësit e mbledhjes iu kundërvunë orvatjeve të qeverisë xhonturke për të trajtuar kryengritjen e veriut si një lëvizje lokale, duke u njohur vetëm malësorëve disa të drejta. Mbledhja kërkoi që njohja e këtyre të drejtave të shtrihej në gjithë Shqipërinë, që vendi të kishte një sistem të vetëm administrimi dhe qeveria të themelonte një lloj regjimi në veri e në jug të Shqipërisë, për të siguruar që shqiptarët të jetonin si element kombëtar. Në dhjetor 1912, Selam Musai iu përgjigj thirrjes së Ismail Qemalit dhe qeverisë së Vlorës për ta mbështetur në vendosjen e autoritetit shtetëror në Shqipërinë e Jugut duke u kthyer në një faktor të rëndësishëm të krahut të armatosur të lëvizjes kombëtare shqiptare në Jug të Shqipërisë.

Në mbrojte të tërësisë territoriale të Shqipërisë.

Në tetor të vitit 1912 shpërtheu lufta Ballkanike kundër Perandorisë Osmane. Shqiptarët kishin vite që luftonin kundër Perandorisë Osmane për të përfituar pavarësinë, por këtë herë do ishte ndryshe, pasi Shqipëria rrezikonte nga vendet fqinje, tërësinë territoriale dhe egzistencën e saj. Ajo nuk po i kapte armët për forcimin e Perandorisë Osmane, por për ti dalë zot tërësisë tokësore e lirisë së Shqipërisë. Në nëntor të vitit 1912 në Tepelenë u dha alarmi se forcat greke kërkonin të pushtonin tokat shqiptare. Selam Musai duke qënë në krye të burrave të Salarisë ishte një nga të parët që shkoi në Tepelenë e më pas në Janinë për t’u prerë vrullin forcave greke që të mos futeshin në tokat shqiptare. Selam Musai u caktua si një nga drejtuesit e këtyre forcave. Luftimet në Bezhan qenë nga më të rreptat, ku u plagos edhe Selam Musai. Luftimet përreth Janinës ishin nga më të ashprat, ku vetëm nga fshati Salari u vranë 7 veta, midis të cilëve Aqif Llaka dhe Braho Liçi e Vehip Liçi, këta të dy kushurinj të parë të Selamit.

Pas shpartallimit të ushtrisë osmane, trupat greke në muajin mars të vitit 1913 u gjendën në portat e Tepelenës dhe më 18 mars e pushtuan atë. Në të njëjtën kohë por me një kahje tjetër për sa i përket identitetit kombëtar shpërthen dhe rebelimi i ashtë quajtur “epirot” në jug të Shqipërisë i organizuar nga një renegat shqiptar, Kristaq Zografo-ish ministër i jashtëm i Greqisë nga fshati Qestorat i Lunxhërisë dhe një nga “shpirtrat e humbur” të shqiptarëve në betejën e tyre me Helenizmin dhe Kishën greke. “Rebelimi” u nxit dhe u mbështet nga ushtritë pushtuese greke, të cilat kishin hyrë në territorin shqiptar, përkatësisht në Gjirokastër e Sarandë. “Bandat epirote” të Zografos mundën të marrin pjesë si palë në bisedimet që Komisioni Ndërkombëtar ndërmori me autoritetet greke, bisedime nga të cilët u formulua dhe “Protokolli i Korfuzit”, që iu dërgua fuqive të mëdha për ta miratuar, miratim i cili erdhi në datën 2 Korrik. Bandat vorio-epiriote dhe ushtria greke kreu krime të mëdha në zonën e Tepelenës. Kulmi i kësaj dhune të pashembullt do të manifestohej më 29 prill të vitit 1914, ku andartët greke mbasi morën peng 219 burra kryesisht nga fshati Hormovë i çuan në kishën e fshatit Kodër .Nga aty, ata filluan ti merrnin dy e nga dy, duke i masakruar me thika e bajoneta. Këtë veprim ata e maskonin se gjoja po i merrnin në pyetje . Në këtë ditë çeta luftarake e e salarjotëve e drejtuar prej heroit të popullit Selam Musai, së bashku më çetat e Dukajt, Turanit dhe Veliqotit, ishte e zënë me luftime për dëbimin e këtyre forcave renegate nga krahina e Tepelenës . Me të marrë vesh për këtë ngjarje makabre, luftëtarët e këtyre çetave, kërkuan menjëherë që të hidheshin në një sulm përfundimtar për të asgjesuar këto forca të cilat më së shumti ishin djem të rinj , paramilitarë, të burgosur ordinerë dhe krimielë të llojeve të ndryshme të rekretuar nëpër burgjet greke. Të nesërmen e kësaj ngjarje tragjike çeta e Salarisë zuri vijën Tërbuq-Labovë e Vogël, kurse forcat greke zunë vijën Hundëkuq –Labovë e Vogël . Luftimet kundra ushtrisë paramilitare dhe andartëve grekë qenë të rrepta. Lufta e Labovës e organizuar si një luftë popullore ku spikati roli dhe kontributi i Selam Musait do të kthehej në një përvojë të çmuar gjashtë vjet më vonë në luftimet në Vlorë kundër italianëve. Në këtë luftë forcat paramilitare e andarte greke humbën pjesën më të mirë të ushtrisë të tyre, kurse Selam Musai humbi njeriun e tij të besuar nga fshati Salari, Ali Rakip Llakën. Luftimet do të vazhdonin edhe jashte territorit të krahinës së Tepelenës duke u kthyer në këtë lloj mënyre çetat patritotike vullnetare në një bërthamë të ushtrisë së ardhshme kombëtare shqiptare.

Më 26 prill 1915 u nënshkrua në kryeqytetin britanik një marrëveshje, e cila ka hyrë në histori si Traktati i Fshehtë i Londrës. Ajo u nënshkrua nga përfaqësuesit e Britanisë së Madhe, të Francës dhe të Rusisë në njërën anë dhe të Italisë në anën tjetër. Përfundimi i kësaj marrëveshje ishte të kënaqte lakmitë italiane dhe ta reshtonte atë përkrah Antantës. Traktati i Londrës i vitit 1915 ka hyrë në histori si një ndër aktet kryesore të diplomacisë së fshehtë. Ai është në të njëjtën kohë një ndër aktet nderkombtare më tipike të periudhës së imperializmit në përgjithësi. Nga arsenali i diplomacisë zor se ka dalë një akt tjetër si ky, që ta karakterizojë më mirë thelbin e politikës së fuqive të mëdha ashtu dhe metodat e saj. Duhet theksuar se në gjithë këtë traktat asgjë tjetër nuk e nxjerr aq qartë natyrën e vërtetë të imperializmit, të politikës së tij sidomos ndaj vendeve të vogla, sesa ajo pjesë që bën fjalë për shqipërinë e fatin e saj.

Nenet që i referohen direkt Shqipërisë janë nenet 6 dhe 7. Neni 6 i kushtohet kërkesës kryesore të Italisë, së cilës i përgjigjet duke parashikuar “sovranitetin e plotë italian mbi Vlorën, mbi ishullin e Sazanit dhe mbi një territor të gjerë sa të siguronte mbrojtjen e atyre pikave”. Nëni 6 reflektonte synimin e hershëm diplomatik të Italisë për të pasur një kryeurë politike, ekonomike e kulturore të vet në Ballkan. Në nenin 7 bëhej një ndarje e territoreve sipas konceptit imperialist të Traktatit të Londrës , pasi krahas rregullimeve të tjera territoriale në favor të Italisë, përfshihej edhe coptimi i ri i Shqipërisë. Italisë me këtë formulim i jepej e drejta për të përfaqësuar një shtet shqiptar në marëdhëniet me jashtë. Forcat italiane ishin në Vlorë që në dhjetor 1914 dhe gradualisht gjatë Luftës së Parë Botërore u zgjeruan gjithandej në jug të Shqipërisë. Zona e pushtimit italian, gjatë Luftës së Parë Botërore përfshinte krahinat përreth Vlorës, Gjirokastrës, Sarandës, Përmetit, Kolonjës e Tepelenës, të cilat përbënin një zonë me rëndësi strategjike për pushtuesit. Pavarësisht lehtësirave të shumta që ofruan italianët si në arsimimin shqip, urbanizimin dhe rritjen e mirëqenies mes popullsisë, shqiptarët nuk u pajtuan as me pushtuesit e rinj. Format e hershme të organizmit të rezistencës antiitaliane fillojnë që në fund të vitit 1918. Ndërkohë në Shqipëri ishte krijuar në dhjetor 1918 fill një muaj pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Qeveria e Durrësit me Kryeministër Turhan Pashë Përmetin. Qeveria u formua prej 14 anëtarësh. Kjo qeveri do të kishte në përbërjen e saj këta emra: 1. Turhan Pasha (kryetar), 2. Preng Bib Doda (nënkryetar), dhe anëtarë: 3. Sami bej Vrioni, 4. Dr. Mihal Turtulli, 5. Myfit bej Libohova, 6. Imzot Luigj Bumçi, 7. Midhat bej Frashëri, 8. Luigj Gurakuqi, 9. Mehmet bej Konica, 10. Lef Nosi, 11. Mehdi Bej Frashëri, 12. Fejzi bej Alizoti, 13. Mustafa Kruja, 14. Pjetër Poga. Qeveria e Durrësit ishte nën ndikimin italian. Pro politikës së saj ishin Myfid Libohova, Fejzi Alizoti, Mehdi Frashëri, Sami Vrioni, Mustafa Kruja. Një traktat i fshehtë mes qeverisë së përkohshme të Durrësit dhe qeverisë së Italisë u nënshkrua nga ministrat Myfid bej Libohova, Fejzi bej Alizoti dhe këshilltarit të Legatës italiane në Shqipëri markezit Karl Durrazzo. Sipas tij, një komisar i lartë i Italisë kontrollonte dhe vendoste mbi punët e qeverisë shqiptare si dhe për vendimet me rëndësi si buxheti, ndërtimet, koncensionet, emërime, pushime në administratë. Këtë qeveri Italia e konsideroi si një delegacion pranë qeverisë italiane, i cili pa lejen e Adetto Gobit nuk bënte asnjë shpenzim. Në kushtet e një protektorati italian Qeveria e Durrësit e kishte të vështirë për të ndërmarrë hapa që kishin të bënin me çështjen e Vlorës, hiterlandit të saj. Qeveria e Durrësit u përpoq t’u dilte përpara këtyre përpjekjeve , duke thirrur mbledhjen e Senatit më 15 tetor 1919, por dështoi dhe ai nuk u mblodh , as në këtë datë e as më vonë. I vetmi sukses i saj ishte marrja nën kontroll e prefekturës së Gjirokstrës. Gjirokastra pas presionit të qarqeve patriotike shqiptare i dorëzua Qeverisë së Durrësit në 21 dhjetor 1919 dhe trupat italiane u tërhoqën por vazhdonin të mbanin ë pushtuar hiterlandin e Vlorës duke përfshirë dhe qytetin e Tepelenës. Krahas organizimit në nivele të larta të patriotëve shqiptarë kishte filluar një punë e rëndësihme e organizimit në terren. Ndërkohë politika italiane kishte marrë tipare të rrezikshme. Më 29 korrik 1919 ishte nënshkruar marrëveshja Titoni-Venizelos, sipas së cilës Italia angazhohej të mbështeste në Konferencën e Paqes kërkesat greke për aneksimin e Korçës dhe Gjirokastrës , ndërsa Greqia do të mbështeste mandatin italian mbi Shqipërinë e cunguar nga ana territoriale , si dhe aneksimin e Vlorës prej Italisë.

Në këto kushte ,patriotët shqiptarë, duke parë se nuk mund të shpresonin në mbështetjen e ndonjë fuqie të huaj, rritën përpjekjet për organizimin e qëndresës kundër pushtuesve italianë. Në fund të 1918-ës, Halim Xhelua, mblodhi në Brataj arsimtarët e krahinës dhe formuan organizatën “Shtiza e Qytetërimit”, e cila në të vërtet ishte bërthama e “Mbrojtjes Kombëtare”. Qëllimi i kësaj organizate ishte të përhapte idenë e kryengritjes së armatosur në të gjithë krahinën Vlorë-Tepelenë-Himarë, si e vetmja mënyrë shpëtimi. Në këtë mbledhje u vendos, që të lajmërohej e gjithë krahina e Tepelenës, Kurveleshit dhe Gjirokastrës, për këtë Halim Xhelua dhe Abdurrahman Çiraku shkuan në Kurvelesh, Tepelenë e Gjirokastër. Në Kurvelesh ata u takuan me Shuko Dalipin dhe Riza Runën, të cilëve u thanë se Vlora ishte gati për luftë kundër italianëve. “Kurveleshi i Sipërm pranoi mendimin tone, thotë A. Çiraku, si në Nivicë, Tepelenë dhe në Gjirokastër u muarën vendime të shkruara e të firmuar, nga të gjithë njerëzit që muarën pjesë në atë mbledhje” . Në Tepelenën e pushtuar nga italianët, më 1919, u krijua një komitet, që u quajt “Komitet i Fshehtë” i cili do të merrej me organizimin e qëndresës së armatosur. Ky Komitet ishte i pëbërë nga Qazim Koculi. Baba Ahmet Turani (Luzi), Haxhi Shehu, Arshi Shehu dhe nga Kurveleshi, Riza Runa, Sulo Lekdushi e Myslim Hajno. “Komiteti i Fshehtë” bëri një takim me 26 mars 1919, ku ishin të pranishëm edhe nënprefekti i Tepelenës Qazim Koculi, si dhe Halim Xhelo nga Vlora dhe Veli Hashorva nga Gjirokastra”.

Në janar 1920 u mbajt Kongresi i Lushnjes i cili hodhi bazat e strategjisë kombëtare për ruajtjen e tërësisë territoriale të kufijve të Shqipërisë londineze të vitit 1913. Për ti bërë ballë copëtimit , Kongresi i Lushnjës kishte diskutuar krijimin e komiteteve “Mbrojtja Kombëtare”, të cilat do ti kundërviheshin një agresioni të mundshëm grek në Shqipërinë e Jugut dhe, veçanrisht , do të organizonin qendresën e armatosur kundër italianëve. “Komitetet e Fshehta”, me orjentim të Kongresit të Lushnjes, të ktheheshin në Komitete të “Mbrojtjes Kombëtare” në të gjithë Shqipërinë. Në fillim të marsit 1920 Komiteti i fshehtë u mblodh në Teqen e Turanit, ku vendos që kryetar i Komiteti të “Mbrojtes Kombëtare” të ishte Baba Ahmet Turani dhe anëtar ishin Arshi Shehu, Sheh Ali Bënça, Sulejman Luzati, Riza Runa, Haxhi Shehu, Selam Musai, Ismail Malo, Feim Mezhgorani, Rakip Duka, Sadulla Xhaferi, Sulo Lekdushi, Medi Shehu etj. Komiteti thirri në një takim në teqen e Malit në afërsi të Luzatit, 45 krerë të fshatrave të krahinës. Në këtë takim ishte lajmëruar edhe Shaqo Llapi dhe 80 të arratisur që ishin fshehur nëpër male si kundërshtar të pushtuesëve italianë. Këtyre ju bë thirrje që t’i kthenin çetat e tyre, në çeta patriotike. Ata pranuan, që të viheshin nën drejtimin e Komitetit, për të luftuar pushtuesit. Në këtë takim u caktuan detyratë reja, përveç marrjes së masave për fillimin e kryengritjes, dhe u ndanë detyrat për tu lidhur me krahinat e tjera. Një mbledhje e rëndësishme ishte ajo e Turanit në maj të vitit 1920 ku u krijua dhe “Komiteti i Tepelenës”. Komiteti mori në dorë pregatitjen dhe drejtimin e kryengritjes, ku organizoi mbledhje nëpër fshatrat e Tepelenës dhe formoi çetat e luftëtarëve. Fshatrat e Lopësit bashkuan çetat e tyre në një, me komandant Dule Dalanin nga Dhëmblani, kurse çetat e fshatrave Salari, Dukaj, e Turan formuan çetën e përbashkët ku komandant i kësaj çete ishte si fillim Selam Musai e më pas Islam Malua dhe zëvendëskombandant Memë Sherifi. Kjo ndodhi pasi Selam Musai u caktua nga komiteti si komandant i dy çetave të Tepelenës.

Të gjitha këto takime u organizuan nën frymën e strategjisë të patriotëve shqiptarë të miratuar në Kongresin e Lushnjës. Qeveria shqiptare e Sulejman Delvinës ndoqi një sttrategji të zgjuar dhe efikase. Ajo nxiti dhe mbështeti organizmin e një kryengritje popullore e cila nuk do të merrte karakterin e një lufte mes shtetit shqiptar dhe atij italian. Kështu qeveria e Tiranës synonte ti shmangej përgjegjësisë për shpërthimin e kësaj lufte dhe në të njëjtën kohë e la rrugën të hapur për të vijuar bisedimet diploamtike me italinët të cilat ishin ndërprerë më 25 maj 1920, duke e vënë veten në rolin e ndërmjetësit midis kryengritësve dhe ushtarakëve italianë.

Më 30 maj komiteti i Vlorës i bën thirrje komitetit të Tepelenës për mbledhjen që do bëhej në Beun më 2 qershor. Më 3 qershor, Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” i Vlorës i drejtoi komandantit të forcave italiane , gjeneral Piancentin-it, një ultimatium në të cilin theksohej se populli shqiptar konsideronte si shkaktare të copëtimit të Shqipërisë vetëm Italinë e cila, me politikën saj imperialiste , këmbëngulte në aneksimine Vlorës. Ultimatiumi kërkonteqë deri në mbrëmjen e 4 qershorit , komandanti italian të pranonte që Vlora me rrethinat e saj, t’i dorëzohej qeverisë shqiptare , në rast të kundërt , fjalën do ta kishin armët. Komandanta italiane nuk e përfilli ultimatiumin dhe e nënvlerësoi forcën e kryngritësve shqiptarë. S.Piancentini pohonte se kryengritësit ishin një masë amorfe pa udhëheqje dhe pa disiplinë ndaj ishin të parrezikshëm. Ky nënvlerësim dhe mos marrje në konsideratë të forcave kryengritësve shqiptare që kishin në mes të tyre oficerë me përvojë që kishin shërbyer në Perandorinë Osmane apo dhe prijës popullorë si Selam Musai, Zigur Lelo, Sali Murati etj do tu kushtonte shtrenjtë në pëprlasjen e armatosur që filloi në mbremjen e 5 qershorit. Sulmi qe i menjëhershëm kundër të gjitha garnizoneve italiane por më të fuqishme ishin në Kotë , kundër regjimentit të gjeneral Gotit , që mbrohej me fortifikata të betonuara dhe nga zjarri i artilierisë. Lufta e Kotës do ishte një nga luftrat më kryesore kundër italianëve, ku vetë Goti i kërkonte Piaçentinit përforcime. Italianët kishin bërë edhe përforcime me tela në bazat e tyre, të cilat i pengonin trupat shqiptare. Në këto momente u shfaq taktika popullore e prijësve të çetave kombëtare, Selam Musait e Zigur Lelos që vendosën gunat përmbi tela dhe kështu mundën të kalojnë mbi fortifikimet . Afër mëngjesit kryengritësit hynë brenda kazermave dhe i detyruan forcat italiane të dorëzoheshin. Brenda 5 qershorit ranë dhe garnizonet e Drashovicës, të Gjormit e të Matohasanajt. Pas dy ditësh u dorëzuan dhe ushtarët e rrethuar në Llogara dhe u godit garnizoni i Tepelenës, i cili qendroi i rrethuar në kështjellën e qytetit edhe për disa ditë. Në këtë mënyrë përfundoi me sukses faza e parë e luftimeve , gjatë së cilës u zunë robër më shumë se 1000 ushtarë dhe oficerë italianë.

Më 9 qershor forcat kryengritësve rrethuan garnizonin e Vlorës i cili kishte zënë pozicione strategjike jo vetëm brenda qytetit por edhe në rrethinat e tij. Suksesi i fazës së parë të luftimeve i dha mundësi qeverisë shqiptare që të ndërhynte dhe të luante një rol përcaktues në bisedimet e mundshme të paqes. Po në 9 qershor , qeveria shqiptare e njoftoi F.Castoldi-n se ishte e gatshme të ndërhynte në Vlorë për ndërprerjen e luftimeve , nëse brenda 36 orëve do ti dorëzohej asaj administrimi i krahinës, në rast të kundërt, ajo nuk do të mbante asnjë përgjegjësi për vazhdimin e gjakdredhjes në Vlorë dhe për shkallëzimin e mundshëm të luftimeve kundër ushtrisë italiane në pjesë të tjera të vendit. Italianët nuk e pranuan sërish këtë ofertë të qeverisë shqiptare dhe duke besuar në fortifikimet e linjave ushtarake në Vlorë shpresuan se do të mund të rikthenin sërish gjendjen e mëparshme në terren.

Më datë 11 qershor në orën 22:00 forcat kryengritësve mes tyre dhe çeta e Salarisë me Selam Musain në krye nisën sulmin mbi Vlorë. Luftimet vazhduan gjatë gjithë natës dhe në mëngjes herët kryengritësit hynë në lagjet e qytetit. Luftimeve iu bashkangjitën edhe qytetarët e Vlorës që rrëmbyen armët dhe goditën ushtarët italianë ndërsa ata tërhiqeshin. Gjatë këtyre luftimeve pati shumë të vrarë nga të dy palët. Luftëtarët e çetave patriotike shqiptare luftuan me vetëmohim e heroizëm. Në kodrën afër spitalit, në Qafën e Koçiut gjatë luftimeve me italianët mbeti i vrarë Selam Musai dhe shoku i tij Shefqet Shehu. Në raportin që i dërgonte Ministrisë së Punëve të Brendshme më 17 qershor, prefekti i Beratit shkruante “…i quajtur Selam Musa, që me një trimëri të madhe hyri brenda në Vlorë dhe zuri Kus-Babanë, me dymbëdhjetë shokë më s’mundën të dalin dot dhe pandehet se kanë rënë dëshmorë”. Gazeta “Koha” e Mihal Gramenos shkruante më 10 korrik: “në këtë luftë humbën edhe patriotin e dëgjuar Selam Musai me disa salariotë…”. Lufta me italianët vazhdoi dhe pas vdekjes së Selam Musait, pasi qeveria shqiptare dhe forcat kryengritëse dëshironin ti jepnin fund çfarëdolloj sovraniteti italian mbi Shqipërinë. Në këto kushte pas disa tentativave të dështuara të diplomacisë italiane për të ruajtur një sovranitet mbi disa pjesë ë territorit të Vlorës, komandanda ushtarake kërkoi armëpushim. Më 2 gusht 1920 qeveria shqiptare dhe ajo italiane nënshkruan protokollin shqiptaro-italian, sipas të cilit Italia do të tërhiqej nga Shqipëria, duke njohur pavarësinë dhe sovranitetin e plotë të shtetit shqiptar. Italia ruajti vetëm kontrollin e ishullit të Sazanit, si një garanci të kontrollit ushtarak italian mbi kanalin e Otrantos.

Tërheqja e trupave franceze nga Korça në 15 maj 1920 dhe përfshirja e kësaj krahine në shtetin shqiptar, lufta e Vlorës dhe hyrja e forcave qeveritare shqiptare në 3 shtator 1920 si dhe lufta kundër forcave pushtuese të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene në verë-vjeshtë 1920 i siguruan Shqipërisë tërësinë territoriale dhe një nga kushtet kryesore për të zhvilluar lirinë e vet politike. Lufta e Vlorës , si lufta ku spikatën organizimi tradicional i luftëtarëve shqiptarë nën organizmin administrativ të qeverisë së Tiranës krijoi premisat që organizimi tradiconal i shoqërisë shqiptare mund të modernizohej drejt formimit të një shteti të centralizuar kombëtar. Shembulli heroik i Selam Musait, i kthyer në një mit kombëtar për shqiptarët e ardhshëm dëshmoi se në themelet e pjekurisë politike të shqiptarëve , bota tradicionale shqiptare mund të kontribuonte për ti dhënë jetë lirisë politike si parakushti më i rëndësishëm në zhvillimin modern të një kombi.

Bibliografi:

1 – Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë Historia e shqiptarëve gjatë shekullit të XX. Lufta e Vlorës, Tiranë: Botimet albanalogjike, 2019.

2- AQSH, fondi “Lufta e Vlorës”, dosja 1.

3- Arben Puto, Çështja Shqiptare në aktet Ndërkombëtare të periudhës së Imperializmit, vëll.II,8 Nëntori, 1987.

4- Abdurrahaman Çiraku, “Kujtime” AIH, Dosja A-VII-105, f. 2-4.

5- Arkivi i Muzeut Historik Tepelenë.

6- Lufta e Popullit shqiptar për çlirimin kombëtar 1918-1920, vëll.II, Akademia e Shkencave e RPSH, Instituti i Historisë, 1975-1976.

7- M.Montanari., Le truppe italiane in Albania (anni 1914-20 e 1939) , Tipografia regionale, 1978.

8- N. Shehu, Enciklopedia e Tepelenës Toena 2007

9- Paskal Milo, Politika e Jashtme e Shqipërisë , vëll.I(1912-1939), Tiranë:Toena, 2013

10- Shpëtim Mema,.Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e udhëtarëve anglezë.Tiranë:, 8 Nëntori, 1988.

11- Xhafer Matuka. Selam Musa Salaria., Tiranë : 8 Nëntori, 1975.

12- At Shtjefën Gjeçovi. Gazeta Mbrojtja Kombëtare. 1921.

13- Gazeta Koha. 10 korrik 1920.

*Kumtesa e mbajtur me rastin e festimeve të 100 vjetorit të Luftës së Vlorës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok