21/12/2024

PROFILI NJERËZOR I IRFAN SHAQIRIT

0
Irfan-Shaqiri

(Më 29 prill 1950 – më 30 shtator 2024)

DISA TË DHËNA PËR JETËSHKRIMIN E IRFAN SHAQIRIT

Nga Meti REXHEPI

Familjarë, bashkëveprimtarë, miq e qytetarë të Gjilanit e të Pellgut të Moravës! Zonja shumë e çmuar dhe bashkë-udhëtare besnike e të ndjerit Irfan, doktoresha Maxhide! Vajza të Irfanit: Albiona, Argjiro dhe Emine ngushëllime të sinqerta për burrin dhe babain tuaj!

Irfan Shaqiri lindi në Përlepnicë nga babai Arifi dhe nënë Binazja, më 29 prill 1950. Dy klasat e para të shkollës fillore i kreu në fshatin e lindjes, ndërsa gjashtë klasat e tjera i kreu në Gjilan, në shkollën fillore “Musa Zajmi.” Për shkak të pjesëmarrjes në Demonstratën e 27 nëntorit e vitit 1968 në Gjilan, u përjashtua nga shkolla Normale, më 14 kallnor 1969. Pas përjashtimit nga Normalja u detyrua të vazhdonte shkollimin në gjimnazin e Preshevës dhe diplomoi në shtator të vitit 1969.

Irfani studimet i ndoqi në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Filozofik, në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Për shkak të dënimit me burg mbeti pa i përfunduar studimet në këtë drejtim. Pas daljes nga burgu vijoi studimet në Fakultetin Filozofik në degën për Gjuhë dhe Letërsi Frënge.

Më 7 shkurt 1974 filloi të punojë në cilësi të profesorit të Gjuhës Frënge në gjimnazin “Zenel Hajdini.” në Gjilan. Mirëpo, pas afro tre muaj mësimdhënie, nga strukturat politike të Gjilanit u pushua nga puna edukative arsimore si person i etiketuar sipas etiketës politike komprometuese “i papërshtatshëm ideopolitikisht”.

Më 1 shtator 1974 Irfani arriti përsëri t`i kthehej profesionit të tij të çmuar si profesor i Gjuhës frënge në gjimnazin “Sezai Surroi” në Bujanoc. Aty punoi deri më 29 korrik të vitit 1975. Por, po në këtë vit u arrestua nga UDB-ja duke u përfshirë me grupin e veprimtarit Adem Demaçi.

SHËNIME PËR BURGOSJET E IRFAN SHAQIRIT

Ç`prej lirimit të Irfanit  nga burgu i Nishit, më 20 korrik 1970 e deri  më 29 korrik të 1975-s, kur u arrestua me grupin e Adem Demaçit, Irfani është arrestuar edhe 14 herë, duke e mbajtur  nga 2 deri në 72 orë në lokalet e organeve të hetuesisë të UDB-s së Gjilanit.

Gjykimi i grupit të Adem Demaçit zgjati disa ditë dhe, u shpall më 7 shkurt 1976. Dënimet ndaj të burgosurve të rinj shqiptarë, në mesin e tyre edhe për Irfan Shaqirin, ishin drakonike! Gjykata e dënoi me 7 vite burgim të rëndë. Pastaj Irfanin e transferuan në burgun e Prizrenit, mandej në burgun “Zabela” të Pozharevacit. Aty qëndroi deri më 13 gusht të vitit 1977, pikërisht kur ndodhi njëri nga rebelimet e të burgosurve shqiptarë. Më tej u dërgua në Burgun e Qarkut të Pozharevacit ku qëndroi vetëm dy ditë, për ta dërguar në burgun namkeq CZ të Beogradit deri në fund të mbajtjes së dënimit. Aty qëndroi i burgosur për 26 muaj me të burgosurin Selatin Novosella.

Sikurse shumë veprimtarë të tjerë kryengritës edhe Irfan Shaqiri u arrestua, më 2 prill të Pranverës Studentore të vitit 1981, që lëkundi themelet e krijesës Federatë e Jugosllavisë. U dërgua në izolim të plotë në Burgun e Qarkut në Gjilan. Po në këtë kohë ishte arrestuar dhe veprimtari Fatmir Salihu, që u dërgua për izolim në Burgun e Gjilanit.

Irfan Shaqiri shfaqet në jetën e brezit të vet si një i ri i vetëdijes së zgjuar i hershëm i idesë dhe i veprimit kombëtar. Veprimtaria atdhetare e personazhit tonë, që po i japim lamtumirën me dhimbje e krenari të ligjshme, kap shtrirje të gjatë kthesash dramatike në historinë më të re  të gjysmës së ndarë të atdheut, “të Shqipërisë së këtej Drinit”, si e quante gjysmën tjetër të kombit shqiptar shkrimtari Dritëro Agolli.

Më 1968 Irfani ishte njëri nga organizatorët e Demonstratave të jashtëzakonshme në Gjilan, së bashku me shokët e tij fare të rinj: Rexhep Malën, Fatmir Salihun, Ahmet Hotin, Ismail Shehun, Mehmet Eminin dhe, të tjerë që do t`iu bashkëngjiteshin. Kjo Demonstratë vinte fill pas dhunës e shpërnguljeve shumëvjeçare të popullatës shqiptare për në Turqi; dhunë sistematike perfide nga politika titiste-rankoviçiste. Demonstratat e shkallës së gjerë me kohë-nisje të menjëhershme, çfarë mrekullie organizative(!) shpërthyen në qytetet kryesorë të Kosovës, te shqiptarët e ndarë me kufij mes tyre në Maqedoninë Perëndimore dhe, në trojet e shqiptarëve  në Malin e Zi!

Familjarë e miq të Irfan Shaqirit!

Nga kjo kronologji tejet e shkurtë, me këtë rast përkujtimi e ndarjeje, nderimi, dhimbje dhe krenarie për Irfan Shaqirin, familjen atdhetare dhe bashkëveprimtarët e tij, tashmë Irfanin e kemi model tipik për mjedisin ku jetoi, ku sakrifikoi rininë, por dhe ku përjetoi kthesa dramatike deri te Lufta Çlirimtare e UÇK-së, vazhdimësinë e së cilës në trajtën e TMK-së, Irfani e ndihmoi me solidaritetin e donatorëve vullnetmirë, “me miqtë” e përkushtuar të TMK-s, si Hajdar Dumoshi e Mustaf Shala, për institucionalizimin e mëkëmbjen e ushtrisë sonë.

Në një varg veprimtarish të pandalshme do ta hasim Irfanin, me gjithë plagët e tij të parrëfyera, gjithnjë me mëtimin për shtet-bërjen e krijesës së përgjakur, që ende mbeti të mos quhej Dardani, ose “Shqipëria këndej Drinit”.

PROFILI NJERËZOR I IRFAN SHAQIRIT

Kushdo që e ka takuar Irfanin në ndejë, në tribuna ose rrugës, rrallë të ndodhte të dëgjosh të fliste për katrahurat personale e familjare. Ishte natyrë e përmbajtur dhe, si i tillë u karakterizua me një qetësi zotëruese, karakteristikë e veprimtarëve të devotshëm. Ashtu dhe i atillë mbeti Irfani deri në gatitjen për amshim.

I dashuri Irfan! Në këtë çast lamtumire e dimë se në botën e amshuar do t`iu bashkohesh mësuesve dhe udhërrëfyesve tuaj të admiruar: bacë Metush Krasniqit, Kadri Halimit, Adem Demaçit, Rexhep Elmazit dhe, bashkëveprimtarëve, që drejtpërsëdrejti ose tërthoras përpiqeshe me ta, si Zija Shemsiu, Rexhep Mala, Kadri Zeka, Nazmi Hoxha, Fazli Abdullahu, Nijazi Korça dhe të rënët e shumtë për etninë dhe gjeografinë shqiptare.

Vëlla Irfan! Ishe vullnet-plotë edhe kur të mohonin, edhe kur të ndiqnin, edhe kur të torturonin mizorisht, edhe kur të mbanin larg më të dashurve tuaj, larg vendlindjes, sërish ruaje vullnetin për mësymje të mëtejme, gjithnjë aty ku duhej dhe mendoje se pashmangshëm e kishe vendin  me fjalët dhe qenien tënde të urtë. Asnjë goditje e armikut nuk të zmbrapsi nga mësimet e mësuesve të adhuruar, andaj jeta jote nuk ra në letargji nga dëshpërimi dhe thyerjet shpirtërore. Asnjëherë nuk të pamë të tërhequr nga betejat e jetës së këtij populli, që shumë më vonë se të tjerët, në saje të shëmbëllesave tua dhe të bashkëveprimtarëve po mëtonte mëkëmbjen shtetërore e qytetëruese të këtij populli të ndarë aq mizorisht…

Irfani ynë i dashur!

Si nuk t’i pamë lotët të rridhnin faqeve asnjëherë?! Burrëria jote ishte në kundërthënie me fiziologjinë e dhimbjes… Gjithnjë mëtoje sipas modelit të veprimtarëve kombëtarë t’i fshihje lotët, por te shëmbëlltyra jote ata nuk rrodhën jashtë syve, por në brendinë e shpirtit tënd të heshtur. Natyrisht kjo ishte djegëse për ty!

Erdhi çasti t`i themi karakterit tënd, atij karakteri për bërje të modelit për brezat: lamtumirë!

Në emër të Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës – dega në Gjilan, iu shprehë ngushëllimet më të sinqerta familjes Shaqiri dhe miqve e shokëve që e deshën dhe i deshi Irfani!

Shoku e miku ynë i çmuar Irfan: prehu në paqen e pasosur të amshimit! E meritoje një paqe të tillë!

Gjilan, më 2 tetor 2024

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok