21/12/2024

Perëndim apo …?! (3)

0
Vilhelme-Vranari

Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj

– Pj.3

Horizonti ishte bërë njësh me natyrën. Atsaj buzëmbremjeje ajo copëz gjithësi, dukej si një masë e tërë e pandashme dhe pa anë me tokën e qiellin. Askund nuk shihje kufijë. Nuk dukej as ajo vija  imagjinare që bën ndarjen mes tokës, ujit dhe qiellit që ne e quajmë “horizont”. Tashmë ajo dukuri ndarëse ishte bërë e padukshme. Veçse nga njëri skaj në skajin tjetër, dallohej një brez i gjerë i artë që e formonte shtrirja pa kufi dhe formë e rrezeve të diellit. Ai trup i zjarrtë që atë buzëmbrëmje nuk digjte më, dukej sikur s’donte të largohej. Ndoshta nguronte nga dashuria e tij për gjysmëhemisferën tonë. Buzët e tij të stërmëdha qëndronin të puthitura mbi horizont, si i dashuri që përqafon të dashurën, para se të niset në një udhëtim të largët. Pas pak shkëlqimi i rrezeve të mekëta të diellit, teksa po zhytej matanë drejt të së panjohurës, e zbehu ndriçimin rrëzëllitës të ditës. Duke u zvargur ngadalë i la lamtumirën gjysmëhemisferës lindore dhe vazhdoi rrugëtimin e përjetshëm drejt perëndimit. Ikte ndoshta me galop, mase edhe me hap duke përtuar dhe ndoshta, ndoshta duke kthyer shikimin pas, për të parë se ç’pamje do të merrte toka pa praninë e tij. Papritur u duk vija e errët e horizontit, i cili dukej i frikshëm dhe kanosës. Kurse mbi të në kupolën qiellore u dukën disa re me një ngjyrë të purpurt të lehtë. Kjo hapësirë e qiellit dukej si një mozaik i qëndisur në ngjyrë violë. Ndërsa më sipër ato kishin  marrë ngjyrën blu të errët e në vazhdim retë dukeshin si të hirta. Më pas ngjyra u njehsua u bë e një trajtshme në ngjyrë bronzi, e cila gradualisht mori të errëtën e tokës. Megjithëse ishte mugëtirë, por ndikimi i diellit krijonte përreth horizontit një dritë purpuri të zbehtë që lejonte të dallohehin format dhe konturet e sendeve që nga larg.

Duke shijuar këtë bukuri të një perëndimi përrallor, iu afrova bashkëshortes dhe u ula pranë saj. Nuk ka gjë më të bukur dhe më mallëngjyese kur gjatë bisedës sjellim ndërmend copëza jete, të mira dhe të këqija. Në të gjitha rastet ato janë vlera njerëzore që tregojnë fizionominë dhe rrjedhën e një jete.

-Aja, unë asnjëherë nuk të kam ndërhyrë në ato që shkruan.

-I dashuri im, Timi, krijimtaria letrare nuk pranon urdhëra. Asnjëherë nuk realizohet diçka e mirë, e bukur dhe kur krijuesit i thonë, bëj këtë apo shkruaj kështu! Arti nuk bëhet as me imponim dhe as me detyrim. Ai buron nga shpirti i krijuesit dhe ngjet i freskët si uji i borës që rrjedhë nga gurrat malore. Duke u nisur ng faktorë të tillë, unë i jap të drejtë vetëm kritikës, analistëve, lexuesëve si kitikë të paanshëm, apo konsulentëve që ndihmojnë për data, ngjarje apo për kohën kur kanë ndodhur. Letërsia kurrë nuk është e plotë, domethënëse dhe e arrirë aristikisht, nëse nuk del nga shpirti dhe aq më tepër kur diktohet ose detyrohet. Së fundmi, se ç’cilësi do të ketë krijimatria, kjo varet nga këndvështrimi i autorit dhe botëkuptimi i tij.

-Ke shumë të drejtë, e dashura ime.

-Synimet e një libri janë e vetmja e drejtë e autorit. Veçse që ai t’ia arrijë qëllimit, i duhet jo vetëm talent, punë vetëmohuese, përkushtim, por mbi të gjitha i duhet një temë e goditur, e cila duhet të përfshijë e të ketë në qendër të veprës problemet sociale që kanë shkatërruar dhe tronditur padrejtësisht shoqërinë. Për të realizuar këtë, shkrimtari niset nga një ngjarje e rëndë tronditëse, apo shumë e bukur dhe intriguese. Te krijuesi ndikon shumë një dramë familjare, shtetërore, një tragjedi apo një padrejtësi e madhe shoqërore. Si individ tek unë ndikojnë dramat e vendit tim të vuajtur e të drobitur ndër shekuj. Për këtë pjecetinë të vogël që po shkruaj, më ngacmoi fati i shqiptarëve të pafajshëm, fat që u vendos në zgjedhjet e fundit dhe më të padrejta që kanë ndodhur ndonjëherë. Mendimet dhe idetë që të vijnë në mendje, rrjedhin si uji i burimit, sepse dalin nga një shpirt i dëshpëruar deri në dhembje e lëngatë që pasohen me psherëtima dhe lotë. Këto ide të pa detyruara, por të imponuara nga rrethanat, si, veprimtaria dhunuese dhe mashtruese e klasës politike të palyrtë e të korruptuar, e cila shpërdoroi votëbesimin e qytetarëve. Atëherë, duke analizuar gjithë sa ndodhën, ato  lindën ashtu vetëvetiu, reale dhe mëse origjinale.

Krijimtaria niset nga shkaqet dhe është e aftë të paraqesë pasojat e dramës së një populli të pafajshëm që ka hequr mbi shpinë të zitë e ullirit dhe përsëri po vuan, pa gjetur “qetësinë e premtuar”.

-Zemër, e di pse ndodh diçka e tillë? Sepse ne nuk guxojmë.

-Që të guxosh për të deklaruar të vërtetën e hidhur, duhet të marrësh parasysh gjithçka. Së pari duhet të vrasësh frikën me mendimin se e drejta është me ty.Duhet të besojmë e të bindemi se ne jemi skllevërit dhe “I Madhi i Familjes” është skllavopronari. Po ta mendojmë thellë-thellë e të pyesim ndërgjegjen, bindemi se ne jemi kthyer pas në kohë, disa shekuj të shkuar. Ndaj që të vrasim frikën duhet trimëri.

-Eh sa padrejtësi ka përjetuar dhe po përjetojnë të gjorët shqiptarë! Ne të dy dhe shumë të tjerë që kërkojnë drejtësi, e dinë mirë se është faji i politikës, e dashur. Nuk di, me ç’mendje vallë vepron pseudo-politika e mbrapshtë shqiptare?

-Duke filluar nga shkalla më e ultë dhe deri në kupolën e “Pushtetit të Meduzës” kanë nëpërkëmbur historinë e një kombi vital. Nuk e di se çfarë synimesh kanë, jo… Për derisa ata thellojnë mohimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, duke i varfëruar materialisht dhe mendërisht, kanë bindjen dhe mendimin: “Vetëm neve t’na shkoj tymi drejtë, se mbajnë shqiptarët. Sa më shumë t’u shtrëngosh rripin, aq më të butë, më të kuptueshëm dhe më të bindur bëhen.”

Të gjorët shqiptarë! Në ç’portë duhet të trokasin vallë? Edhe nëse bëjnë këtë në media,jam e bindur se trokasin në veshë të shurdhët. Porse e vërteta pavarësisht se është sekret shtetëror apo i një sistemi që mashtron të madh e të vogël, ngjet me “Kutinë e Pandorës”, sipas një gojëdhëne që vjen nga mitologjia. Le të shohim se cila ishte Pandora dhe ç’ishte kjo kuti? E nëse hapej, çfarë do të ndodhte vallë?

Kur isha e vogël, në atë kohë të pafajshme fëmijënore, dëgjoja tim atë që shpesh herë në bisedat familjare, shprehej: “ Kjo që po ndodh me ne shqiptarët është si legjenda mitike, me titull,“Kutia e Pandorës”. Unë hapja veshët dhe sytë e çuditur se nuk e kuptoja. Më vonë, kur babanë tim të pafajshëm e arrestuan dhe përfundoi në burg me 14 vite humbje lirie, fillova të vrasë mendjen. Porse nisa ta kuptojë domethënien e legjendës veçanërisht, kur mësova shkaqet e hedhjes së prangave të babait tim, ‘pa shkak, pa faj dhe pa krijuar një krim që të shërbente as si pretekst, pa le që shkaku i kishte rrënjët shumë të thella. Ishte direktivë e të “Madhit të Shtëpisë’ që shtresa fisnike duhej të diskreditohej dhe të fajësohej me çdo kusht dhe deri në atë pikë sa të urrehej nga gjysma  e shqiptarëve.”

Në kohët e arta deri pa u njohur kutia e Pandorës, njerëzit jetonin në paqe, harmoni dhe dashuri me njëri-tjetrin. Nuk e njihnin smirën, egoizmin, mllefin dhe as urrejtjen. Ata ishin aq naiv, të drejtë dhe të paditur, sa besonin në ditët që jetonin.

-Këtë qetësi na ka falur Zoti dhe ne duhet t’i jemi mirënjohës për paqen që po gëzojmë, – dëgjoje të shpreheshin të kënaqur banorët. Përditësia e qetë dhe pa andralla për ata, ishte e vërteta e jetës dhe ashtu duhej të ishte. Njerëzimi nuk e dinte se ç’ishte e keqja, lodhja, sëmundjet, madje, si perënditë, edhe ata ishin të pavdekshëm.

Të gjithë ishin të mirëkuptueshëm dhe tolerantë. U duk se kjo qetësi që mbretëronte mes njerëzve sikur mori sy. Papritur një ditë të bukur ndodhi diçka që tronditi e ndryshoi rregullat, edukatën, karakterin e njerëzimit dhe rrjedhën e jetës.

Ashtu si papritur e pakujtuar, Zeusi donte të shihte, se a ekzistonte e keqja tek njerëzit? Për këtë ai bëri një provë dhe krijoi Pandorën prej ujit dhe tokës. Ndërkohë Afërdita i fali vajzës të sapolindur një bukuri hyjnore, para së cilës nuk rezistonte dot askush. Athinaja i endi veshje me fije të argjendta dhe në kokë i vuri kurorën prej ari. Hermesi i vuri në zemër një shpirt të rremë, ndërsa Mërkuri këtë vajzë me një bukuri të pakrahaueshme e quajti Pandor(ov) që do të thotë ‘e porsalindur’. Megjithë porositë e Mërkurit që të mos besonte në dhuratat e Zeusit, por i vëllai i tij, Titani Promete e pranoi martesën me Pandorën. Zeusi që sugjeroi këtë martesë i solli Pandorës një dhuratë në dasmën e saj dhe i tha: “Kjo kuti është dhurata ime për dasmën tënde. Veç të lutem, mos e hap, se më pas do të pendohesh.”
Pandora dyshuese kishte rënë në të thella dhe çdo çast mendohej duke pyetur veten:

“Për ç’arsye Zeusi më ka vënë një kusht kaq të rëndë që të mos e hap kurrë kutinë? Kjo më ka rritur kureshtjen dhe më nxit më tepër që unë ta thyej urdhërin dhe të mos e vlerësoj porosinë e tij të çmuar. Çfarë sekreti apo pasurie përrallore ruhet nën këtë kapak? Përse të mos e provoj njëherë? Të vej ku të vej, unë do ta provoj, se mase nuk përmbyset bota. Sa të hedh një sy e të shoh se ç’ka brenda, do të shuaj kureshtjen dhe do ta mbyll shpejt e shpejt. Le të bëhet ç’të dojë. Ndoshta nuk do të bashkohet qielli me tokën dhe as nuk do të ndodhë apokalipsi* nëse do të hapet kjo kuti.”-mendoi ajo në atë çast. Papritur dhe pa u menduar më gjatë ajo e ngriti pak kapakun e kutisë. Pandorës aty nuk i zuri syri asgjë dhe mendoi: “Këtu s’paska gjë. Atëherë çfarë ruhej aty brenda?” Veçse për çudi atë çast nga kutija dilnin zëra dhe psherëtima rënkuese të diçkaje, ndoshta të një lloj shpirti që ishte mbajtur dhe mbahej peng në atë kuti. Ajo u përpoq ta mbyllte, por kapaku nuk i bindej. Papritur kutia u mbyll. Ku ta dinte bukuroshja Pandorë, se çfarë sekreti ruante vallë ende brenda ajo kuti? Ajo e hapi përsëri për të parë dhe në botë doli diçka e padukshme, ndoshta një shpirt i munduar që ruhej me fanatizëm.

Kjo “diçkaja”ishte shpresa që lind tek njerëzit dhe rrit besimin në vetvete. Kjo është arsyeja apo burimi i shprehjes njerëzit kanë humbur shpresën”, e cila e mban njeriun gjallë. Që nga ajo ditë doli në shesh të mejdanit e keqja. Mbi tokë  u mboll varfëria, vuajtja dhe skamja për njerëzit e thjeshtë dhe të drejtë. Tek pakica e njerëzve lindën disa tipare negative si, etja për t’u pasuruar pa mundim dhe pa shpenzime. U shfaq egoizmi, smira, mllefi, urrejtja që i çonte mjeranët në hakmarrje dhe krime. Këto dukuri karakteri dhe etja për t’u pasuruar padrejtësisht, bëri që lakmitarët shpikën luftërat. Ndaj Zoti, duke e njohur natyrën njerëzore  kishte urdhëruar që të mos hapej  kutia e Pandorës. Me këtë ai i porosiste njerëzit që të mos e humbisin shpresën. Për këtë arsye thuhet, se shpresa vdes e fundit.

Është për të ardhur keq, por ky sekret i ngjashëm me atë që fshihej në kutinë e Pandorës, sot është bërë metodë sunduese në botë. Ky është shkaku që njerëzit, sot më shumë se kurrë kanë humbur besimin dhe shpresën tek e vërteta dhe drejtësia e mohuar, ndaj kanë marrë arratinë nëpër botë.

O Zot, pse ua dimë vlerën disa gjërave vetëm pasi i kemi humbur? “- pyeta ashtu në erë, sepse e dija mirë që nuk do të merrja përgjigje kurrë.

………………..

apokalipsi-fundi i botës, zhdukja e botës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok