22/12/2024

Pablo Picasso, gjeniu i sprovave të kurajshme, hovi i shpenguar i sublimitetit në art

0
Pablo-Picasso

Pablo Picasso, tetor 1971, Mougins, Francë. RALPH GATTI/AFP/AFP/Getty Images

Nga Albert Vataj

Pakkush në historinë e artit ka mundur të rrok në vetvete kaq heroike njeriun e sprovave estetike, të turlillojshme, fataliste dhe marroke, sa ç’ngulmoi t’ia qëmtojë pranisë në art, Pablo Picasso.

Pablo Picasso u lind më 25 tetor 1881 në Málaga të Spanjës. Ai ishte piktor, skulptor, punues qeramike, projektues grafik, poet dhe dramaturg, publicist dhe kumtues. Ç’mos ishte ai. Kudo la gjurmë me sprova t’kurajshme dhe ndryshesa çapërluese e transformuese. Me ç’nuk i mbushi ai të 91 vitet e moshës, deri më 8 prill 1973 kur u shua.

Si të gjithë fillimtarët e ndryshesave tranformuese edhe Picasso guxoi. U përplas me kohën. Mendësitë dhe doktrinat gjetën tek ky kurm gladiatori, qëndresatarin. Pablo Picasso erdhi për të mbetur një piktor krejt tjetërqysh nga krejtkush mbërriti deri asohere. Kumtoi një art, pa rregulla, pa simetri, pa limite, pa kurrçka që morali u qas të orvatet përreth botës që ngjan një shpërthimi pa formë. Një plazmimi mbi letër të paanë dhe telajo që jo rrallëherë të përpinte nga përmasat që rrek, herë të stërmëdha dhe tek-tuk, copëza letre dhe bocete. Tankund shtegtoi piktori drejt yllit të tij gjithkahshndritës, kumtojnë një zgrip të thekshëm. Të bësh art, për të, ishte njëlloj sikur të fitoje një lloj lirie të dhunshme. Piktura për të, ishte një çështje spirituale, një yshtje dalldisëse gjëndjeje papajtueshmërie dhe pamjaftueshmërie. “Piktura është më e fortë se unë, më detyron të bëj atë, çfarë do ajo”,- thoshte Pablo Picasso. Robërimi prej pasioneve shpërthyese estetike, dukshëm e nënshtron vullnetlirin e ideve përtëritëse. Asnjë nga ngulmëtarët e mëhershëm të modernizmit, nuk e ndiente aq fuqishëm artin, as Matisse, as Mondrian dhe padyshim, as Braque, sa ai. Padyshim që nuk do të ishte e lehtë.

Kremtoi me solemnitetin e allasojtë identitetin e tij, si në pikturë, si në forma, si në frymësinë e të gjitha gjendjeve dhe gjërave që ai mëtoi, me tërësinë gjithnjë shpërthyese, prej artisti të madh dhe një gjenialiteti që rritej nga format e rikthyera të fëmijërisë. Ai bashkërrëfyes i një prej rrymave më të fuqishme, që historia e artit do të përçonte në fillin e vet të krijimit, kubizmit.

Dukshëm me këtë, ai guxon të shembë gjithë atë masiv muri rrethues rregullash dhe limitesh, brenda të cilave vërtitej me një potere të frikshme arti dhe krijimi i deriatëhershëm e i derisotëm. Duke veshur fëmijërinë në pikturë, e hullit korpusin mëtues për nga një shteg, ku krijimi dhe kjo qasje do ta nxjerrë në një pamatësi lirie, si ajo që guxon ta gllabërojë shtegu i vërshimit. Gardhet akademike ishin dhe mbeten deri në fund për të, skllavëri e vullneteve të shpenguara. As nuk e ka kuptuar dhe s’kishte pse ta bënte një gjë të tillë, jo vetëm në krijimtari, por në gjithë perimetrin e tablosë ku shtrihet portreti njerëzor i tij.

Më i zallamahishëm se çdo artist tjetër, ai ka qenë një vlagë e rëndë në tokën e ashpër, një mjeshtër, një njeri i paqëndrueshëm, rebel, e mbi të gjitha, i lirë.  Dora e tij ka shkundur lëvizjen botërore të artit të shek. XX, duke i dhënë një frymëmarrje eterne dhe përmasa të pamatësisë gjithçkasë që do të hidhte hapin aty e këndej.

Rreth 15.000 piktura, vizatime, grafika, plastika dhe qeramika, dëshmojnë jo dhe aq volumin e tij të jashtëzakonshëm, se sa vlerat shumëdimensionale, me të cilat ai promovoi emrin dhe veprën e tij, duke qëmtuar kështu për të vendosur majën më të lartë. “Kur isha fëmijë, dëshiroja të pikturoja si të rriturit. Tani kur jam rritur, e madje, edhe moshuar, dëshiroj të pikturoj  si fëmijë”, – është kjo perifrazë shkëputur nga ligjërimet e piktorit të madh, dhe njëherazi, një nga filozofitë e krijimit dhe përjetimit.

Më i zallamahishëm se çdo artist tjetër, ai ka qenë një vlagë në tokën e ashpër, një mjeshtër, një njeri i paqëndrueshëm, rebel, e mbi të gjitha, i lirë.  Dora e tij ka shkundur lëvizjen botërore të artit të shek. XX, duke i dhënë një frymëmarrje eterne dhe përmasa të pamatësisë gjithçkasë që do të hidhte hapin aty e këndej.

Pablo Picasso padyshim mund të cilësohet dhe si piktori që lakuriqësinë e vishte me ndjenja, me atë formësi dhe forcë, që vetëm shpirti i tij mundi të ravijëzonte në trajta dhe forma, në gjendje dhe sende. I dha kështu artit një dimension pa limite. I hapi qiejt dhe u dha zë dhe zemër gjithëçfarë pasionet e fshehta mbrunin duke e strukur në brendi shumësinë e impresionove dhe shkulmeve. Sakaq mëtoi diçka ndryshe në botëkuptimin dhe perceptimin artistik të kohës. E bëri këtë, ndoshta me kushtrim britës sa prishaqejfi shumë mendësi dhe mprehu urrejtjen e shumë anatemave. E bëri këtë dhe nuk mendoi se çfarë do të vinte pas, çfarë vendi do të zinte në eter ylli i tij.

Pablo ishte njeri supersticioz dhe sarkastik, baba i keq dhe shpesh një kafshë për gruan, shprehi e cila shpërfaqet në vizatime dhe piktura, në qëmtime dhe kumtime, ku rrebeshi mendor dhe emocional marrin drejtimin e ravijëzimeve mbi telajo dhe letër. Ai kishte përbuzje të neveritshme për artistet femra, të cilën gjithashtu nuk e fshehu. Siç nuk e bëri me asnjë nga çmenduritë e tij prej artisti relievthyer. Nga komentet më tipike për gratë dhe nga domethëniet, njëherazi të dendura, me penelata të forta dhe shumëformëshe është:  “perëndesha apo këmbësore”. I keqkuptuar apo i anatemuar, për kësi sajesash të bruzta dhe shpërthyese, njiherash edhe për vulgaritetin, dhunën dhe rrëmujën, ku i futi ai marrëdhëniet e tij me femrat. Gjithëkjo do ta bënte një nga më të urryerit e feministeve. Labirintet e ndërtuara çakërrqejf prej tij, do të ishin jo veç ekuacionet e konstruktit emocional dhe kreativ, por dhe rebuse të dekorit dhe gjeografisë fizike të perimetrit prej mishi, kockash, gjaku dhe ndjesish. Shpengimi i rrëfente gjithnjë rrugët e duhura. Deformacioni dhe trandja që mëtoi papushim, më vonë dhe përgjithmot do ta rendiste në piedestalin e penelatave më kumtuese dhe zotëruesin më vital, të përmasave impresionuese. Teveqel dhe orakull gjithashtu, dëshmon dhe në përkatësinë politike. Asnjë piktor apo skulptor, i deriatëhershëm, madje as mjeshtërit e penelit dhe të daltës, që konturuan dhe ravijëzuan veprën e tyre në memorien e përjetësisë, nuk kanë rrokur kaq përmasa lavdie sa Pablo Picasso. Ai e rrëmbeu në një farë mënyre, trofeun e lavdisë në duart e nguruara të kohës.

Eshtë shumë e mundur që asnjë tjetër do të ishte rrokakohës sa Pablo Picasso. Edhe asohere kur ngulmi  për të patur domethënie sociale, për të artikuluar mite dhe për të gjeneruar imazhe – sa madhështore, i ka kaluar fotografisë, filmave dhe televizionit. Edhe pse Marcel Duchamp, dhelpra e vjetër dinake e ironisë konceptuale, ka qenë disi më i famshëm se spanjolli në fjalë. Pablo Picasso ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë, pionieri i bindjes së asaj kohe, që gjuha e pikturës dhe skulpturës kishte për njerëzit rëndësi më të madhe se vetë artisti që i krijonte. Ai ishte artisti i parë që u kënaq me vëmendjen obsesive të masmedias. Pablo Picasso qëndroi në vijën ku takoheshin këto dy botë dhe luajti po atë rol, maskë, të cilën nuk e hoqi deri në fund. Nëse nuk do të kishte qenë ashtu, ndryshimi oshilant i stilit dhe çmenduria, forma dhe brendia, mesazhi dhe revolta, nuk do të kishte krijuar aq shumë polemika dhe natyrisht, nervacingëritje skolastike dhe akademike, padyshim as famë.

Në botën e sotme të artit, një vend pa heronj kulturorë, nuk do të ishte kurrë e imagjinueshme të ekzistonte një “mostër” i tillë despotik. Gama e tij e prodhimeve ishte shumë e gjerë. Ky, kryekëput nuk është një virtyt në vetvete. Nga pikturat e Vermeerit apo të vëllezërve Van Eyck, kanë mbijetuar shumë pak, por ato janë të rrënjosura në histori shumë më tepër se ç’ka qenë apo do të jetë ndonjëherë Pablo Picasso. Megjithatë, manovrat e Pablo Picassos kanë pushtuar botën dhe lanë një shenjë të përhershme në çdo disiplinë ku ai i fuste hundët për të mbetur aty si një gur themeli. Puna e tij u përhap masivisht, me imazhe që ndiqnin njëra-tjetrën, pa pushim pas vdekjes.

Ai ishte artisti me të cilin çdo artist tjetër duhej që virtualisht të krahasohej dhe nuk ka patur gati asnjë lëvizje të shek. XX që mos të ketë qenë e frymëzuar nga ai, për të cilën të mos ketë kontribuar apo që të mos ketë qenë e shpikur nga vetë ai. Për shembull, kubizmin, i cili është një nga bashkëpunimet më të mëdha të artit, Pablo Picasso e shpiku bashkë me Georges Braque. I vetmi përjashtim, për shkak se Pablo Picasso nuk ka pikturuar kurrë ndonjë pikturë abstrakte në jetën e tij, ka qenë pikërisht art abstrakt. E megjithatë, ka lënë edhe aty shenjat e tij të gishtërinjve dhe shembull për këtë është që ai ka patur një ndikim shumë të madh tek piktorët e artit.

Pjesa më e madhe e historisë së skulpturës moderne është e lidhur ngushtë me mbledhjen dhe shkrirjen e imazheve nga fletët e metalit dhe jo me modelimin e argjilave, derdhjen e bronxit apo me gdhendjen e drurit. Kjo traditë e formave të hapura të ndërtuara, në vend të shformimit të masave të ngurta, lindi nga një kitarë e vogël, të cilën Pablo Picasso e bëri copa-copa dhe e riformoi përsëri me teneqe, në vitin 1912. Kolazhi, ngjitja e copave dhe imazheve, që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, në një sipërfaqe të sheshtë, u bë metoda kryesore e artit modern, që ishte gjithashtu meritë e bashkëpunimit kubist të Pablo Picassos me Braque. Ai nuk ka qenë kurrë pjesëtar i grupit surrealist, por gjatë viteve ’20 dhe ’30, ai prodhoi disa nga deformimet më të frikshme të trupit të njeriut dhe imazhet më të dhunshme, irracionale dhe erotike. Ai nuk ishte një piktor realist dhe as muralist i askujt, por megjithatë Guernica vazhdon të jetë një nga imazhet më të fuqishme politike të artit modern.

Pablo Picasso nuk ka qenë një filozof apo matematikan, por puna që ai bashkë me Braque bënë, gjatë viteve ’11 dhe ’18, kanë qenë të lidhura ngushtë intuitivisht me perceptimet e mendimtarëve, si Ajnshtajni dhe Alfred North Whitehead. Ata thoshin se realiteti nuk është një figurë apo një hapësirë boshe, është një marrëdhënie, një fushë vezulluese eventesh, që i kundërpërgjigjen njëra-tjetrës. Kubizmi ishte i vështirë të kuptohej, qëllimisht konfuz, megjithatë edhe shumë popullor. Asokohe e derimsot, vazhdon të jetë dialekti artistik më me influencë, ashtu siç ishte gjatë viteve ’20. Si për ta distancuar veten nga imitatorët e tij, Pablo Picasso kaloi në ekstremitetin tjetër të artit të vjetër klasik, me pikturat e tij të grave të shëndosha, që shihnin ëndrra mesdhetare, si homazh ndaj Cort dhe Ingres. Edhe pse publiku e shikonte atë si prototip modernist, Pablo Picasso ishte shumë i shkëputur nga arti modern. Disa nga artistët më të famshëm modernistë, si Kandinsky ose Mondrian, e konsideronin punën e tyre si një instrument evolucioni apo zhvillimi njerëzor. Por, Pablo Picasso kishte shumë më tepër damarë utopie se sa idhulli i tij spanjoll, Goya. Ideja se arti evoluohej, ecte përpara ose se kishte ndonjë lloj misioni historik, atij i dukej qesharake. “Ajo çfarë kam bërë,- tha ai dikur,- është bërë për të tashmen, dhe me shpresën se gjithmonë do të mbesë në të tashmen. Kur kam gjetur diçka për të shprehur, e kam bërë pa menduar për të shkuarën apo për të ardhmen”. Çuditërisht, ai ishte gjithashtu kundër besimeve të ekspresionistëve, të cilët mendonin se arti merr vlera të mëdha kur afron të vërtetën, qenien e brendshme të autorit të tij. “Si mundet që ndonjë njeri të hyjë në ëndrrat, instinktet, dëshirat dhe mendimet e mia… dhe kundër çdo logjike, të kuptojë se çfarë dua të bëj, ndoshta edhe kundër vullnetit tim?”,- shpjegonte ai.

Në punën e tij, çdo gjë përqendrohej te ndjeshmëria, te dëshira, forca dhe hapësira, që i veshi këtij dimensioni prej nga erdhi kumtimi krijues. Qëllimi i Pablo Picassos nuk ishte të argumentonte koherencën, por që të arrinte të ndiente nivelin më të lartë të ndjeshmërisë, forcën e shprehisë dhe formën e çartun të artikulimit. Ai e përforconte këtë ide me një forcë të madhe plastike, duke të bërë që të ndiesh peshën e formave dhe tensionin e marrëdhënieve të tyre, duke vizatuar ose me anë të toneve të strukturës. Ai nuk ka qenë kurrë një kolorist i mirë, si Matisse apo Pierre Bonnard, por me anë të metaforës, ai përcillte shtresa të shumta kuptimore së bashku. Gjatë këtij procesi, ai ndryshoi një nga rrymat e artit modern. Modernizmi e la mënjanë procesin e tregimit të historive dhe filluan të kishin më tepër rëndësi marrëdhëniet formale. Por, Pablo Picasso e riktheu përsëri në një formë të kamufluar, si një rrëfyes psikik, të shprehur me anë të metaforave, lojërave të fjalëve dhe ekuivalencave.

Elementi më i fuqishëm në histori, të paktën pas kubizmit, ishte seksi. Femrat lakuriq ishin subjekti i tij obsesiv. Çdo gjë në universin e tij piktoresk, sidomos pas vitit 1920, dukej i lidhur ngushtë me trupat lakuriq të femrave. Pablo Picasso i veshi femrat e tij vetëm me ndjenja, që fillonin nga ëndrrat erotike deri tek arroganca e tërbuar dhe e hidhur, ashtu si asnjë artist tjetër perëndimor nuk kishte arritur kurrë t’i vishte. Ai e bënte këtë me anë të metamorfozës, duke e rikompozuar trupin sipas formës së fantazisë së tij të posedimit dhe sipas terroreve të tij seksuale. Tashmë, ai i kishte nxjerrë format e fshehura dhe krahasuese të lojërave të kubizmit jashtë sirtarit prej të krisuri dhe emocionalit të dizekuilibruar. E pse jo dhe një arroganti të sëmurë. “Të zhvendosësh”,- ashtu siç e quante Pablo Picasso këtë proces,- “ishte të vendosje sy në mes të këmbëve, ose organe seksuale në fytyrë”,- të ecësh ku të tjerët nuk kanë guxuar. Të kundërshtosh, siç thoshte: “Natyra bën shumë gjëra sipas mënyrës sime, por i fsheh ato!”. Ashtu si prurjet e para, edhe të fundit, do të ishin vetëm të tijat, të ndryshme dhe të famshme, misionare dhe heretike, njerëzore dhe hyjnore deri në kurrnji trajtë të kumtuar deri atëherë. Ishte dhe mbeti një piktor gjeni, njeri që besonte se gjithçka që duhet të kërkosh në jetë, është liria, të cilën ai e zotëroi, e përqafi, edhe atje ku e mori përdhunshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok