26/12/2024

“NETËT E KARADAKUT” NISMË E MBARË E SHTEGTIMIT POETIK TË IBRAHIM KADRIUT

0
Kadriu-Netet-Karadakut

– Parathënie –

NGA ANTON NIKË BERISHA

Më 1969 Ibrahim Kadriu, njëzetekatër vjeç[1], botoi përmbledhjen e parë me poezi “Netët e Karadakut”[2], e cila zgjoi vëmendjen e lexuesit dhe të kritikës së kohës[3]. Me titullin e librit (që të kujton ciklin me poezi të Azem Shkrelit “Shënime natën”) e sidomos me poezinë “Elegji ditës”, që është hyrje poetike e veprës, autori shenjëzon, në një mënyrë ose në një tjetër, atë që do të rrëfejë në poezitë e tjera. Dukuritë dhe idetë që poeti i ri i bën objekt të vështrimit ndërlidhen me dhimbjen, me plagët dhe me pësimet në kohën konkrete, në të cilën gjallon ai dhe njerëzit e tij: Do të mbesin pjellë e ditës së sotme, e jo e ndonji dite tjetër (Elegji ditës). Ajo është kohë, siç do të thoshte Azem Shkreli, Kishte koha ethe, kishte koka frymë[4], ose Visat Zhiti “Kohë e vrarë në sy”[5] ose siç dëshmohet edhe nga titulli i përmbledhjes me poezi të zgjedhura të Ibrahim Kadriut: “Kohë e djegur në bebëza”[6].

Poezitë e veprës “Netët të Karadakut” përshkohen nga dy dukuri: vetmisë dhe heshtjes. Domosdoja e heshtjes në rrethana të caktuara jetësore dhe politike dhe pamundësia që të veprohet dhe të thuhet fjala e lirë, e shkakton vetminë, ndërsa kjo i jep jetë heshtjes.

Në këto poezi Kadriu dëshmon se jeton dhe frymon me tundjet, vështirësitë dhe pësimet, dhe se rrethanat përkatëse janë përcaktuese e asaj që ndodh dhe shprehet në tekst. Shkrimtari i shquar gjerman, Tomas Man, thoshte: “Që një vepër e shkruar me kulturë të lartë të ketë sukses, duhet të ketë një afërsi të fshehtë, të ndjehet lidhja midis fatit personal të autorit dhe fatit të brezit të tij”[7].

Pra, poeti jeton me dukuritë e kohës së vet, po njëherit edhe me të kaluarën, e cila është thellë e pranishme në të tashmen. E tashmja dhe e kaluara janë të ndërlidhura dhe bashkëjetojnë në vetëdijen e në shpirtin e poetit dhe si të tilla shprehen fuqimisht në poezinë e tij.

Kadriu i kthehet të kaluarës për arsye se, siç thotë shkrimtari italian, Francesco Grisi (Françesko Grizi), ajo “është një e tashme që duhet zbuluar[8]”. Pikërisht pse e kaluara bën bazën e ekzistimit të së tashmes, zbulimi i veçantive të saj përmes tekstit poetik të hartuar, kushtëzon njohjen e mirëfilltë të së tashmes (e cila, në një mënyrë ose tjetër, e përcakton dhe të ardhmen). Në këtë mënyrë, poezia e Kadriut bëhet mjet i pasurimit shpirtëror dhe i gjakimit të vetëdijesimit të njerëzve për vetveten dhe për botën që i përkasin, përkatësisht për domosdonë e vijimit të mbijetesës përkundër vështirësive dhe pësimeve me të cilat ata ballafaqohen në përditshmëri.

Në “Netët e Karadakut” shqiptohet sidomos vendlindja dhe atdheu. Kadriu që në nismë të veprimtarisë së tij letrare[9] ishte i vetëdijshëm se, siç thoshte Teodor Strom (Shtrom), “Kein großes Dichter ohne Vaterland” (Asnjë poet i madh pa atdhe), prandaj fatin si krijues e lidh me fatin e njeriut të tij. Këtë traditë shkrimtarët tanë të vjetër e përmblodhën me togfjalëshin Atme e fé, gjë që vazhdoi edhe tek shkrimtarët e Rilindjes dhe tek ata bashkëkohorë, të dëshmuara me veprat të llojeve të ndryshme.

Në shqiptimin e dukurive Kadriu niset nga rrjedha e përditshme dhe nga bota e brendshme, nga e veçanta e asaj që ndjen dhe përjeton ai vetë, po në të njëjtën kohë edhe nga e përgjithshmja, që lidhet me njeriun, kudo qoftë ai. Vepron në këtë mënyrë për shkak se, siç theksonte Freud-i (Frojdi), “Shqiptimi i botës së brendshme të njeriut është pikërisht fusha e veçantë e poetit dhe ai është përherë pararendës i shkencës, pra dhe i shkencës psikologjike[10]”. Në botën e brendshme gjallërojnë dukuritë më të qenësishme dhe më të fshehta dhe kur ato shprehen përmes artit të fjalës, përmes leximit, kthehen sërish tek njerëzit dhe bëhen pjesë e botës mendore e shpirtërore të tyre.

Duke i mishëruar e shprehur në poezinë e tij këto dukuri, Kadriu bën të mundur që ato të receptohen dhe të vënë një komunikim më gjallërik dhe të bëjnë ndikim më të madh te lexuesit, jo vetëm të brezit të tij. Ernesto Sabato thoshte: “Janë të paktë ata që rrëfejnë: ata që ndjejnë nevojën e errët, por obsesive, për ta dëshmuar dramën e tyre, fatkeqësinë e tyre, vetminë e tyre. Janë dëshmitarët, martirët e një epoke. Janë të destinuar për një mision superior, nuk i përkasin asnjë kishe letrare apo grupimi dhe, për këtë, s’kanë si pikësynim qetësimin e individëve të mbyllur në një famulli, por atë të shembjes së të gjitha komoditeteve, duke na kthyer kuptimin e gjendjes sonë tragjike humane”[11].

Dhembja e heshtjes dhe pasojat e vetmisë

Poeti Kadriu është i njësuar shpirtërisht me tokën dhe me botën ku jetojnë njerëzit e tij që kanë vuajtur kanë pësuar në rrjedhë të kohëve – peng i kohëve në gjunjëzim – dhe ku ka gjalluar fjalë e plagosur, e përgjakun si koha. Ato vuajtje dhe pësime të shkaktuara nga të huajt ishin të vijueshme. Poeti niset nga vetvetja, nga ajo që ai e ndien dhe e jeton, për ta shtrirë e për t’u njësuar pastaj dhe me njerëzit e botës që i përket. Këto dy përmasa në kumtin poetik të Kadriut dalin të ngjizura. Së këndejmi, vuajtjet, pësimet dhe fatkeqësitë vetjake janë dhe të njerëzve të tij për arsye se nuk ekziston kufi i prerë midis tyre.

Poeti u qaset dhe i shqipton ndodhitë nga jeta pa zbukurime, ashtu si i ndjen dhe si i përjeton: Kam provuar të jem unë. Kjo nuk është as mendjemadhësi, as kryeneçësi, po aftësi të ballafaqohesh me veten dhe me ashpërsitë e jetës e të botës ku jeton. Tragjikja që e ka cilësuar vendlindjen (Karadakun po dhe Kosovën, dhe më gjerë) në të kaluarën, përsëritet edhe në kohën e poetit. Kjo dëshmohet nga bubullimat e rrufetë, nga kamxhiku, ku as ëndrrat nuk janë të lira. Kanë ndërruar vetëm brezat e personat: ata që i nxitën të këqijat, dhunën, mënyrat e vuajtjes dhe pësimet (Në një varg të Azem Shkrelit thuhet: Kemi ardhur vetëm t’i ndërrojmë gjeneratat) dhe ata që i përjetuan ato. Secili i huaj që e mësyni vendlindjen, Karadakun e poetit dhe vendin e tij, erdhi “me uri ujku” dhe bëri gjithçka që t’i zhbëjë njerëzit, historinë dhe vendin e tyre.

Gjithë këtë gjendje dhe pësim e ndien thellë në shpirt poeti i ri, Kadriu, po nuk mund ta thotë haptas fjalën e tij, ta thotë e të mos ketë pasoja, madje dhe të rënda. Për këtë arsye fatkeqësinë dhe pësimet i lidh me veten e vet: M’i mbaj qerpikët të mos ngritën se shohin vetëm errësiVjeshtë e quejta veten… pa gjak – të verdhë (Misteret e natës); gjallimi dhe frymëmarrja përshkohen nga vetmia dhe nga heshtja.

Rri këtu n’vetmi, por nënkresa më thërret…

duket se belbzon fjalën “fli” e unë mallëngjehem,

me andrrime të kota që s’ua di fundin as vetë,

me të cilat formoj botën e me ato ideale dehem.

Po rri me natën këtu në dhomë, me katër mure

e me heshtje i rrethuem, e me nji gotë përbri,

tue u mundue ndjenjat me i shndërrue në nji lloj ure

tani mbi të me e bartë veten me këtë pak dashni!

(Buzëqeshja e gotës…)

Pra, brenda heshtjes gjallojnë gjërat dhe se Jashtë meje e teje vetëm shikimet dijnë të flasin (Halucinacione mbramjesh), ndërsa vetmia përshkohet nga dhimbjet, vuajtjet dhe fatkeqësitë e përjetuara. Në një jetë të tillë poezia shfaqet si prehje dhe ngushëllim shpirtëror. Poeti vepron kështu nga se “Ajo çka ishte jetë, ishte vetëm tym” dhe

kur tymi valëvitej mbi portretin tim,

I cili si re, më dukej se dëshironte me derdhë…

Pika shiu, e m’i la sytë e ajun nga ky pikëllim.

(Misteret e natës)

Gjendja e rëndë dhe shqetësuese ka ndikuar që poeti të ndryhet në vete dhe në vetmi: E për çudi: askush nuk ma prish qetësinë e dëshpërimit (Pesha e kësaj nate) dhe nuk i beson askujt dhe nuk beson në asgjë: Në veten time jam ndry dhe nuk besoj në asgja (Ti di mëshehtësi, por s’më njeh n’mbrendi) nga se valët e lumit: […] mbas po e lanë vetëm gjamën (Ti di mëshehtësi, por s’më njeh n’mbrendi); poeti përngjan në oazën e shkretëtirës: se i gjasoj oazës në shkretinë… dhe E ti, kangët kah po i çon, / moj fjalë e lulishtes, e natës dhe e vuejtjes?! (Halucinacione mbramjesh)

Gjithë ajo që ndodh brenda Kadriut, u ndodh dhe njerëzve të gjuhës dhe të gjakut të tij për arsye se është rrjedhojë e: Se n’sytë e mi t’paverbët, kanë lanë njolla gjaqesh të tjerët dhe O, nata ime, natë e varun për qerpikët e mi të verdhë… Kjo gjendje është shtrirë në gjithë Karadakun e tij: Në ty Karadak, / bjeshkët qenë mësue me kangët e rafalëve (Karadak, o skenë e mëkatorëve). E keqja dhe ligësia që shkakton i huaj me veprimet e përmbysura dhe të dhunshme ka depërtuar në çdo pore të jetës, edhe në dashuri: Tue u përvjedhë përmes buzëve tona të humbuna në natë (Kanga e quejtun vorr).

Duhet thënë se të shprehurit e gjendjes në të cilën frymojnë njerëzit në kohën e botimit të librit “Netët e Karadakut” (1969), do të ishte me pasoja të pazakonshme për autorin, po rrëfimi i tij poetik përftohet në atë mënyrë, ku kufiri mes njëmendësisë dhe ëndrrës, mes zhgjëndrrës dhe ëndrrës është shkrirë. Është vepruar mbi parimin: Të piqet mishi, po të mos digjet helli. Në çastin kur fiton përshtypjen se çdo gjë ngjet dhe dëshmohet mirëfilli në lakuriqësinë e jetës së përditshme, rrëfimi mbështillet me përmasën e ëndrrës, del si gjendje ëndërruese. Kjo dëshmohet dhe në vështrimin e dashurisë në disa poezi, ku ajo ka një kuptimësi të gjerë; sa lidhet me kohën e poetit, me të kaluarën; sa më dashurinë ndaj vendlindjes, ndaj Karadakut e atdheut, me dashurinë për vashat, siç thotë poeti me një metaforë fort të rrallë: Ku vashat dje të tana këto lule me puthje i kanë ujitë (Kërkova n’ketë natë gjithçka, edhe ty). Gjithë kjo të kujton “Këngën e këngëve” dhe shumësinë kuptimore që dashuria ka në tekstin e saj[12].

Jetën me pësime dhe tragjikë të shumëfishta Ibrahim Kadriu nuk e shpreh në mënyrë të njëtrajtshme; ai nuk i pohon dukuritë dhe gjërat, po nëpërmjet rrëfimit poetik e ballafaqon lexuesin me to dhe e vë atë në komunikim; jep variante të asaj jete, që mund të shtrihet e degëzohet në kohë e në rrethana të ndryshme.

Në moshën e re, mbase i rrëmbyer nga imagjinata dhe nga ëndërrimet, poeti s’ka besuar në bukurinë dhe në dashurinë. Mirëpo, me kalimin e kohës, me pjekurinë fizike e mendore, gjërat kanë ndryshuar, sidomos kur, si shprehet ai metaforikisht, shfaqen “kalorësit e pran-verës”.

Kam andrrue, e nuk kam besue n’bukuri

derisa kalorsit e pranverës luftuen pranë

dhe në mbrendinë e krahnorit tim

për ate – prej së cilës përherë kam kërkue

gjurmat dhe shijen e jetës…

(Hijet e syve të saj)

Kadriu e vështron dhe e shpreh dashurinë si ndjenjë të fuqishme dhe gjithë pushtuese. Nuk e pohon me fjalë të mëdha, nuk e shpreh me ndjenja të forta e të papërmbajtura, po përmes rrëfimit të mëvetësishëm dhe poetikisht të ngritur.

E dashura e tij është, sa e rëndomtë, aq dhe e veçantë. Ajo është e bukur dhe e dashur, dy tipare të lidhura ngushtë njëra me tjetrën. Poetit i bëhet se lahet në sytë e saj dhe pikërisht kaltërsia e syve i jep dashurisë përmasën e magjisë, por edhe të shprehurit poetik:

më bahet se jam la në sytë e tu

që kurrë s’janë shterrun,

ngulfatem…

A nuk do të më mbesin ma rrugë e po mbytem?

N’bukurinë tande e n’shemtinë e kësaj nate

kohë e bjerrun:

m’gjelbro, m’i shndërro kambët n’flatra,

n’kthjellsi t’syve të zhytem.

(Nuk munda pa të quejtë dashuni)

²

Kaherë, më kujtohet, kam pi nji gotë dashuni

Në kaltrinë e syve të tu…

Dhe jam dejë – si bleta mbi lule

(Vegime)

²

Nga gjithë ajo që thashë më lart, ku ndriçova disa nga vlerat e kryesore të përmbledhjes së parë me poezi të Ibrahim Kadriut – “Netët e Karadakut”, vendimi i tij që ta bëjë botimin e dytë me disa ndryshime, është plotësisht me vend dhe jam i bindur se do të mirëpritet edhe nga lexuesi. Edhe me këtë libër të botuar para 55 vitesh (më 1969) dëshmohet se e kaluara është brenda të tashmes dhe se tashmja pa të do ishte një vlerë pa themel.

ANTON NIKË BERISHA

Prishtinë, qershor 2024

[1] Punimi i parë letrar poetik i botuar i Ibrahim Kadriut është një poezi për të rritur, botuar në vitin 1962 në revistën letrare “Jeta e re”, ndërsa vepra e tij e dytë letrare e botuar është përmbledhja me tregime për fëmijë ”Qyteti i luleve” (1970), e ndjekur nga ”E lumi rridhte” (novelë dhe tregime për fëmijë (1973), roman për fëmijë ”Pas kthimit” (1975) dhe “Kroi i ilaçit” (1983) roman për të rritur etj.

[2] Për këtë vepër studiuesi ynë i njohur i letërsisë, Mensur Raifi, shkruante (vitin kur u botua libri): “[…] shumica e vjershave na duken këngë elegjiake kushtuar ditëve të paharrueshme për autorin” (Shih Qasje veprave të Ibrahim Kadriut. Nga autorë shqiptarë dhe të huaj. Zgjodhi dhe përgatiti për botim Dr. Labinot Berisha, Shtëpia botuese “Beqir Musliu”, Gjilan 2015, f. 8.), ndërsa shkrimtari Teki Dervishi theksonte se vepra: “[…] dëshmon për një rrugë të filluar kah lartësia”. (Shih Qasje veprave të Ibrahim Kadriut. Nga autorë shqiptarë dhe të huaj. Zgjodhi dhe përgatiti Dr. Labinot Berisha, vep. e përm., f. 14 – 15.).

[3] Shih disa nga punimet për këtë vepër në Shtojcën e këtij botimi.

[4] Azem Shkreli, Rrënjë të gurta. “Shpresa – Kuvendi Salezian”, Prishtinë 2001. Botimi i dytë i rishikuar, Shtëpia e kulturës, Pejë 2012, botimi i tretë Argeta LMG, Tiranë 2023

[5] Visar Zhiti, Kohë e vrarë në sy. Zgjodhi, përgatiti për shtyp dhe parathënien Anton Nikë Berisha, “Rilindja”, Prishtinë 1997.

[6] Ibrahim Kadriu, Kohë e djegur në bebëza. Poezi e zgjedhur. Zgjedhjen dhe parathënien Anton Nikë Berisha, Faik Konica, Prishtinë 2013; Ibrahim Kadriu, Tempo incenerito nelle pupille. Poesie scelte. Scelta e la prefazione a cura di Anton Nikë Berisha, La traduzione a cura di Albana Alia, Luigi Pellegrini Editore. Cosenza 2014.

[7] Tomas Man, Vdekja në Venecie. E përktheu Beatriçe Balliçi. Shtëpia botuese Beqir Musli, Gjilan 2017, f. 15.

[8] Francesco Grisi, Corrado Alvaro e la Calabria. Zaffiri 16. Pellegrini Editore. Cosenza 1995, f. 5.

Elioti thoshte: “Koha e tashme dhe koha e shkuar / Ndoshta që të dyja janë në të ardhshmen”. Shih Ibrahim Rugova, Strategjia e kuptimit. Faik Konica. Prishtinë 2005, f. 81.

[9] Për veprimtarinë letrare të Ibrahim Kadriut kanë shkruar një varg autorësh, ndërsa unë pata botuar dy punime për romanet e tij: Mitizimi dhe demitizimi i realitetit. Rreth romanit “Kroi i ilaçit”, botuar në “Zëri i rinisë. 14 maj 1983, f. 23 dhe Jeta e vrarë dhe jeta e projektuar. Rreth romanit “Ethet e një dimri”, botuar në “Zëri i rinisë, shkurt 1994. Shih dhe studimin tim Rreth veprës letrare të Ibrahim Kadriut. Faik Konica, Prishtinë 2019; i kam përgatitur dhe vëllimet Ibrahim Kadriu, Kohë e djegur në bebëza. Poezi e zgjedhur. Zgjedhjen dhe parathënien Anton Nikë Berisha, Faik Konica, Prishtinë 2013; Ibrahim Kadriu, Tempo incenerito nelle pupille. Poesie scelte. Scelta e la prefazione a cura di Anton Nikë Berisha, Luigi Pellegrini Editore. Cosenza 2014.

[10] Shih Francesco Grisi, I Sigari di Brissago. L’anti personaggio della maschera letteraria. Bietti, Milano 1972, f. 19.

[11]Ernesto Sabato, Para fundit. Ese. Përktheu nga origjinali spanjisht Orjela Stafasani. OM, Prishtinë 2018, f. 63 – 64.

[12] Kënga e këngëve – kryevepër poetike e dashurisë dhe e jetës. Me përkthim të ri të tekstit. “Faik Konica”, Prishtinë 2015, botuar më parë në revistën “Fjala Hyjnore”, Prishtinë – Shkodër 2013.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok