22/12/2024

Meçan Hoxha dhe vendlindja

0
Mecan-Hoxha

Mirëmbrëma!

Të nderuar zonja e zotërinj, ju përshëndes !

Me kumtesën time do të shoqëroj Meçanin, në rrugëtimin e gjatë të krijimtarisë, titulluar:

“Meçan Hoxha dhe vendlindja“

Nga Idris Durmyshi

Në fshatin Kukur të Gramshit, rrëzë Lisecit, në një shtëpi dykatëshe guri, ku aroma e çajit dhe kënga e zogjve futej nga dritarja, u lind më 07 tetor 1945, zoti Meçan Hoxha. Në një mjedis të mrekulluar natyror, djep historie e legjendash, dëgjoi i riu rrëfimet e stërgjyshit Zyfer, luftëtar i Çetës së Shpatit, të babait Kodhel, partizan në Brigadën e Parë, u njoh me mistikën e mallin për dajllarët, Mekamë të Gjaçit. Kukuri, vendbanim Ilir, me shkollë shqipe që nga viti 1916, fshat me 100 burime e 15 mullinj, me 70 partizanë e 6 dëshmorë, ka mbetur krenaria dhe frymëzimi i Meçanit tonë.

Shkollimi në pedagogjike, universitet e specializimet, me notat më të larta, i dhanë start të mirë për një vrapim të suksesshëmm të riut plot energji e ëndërra të bukura. Shkallët e jetës i ngjiti njëra pas tjetrës, pa ashensor e katapultime, ndaj arriti deri në majë, pa u rrëzuar e aksidentuar. Mësues në Kukur, drejtor shkolle në Gribë e Shënepremte, drejtor muzeu e drejtor kulture në Gramsh, i pari i godinës partiake në rreth, deputet i të parit parlament pluralist… Ai nuk erdhi nga një fshat apo qytet bujëmadh, por emërmadh u bë nga puna e vepra e tij, që i shtoi oksigjen vendlindjes së vet, Gramshit tonë

Si për gjithë brezin e Meçanit, edhe për të, jeta pati problemet e kohës, e përkëdheli me karrike hijerënda, por edhe me sfida tronditëse.

E pamundur të them gjithçka në shkrimin tim modest, për mikun tonë Meçan, si: qytetar, intelektual, atdhetar, studiues, arkeolog, sociolog, poet, kritik letrar, publicist, progresist etj. etj. Biografia e tij e pasuron biografinë e Gramshit, është histori shqiptare, sagë e vërtetë njerëzore e intelektuale. Delikatesa e sqima e epërme shihen në paraqitje, sjellje, qëndrime, shkrime e debate. Gjithmonë e gjithçka mbi mesataren, drejt së përkryerës, ideales.

Kush e njeh nga afër Meçanin, kënaqet e çuditet njëkohësisht, se si e ka transformuar shtëpinë në arkiv dokumentash të sistemuara, në bibliotekë librash të shumtë, në laborator analizash letrare, historike e shoqërore.

Për ndihmesën e vyer në vite, ka merituar urdhëra e medalje të shumta. Ai është vlerësuar me Medaljen dhe Urdhërin “Për shërbime të shquara shtetërore e shoqërore”, është “Qytetar Nderi” i Gramshit, Mirënjohja e “Qytetit të Durrësit”, “Ambasador i Paqes”, etj. Komuniteti elitar i krijuesve dhe artistëve të Durrësit i ka besuar, së fundmi, rolin e drejtuesit të këtij klubi emërmadh. Personalitete dhe krijues dinjitozë kanë shprehur konsiderata të larta për krijimtarinë e Zotit Meçan.

Intelektuali dhe shkrimtari Shyqyri Fejzo vëren: “Librat e shkruara nga Meçani, dallojnë për trajtim të thelluar të problemeve, për saktësi e argumenta shkencore, të këndshme për lexuesin e dëgjuesin dhe të mbushura me pathos krenarie, për vendlindjen e banorët e saj.“

Poeti Agim Bajrami nënvizon “Çdo fjalë dhe kujtim i Meçanit është dhe mbetet për ne të tjerët, një përvojë e pasur jete, që e ka hak shfletimin.”

Gjuhëtari dhe krijuesi Ibrahim Ibrushi vlerëson:”Vepra, i nderuar Meçan, të afirmon si historian me vlera kombëtare. Puna Juaj është misionare, cilësore, e vyer dhe frytdhënëse.”

Interesant më duket pasqyrimi i realitetit në veprat e zotit Maçan: Përherë në kërkim të dritës, të njerëzve ndriçimtarë, të ngjarjeve kulmore, të vlerave iuniversale,si: patriotizmi, sakrifica, besa, dashuria, mirënjohja, talenti…Duke i respektuar të gjithë njerëzit në kohë e vende të ndryshme, Ju dalloni mes kopesë deshët me këmborë, mes pyjeve, lisat ku bien rrufetë, në qiellin prush me yje, yjet më ndriçimtarë. Ata bëhen antena që thithin e shpërndajnë valët Tuaja mendore e shpirtërore. Pena Juaj, i nderuar Meçan, ka nxjerrë nga harresa, baltosja apo mëdyshja xhevahire historike e njerëzore, që brezave mund t’u shërbejnë si gurë kilometrikë, si bixhu zbukurimi, si hajmali për syrin e keq. Vepra e shumanshme, histori emancipuese, përcjell mesazhe që e lartësojnë njeriun, e përsosin moralisht, e armatosin me filozofinë e ndryshimit, të ndërtimit të së bukurës e së mirës. Ajo na fton ta shohim njeri-tjetrin në sy, ta vlerësojmë e mbështetim, se kështu lartësohet dinjiteti i individit, i familjes, i krahinës, i Kombit mbarë.

Pas leximit të librave të këtij krijuesi të talentuar, të mbeten në kujtesë si pishtarë, si kapedanë,si  kalorës të përparimit Kamber Dermyshi, Asllan Shahini, Xhile Lici, Mahmut Xhelili, Haxhi Llalla, Zenel Braci, Riza Kishta, Hamit Dollani, Kapo Lena, Muharrem Zela, Tahir Llaha…… E vargani nuk ka të sosur. Sa bukur!

I palodhuri i madh, në ecjen nëpër udhët pa udhë të viteve, duke patur armë dijen dhe fisnikërinë, edhe në pasditen e jetës së vet, nuk ngec në negativitetet që sheh, nuk hap apo ngacmon plagë. Si mjek i kujdesshëm, me shpirt të madh e dorë të lehtë, Meçani jep diagnozë, mjekon e shëron. Veprat mbartin vlera të mëdha kulturore, shoqërore, shkencore, historike, didaktike, publicistike, poetike etj, etj.

Nuk mundem të analizoj ndihmesën e autorit, në gjerësinë e thellësinë e tyre, por do kënaqem me një ekskursion të shkurtër mbi 14 librat e Tij, që, si 14 valltarë të zënë për dore, këndojnë e vallzojnë për ne, për Gramshin, për Shqipërinë.

E nisi me Grabovën Sipër, simotrën e Voskopojës, plotë qytetërim, kulturë e rrezatim në zonë e përtej saj. Fshati me arumunë ndrin si perlë e fshehur mes malesh, e lakmuar nga studiues, vizitorë e turistë.

“Dritë diturie në Gramsh“, mbetet studimi më i plotë për fillesat dhe ecjen e arsimit në trevën tonë. Rrugë e gjatë, e vështirë, e lavdishme. Rrugë diturie, dinjiteti, krenarie. Libër plotë dokumenta, statistika. analiza. I këndshëm për çdo lexues, i dobishëm për çdo studiues.

Sulova e Lashtësisë dhe e bukurisë, ndihet e vlerësuar me studimin,“Pasardhësit e Kodrionit”. Libër i vogël në fleta, por i ngjeshur në fakte, dokumenta e arsyetime shkencore. Kalaja dhe qytetërimi rreth saj, ka hijeshinë dhe madhështinë e Tomorrit, e malit të shenjtë.

Monografgia, “Asllan Shahini i pushkës dhe i penës” na e sjell kodovjatasin si rilindës të madh, të barutit dhe të dijes, me ndihmesë të vyer për Gramshin e Pavarësinë e Shqipërsë.

“Zenel Braçi i Tomorricës”, jep portretin e vërtetë të tomorricarit, si komandant cete, si patriot e humanist, duke e zhveshur nga bloza e viteve të socializmit ideologjik.

“Gramshi në vitet e Luftës së Dytë Botërore”, jep përmasat e vërteta të kësaj epopeje, dritëhijet që duken e fshihen, trimëritë dhe hiletë që trasheshin dhe holloheshin, sipas midesë së politikës së kohës.

Libri më voluminoz i autorit, “Gramshi në jetën time“, ngjan me një testament apo almanak, ku jeta dhe vepra e autorit rrëfehet me vërtetësi dhe sinqeritet. E pakrasitur dhe lezetosur, mbetet pasqyrë e zhvillimeve të autorit dhe të Gramshit, në maloret dhe të tatëpjetat e viteve.

“Riza Kishta, emër që nuk harrohet”, për mua kulm krijimtarie, të kujton skenat drithëruese të tragjedive të Shekspirit. Jeta dhe fati i heroit qëndrojnë në fije të perit. Dashuria për vendin e njerëzit dhe urrejtja për katilin shtet të diktaturës, janë bateritë që energjizojnë shpirtin e paepur të Riza Ismailit, njeriut më të bredhur e më ndikues në tërë Gramshin e më tej.

Ashtu, me një maturi të spikatur, diku hapur e diku mes rreshtave, veprat janë akuzë për të gjitha gabimet, që ndikuan negativisht në zhvillimin e Gramshit dhe më gjerë. Unë e mbështesë  Meçan Hoxhën, sepse të gjithë përrenjtë e trevës sonë nuk i lajnë lotët dhe vuajtjet e gramshakëve, që shkaktoi paaftësia, provincializmi, militantizmi, servilizmi e cinizmi i atyre që më shumë sunduan, se sa drejtuan. Kolera e komunizmit, ku Mecani qe aktor i sofrës së parë, nuk ia thau shpirtin njerëzor. Nuk mbllaçiti fonde tenderash, ndaj lëçiti si shpend i lirë për të sjellë ndryshimin e për të qenë pjesë aktive e tij. I zhgënjyer, ai, si rrallë kush tjetër, e vetëhoqi, për të mos e veshur kurrë xhaketën e politikanit, ndonëse ia hedhin krahëve të tjerët, sa herë që boton një libër apo bëhet palë në debate. Pluralizmin e sheh si faktor uniteti dhe jo ndarjeje. “Gramshi bëhet më i mirë, kur jemi në garë për ta qeverisur dhe jo për ta sunduar.“ – ka deklaruar Ai.

Të nderuar gramshakë e miq!

Gramshi duket më i bukur, më i madh dhe më i vërtetë, pasi kemi lexuar veprat e zotit Meçan Hoxha.

Shoqata “Gramshi“, dega Durrës, le të ndihet dinjitoze, që, edhe pse foshnjore nga mosha, u jep vlerë, vlerave të Gramshit.

Ju falenderoj të gjithëve !

Idris Durmyshi

Durrës, më 07.07.2023

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok