22/12/2024

Kultura dardane e Bërnicës

0
u6_Nekropoli-i-Grashtices

Nga Haxhi MEHMETAJ

Kultura e Bërnicës është kulturë dardane e periudhës së bronzit të vonë ( 1300 – 1100 para Krishtit). Ka marrë emrin sipas vend zbulimit të parë, nekropolit në fshatin Bërnicë e Poshtme, 5 km në veri të Prishtinës. Përfaqësohet në nekropole dhe vendbanime. Shtrihej në Kosovë, Maqedoninë veriperëndimore, Sanxhak e Serbi juglindore . Nekropolet me reprezentative të kësaj kulture përveç atij të Bërnicës janë edhe nekropolet e Grashticës , Keqekollës, Ulpianës në afërsi të Prishtinës,  Kluçkës – Hipodromit të Shkupit, Donja Topionicës, Gornja Strazhava afër Prokuplës, Gllogovikut e Dojeviqit në Peshterë.

Ndërsa gjurmët e vendbanimeve për të cilat ka pak të dhëna janë zbuluar në Bardh të Madh e Graboc të Ulët të Fushë – Kosovës, Keqekollë e Badoc të Prishtinës, Ticë e Tushilë të Skenderajt, Rashkoc të Gjakovës, Lubozhdë të Istogut dhe G. Strazhavë. Tiparet e kësaj kulture dalin në pah nga varrimi më djegie dhe vendosja mbetjeve mortore në enë të qeramikës – urna. Varret janë individuale apo të përqendrua në grupe. Ato shënjohen e mbrohen më rrasa të pa punuara gurësh, rrasa të gdhendura gurësh dhe konstruksione “toloide” të bëra nga gurët e bardhë lumor. Në disa varre të Grashticës dhe të Keqekollës njihet kulti i thyerjes së enëve të poçarisë.

Në kulturën e Bërnicës ndeshen edhe varre më vënie të trupit si vazhdim i traditave të fazës pararendëse të bronzit të mesëm. Qeramika e kësaj kulture përbehet nga urnat, pjatat, tasat, filxhanët, enët dyshe .Prinë urnat dy konike më qafë cilindrike, buzë të gjera të pajisura më nga dy apo katër vegje, pjatat e thella cilindrike pa vegje apo me nga dy e katër vegje të larta mbi buzë, maja e të cilave zbukurohet më nga një shtesë në formë të thimthit të gjirit të femrës. Janë gjetur edhe fragmente e enë të zbukuruara më motive gjeometrike, zbukurime të një stili të artit tipik vetëm për ketë kulturë. Nga stolitë veçohen gjilpërat zbukuruese nga bronzi e ashti, rruazat nga qelibari, bronzi e pasta e qelqit, pullat dhe tëmthorët nga pafta e bronzit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok