KUJTESË PËR ARTISTEN E MADHE VAÇE ZELA…..!?
![Vace_Zela2](https://merbraha.com/wp-content/uploads/2025/02/Vace_Zela2.jpg)
“Prej personit të Nanë Terezës, Shqipnia asht e nderueme gjithmonë.
Kushtuar Shenjtores shqiptare Nënë Tereza
”Ju falënderoj sot në emnin e Kishës Katolike, për këtë bijë të Tokës suej dhe të Popullit Tuej…
Papa Gjon Pali II
“Mbretëresha e këngës” dhe “Nderi i kombit”
Nga Kadri Tarelli
Këto dit shkurti, të gjitha mediat vizive dhe të shkruara, në krye të fjalës kishin, Vaçe Zela “Ikonë e këngës shqiptare”, apo siç e quan poeti Agim Shehu “Diamanti Vaçe Zela”, e cila u nda nga jeta për t`u ngjitur e ndritur në mes të yjeve të muzikës dhe kulturës shqiptare. Kjo ndodhi, më date: 06, të shkurtit 2014, në Bazel të Zvicrës.
Më erdhi mirë që të gjithë ata që e kanë njohur, adhuruar, dëgjuar e shijuar këngën e saj, shprehën dhimbjen me fjalë shpirti e mall zemre, që shpesh u shoqëruan edhe me pika loti. E ka merituar këtë dashuri dhe përkujdesje deri në madhështi, aq sa populli pa dekret e ferman e pagëzoi me titullin, “Mbretëresha e këngës shqiptare”.
Nuk e di, a është mjaft!? Nuk besoj, por gjykoj: vallë cili artist apo njeri i muzikës, nuk do ta lakmonte këtë nder, pasi ta meritonte? Mbase këtu e kanë vendin dhe marrin kuptim, fjalët e arta të thëna aq bukur nga i madhi Viktor Hygo: “Njerëzit e mëdhenj e ngrenë vetë piedestalin. E ardhmja u ngre statujën”.
Nuk e kam njohur personalisht këngëtaren e adhuruar. Nuk është për t`u mburrur, po rasti nuk e solli. Veç në kujtesë më ka mbetur një çast nga rinia ime, të cilën e kujtoj sa herë dëgjoj këngët e Vaçes dhe e përmend shpesh në biseda kur bie fjala për të.
Ishte viti 1961. Porsa kisha marrë maturën. Arsye familjare më detyruan të shkoja nga Durrësi në Lushnjë. Ishte mbrëmje. Rrugës, nga qendra për në lagjen “Saravë”, nga një shtëpi përdhese dëgjoj këngë dhe tinguj kitare. Ndalova hapat. Magji e vërtetë. Mendova dhe kështu m`u duk, sikur më zbutën mërzitjen time. Veç tingujt e kitarës dhe zëri i vajzës që këndonte qetësisht, nuk m`u ndanë për gjithë jetën. Nuk e njihja Vaçen e as kisha dëgjuar gjë për të. Të nesërmen, nuk m`u ndejt pa e përmendur në bisedë me Ylin, (Hilmi Kapidani), një miku im orëndreqës nga Durrësi, por që aso kohe punonte në Lushnjë, i cili më thotë: “Është Vaçe Zela, këngëtare shumë e mirë. Lushnjarët e quajnë “bilbili” i këngës së tyre”.
Pak muaj më vonë në Festivalin e këngës në radio, ajo u nderua me çmimin e parë, dhe emir i saj u bë i njohur në gjithë vendin. Ajo ishte dhe mbeti, vërtet “Bilbili i këngës”.
Vitet shkuan. Shumë kush mendoi se ishte një meteor, që u shfaq papritur në zymtësinë e qiellit shqiptar të atyre viteve. Për fatin e të gjithë admiruesve të këngës, nuk ndodhi kështu. Vaçja u shndërrua në yll e ndriti mes yjeve. Ajo u rrit dhe u ngrit bashkë me këngën, duke kënduar për të gjithë. Ajo u bë pjesë dhe ka hyrë në jetën tonë, si në çaste të lumtura, ashtu edhe në të vështira. Kënga e “Gjyshes” ledhaton e përkëdhel vogëlushët, “Lemza” drithëron zemrat e gjimnazistëve dhe studentëve, “Fëmija i parë” ngazëllen nënat e reja, “Valsi i lumturisë” lumturon të dashuruarit që s`u shuhet dashuria, “Nëno moj do pers gërshetin”, përlot luftëtaret dikur të reja, që rrokën armët për liri, “Për ty atdhe”, na magjeps, na bën krenarë e na trimëron të gjithëve pa dallim moshe, sepse zëri i saj prek e ngacmon nervin e kombit. E kështu mund të vazhdohet gjatë në frymëzim, sepse këngët e saj s`kanë të mbaruar, veç duhen kënduar e dëgjuar.
Duke shkruar këto radhë, nuk po bëj gjë tjetër veç po sjell pak nga kujtimet e mia të hershme, por edhe pakëz nostalgji për moshën që kaloi, ku kënga e Vaçes na shoqëronte kudo, edhe kur s`këndohej, ajo mërmëritej apo vërshëllehej në buzët tona. Se ç`kishte një ngrohtësi dielli e qielli, që të lehtësonte brengat dhe hallet e shpirtit.
Këto dit u fol e u shkrua shumë për artisten e madhe. Cilit do nga ne i vjen mirë, që e gjithë shoqëria shqiptare, kudo që ndodhet e kujton dhe e nderon me fjalët më të mira e më të gjetura. Po unë kam dhe dua të shpreh një merak që s`më le të qetë prej disa ditësh.
Shumë tituj e çmime i`u dhanë artistes sonë, sa ishte gjallë. S`ka më bukur. Populli e pagëzoi “Mbretëresha e këngës”, ndërsa organet shtetërore e titulluan “Nderi i kombit”. Të dy janë vlerësime që i takojnë. Njëri më i bukur se tjetri. Nuk ka rëndësi se kush është më i lartë, se po qe për mua pagëzimi i popullit është referendum.
Deri këtu nuk shtoj gjë, sepse s`ka asgjë të re në gjykimin tim, por duke i parë pak më shtruar, se ç`më japin një ndjesi që më bezdis e nuk më ngroh. E kam fjalën për shtetarët dhe pushtetarët tanë të ndritur, që “s`i zë gjumi” për art e kulture dhe kujtohen të përloten kur artistët largohen nga kjo jetë. Nuk e ve në dyshim se këtu ka pjesë edhe ndjesia njerëzore, por pyetja që më shpon si gjemb murrizi, është: A e kanë vrarë mendjen se ç`bëhet më tej, me këtë lloj race njerëzish të shquar, që i kanë ngritur vlerat këtij kombi? Zëra të veçantë s`besoj se kanë munguar, por s`ua ka vënë veshin kush….. Pse….? Nuk e di….!
Është një temë që dikujt edhe mund të mos i pëlqejë dhe përgjigja e ka fytin e lidhur. Ndaj shumë fjalë të bukura, të thëna nga ata që kanë në dorë vendimmarrjen e vendim-bërjen, më duken si të shtirura e të stisura, sikur ju dogj shpirti.
Megjithatë po vazhdoj me një tjetër pyetje: Titulli i lartë nga qeveria, a jepet për ta dalluar nga të tjerët? Bukuri! Mirë për paratë që u dhimbsen, ndaj i nxjerrin me pikatore, po një vend të veçantë ku të prehen ata që e formojnë elitën e kombit, nuk mund të gjendet e të caktohet? Përvoja e botës nuk mungon. Sepse rastis, ashtu siç edhe do të ndodhë, që qoftë pas një jave, le më pastaj pas disa vitesh, kur dikush do të verë një tufë me lule në varrin e saj, a ka bir nëne ta gjejë pa pasur një shoqërues me vete….!? Qoftë larg, për të mos ndjellë të keqen, sepse edhe prapësi bëhen si pa dashje, e s`u del njeri për zot.
Nga marazi, po më zgjidhet gryka e thesit të pyetjeve: – Kështu nderohen e mbahen gjallë figurat që përfaqësojnë e ndriçojnë kombin? A kanë dhe duhet të kenë një status të veçantë këta njerëz, apo vetëm me letra? Dikush edhe mund të mos ndajë një mendje me mua, duke u justifikuar me barazitizmin e çuditshëm, që ka brenda shumë cinizëm: “Nga populli, me popullin”. Një thënie nga mençuria popullore e ardhur nga lashtësia thotë: “Lindim të barabartë, dallohemi në jetë, por vdesim të ndryshëm”. Po ta zgjasim fjalën, edhe zoti i ndan njerëzit; disa i pret në parajsë, e disa i degdis në ferr.
Në fund, duke gjykuar për madhështinë, Vaçe Zela me zërin dhe këngën e saj, hapi portat e përjetësisë për t’u ngjitur aty ku rrinë perënditë. Ndaj po citoj disa fjalë që vijnë nga latinët e vjetër:
“O kombe! Ruani njerëzit e mëdhenj, se përmes tyre do t`ju njohë bota!”
Vaçe Zela jeton mes nesh në përjetësi …..!
Kadri Tarerlli
Durrës. 08, të shkurtit. 2014.
Shënim: Pas kaq vjetësh, për Artisten Vaçe Zela, veç nderimeve dhe titujeve të ndryshëm, ka edhe vlerësime të tjera: Një rrugë në Tiranë mban emrin e saj. Janë botuar dy libra. Ndërsa në Lushnjë në sheshin qëndror të qytetit është vendosur përmendorja: “Vaçe Zela me kitarë.