21/12/2024

HALIM SALI RAXHA (HALIM MANGUPI) (1895- 1945)

0
Bajram-Celiku

Dëshmorë për Shqipëri Etnike

NGA BAJRAM ҪELIKU – BALI

Halim Sali Raxha (Halim Mangupi), lindi në lagjen Zajas Teqe, të Kërçovës në vitin 1895, në një familje bujare dhe trime. Babai i tij Sali Raxha ishte burrë i respektuar në fshat, dhe respektohej nga të gjithë fshatarët e tij përreth. Kishte dy djem si dy luaj, Sulën dhe Halimin, ky i dyti i pagëzuar si Halim Mangupi. Djali i parë Sula për trashëgimtarë pati Salin të cilin e pagëzoi me emrin e babait të tij, e djali i tij Saliu për trashëgimtarë pati tre djem si dhe dy motra. Djemtë e Saliut u pagëzuan me emrat – Sulejman (Sulë), Ali dhe Shaban, dhe motrat njëra Xhemile e tjetra Ajshe.

Halim Sali Raxha (Halim Mangupi), ka pasur tri motra – Zenën, Hajrien dhe Lemen. Për trashëgimtarë të tij kishte djemtë: Milahimin dhe Ismailin (Molkën), si dhe dy vajza, Hënen dhe Lemen. Ismaili (Molka), nuk ka lënë trashëgimtarë, ndërsa Milahimi pati vetëm një djalë me emrin Agim.

Dhe, tani të përqëndrohemi pak te trimi sypatrembur i Zajazit, Halim Sali Raxha! Apo, Halim Mangupi, siç e pagëzoi asaj kohe populli shqiptar. Trim mbi trima, rrëfente gjyshi im Emin Çeliku me mustaqet vesh më vesh: mauzerrin përmbi kokë, “nagëntin” dhe “hanxharin” me dy teha nën jastëk. Edhe, bombat e italjanit (mollëkuqet), dhe “kashikarat” e serbit në xhepat e strukes varë pas derës Shtëpisë, dhomës gjumit, na ishte Halim Mangupi. Trim, që rrallë lindë nëna, sypatrembur e burrë azgan. Trimëritë e tija, shumë herë i kam parë edhe me sytë e mi, në luftë kundër forcave partizane, që shpesh e sulmonin Kërçovën tonë të dashur. Kam shumë për të thënë për trimëritë e tij, por unë do të përqëndrohem më shumë te lufta  e pagëzuar ,,Ballë për Ballë” për çlirimin e Kërçovës, gjatë vjeshtës të vitit 1944.

Forca të mëdha serbo – malazeze, e “maqedonas” vendës, kishin shfrytëzuar rastin kur dy Mefailat i kishin shkuar në ndihmë Xhemë Hasë Gostivarit, për të çliruar Dibrën nga pushtimi sllav dhe forcat partizane, duke u vendosur në majë të Kalasë, dhe duke shpallur Kërçovën qytet i çliruar partizan. Lajmi, se: partizanët janë vendosur në majë të Kalasë së qytetit, u përhap në të gjitha fshatrat e Kërçovës. Posa u përhap lajmi, burrat rrëmbyen armët në dorë dhe krahut, kush me pushkë, kush me mitrolozë e bomba dore, u nisën në drejtim të Kalasë, me qëllim që të mos lënë shka të gjallë, në majë të Kalasë së qytetit. Kala, që me gjak u mbrojtë nga të parët tanë, në kohë të romakut e mbretit Perseu nga Stubera, por edhe nga Hajredin Pasha gjatë sundimit të Sulltan Mexhitit, në kohë të Turqisë.

Rrethuam Kalanë, rrëfente gjyshi nga të katër anët, duke e sulmuar me të gjitha forcat, por partizanët ishin fortifikuar mirë, e të paisur edhe me mitrolozë, nuk na mundësonin që ta marrim lehtë Kalanë. Një mitroloz i vendosur në majë të Kalasë, nuk na lente rehat, na korriste me plumba. Ishte e pamundur, që të ngjitemi atje lartë. Papritur e kujtuar, rrëfente gjyshi ia arriti Halim Mangupi i Zajazit, duke na thënë: Pritni pak, o burra, se: unë, do ta rregulloj shkaun atje lartë në kala, por kini kujdes përderisa ngjitem unë atje lartë, mos më vrisni ju edhe mua! Një bombë dore e futi në gojë, e në dorë rrëmbeu mitrolozin e tij besnik, dhe dalëngadalë barkas i ngjitej kodrës të Kalasë. Nuk shkoi shumë kohë, dhe ia arriti qëllimit, iu afrua shumë afër mitrolozxhiut malazez atje lartë në kodër. Nxorri bombën e dorës nga goja dhe e hudhi mbi mitrolozxhiun malazez, duke e vra atë, mitrolozi i shkaut pushoi së ulërimi.

Pasi ngjitet lartë në shesh të Kalasë, me mitrolozin e tij besnik, bën kërdi mbi forcat partizane, të cilët në huti lëshojnë Kalanë duke ikur teposhtë në drejtim të Krushinës dhe Knezhinës, ku pësuan edhe më keq nga luftëtarët e Ballit Kombëtarë. Në një luftë të rreptë, ku luftohej “Ballë për Ballë” prej në këmbë, rrallë shka mbeti gjallë më këmbë. Rrugët e qytetit ishin mbushur plot e përplotë me partizanë të vrarë, e ato të cilët ende ishin gjallë, ne që mbanim pushkë në dorë me nga një plumb në kokë i përcillnim për në botën tjetër me lule, sepse kishim frikë të mos na vrasin pas shpine. Thoshte, gjyshi: shkau besë nuk ka, vrae para se të të vrasi ai ty! Edhe, nga ana jonë atë ditë pati shumë të vrarë, e në mes tyre edhe disa komandantë. Ranë dëshmorë: Medin Zenku, Habib Kaleshi, Nuredin Elezi, Shefki Jagodini… E, më së fundi kur lufta kishte mbaruar, e fitorja ishte e jona ranë dëshmorë edhe: Ramazan Mislim Dauti, dhe trimi i Zajazit Begzat Vuli, të gjithë këto me mitrolozë në dorë të vrarë pas shpine nga “maqedonas” vendi e torbeshë, nga shtëpitë e tyre.

Përderisa lufta zhvillohej nëpër rrugët e qytetit, rrëfente gjyshi: Halim Mangupi kishte vërejtur se, torbeshët e Kërçovës me karroca me duaj misri, por edhe pa duaj nga fusha në jug të qytetit bartnin partizanë në qytet, me qëllim të vrisnin shqiptarët e Ballit Kombëtarë pas shpine. Halim Mangupi, apo Mangupi i Tmerrshëm siç që e patë pagëzuar populli, kishte vënë pusi afër spitalit të sotëm të qytetit, ku së pari kishte vra një oficer malazez, të cilit ia kishte marrë teshat e i kishte veshur vetë duke u bërë si një kapetan i vërtetë, sepse edhe teshat e kapetanit i kishin erdhë shumë tamam përshtati si partizan komunist.

Partizanët, kur vijnë nga jugu për ndihmë atyre që iknin për Krushinë e Knezhinë, Halim Mangupi i ndalon i bën rrjesht nga dy e pastaj me mitrolozin e tij besnik i vretë pamëshirë. E, kur sheh se lufta më tani kishte marrë fund, arrin te shokët e vet të luftës, ku fytyra e tij ishte bërë zi nga flaka e mitrolozit të tij, dhe kur dëgjon për vrasjen e trimit tjetër nga Zajazi, Begzat Vulit: dëshprohet aq shumë duke ulur kokën për tokë, e lotët i shkonin rrëke faqeve, rrëfente gjyshi. Në atë moment, nuk festoheshte fitorja ndaj shkaut të pabesë, por të gjithë rrinim kokë ulur, sepse humbëm shumë trima lufte.

Erdhën edhe ditë më të vështira për Kërçovën me rrethinë, filluan ofensivat e egra sllave, duke vrarë burra faj e pa faj, gra e fëmijë vetëm se ishin shqiptarë, por digjeshin edhe kasolla me kafshë brenda e shtëpi. Shqiptarët luftonin për të mbrojtë Trojet e tyre Etnike, shtëpi për shtëpi, por shumë i fortë tani u bë armiku, si në armatim e poashtu edhe në numër, i ndihmuar nga Serbija e Rusija. Shqiptarët, në krye me dy Mefailat e Zajazit e me trima të tjerë nuk dorëzoheshin të gjallë, luftonin si luaj. Jo vetëm sllavët, rrëfente gjyshi, na sulmuan edhe aradhat partizane shqiptare, nga Nëna Shqipëri, Dibra, e Struga. Përderisa, ne në fushëbeteja sulmonim dhe bërtisnim “me dorë”, ato nga ana tjetër në gjuhën shqipe na përgjigjeshin: “me duar e këmbë”! Prijsit e tyre na thanë: ,,Ikni kah të mundeni e shpëtoni kokën si të dini, se: lufta mbaroi, mori fund. E gjithë bota është ngritur kundër jush si ballistë, Berlini ra, dorzohuni!,,… Vetëm Zajazi, ende lufton maleve…

Popullata e Kërçovës, duke e parë rrezikun filloi  të shpëtojë kokën duke ikur në drejtim të Gostivarit, por edhe atje gjeti belanë, u burgosën e u vranë, masakruan nëpër varreza masive. Edhe ato, që mbetën në Kërçovë arrestoheshin me faj e pa faj, në rrugë, shtëpi e fushë, e burgoseshin në burgun e qytetit te pazari i sotshëm i gjelbërt, (kasarna). E, pastaj gjygj e pa gjygj masakroheshin nëpër varreza masive te “Gështenjat” e vise tjera pa adresë. Edhe sot e kësaj dite, nuk dihen eshtrat e shumë trimave që luftuan për të mbrojtur Trojet e tyre Etnike, e familjarët e tyre nuk patën mundësi të hudhin as një grusht dhe mbi varrin e tyre.

Një fat të tillë pati edhe trimi i Zajazit, Halim Sali Raxha, apo Halim Mangupi, siç e pagëzoi populli, të cilin policia sllave e arrestojnë në Gostivar, dhe e sjellin në burgun e Kërçovës. E nxjerrin para gjygjit ku e gjykon Alekso Simjanoski në prani të trupit gjykues në krye të cilit qëndronte funksioneri i lartë i asaj kohe Llazar Mojsovi, duke dënuar Halim Mangupin me vdekje.

Sipas rrëfimit të gjyshit tim, i cili nga vetë goja e Aleksos kishte dëgjuar, se gjatë gjykimit, Halim Mangupi kishte qëndruar si trim i vërtetë, si burrë i pathyeshëm. Kur Alekso i bën pyetje Halim Mangupit: ,,Sa partizanë ke vra or trim me mitrolozin tënd? Halim Mangupi i përgjigjet ,,Kam vra shumë, por nuk i mbajë mend të gjithë, më mirë do të ishte ta pysni mitrolozin tim besnik, ndoshta ai do t’ua japi numrin e saktë. Kërcen në këmbë nga tërbimi Llazar Mojsovi dhe i thotë Aleksos: ,,Vrisni kët qen pa mëshirë, sepse nuk mund ta duroj më në jetë përsëgjalli, humbëni gjurmët e tij, e kurrë të mos i mbetet nishan,,!

Edhe pse, nga atëherë e deri më sot ka kaluar një kohë e gjatë, varri i trimit sypatrembur nga Zajazi Halim Mangupi, ende nuk dihet se ku është dhe prehet nën dëllinja. Ose, lisa. Vëllai i tij Hoxhë Sulejmani (Sula), edhe ai u nxorrë para gjygjit por u lirua si i pafajshëm. Ne, sot mund të themi vetëm: Lavdi veprës të atij atdhetari! Sepse, ai ra dëshmorë i popullit me idenë për Shqipëri Etnike! E, për të jetuar së bashku nën ombrellën e Nënës Shqipëri, le të prehet nën dëllinja! Ose, lisa!…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok