Fjalori Enciklopedik i Edukimit i Prof. Dr. Hajrullah Koliqit – vepër me vlera shkencore dhe historike për zhvillimin e edukimit shqiptar
Nga Gjekë Gjonaj
Shkenca e edukimit sipas ekspertëve të kësaj fushe vlerësohet “ shkenca e së ardhmes, si e para nga të gjitha, sepse është motori i krejt të tjerave”. Ajo sot ka përparuar mjaft. Ky zhvillim kërkon që të hartohen fjalorë të ndryshëm dhe t’i përgjigjen nevojave të kohës të arsimit shqiptar dhe të shfrytëzuesve. Një përpjekje të tillë e realizoi me sukses Prof. Dr. Hajrullah Koliqi, i cili botoi veprën e tij jetësore ( opus vitae) , të titulluar ” Fjalor Enciklopedik i Edukimit” me dy vëllime të plota (vëllimi I A-LL dhe vëllimi II M-ZH). Kjo vepër gjithëpërfshirëse leksikologjike e edukimit prej 1.976 faqesh dhe rreth 6.700 njësish (zërash) nga të gjitha fushat e edukimit, është një kontribut jashtëzakonisht i çmuar i autorit për këtë fushë, mbase edukimi është shtylla kryesore e përparimit të shoqërisë dhe garancia më e mirë e zhvillimit të vendit. Ky botim, i cili ka munguar në Kosovë, është edhe një arritje e madhe dhe e rëndësishme e shkencës dhe edukimit shqiptar një përgjithësi dhe si i tillë përbën një risi për shkencat e komunikimit. Është një dëshmi domethënëse e karrierës më se dyzetvjeçare universitare e kërkimore-shkencore e Prof. Dr. Hajrullah Koliqit në fushën e historisë dhe praktikës së edukimit. Ky fjalor njëkohësisht është dëshmi e aftësisë së kapaciteteve dhe njohurive të tij të thella intelektuale që janë shprehur në strukturën e këtij libri studimor.
Në hartimin e kësaj vepre me vlerë historike për zhvillimin e edukimit në Kosovë, kërkesë themelore e autorit ka qenë trajtimi i zërave ( termave e nocioneve) me vërtetësi e saktësi shkencore. Fjalori është shtjelluar sipas traditës së hartimit të fjalorëve, sipas alfabetit të shqipes, nga shkronja “A -ZH”, duke i shtuar atij edhe “W” pas shkronjës “ V”. Të gjitha shkronjat trajtohen nga aspekti etimologjik i tyre, kurse zërat përgjithësisht janë të vegjël dhe të mesëm, me disa përjashtime. Në të gjitha hallkat e punës për këtë vepër janë bërë përpjekje për të dhënë një trajtim shkencor sa më objektiv për zërat e trajtuar.
Në këtë vepër autori Hajrullah Koliqi ka përfshirë edhe zëra dhe informacione nga shkenca e disiplina të tjera , të afërta me edukimin siç janë: psikologjia, filozofia, sociologjia, historia, fiziologjia, mjekësia etj. Ato janë përfshirë në dy rrafshe, në rrafshin vertikal apo historik dhe në rrafshin horizontal ose bashkëkohor. Të gjitha shkronjat trajtohen nga tri aspekte kryesore: filozofia e edukimit, teoria e edukimit dhe praktika e edukimit. Autori i fjalorit, duke u nisur nga fakti se të gjitha shkencat shoqërore e kanë traditën e tyre e cila nuk duhet të mohohet për arsye se trungu i shkencës është tradita dhe mbi çdo traditë ndërtohet ajo bashkëkohorja në çdo fushë, pra edhe në atë të edukimit, bën përpjekje që të bëjë njëfarë harmonizimi të traditës së edukimit dhe edukimit bashkëkohor.
Hartimi i fjalorit enciklopedik të autorit Prof.Dr. Hajrullah Koliqit është një përpjekje për harmonizimin e terminologjisë së edukimit evropian me atë amerikan, sepse kemi këtu edhe mospërputhje, madje edhe shpërputhje midis terminologjisë shqiptare. Autori parimisht është nisur nga ajo që asnjë zë të mos shkruhet ( shpjegohet) nga një burim, Prandaj ai ka shfrytëzuar burime të shumta e të llojllojshme shkencore-profesionale, si: fjalorë dhe enciklopedi të përgjithshme, tekste universitare, monografi shkencore, enciklopedi të përgjithshme, pedagogjike, filozofike , psikologjike dhe burime elektronike , me autorë në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja.
Konsiderojmë se ky fjalor do t’u shërbejë jo vetëm ekspertëve të kësaj fushe, studentëve e studiuesve të edukimit, por edhe mësimdhënësve, prindërve, njerëzve të zakonshëm dhe të gjithë të tjerëve që e duan arsimin dhe shkencat e edukimit, të cilët dëshirojnë të zgjerojnë njohuritë e veta në fushat e edukimit. “Hartimi i këtij fjalori më ka shërbyer dhe mua, për t’u rritur në aspektin profesional dhe shkencor. Punova shumë dhe mësova shumë “, thotë autori në parathënien e kësaj vepre. Edhe ne mësuam shumëçka që nuk e dinim më parë për sa kohë që e lexuam këtë vepër.
Ky vepër leksikologjike pritet të zgjojë interesim, diskutime, dilema e vlerësime të ndryshme tek intelektualët, edukatorët edukologët, edukantët, edukatëdashësit, entet, institucionet shkencore të kulturës shqiptare dhe të gjithë ata/ato që duan të mësojnë më shumë rreth fushës së edukimit.
Fjalori është botuar nga Fakulteti i Edukimit ( Universiteti i Prishtinës, në vitin 2022), dhe financuar nga MASHTI i Kosovës. Recensentë janë: Prof. DR. Afërdita Deba-Zuna, Pof.Dr. Bardhyl Musai dhe Prof.Dr. Naser Zabeli, redaktor Prof.Asoc.Dr.Blerim Saqipi, ndërsa kryetar i Këshillit Botues Prof.Dr.Kurtesh Sherifi. Publikimin dhe përdorimin e këtij fjalori e lejoi Këshili Botues i Universitetit të Prishtinës me Vendimin nr.616 të datës 1 prill 2022.
Në mbyllje të këtij vështrimi po citojmë edhe një mendim të Prof.Dr. Hajrullah Koliqit që ka të bëjë me modestinë e tij njerëzore. “ Unë bëra atë çfarë dita dhe munda, me shpresë se studiuesit dhe autorët e tjerë shqiptarë ( individë apo grup individësh) do të hartojnë fjalorë të tjerë cilësorë dhe enciklopedi gjithëpërfshirëse të shkencave të edukimit, të krahasueshme me vepra të tilla të ngjashme në vende të zhvilluara”.
Ulqin, 13 korrik 2023