30/12/2024

FISHTA, SHKRIMI SATIRIK

0
Buzhala-Fishta

(Fletëza fishtiane), 4

Teksti dramatik “Nën hajat të Parrizit”

Nga Prend BUZHALA

Të shprehesh me anë të satirës politike dhe të ndjesh dhembje të pafund, në pas-skenën e kësaj satire – në lëmshin e madh të kontradiktave të kohës, kur po ndodhte Lufta e Parë Botërore dhe po vendoseshin edhe fatet e Shqipërisë,- përbënte një mision titanik fishtian.

Padyshim, satira gjithnjë ka trajtuar tema e probleme shoqërore e nacionale që kanë peshë aktuale, pikërisht pse fryma aktuale i jep forcë shkrimit satirik.

Pas cipës së një morali hipokrit, shkrimtari i satirës zbulon edhe padrejtësitë shoqërore, kurse tek një tip satirik ai zbërthen dhe, madje, spikat veçori tragjikomike.

1.

Është vizioni satirik ai që i zbulon e i sulmon anët e errëta e të shëmtuara të jetës e të situatës së saj; që ua zbulon rrënjën e sëmurë pasioneve të ulëta e të ndyta; që e drejton shigjetën e logosit të fjalës artistike e të frymës së dyshimit kah vargu i ligësive që e shumëzojnë të keqen. Po ky vizion satirik edhe i afirmon vlerat njerëzore, njatë atributin artistik të lirisë e të urtisë.

Kur Fishta shkruante satirat e tij “Anzat e Parnasit” (1907) dhe kur po botonte tekstin dramatik-satirik “Nën hajat të Parrizit” (1914), në të njëjtën kohë ai angazhohej edhe në format tjera të veprimtarisë së tij atdhetare, angazhohej edhe me format e shkrimit diskursiv, për t’i trajtuar të njëjtat probleme e çështje.

Nëse zhanret letrare e kanë esencën e tyre dhe kufijtë e tyre, të drejtat dhe privilegjet e tyre (siç do të thoshte Brunetiere), krijuesi ynë i shquar do t’i shtrëngojë studiuesit e letërsisë të gërmojnë edhe përtej problemeve të zhanrit, t’i shohin, mandej, lidhjet teleologjike të këtyre zhanreve; në këtë rast, për t’i parë lidhjet tematike, estetike e poetologjike mes epikës, lirikës e dramatikes nga njëra anë, si dhe të shkrimit të tij diskursiv, tejet të pasur, nga ana tjetër.

Te e fundit, te shkrimi fishtian, vetë historia paraqitet si një proces dinamik. Sado që vetë autori i kishte përkufizuar këto shkrime diskurseve si sociologji, polemika, ligjërata dhe miscellanea (kjo e fundit nënkupton vëllimet me shkrime mikste, të ndryshme, shumëllojshmëri shkrimesh a zhanresh të përziera, dhe, pse jo, edhe të gërshetuara); megjithatë, këto vëllime ngërthejnë një pasuri shkrimesh që përmbledhin si kronikën e kronologjinë e ngjarjeve (me titujt e përbashkët “Lajme rrokull, Shqipnis e rrokull botës”), që Fishta i botonte herë pas here, ashtu edhe portretet për personalitete të shquara të botës shqiptare e të asaj ndërkombëtare; si reportazhin e mirëfilltë, ashtu dhe artikullin, komentin, analizën shoqërore e politike; si trajtën e esesë meditative-publicistike, ku vë në plan të parë ndodhinë, faktin, protagonistin e kohës, kujtesën, ashtu edhe shkrime që ngërthejnë revoltën e ironinë ndaj situatave paradoksale të kohës, me ligatinat, deformitetet e zvetënimet që e përcjellin. Ky shkrim i polifonisë së zhanreve diskursive, ndërthur edhe shkrimet me lëndë estetike, kritiko-letrare e teorike-letrare, ashtu sikundër dhe lëndë me tematikë filozofike, politikologjike, kulturologjike, madje dhe pedagogjike, arsimore, gjuhësore etj. Shkrimi i tillë satirik, po edhe ai eseistik e diskursiv, nga ky këndvështrim, është zhanër i situatave të krizës.

Kurse këto situata të turbullta, të errëta, shkrimtari i ndriçon me stilin e tij epik e homerik, me zemërimin e tij dramatik e satirik dhe me urtinë e tij të shquar e vazhdimisht kryengritëse. POLEMOSI FISHTIAN përbën një kapitull më vete kundruall përbuzjes e shpifjes së qarqeve evropiane të kohës (sikundër është shkrimi “A janë të zot shqiptarët me u mbajtë shtet më vedi” për të dëshmuar aftësinë e vetëqeverisjes e të shtetbërjes). Fishta spikatet dhe në shkrime të tjera, kaq të njohura për kohën, si “Shqiptarët dhe të drejtat e tyre”, kurse një qerthull të pasur temash, nga problematika e tillë, janë shkrimet që Persida Asllani i përkufizon me shprehjen “Shqiptarët përballë vetvetes”, me theksimin se Fishta kishte dhënë formulimin aq depërtues e proverbial me shprehjen “Tash që asht ba Shqipnia, duhen ba shqiptarët”, formulë kaq aktuale edhe sot e kësaj dite.

Formula e tillë spikatet në çastet e krizës a të lëkundjes së identitetit nacional e qytetar.

Në këtë mënyrë, tekstin dramatik-satirik “NEN HAJAT TË PARRIZIT” do lexuar jo vetëm në kuadrin e dramatikës së tij e të satirave tij; “Anzat e Parnasit” (1907), por në botimet e mëvonshme do të përfshihet edhe ky tekst në lexim, apo dhe “Gomari i Babatasit”; ashtu sikundër do të përfshihen edhe në kuadrin e universit të shkrimit fishtian.

Dhe çka do të thoshte, po ashtu, në këtë kontekst historiko-letrar e kohor kataklizmash të luftërave botërore e ballkanike, të përtalleshe me Evropën dhe me shoqërinë shqiptare dhe, njëkohësisht, aty ta sugjerosh shpresën për përmbysjen e vlerave të tilla?

Fishta vë tekstin e tij përballë shoqërisë shqiptare, “të dehur” nga dalja prej një perandorie, të gatshme të bëjë pazare me të huajt në kurriz të atdheut, një shoqërie të dhënë pas vesesh e lakmish, shoqëri e papërkushtuar për zgjidhjen e problemeve të veta etnike, indiferente ndaj copëtimit të trojeve etnike dhe kundruall  një shoqërie që prijësin e tyre Skënderbeun nuk e kanë në zemër; dhe, nga ana tjetër, kundruall një shoqërie të fuqishme evropiane që luante me trojet shqiptare si të donte vetë. Por ky kontekst shkrim-leximi na sugjeron edhe për diçka tjetër: jo vetëm për shpirtin satirik të Fishtës, por edhe për shpirtin e tij demokratik kundruall këtyre krimeve e despotizmave të kohës.

Satira dhe demokracia janë të ndërlidhura.

Dhe, a nuk është pikërisht satira fishtiane ajo që nuk i përfill pushtetet e regjimet?

2.

Edhe për disa male janë krijuar mitologjitë për to. Te shqiptarët një mitologji e tërë është ngritur për Malin e Tomorit, ndërkohë që ka mjaft legjenda dhe për bjeshkët të tjera (bjeshkët e Nemuna, Mali i Shenjtë, Sharri, Pashtriku etj etj). Në këto mite hyn edhe Bjeshka e Parnasit në Greqi, si vendstrehim i muzave. Ndërkaq, Fishta, duke qenë në kontakt me rrymat letrare të kohës, duke njohur dhe gjuhë të huaja e letërsitë e njohura evropiane, e rimerr parnasin edhe në kuptimin e lëvizjeve letrare të kohës: ishte parnasizmi në Francë që erdhi si lëvizje kundruall romantizmit; ishte Fishta që, pos kundrimit romantik e epik të betejave shqiptare të shek. XIX, tashmë në Shqipërinë e çliruar, do të përdore realizmin e fortë, realizmin satirik… Në fakt, ai dëshironte që parnasizmit të “artit për art”, të sillte thumbimin, anëzat, arëzat. Në Parnas nuk janë vetëm zanat shqiptare të “Lahutës…”, as vetëm muzat e Helikonit homerik, apo pëllumbat e Anakreontit deradian, apo engjëjt e mirësisë naimiane, po edhe anëzat aristofaniane!

Të gërshetosh parnasin me anzat?

Të vësh në gërshet satirën me tragjiken?

Këtë, me kaq harmoni, estetikisht e artistikisht, mund ta bënte vetëm Fishta.

Edhe kur Evropa, e personifikuar te Djalli që takohet me Skënderbeun, thotë që shqiptarët janë “si i don anmiku”, ka një qortim të shumëfishtë. Le ta kemi parasysh zemërimin fishtian kundër Evropës si “kurvë e motit” te “Lahuta e Malcis që po i copëtonte trojet shqiptare. Le ta kemi po ashtu parasysh edhe zemëratën e Fishtës për shqiptarët që kërkonin prapakthimin historik, që jepeshin pas ligësive, përçarjeve etj. etj. Në këtë rast dialogu mes Skënderbeut, Djallit dhe Shën Pjetrit, zhvillohet në një zonë supreme, që quhet Hajat i Parrizit. Parizi nuk është vetëm parajsa, por është edhe asociacion i qendrës së atëhershme botërore, Parisit të Francës, ku vendoseshin më se njëherë fatet e kombeve.

Kësisoj, Fishta kishte prirjen që aq qartë e aq thellueshëm, ta ngarkonte semantikisht fjalën, kryefjalën tematike. Kështu në Parriz gjendet edhe djalli! Më saktësisht, “ngjarja” (asociativisht: edhe historia) po ndodhte diku në korridoret e diplomacisë (vajzës së Djallit), diku në Evropë (nënës së diplomacisë a gruas së djallit)! Polemosi fishtian i publicistikës, në satirën letrare merr përmasa të një intelekti të rrallë krijues. Ai di ta gërshetojë zhanrin e satirës me bisedën, poezinë me tekstin dramatik. Dhe të duket sikur na shfaqet një pararendës i alkimisë së zhanrit letrar që shfaqet pas viteve ‘80 në letërsinë tonë!

Djalli (Evropa), sikundër është thënë me të drejtë, personifikon edhe realizmin, thënien e drejtpërdrejtë, të vërtetat e kohës, pa shibla në gjuhë. Në strukturën e këtij teksti dramatik satirik (dikush e quan poezi satirike, dikush poemë etj.), tri personifikimet e mëdha të Fishtës shqiptohen te Shën Pjetri: vlerat shpirtërore, brenga dhe shpresa, Fishta si meshtar, te Skënderbeu: arketipi i idealeve etnike shqiptare dhe te Djalli: armiku, po edhe diplomacia, politika, dredhia, e vërteta…

3.

Gjergj Fishta mund të konsiderohet i pari autor që shkruan një tekst dramatik për Skënderbeun sipas modelit kritik e dyshues, ku heroi përfaqëson vetëdijen kritike e ku shfaqen ballafaqimet në mes idealistit dhe pamjes së realitetit. Të mos harrojmë, se te shumë shkrime letrare dhe diskurisve të Fishtës, Skënderbeu është edhe hero etnik, hero i mbrojtjes së vlerave etnike e identitare.

Nuk është e rastit pse satiristët kanë rëndësi të madhe për kulturën e një kombi, ashtu sikundër janë të rëndësishëm emrat e Servantesit, Rablesë, Erazmit të Roterdamit, Suiftit, Didërosë, Volterit apo Bokaços për letërsinë evropiane; dhe ashtu sikundër janë të rëndësishëm për letërsinë shqipe emrat e Çajupit me komeditë e tij e me poezinë e tij satirike, i Gjergj Fishtës me poemat e tij satirike, i Faik Konciës me “Doktor Gjilpërën…”, i Kristo Floqit me komeditë e tij satirike, Dritëro Agollit me romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, apo i Kolë Jakovës me romanin “Fshati midis ujërave” e deri te Qamil Buxheli me romanet e tij, apo i Ramiz Kelmendit me veprat e tij satirike…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok