21/12/2024

FILIZA POETIK ME RRËNJE TE EPOSI

0
Puntorie-Muca-Ziba1

…ose stili poetik i Puntorie Muça Ziba

Nga Timo Mërkuri

Në një nga vizitat në Galerinë e Arteve Tiranë në vitin 1976  një skulpturë në mermer e Bajram Currit më tërhoqi vëmëndjen kaq shumë sa që ftova edhe shokët e mi studentë të shpërndarë nëpër ambientet e Galerisë që afroheshin e ta shikonin. Shpresoja ta shikonin me syrin tim dhe të përjetonin emocionet e mia, por çuditërisht jo të gjithë shokët çfaqën të njëjtin entusiazm.

I- Figurën e Bajram Currit ishim mësuar ta shihnim në përmasat e statujës së tij në Tropojë, madje edhe nga pozicioni poshtë- lart që e lartësonte edhe më tepër heroin. Përkundër kësaj,  skulptura në ambientet e Galerisë ishte e vogël, afërsisht një metër e gjysëm a diçka më pak, shkurtësi kjo që binte në kontrast me “madhështinë hierëndë” që na ishte rrënjosur në vetëdijen tonë. Nuk mjaftonte kjo, por sikur të donin të na përmbysnin përfytyrimin për heroin, punonjësit e  galerisë nuk e kishin vendosur statujën  mbi ndonjë bazament dhe për këtë shkak  ne e shihnim Bajram Currin nga “lart-poshtë”, gjë që ishte goditje ndaj madhështisë së heroit në gjykimin e shokëve  të mi.

E vërteta është që unë nuk i pashë fare këto elementë dhe u befasova kur shokët m’i vunë në dukje në bisedat gjatë kthimit për në konvikt. Realisht unë për veten time pashë në galeri një shkëmb (… një shkëmb të Dragobisë) prej nga po  “dilte” Bajram Curri, madje edhe trupi i tij pjesërisht kishte “dalur” nga shkëmbi. Kishte dalur gjoksi dhe koka, ndërsa shpina ishte akoma pjesë e shkëmbit, kishte dalur dora që mbante pushkën, madje dallohej tyta ndërkohë që pjesa e qytës gjer te këmbëza ende ishin ende  pjesë shkëmbi, ku sa ishin ravijëzuar. Heroi kishte hedhur një këmbë përpara në një ecje të nxituar, në një kohë që këmba tjetër vetëm sa ishte gdhëndur në shkëmb. Ishte një gjysëm shkëmb-gjysëm njeri që të kujtonte çastet e lindjes,  momentin kur fëmija ka nxjerrë gjysmën e trupit. Në ndërgjegjen time këtë skulpturë e emërova “shkëmbi nga del heroi”, ndonëse në mendimet e mia vërtiteshin dhe emërtimet “heroi shkëmb” apo “shkëmbi hero”.

Rrodhën vitet por nga kujtesa ime nuk u largua parafytyrim i daljes së heroit nga shkëmbi, i

krijuar nga pamja e asaj skulpture të cilës nuk i mësova as autorin dhe as fatin e mëtejshëm.Koha nuk e fshiu dot këtë parafytyrim ndonëse e zbehu dhe çvendosi në një cep të largët të kujtesës, si në një depo shtëpie ku vendosen materialet që nuk përdoren shpesh, në pritje të ndonjë nevoje apo kujtese momenti.

II-Çdo mënyrë kujtimi e kësaj skulpture do ishte e natyrëshme, por kursesi nuk mund të mëndoja se do t’a rikujtoja pas leximit të një poezie të Puntorie Muça Ziba me titullin “Armiku im” në datën 11 Nëntor 2020 në fb e cila më befasoi qysh në fillim me stilin epik të vargjeve:

 

ARMIKU IM

në dalsh në atë fush mejdani

s’ke me pa dregëza n’plagë

mua s’më thonë Gjergj Elez Alia

as ti s’je Bajlozi i dalë nga deti,

unë jam Puntoria që ta ngjeth mishtë

që ta pjek mishtë…

 

Të lidhi si bollë

me flokët e gjata,

t’vë verige me fjalët e thukëta

t’plasi si thi shkurresh

t’i djeg hundët

me germat e mia t’athëta.

 

Unë jam mal zemërak

me një det llafe t’helmoj

n’krahnor mëkatet t’i vulos

që t’pështyjnë zanat e maleve

sapo t’murosin historinë

që s’mehet për ty…

 

Fryma epike e poezisë, stili i vargjeve si i marrë nga eposi,  madje edhe mënyra e trajtimit e temës të krijonte mënjëherë përshtypjen e një poezie “që po del nga eposi” si Bajram Curri nga shkëmbi, ndaj m’u kujtua skulptura e mësipërme madje gjer në hollësi. Nuk më kishte rastisur të gjej në poezinë bashkëkohore vargje të shkruara me stil të tillë, ndaj te komenti i shkruajta pak a shumë diçka si: Një poezi brilante prej nga flet Puntorie Gjergj Elez Ziba…Pas kësaj, kurioziteti mbi krijimtarinë e kësaj poeteje më shtyu të lexoja dy poezi të tjera që ishin secila befasi më vete, ndonëse me tematikë krejt tjetër:

PËRSËRI BIE BORË

Se ç’ke ra, e ma ke zbardhë blozën n’sy

se ç’ke ra, e rreth e m’rreth ke shtru bardhësi,

ti ke ra, e bardhësinë ma fute n’gji.

Ah, s’muj me u ndje ngijshëm me një kupë qiell bardhësi,

se çke ra, e kanë me t’mblu kristale drite, përmbi

se çke ardhë, o moj e bardhë

e n’tokë teme ardhsh gjithnji

n’paqe bardhësie, kockat tuj m’i shkri.

 

BRITMË

Kur ta lëshon shpirti njat haramin e oxhakut

nga marazi që mba për sytë e bukur të tokës madhe,

unë s’kam me ba za

as prifti, as hoxha n’minare ska me i këndu,

n’emën të atit

as unë skam me qa

as s’kam me thirrë vajtojca n’konaqe

as vaji me gjëmë s’do dëgjohet n’mëhalla t’epërme

as varrmihësit s’do bëjnë punë kote

as turma, as paria që s’mundi me i lidh krye

sdo rreshtohet n’kortezh t’përmortshëm,

as dheut ska me i ardh rand n’kurriz, kamba e tij.

 

Eh, oi,oi do të lind dielli e do të qesh hëna n’sy t’pranverës,

do t’i thuri këngë tokës teme

se kjo jetë në këta vargmale të hijshme

nuk është e rreme, oi, oi…

 

… ku poezia e parë të sjell ndërmënd një  këngë të kënduar me lahutë ndërsaa e dyta të rrënqeth me ngjashmërinë me vajtimet me ligje. Por do vinte  kënga e Tanushës me titullin “KËNGA E PËRNDRITUR” me vargjet befasuese që do më shtangte:

Unë jam njëmijë vjet më e re se ti, Tanushë

lulëkuqe me katër petale:

kam sy zogu

kam flatra zogu

jam flokargjend,

përngjaj me mollë bejlegu

edhe hundën e kam me kurriz.

 

Ti je njëmijë vjet më e vjetër, Tanushë

gjithë nahia të kishin lakmi

gjithë rinisë i shkrepte mendimi

se vashë më të bukur s’kishte lind në atë diell.

 

Ah, vetulla yte si fiskajë

balli si gjysmëhënë

syri si kokërr qershie

goja e vogël, gonxhe që shpërthen

edhe hundën e kishe me kurriz.

 

..që më krijuan ndjesinë e tre degë lisi zgjatur nga eposi i kreshnikëve në kohën tonë dhe që më bindën plotësisht se kemi të bëjmë me një stil  të ri poetik, ardhur miturak nga këngët epike e rritur në poezinë e kohës sonë si një poezi origjinale, tipike, shqiptare.

III- Në krijimin e  stilit të veçantë poetik të Puntorie Muçaj-Ziba sigurisht që ka ndikuar origjina familjare, arsimimi dhe kultura  e poetes si dhe situate politike e shqiptarëve, dje në Jugosllavi dhe sot në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Lindur në Strugë në vitin 1954, e diplomuar në Akademinë Pedagogjike, dega Gjuhë dhe Letërsi shqipe në Shkup poetja ka përjetuar repersionin serbo-sllav ndaj shqiptarëve gjatë jetës së saj. Shpërbërja e Jugosllavisë dhe mosbashkimi i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut me shqiptarët e Kosovë në një shtet,mungesa e një uniteti politik të shqiptarëve në R.M.V. gjë që ka bërë që ata të jenë gjithmon minorancë politike dhe administrative ndonëse janë komunitet dominues janë faktorë që kanë krijuar një gjëndje shpirtërore të trazuar te poetja. Si intelektuale ajo e njeh mirë artin oral shqiptar në trevat shqiptare të Veriut, në Kosovë dhe vendet e tjera të banuara nga shqiptarët.Ajo i njeh mire këngët epike, baladat dhe legjendat, e njeh forcën e tyre identifikuese, rezistuese dhe frymëzuese, e njeh artin e tyre rrezëllitës. Literatura serbo-sllave ka synuar gjithmon mohimin e artit gojor shqiptar ndaj dhe këngëve epike, baladave dhe legjendave shqiptare u kanë dhënë  një“pasaportë” serbo-sllave (1). Më shumë se vjedhje kjo është mohim, një mohim i identitetit të tyre shqiptar në një kohë që pikërisht te këto balada, legjenda dhe këngë epike qëndronte jo vetëm identiteti shqiptar, por edhe historia e kombit dhe frymëzimi popullor për rezistencë. Te këto lisa këngësh epike u mbështet Puntorie Muça-Ziba, aty gjeti metaforën e poezisë, gjeti formën dhe “veshjen“e artit poetik dhe me erën që frynte nëpër “lisat” e eposit i dha forcë fjalës së saj artistike.

IV-Duke lexuar poezinë e Puntorie Muça-Ziba të duket se jeton në këngët epike.Nuk kemi të bëjmë me imitim, nuk kemi të bëjmë me kopjim. Ajo “mori” ca bistakë lisash dhe pasi i rriti si filiza në “farishten” e talentit të saj poetik, i mbolli në lisnajën epike, ku marin të njëjtin ushqim me lisat, ku i lëkund e i përkund e njëjta erë. Dhe fidani i lisit rritet vetëm si lis.

Qysh në librin e saj të parë me titull “Rruga e mjellmës”botuar në vitin 1987 duket që autorja po na flet nga lisat e një pyll të ri poetik,  i ngjashëm apo pranë pyllit epik. Ndryshe nga sa duket, lisat  poetik të Puntorie Muça-Zyba nuk janë identikë  me lisat e eposit. Këta janë lisa të rinj, të gjelbër, me degë të reja e trungje të fortë në  rritje ndërkohë që lisat e eposit janë ca zgërboja stërshekullore me trungje kufo (bosh) nga brenda,  me shumë degë të thara ku nuk vijnë më zogj të ndërtojnë folenë e të këndojnë sepse pranvera e ka haruar rrugën për tek to.

Ndryshe nga shumë poetë shqiptarë që kanë malet si pikë referimi apo ekuilibri, Puntorie Muça-Ziba ka epikën si referim, ekuilibër dhe mbështetje. Në ndryshim nga poetët e tjerë që malet nuk i “rinovojnë”, nuk i bëjnë të rinj, nuk u heqin madje as dëborën kur vjen pranvera, Puntoria  jo vetëm që e bën Tanushën vetëm “njëmijë vjet të vjetër” (duke e “rinuar” disa  epoka dhe shekuj) “Ti je njëmijë vjet më e vjetër, Tanushë/gjithë nahia të kishin lakmi/gjithë rinisë i shkrepte mendimi/se vashë më të bukur s’kishte lind në atë diell…, por e aktualizon temën : Unë jam njëmijë vjet më e re, Tanushë/ përngjaj me detin që oshëtin/shëmbëllej me malin që rënkon/…Ti do të kuvendosh/ do të më pyesësh/fije e për pe:/në kam frikë nga fisi/në kam frikë nga hija ime/në kam frikë nga ëndërrimet /në kam frikë nga kënga e vrugët/në kanë mbet skllevër rrashtë djegur/në ka mbetur burrni në vatër/në ka mbetur dyfek n’dollap…A nuk ju duket kjo poezi si një botë poetike e zbritur nga lahuta ku ende jehon kënga epike. Kjo poezi është një poezi e shtrirë në dy kohë, me epoka larg njera tjetrës por që kanë të njëjtën frymëmarje, të njëjtin shpirt dhe që për ti lexuar duhet të “dish” te lexosh.

V- Pse poetja preferoi stilin me vargje e frymë epike në poezinë e saj bashkëkohore? Arsyeja është shumë e thjeshtë: poetja e jeton diskriminimin etnik të bashkëkombasve të vetë në R.M.V.vuajtjen sociale, kanunorekështu që ajo dëshiron ta ndryshojë këtë gjëndje dhe ta kthejë nënormalitet. Për këtë duhen ndërgjegjësuar së pari ata, të diskriminuarit, të vuajturit.Fjala që dëgjojnë (në kuptimin që i binden), e respektojnë dhe e besojnë shqiptarëtështë së pari fjala e epikës,e baladave dhe legjendave dhe më pas fjala e kanunit.Fjala e ligjit dëgjohet me pahir, me detyrim ndërsa fjala e femrës rrallë dëgjohet. Puntorie Muça-Ziba është kaq e ditur sat ë kuptonte se si femër edhe duke folur me gjuhën e artit dhe  poezisë të kohës së sotme, pakkush do e dëgjonte, prandaj ajo zgjodhi që idetë dhe mendimet e saj t’i shprehte me gjuhën që dëgjohet e respektohet më së shumti ndër shqiptarët, me gjuhën e epeve. Dhe unë ju them se jaka dalur më së miri në këtë mënyrë.

Duke sjellur frymën e eposit në poezitë e saj, ajo sjell te bashkëkombasit kujtimin e kohës së tij plot kurajë, kushtrim e triumfe përballë armiqve dhe koncepteve negative të jetës (dashuria e Halilit me Tanushën), kohë me solidaritet, besë e mbështetje ndaj njeri tjetrit dhe dëshiron që këto cilësi dhe virtute të jenë pjesë e jetës së bashkëkombasve të saj. Ndaj i ka vënë vetes misionin të flasë poetikisht eposisht:Rroj me ju dëftue ca andrra t’pathinjura. /Kam frikë t’mos mbeten t’pathana/e mund t’mi lëshoni nëmët nëpër këmbë.(Rroj me ju dëftue) e ndërgjegjëshme që vargu dhe mendimi i saj është i ri, i kohës sonë, problemet dhe shqetësimet e të cilës sjell me fjalën e saj: Fjala ime/ sot kam dashur me të dëgjue/ një botë e tërë/se një shekull të kam heshtë/ ./Dil fjalë nga del shpirti/dil nga makthet/ se për kokë të shkronjave/hesht e përtyp/Mos bëlbëlzo/çirru, le të dëgjojnë shtatë kupë qiej/se dem baba dem këtu le…dhe shpirti shpërthen si geizer: kur trazojnë plagët e shkronjave/të Manastirit/ më vjen sikur/../mi prenë kokat/e profetëve të mi. (Për kokë të shkronjave). Është hera e parë që e dëgjoj betimin “Për kokë të shkronjave” dhe ju siguroj se për poetët betim më të shenjtë nuk ka. Qysh në vargjet e para e dallon se kjo është një poezi e kohës moderne si në temë, në strukturën poetike dhe në ide pavarësisht fjalorit tingëllues huazuar nga eposi, me synim.

VI-Puntorie Muça-Ziba është një poete moderne  që mori nga epet frymën kushtrim për të rizgjuar shpirtin e bashkëkombasve për ndryshimet që kërkon koha e tashme:

a)-në drejtim aspiratave kombëtare: “Armiku im,/kur po do me dal/n’at atë fushë të hapur /n’at mejdan shkallë ngritun/me ta pa dhimtën/me ta pa të zezën e synit/të zezën e namit,/me të mbikëqyrur në skuqesh a zverdhesh/a, e ha turpin” (N’dalsh në atë mejdan)…Le të shohim si ballafaqon dy kohë, pasqyrim real i një “kohe” përmbys përballë një kohe të lavdishme “heronjsh që vdesin me kullat në krah”.:“Vdiqën martirët therorisht/ vdiqën duke i mbajt kullat në krah,/./Vajtojcat ndukin faqet/qajnë nën zë/anjtin sytë/mbyllin veshët/../t’mos shohin:/si hiqen zvarrë për një monedhë/shtirakët lidhur kapistre /nga zogori bajlozësh” (Shkelje betimesh), kohë që poetja vajton me ngashërime si grua, si nënë, si motër: “Ah, kur më vjen vaji i thekshëm /kur më vjen/s’më shëmtohet as syri, as buza././Më mirë se gjithë gjindja, qaj/se tokës i bie erë kërmë”(Ngashërime).

b)- në drejtim të lirisë dhe barazisë së gruas: “Amanet o shtegëtarë t’maleve/ n’ardhshi nadje kësaj zallishte/këngën me e ndal/vajin me e ndal/se halli madh na ka zanë./O ju trima /kah veroni/kah dimëroni/kah mjeroni/bjeshkë më bjeshkë/e vrri më vrri/kullë më kullë e shpi më ship/në i zënçi pa trimni /në i pafshi pa burrni/mallkim të rëndë t’lëshon grania:/u mykllofshin e u nxishin sarajet e tyre/bollë e nepërkë/paçin motër e vëlla”. Duke përdoru vargun epikte kjo poezi poetja paraqet forcën e kërkesës për emacipim e barazi shoqëroretë femrës. Asnjë formë tjetër poetike nuk e paraqet më të plotë  dëshirën e femrës që martesa të mos bëhet sipas normave të kanunit port ë bëhet thjeshstë me dashurinë e ndërsjelltë mes çiftit.. Vargjet “në i zënçi pa trimni/në i pafshi pa burrni” vetëm formën kanë huazuar nga eposi se në thelb kanë ide bashkë- kohore.Ka edhe një këndvështrim tjetër kjo poezi dhe vargjet “në i zënçi pa trimni/në i pafshi pa burrni”.Në konfliktet shqiptaro serbo-sllave qofshin ato në Kosovë apo në R.M.V. gratë kanë qënë gjithmon objekt sulmesh imorale nga paramilitarët serbë apo policia maqedonase. Shëmbulli i njohur i Kosovës me mbi 20.000 dhunime grash e vajzash nga paramilitarët serbë më shumë se dëshmi është një ulërimëshpirti që mbart mallkimin e  grave dhe vajzave për dhunuesinserbo-sllav, por që vala goditëse e saj kapte dhe bashkëshortët, të fejuarit apo të dashurit e tyre që nuk bënë asgjë për ti mbrojtur nga kjo gjëmë. Poetja këtu lëshon kushtrimin që së pari të vihen gratë dhe vajzat nën mbrojtjen e dhunës militare-policore dhe këtë mbrojtje duhet ta sigurojnë prindërit, bashkëshortët, të fejuarit dhe të dashurit e tyre. Duke mbrojtur gratë dhe vajzat mbrohet kombi. Ju kujtoj se në folklorin shqiptar të këtyre trevave vajza e quan të dashurin, të fejuarin dhe bashkëshortin e saj tëri me emërtimin “trimi im” sepse ai së pari është një trim që i siguron mbrojtjen vajzës dhe gruas “me trimni”. Kjo është detyra e parë e tij dhe në qoftë se ai nuk i siguron paprekshmërinë vajzës, të fejuarës apo bashkëshortes së re atëherë “mallkim të rëndë t’lëshon grania:/ u mykllofshin e u nxishin sarajet e tyre/bollë e nepërkë/paçin motër e vëlla”. Ata nuk mund të jenë më “trima” dhe “burra” në sytë e vajzave që i dashurojnë, të vajzave të fejuara me ta apo të nuseve të tyre të reja. Ato gjithë jetën do kujtojnë që “trimi” i tyre, “buri” i tyre nuk ka as trimni dhe as burni dhe ata s’kanë sy e faqe tu dalin përpara e jo më t’u kërkojnë dashurinë e shpirtit dhe të trupit.

Me këtë rast më lejoni t’ju kujtoj se asnjë poete shqiptare në Kosovë apo R.M.V nuk e ka trajtuar me kaq forcë dhe artistikisht këtë dhimbje që fjalën e shndron në një mallkim, mallkim që përhapet si valët rrethore në syprinën e liqenit kur hedh në mes tij një gur.

Te poezia tjetër (Në fron) godet brutalitetin bashkëshortornë familjet patriarkale shqiptare ndaj grave: Ti je burrë/me shtatë thasë sedër/./Ti je bajlozi i dalë nga dallga/ti je burri/ti je sedra/e, ne nuk mbyllim sy/duke pritur/të zbresësh nga fuqia/të mbetesh pa kapistër/të mbetesh pa fron.(Në fron).

Nga epika Puntoria ka marë fjalën dhe stilin e përdorimit të saj : Të shitoftë orëliga/ që mi le shqisat hapur/gojë e sy shkrumb zunë/./Si duhmë rrufeje/ pleqëria ti kishte hapërdarë/ flokët e thinjura (Pritja)dhe lutet vetëm për një gjë: Ma lerni vjershën dhe lirinë/se do mbetem cung/po mi morët të dyja/  (Psalm) dhe flet dhimbshëm: Ç’mu duk korb vetja/mua të gjorës/sikur mijra gishtrinj ma ndukën lëkurën….(Kur putha sytë e një qyteti) për të vajtuar me fjalë: Të shitoi zëri i vajit si kambanëz/ e të la me dy gisht fytyrë/.. /as hëna e hënuar/as dielli i diellzuar… (Vaj për trungun) a për të vajtuar me klithmë: Eh, oi,oi do të lind dielli e do të qesh hëna n’sy t’pranverës/do t’i thuri këngë tokës teme/se kjo jetë në këta vargmale të hijshme/ nuk është e rreme, oi, oi...(Britmë).

VII-Puntorie Muça Ziba është e vetmja poete që lëvron poezinë moderne me vargjet epike, duke na sjellur në kujtesë eposin, këtë pasuri të pamasë shpirtërore të kombit tonë, duke dëshmuar se eposi nuk “i përket të kaluarës”, nuk është “mbyllur në shpellë” bashkë me Mujin e Halilin, por është pjesë e jetës sonë në kulturën familjare e shoqërore, në mendime e veprime.

Eposi nuk është larguar prej nesh, disa nga ne janë larguar prej tij dhe për pasojë dhe prej atdheut, ndërkohë që Puntorie Muça-Ziba i këndon Shqipërisë :O copëz Shqipëri/o copëz dritë,/o copëz nur…/o moj hyjnore/mbi relievin e elozheve tua/më daltë njaj shpirt.. me vargje poetike që ngjasojnë më së shumti me kurora luleshqerash thurur lëndinave nga çupkat e vogla që i vendosin në krye gjatë valles së tyre miturake dhe më pas i varin në degët e lisave aty pranë sepse është “Koha e qershive” dhe “Kur ne të jemi në kohët e qershive do të jemi të gjithë në festë” shkruante Jean-Baptiste Clément në një nga poezitë e tij,që Yves Montand do e bënte të pavdekshme në këngën “Le temps de cerises”, Kohët e Qershive, ndonëse “është fare e

shkurtër koha e qershive”(2) por mjafton që poetja të mbjellë ëndrat poetikë.

Sarandë, shtator 2021

1-Mund të përmëndim variantet serbe të baladës së murimit të Shkodrës, Këngët Kreshnike, Gjergj Elez Alia etj të mara nga folklori shqiptar dhe të përkthyera apo përshtatura në serbo-sllavisht..

2- “është fare e shkurtër koha e qershive/si varëse koralesh që mblidhen nëëndra” varg i fundit i poezisë së Jean-Baptiste Clément

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok